Albspirit

Media/News/Publishing

Zygmunt Bauman: Të jetosh me kokën kthyer pas nga e shkuara

Sociologu i njohur gjerman flet për retrotopinë dhe zhgënimin e njerëzimit me të ardhmen…

Nëntë dekadat e jetës së Zigmund Baumanit, përkojnë me palcën e historisë. I lindur në vitin 1925 nga prindër polako-hebrenj në Poznan të Polonisë, familja e tij u largua për në Bashkimin Sovjetik në vitin 1939, teksa tanket naziste mësynë Poloninë. Ai shërbeu në Ushtrinë e Kuqe ku u dallua në luftime, u rrikthye në Poloni pas Luftës së Dytë Botërore për të studiuar sociologji në Universitetin e Varshavës.

Por, me komunizmin që e humbi shpejt famën e vet, dhe karrierën akademike të penguar nga anti-semitizmi, ai emigroi në Britaninë e Madhe në vitin 1968, ku filloi punë si pedagog i sociologjisë në Universitetin e Lidsit. Por vetëm pas daljes së tij në pension në vitin 1990  inteligjenca e tij për të cilën është kaq i njohur, filloi të prodhojë libër pas libri.

“Aluzionet e postmodernizmit” (1992); “Modernineti i rrjedhshëm” (2000); “Shoqëria nën rrethim” (2002); “Të huajt në derën tonë” (2016) etj. Në fakt, gjatë 25 viteve të fundit ai ka botuar rreth 40 libra, jo për hir të vetes, por sepse bota aktuale nuk është si ai mendon se duhet të jetë. Ose, siç u shpreh në vitin 2003:”Pse shkruaj libra? Pse mendoj? Pse duhet të jem i apasionuar? Sepse gjërat mund të jenë ndryshe, ato mund të bëhen më mirë”. Pyetja fillestare në lidhje me rëndësinë e rezultatit të referendumit Breexit, nxiti edhe bisedën e mëposhtme mbi të ardhmen, të kaluarën dhe fatin e projektit të Iluminizmit.

Ju keni folur edhe më parë mbi zhgënjimin popullor ndaj politikës kombëtare në një botë të globalizuar, dhe ndjesinë e njerëzve të zakonshëm se politikanët lokalë janë të pafuqishëm për të ndikuar ndryshimin. A kanë ndryshuar pikëpamjet tuaja në dritën e referendumit të BE-së dhe Brexit-it të ardhshëm?

Besoj se rënia e besimit tek aftësitë e të gjitha pjesëve të establishmentit politik të shtetit sovran në të gjithë botën e zhvilluar, për të ofruar ndryshimin e dëshiruar (apo realisht çdo lloj ndryshimi të premtuar), është pikërisht ajo që në mënyrë paradoksale e çimentoi fenomenin Brexit. Me zhgënjimin e votuesve me elitën politike, dhe refuzimin e tyre të plotë për të investuar besimin në çdo pjesë të kësaj elite, referendumi ofroi një mundësi të paparë për krahasuar sondazhet me ndjenjat që përpiqen të shprehen. Në këtë drejtim qe një rast i veçantë, dhe shumë ndryshe nga rutina e zgjedhjeve parlamentare.Në këto të fundit, ju mund të shprehni zhgënjimin, zemërimin tuaj kundër arradhës më të fundit të pushtetarëve dhe premtim-dhënësve. Por çmimi që paguani për këtë lehtësim emocional, është thjesht ftesa e Madhërisë së Saj Opozitës, një pjesë e pandashme e establishmentit politik, për të hyrë në zyrat ministrore si Madhëria e Saj Qeveria.

Në këtë lojë të pafundme karrigesh, jeni shumë pranë shprehjes së plotë të mospajtimit tuaj. Rasti i ofruar nga referendumi Brexit, ishte krejtësisht i ndryshëm. Me pothuajse të gjithë sektorët e establishmentit politik, që e pozicionuan veten në kampin e qëndrimit në BE, ju mund ta përdorni votën tuaj të vetme për të zgjedhur largimin nga unioni, si një formë e çlirimit të zemëratës tuaj kundër të gjithëve në politikën tradicionale.

Ju keni shkruar mbi fundin e progresit, humbjen e besimit tek ideja se e ardhmja do të jetë më e mirë se sa e shkuara. A ka ndonjë gjë në fenomenin Brexit (dhe në të vërtetë edhe tek lëvizjet e tjera populiste në kontinent) që premton diçka të re, një epokë ndoshta edhe më të mirë për Evropën?

Ne ende besojmë tek “progresi”, por ne e shohim atë tashmë si bekim por edhe si një mallkim, me pjesën e mallkimit që rritet në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa pjesa e bekimit po bëhet gjithnjë e më e vogël. Krahasojeni këtë me qëndrimin e paraardhësve tanë të kohëve më të fundit – ata ende besonin se e ardhmja qe një vend më i sigurt dhe më premtues për të patur shpresë.

Ne megjithatë, kemi prirjen të gjejmë frikën, ankthet dhe kufizimet tona tek e ardhmja:nga mungesa në rritje e vendeve të punës; rënia e të ardhurave dhe po kështu edhe tek reduktimi i shanseve të jetës për ne dhe fëmijet tanë; të rritjes së dobësisë së pozicioneve tona sociale, dhe përkohshmërisë së arritjeve tona të jetës; i një hendeku të pandalshëm në zgjerim ndërmjet mjeteve, burimeve dhe aftësive në dispozicionin tonë, dhe madhështisë së sfidave të jetës; e kontrollit mbi jetët tona që po na rrëshqasin duarsh.

Është sikur ne si individë, te jemi duke u degraduar me statusin e gjurmëve në margjinat e një lojë shahu, e cila luhet nga persona të panjohur. Ata janë indiferentë ndaj nevojave dhe ëndrrave tona, dhe nëse nuk janë haptazi armiqësorë dhe mizorë, janë të gjithë shumë të gatshëm për të na sakrifikuar për hir të arritjes së objektivave të tyre. Ajo që mendimi mbi të ardhmen tenton të na sjellë në mendje ditët e sotme, është një kërcënim në rritje i të qenit i demaskuar dhe klasifikuar si i paaftë dhe i papërshtatshëm për detyra, i përjashtuar dhe dëbuar.

Një shumicë në rritje njerëzish kanë mësuar tashmë nga përvoja e tyre, dhe ajo e të afërmëve dhe të dashurve të tyre, për të diskredituar të ardhmen e pabarabartë, kapriçioze, të paparashikueshme dhe tejet zhgënjyese si vendi i investimit të shpresave. Libri im i fundit, “Retrotopia”, prek pikërisht këto çështje.

Më lejoni të citoj një fragment nga hyrja e tij: “Kjo është ajo që Uollter Benxhamin, kishte për të thënë në librin e tij ‘Tezat e filozofisë së histories”, të shkruar në fillim të vitit 1940, në lidhje me mesazhin e përcjellë nga Angelus Novus (i riemërtuar si Engjëlli i Historisë ), një pikturë e vitit 1920 nga Pol Kli:”Fytyra e Engjëllit të Historisë është kthyer nga e kaluara. Aty ku ne perceptojmë një zinxhir ngjarjesh, ai sheh një katastrofë të vetme e cila mban grumbull mbeturinat dhe reliket para këmbëve të tij. Engjëlli do të qëndrojë, të zgjojë të vdekurit, dhe të ribëjë të gjithë atë që është shkatërruar. Por një stuhi është duke fryrë nga parajsa; ajo përplaset me aq forcë në krahët e tij e tij, saqë engjëlli s’mund të qëndrojë më pranë tyre. Kjo stuhi e shtyn në mënyrë të parrezistueshme në të ardhmen së cilës i ka kthyer shpinën, ndërsa grumbulli i mbeturinave para tij rritet drejt qiellit. Kjo stuhi është ajo që ne e quajmë progres”.

Nëse dikush sheh nga afër pikturën e Kli, thuajse një shekull pasi Benxhamin prodhoi esenë e tij të thellë, do të kapte Engjëllin e Historisë edhe një herë në fluturim. Mund të mbërrihet në përfundimin se e shkuara dhe e ardhmja, janë në procesin e shkëmbimit të virtytve dhe veseve të tyre përkatëse – siç sugjerohet nga Benjamin – njëqind vjet më parë nga Kli.

Unë besoj se episodi Brexit, si edhe lëvizjet e tjera populiste në kontinent, janë manifestime të diskutuara më lart të ‘prirjes retrotopiane’. Në mungesë të mjeteve efektive të veprimeve të afta për trajtimin e problemeve të gjendjes sonë aktuale, dhe duke patur parasysh rritjen e numrit të zhgënjimeve të shkaktuara nga të ardhmet e njëpasnjëshme të ngarkuara me zhvillimin e këtyre mjeteve të veprimit, nuk është e habitshme pse eksplorimi i së shkuarës të duket gabimisht tërheqës.

Mundësia e një epokë të re, ndoshta edhe më të mirë për Evropën, në zhvillim si pasojë e Brexit-it, ende mund të duket, si pasoja e saj paparashikuar dhe ende bindëse. Por kjo për shkak se ne frustrohemi me përdorimin e tribalizmave të vjetruara, për t’u marrë me sfidat e sotme të krijuara nga gjendja e njeriut të globalizuar në mënyrë emergjente dhe nga një ndërvarësi në mbarë botën.

Marrë me shkurtime nga “Spiked Review”

Please follow and like us: