Zyrtarët e zbulimit: Rusët ndërhynë në zgjedhjet e SHBA
Krerët e agjencive amerikane të zbulimit rikonfirmuan të enjten përfundimin e tyre se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara. Ata thanë sot në një seancë të Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, se besojnë se autoritete të larta ruse ishte drejtpërdrejt përgjegjës për depërtimin në sistemet kompjuterike amerikane dhe rrjedhjen e dokumentave nga Komiteti Kombëtar Demokrat. Seanca vjen në një kohë kur Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump vazhdon të hedhë dyshime tek përfundimi i agjencive të zbulimit për rolin e Rusisë. Javën e kaluar, Uashingtoni vendosi sanskione të reja ndaj Rusisë pasi përcaktoi se Moska ishte pas depërtimit në kompjuterat e Partisë Demokrate.
Në një deklaratë të përbashkët, Drejtori i Zbulimit amerikan James Clapper, Shefi i Komandës së Sigurisë Kibernetike, admiral Michael Rogers dhe Nënsekretari i Mbrojtjes për Zbulimit, Marcel Lettre shprehen në një deklaratë të përbashkët se “vetëm zyrtarët më të lartë rusë, mund të kishin autorizuar vjedhjen kibernetike të të dhënave dhe bërjen publike të tyre”.
Senatori republikan me peshë, John McCain, kryetari i Komisionit të Forcave të Armatosura, përsëriti qëndrimin e tij Rusia është pas sulmit kibernetik:
“Nuk i shmangemi dot faktit se ky komision mblidhet sot për herë të parë në Kongresin e ri, pas “një sulmi të pashembullt ndaj demokracisë sonë”.
Por zoti McCain shtoi se synimi i tij nuk është “të vihet në diskutim rezultati i zgjedhjeve presidenciale”.
Zoti Clapper tha se agjencitë e zbulimit e kanë të pamundur të llogarisin efektin e informacioneve të bëra publike nga WikiLeaks tek vendimi i zgjedhësve për të hedhur votën.
Zoti Trump vazhdimisht ka vlerësuar presidentin rus Vladimir Putin, së fundmi kur ai nuk reagoi me të njëjtën monedhë, pasi administrata e Presidentit Obama dëboi diplomatët rusë nga Shtetet e Bashkuara.
Në një mesazh në Twitter, zoti Trump përsëriti se kushdo mund të kishte depërtuar në sistemet e kompjuterave të Partisë Demokrate dhe se kampi i rivales së tij Hillary Clinton, duket të kishte qenë më i kujdesshëm.
Zoti Clapper ju përgjigj një pyetjeje të senatores demokrate Clare McCaskill, lidhur me dyshimeve që ka hedhur zoti Trump tek përfundimet e agjencive të zbulimit:
“Mendoj se ka një dallim të rëndësishëm mes mosbesimit të shëndetshëm që hartuesit e politikave, përfshirë hartuesin numër 1 të poltikave duhet të kenë, pra ka një dallim mes mosbesimit dhe denigrimit”.
Pas disa qëndrimeve të zotit Trump dhe republikanëve të tjerë që duket se vlerësojnë drejtuesin e WikiLeaks, Julian Assange, zoti McCain tha se ai ka vënë jetën e amerikanëve në rrezik dhe pyeti zotin Clapper nëse fjalët e tij se qeveria ruse nuk i ka dhënë informacion janë të besueshme.
Zoti Clapper tha se nuk ka asnjë besueshmëri tek ato që ka thënë zoti Assange.
Eksperti amerikan i sigurisë kombëtare, Brian Katulis thotë se mbrojtja e vazhdueshme e Rusisë dhe presidentit të saj Putin e vendos presidentin e zgjedhur jashtë qëndrimit të përgjthshëm të Amerikës.
“Republikanët në Kongres kanë bërë thirrje për hetime të posaçme për aktivitetet e Rusisë, që shkojnë përtej asaj që u ka kërkuar Presidenti Obama agjencive të zbulimit. Dhe mendoj së po t’u hedhësh një vështrim anketave mes amerikanëve, ka një shqetësim të thellë lidhur me rolin e Rusisë dhe përfshirjen në disa drejtime në procesin tonë zgjedhor. Prandaj, në thelb Presidenti i zgjedhur Trump e ka radhitur veten jashtë qëndrimit të përgjithshëm të vendit që do të drejtojë lidhur me këtë çështje të Rusisë dhe jashtë traditës amerikane të një politike të jashtme jopartiake që e ka pare Rusinë me një farë mosbesimi”.
Zoti Clapper tha në seancën e së enjtes sotme se ndërhyrja ruse nuk është kufizuar vetëm tek ndërhyrja në sistemet kompjuterike por edhe tek përhapja e propagandës dhe lajmeve të rreme. Drejtuesit e shërbimeve të zbulimit thane se një raport lidhur me sulmet kibernetike do të jetë gati javën e ardhshme. Edhe komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me jashtë mban pasdite një seancë me të njëjtën temë sot padite me zyrtarë të Departamentit të Shtetit.