Albspirit

Media/News/Publishing

2017, fillim me vetë(vrasje)

Image result for albspirit

Ilva Tare

Përveç gripit të rëndë dhe izolimit nga dëbora në zonat e thella, që janë ngjarje rutinë, viti 2017 filloi me vetëvrasjen e një të riu 21 vjecar Estref Halili nga Kolonja e Lushnjes. Dhimbja e prindërve për humbjen e djalit ishte tronditëse. Shkaqet mbeten ende të paqarta. Informacionet rreth shkaqeve të burgosjes së tij konfuze. Ndërsa vendi ku ai i dha fund jetës, është i pabesueshëm, por domethënës për mënyrën e funksionimit të lirisë dhe prangave në këtë vend.

Dy vjet me parë në qelitë e të njëjtit burg, në Rrogozhinë u vetëvar një 52 vjecar i burgosur për rilidhje të energjisë elektrike. Në ditën e tretë të Janarit gjendja psikologjike e të riut të ndaluar nga policia siç shkruhet në njoftimin e datës 23 Dhjetor për një dozë lënde narkotike e dyshuar Cannabis Sativa dhe një thikë, nuk e përballoi dot të qendruarin në ambjentet e burgut.

Një hetim i plotë dhe i gjithanshëm do të duhet të gjejë shkaktarët e aktit të vetflijimit të Estrefit, por përgjegjesia per mos parandalimin e vetëvarjes është e qartë edhe pa nisur hetimin prokuroria. I gjithë sistemi që i vuri prangat dhe i hoqi dëshirën për jetën të ndaluarit për një dozë hashash, duhet të merret në pyetje dhe të japë llogari për çfarë ka bërë dhe nuk ka bërë.

Në vendin dhe vitin ku hashashi ishte kryefjala e lajmeve, e debateve politike e përplasjes së policisë me prokurorinë, një i ri që në skedarët e policisë konsiderohej si përsëritës prangoset në prag të festave të fundvitit dhe gjykata e lë në burg sepse gjatë kontrollit i është gjetur një cigare me Cannabis Sativa. Në vendin dhe kohën kur trafikantët e hashashit janë në kërkim ose as po i kërkon kush, dhe ku punëtorët janë arrestuar për të mbushur statistikat e aksioneve të trumbetuara si të suksesshme, ndëshkohet përdoruesi dhe urdhëruesi numëron paratë e fituara.

Duhet të ishte e pabesueshme, por jemi në vendin ku drejtësia nxjerr dhëmbët e cakallit me më të dobtët dhe feston ndërrimin e viteve me shpresën se vettingu do vazhdojë të shtyhet dhe se Donald Trump do ta largojë Donald Lu-në, që nuk po i ndahet zbatimit të reformës në drejtësi. Nuk besoj se ka ndokush dilemë se çfarë ndodh rregullisht me djemtë e vajzat e gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve që e kanë për ofendim të konsumojnë hashash, pasi janë përdorues të drogave të forta, nga ato që kushtojnë sa paga mujore e një nëpunësi civil.

Kodi penal për kategorinë e të dobtëve është i zbatueshëm edhe kur është absurd, ndërsa për bijtë e atyre që ligjin e kthejnë me fytyrë andej nga fryn era, nuk ka burgim. Prej Tetorit në komisionet parlamentare kanë mbërritur ndryshimet e kodit që e konsiderojnë kundravajtje të dënueshme me gjobë përdorimin e hashashit. Por miratimi i ndryshimeve nga Kuvendi nuk ka ndodhur ende.

Të enjteve, sikur të kishte funksionim normal të Parlamentit dhe jo recitime fjalimesh patetike fajtorësh e dhunuesish të ligjeve, shqiptarët e dobët do të ishin bërë më të fortë. Po të ishin të shqetësuar deputetët dhe të miratonin ligjet që kanë për qëllim mbrojtjen e interesave të qytetarëve, Estrefi mund të ishte duke u gjobitur per ndonjë cigare hashash, por të paktën në mbrëmje do të kthehej tek familja e tij.

Please follow and like us: