Dëshmitari intim i ‘95-ës / Në Shqipëri gëlojnë agjentura të huaja, si dhe ato kriminale
Nga një bisedë intime
Nafiz Bezhani
Kishte kërkuar edhe dy herë të tjera për të hyrë në zyrën time, por nuk e kisha pranuar. Herën e parë isha në mbledhje të Komisionit dhe nuk pranova asnjë takim, ndërsa herën e dytë i thashë oficerit të truprojës prerë: “Nuk mund ta pres!”
Hektori e kishte dëgjuar me qetësi përgjigjen dhe ishte larguar pa thënë asnjë fjalë. Por ai ishte i vendosur për t’u takuar me mua dhe në orët e vona të darkës më merr në telefon celular, numrin e të cilit e dinin vetëm pesë ose gjashtë persona, me të cilët kisha marrëdhënie të ngushta institucionale. U habita kur dëgjova emrin e tij: Ju shqetëson Hektor Drini! Kush vallë, nga këta pak persona që dinë këtë numër telefoni është treguar kaq i papërgjegjshëm? Kush vallë ka shpërdoruar besimin tim dhe i ka dhënë një të panjohur numrin e rezervuar të telefonit tim? Ishte koha kur kisha të bëja me shumë probleme serioze dhe nuk doja që as gazetarët ta mësonin numrin e telefonit tim celular. Por sado të përpiqesh të ruash një sekret, është e pamundur.
Pasi kërkoi falje për shqetësimin që po më shkaktonte në ato orë të vona, me një ton të vendosur kërkoi:
-Kërkoj të flas me ju, zoti Bezhani. Dua të flas me ju për probleme të mëdha të Kombit. Më dëgjoni! Për probleme të mëdha të Kombit! Po e dëgjoja në heshtje, duke analizuar fluturimthi njeriun që qëndron në anën tjetër dhe më thotë fjalë shumë të mëdha dhe që më dukeshin pa kuptim. Përse vallë duhet të vijë tek unë një njeri që ka probleme kaq serioze? Më lindi dyshimi se kisha të bëja me një person me delire, që përjetonte situate anksioze, të cilin e mëshirova dhe vendosa t’i pranoja kërkesën.
-Jam gati t’ju pres në takim nesër në orën 9, paradite!
Ai më tha dy apo tri herë “Faleminderit, shumë faleminderit!” dhe mbylli telefonin, ndërsa mua më pushtoi një trishtim, duke menduar dhe interpretuar me imagjinata dramatike fjalët e tij. Isha i bindur se ditën e nesërme do të përballoja një pacient me delire të rënda skizofrenike, ndoshta me atë të madhështisë, ndoshta me delirin e persekutimit, ndoshta me halucinacione vizuale dhe auditive. Dhe nuk është e lehtë të dalësh i suksesshëm kur ke të bësh me njerëz të tillë.
E prita në orën 9 me padurim, duke parë orën në çdo 10 minuta. Por ai ende nuk po vinte, edhe pse kishin kaluar disa minuta. Kjo më la të habitur: si është e mundur që të mos vijë në takim një person që e ka kërkuar me këmbëngulje këtë takim? Më shkonte mendja tek ndonjë fatkeqësi, sidomos dyshoja për ndonjë krizë të rëndë neuropsikike. Por ja, në këto çaste bie zilja e telefonit dhe mora menjëherë receptorin.
-Është përsëri ai që ishte dje, zoti Kryetar, – më thotë oficeri i rojës. – Ai pretendon se ju i kini dhënë takim për sot në orën 9, të vijë?
-Po, lejoje!
Kur hyri në derë m’u duk si një njeri që porsa kishte dalë nga spitali. E shikoja për herë të parë, edhe pse kishte qenë person publik. Fytyrën e kishte të dobët dhe të zbehtë. Trupin e kishte mesatar, me shpatulla të gjëra, por paksa të përkulura. Kur hoqi kapelën në shenjë respekti, i shndriti koka tullace e rrumbullake dhe me pak flokë të thinjura anash. Fytyrën e kishte plot rrudha, ndonëse sapo i kishte mbushur të gjashtëdhjetat. Kur ul në karrigen që e kisha vendosur fare pranë, pashë me vëmendje dy sytë e tij të zinj, që dukeshin si të fiksuara në të kaftë, ishin sy të lodhur, që nuk shkëlqenin, sy me ekspresion të zbrazët që lëviznin shumë pak dhe që tregonin se nuk ishin të qetë.
Për shumë vite Hektor Drini kishte qenë deputet i Kuvendit Popullor dhe drejtoi me sukses edhe një dikaster të rëndësishëm. Pastaj e emëruan ekonomist në një ndërmarrje ndërtimi dhe më në fund e internuan në një fermë shtetërore, për shkak se ishte martuar me Anën, motrën e një gjenerali që u dënua si armik i Partisë dhe Shtetit. Kur filluan proceset demokratike, Hektori fitoi të gjitha të drejtat e tij dhe zgjidhi bukur problemin ekonomik të familjes. I besuan një funksion pak a shumë të rëndësishëm, por ajo që e shpëtoi nga varfëria, ishte aktivizimi i tij në afarizmat e parë fitimprurës të tranzicionit shqiptar. U orientua shumë shpejt në sistemin e ri kapitalist dhe pati sukses. Ishte një tip inteligjent, me aftësi debatuese dhe me koncepte të pastra demokratike për zhvillimin e marrëdhënieve shoqërore. Por shpejt u befasua dhe u zhgënjye nga shpërdorimet kriminale të lirisë nga persona të inkriminuar me të kaluarën dhe të tjerë, të rinj, që përfituan nga amnistia e pamotivuar e tyre. Në Shqipëri u krijuan rrjete mafioze dhe kriminaliteti i organizuar, shpesh me veprimtari të lirë, nën hundën e pushtetarëve të korruptuar. Këto e detyruan Hektorin të shkëputej nga ajo klimë e ndotur dhe të kërkonte pensionin e pleqërisë.
UDB-ja dhe ASFALIA- djalli për Shqipërinë
Hektori ktheu kokën nga unë, më shikoi drejt në sy e me një ton të vendosur tha:
-Kam ardhur tek ju, i bindur se kam të bëj me një person që ka mundësi të bëjë diçka për këtë komb që po e “shurrojnë” dy të mallkuar!
Më la të habitur kjo hyrje kaq e papritur, e egër dhe banale. Nuk mund të pranoja një diskutim të tillë, prandaj i thashë me një ton tepër serioz:
-Ju lutem më i qartë, më preciz, pa sensibilitet në problemet që kini dëshirë të shtroni. Pres nga ju të jeni më natyral dhe më konkret. Dakord?
-Po zoti Bezhani, qartë dhe preciz dua të jem me ju për bastardët që erdhën nga familja e djallit. Po, po, bij të djallit janë, sepse vetëm djalli mund të përmbyste çdo gjë, të digjte e të shkatërronte gjithçka u ndërtua nga ky popull me të keq dhe ta kthente Shqipërinë në një ferr!
Qëndrova për një çast i heshtur, duke dëgjuar atë zë të eksituar që dilte pa ndërprerë dhe paksa i dridhur. Ende nuk mund të kuptoja qëllimin e vizitës së tij dhe përgjigjen që kërkonte nga unë. Vazhdova ta dëgjoja me durim.
-Të them se kjo është punë e djallit, zoti Bezhani, sepse vetëm djalli mund të kishte fuqi të tilla shkatërruese, vetëm djalli ka zemër të zjarrtë, pa gjak, pa dhimbje, pa mëshirë! Vetëm ai mund të jetë kaq i mallkuar! Dhe e di se kush është djalli për ne? UDB-ja dhe ASFALIA. Ja, pra, ku dola atje ku prisni ju, të them atë që kërkoj nga ju për të mirën e Kombit. Kur ju penalizuat një spiun të UDB-së u thash shokëve: “I marrsha të keqen, do ta puth në ballë!” Dhe me të gjithë shpirt do t’ju puth, sepse keni treguar patriotizëm dhe trimëri. Mos më shiko ashtu, po po, trimëri ke treguar. Të heqësh “ujq” të tillë, nga funksione kaq të larta, nuk është kollaj, sepse sot Shqipëria është mbushur me “ujq” të tillë, janë kope, zot Nafiz, janë lukuni dhe bëjnë kërdinë, bëjnë terror me ligj, sepse ata e bëjnë edhe ligjin, siç e duan vetë.
Dëshira e tij për të folur i axhituar dhe pa ndërprerje, si dhe shprehja oratorike e mendimeve të tij të jepnin përshtypjen se ishin simptoma të një sëmundjeje psikike të ashtuquajtur “axhitim motor”, por ishte shumë shpejt për të dalë në një përfundim të tillë. Dhe vazhdova ta dëgjoja në heshtje. Sytë e mi mbetën të fiksuar në fytyrën e tij, duke u përpjekur të gjeja një përgjigje të balancuar, në mënyrë që të influencoja pozitivisht në gjendjen e tij anksioze. Ishte një personazh tepër i komplikuar, që shfaqte elemente të papajtueshmërisë, me enigma të errëta që e mundojnë dhe i mjerojnë shpirtin e tij. Prandaj ndërhyra për t’i kërkuar edhe një herë që t’i bënte më të qarta kërkesat e tij:
-Nga ju pres të jeni më konkret, zoti Hektor, dhe më i hapët, pres ta hapni “kasafortën” e sekreteve që ruan zemra dhe truri juaj. Përderisa pranuat të vinit tek unë, duhet të mos rezervoheni, përkundrazi, duhet të m’i thoni të gjitha, qofshin ato mendime të arta, qofshin plaçka të palara.
-Jam dakord me ju, por ju lutem mbylleni derën!
-Të mbyll derën? – u çudita unë. – Këtu nuk vjen njeri pa lejen time.
-Të lutem mbylle derën! – këmbënguli ai.
Vendosa t’ia plotësoja kërkesën. U çova nga karrigia dhe u nisa për të mbyllur derën me çelës, por në të njëjtën kohë u çua nga karrigia edhe Hektori. Ndërsa unë po mbyllja derën me çelës, ai u shtri nën tavolinën time dhe kontrollonte me duar nga një cep në tjetrin.
-Ç’po bën ashtu? – e pyeta unë i çuditur.
-Aaa zoti Bezhani, mos më merrni për frikacak, unë nuk kam frikë nga askush, por do të më vinte shumë keq në qoftë se ndonjë dinak do të fitonte ndaj meje me shpërdorim të detyrës. Të jesh i bindur se nuk të kanë lënë pa gjë as ty, me siguri do të kenë rrasur diku ndonjë aparat të vogël përgjimi.
-Ju lutem dilni menjëherë andej! – i thashë me zë të ashpër.
Ai doli dhe duke treguar pakënaqësinë e tij më tha:
-Ja ku dolla, pa dëshirën tuaj asgjë nuk mund të bëj, por jam i sigurt që nuk je pa gjë.
– Jo, – i thashë unë, – nuk është e mundur, me SHIK-un unë kam marrëdhënie institucionale shumë të mira dhe me respekt reciprok.
Ai m’u përgjigj duke më parë me qortim:
-Pse vetëm SHIK i Fatos Klosit është në Tiranë? Më vjen keq që mendoni kështu, zoti Bezhani. Në Tiranë janë po aq aktivë “SHIK” i Beogradit, Athinës, Romës dhe Uashingtonit. “Sofër qorrash” është bërë Shqipëria, zoti Bezhani, po, “sofër qorrash”, ku fusin duart kush mund bile edhe këmbët, UDB-ja p.sh. është ulur “këmbëkryq” dhe bën ç’të dojë.
-Më konkretisht, ju lutem!
Ai lëvizi karrigen, u kthye në drejtimin tim, më shikoi drejt me ata dy sytë e tij të zi, që dukeshin si të ngrirë dhe m’u përgjigj:
-Deshët më konkretisht? Në historinë e Shqipërisë nuk ka veprimtari tjetër më të qartë dhe më konkrete sesa veprimtaria kriminale e agjenturës së vjetër e të re të Beogradit, e cila ka patur për qëllim kryesor demotivimin e aftësisë vetëqeverisëse të kombit shqiptar dhe degjenerimin e çështjes shqiptare. Po ju tregoj për ato që kemi parë me sytë tanë dhe kemi regjistruar në mendjen tonë: Më 2 korrik 1990, populli i Kosovës pati një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së tij, shpalli me referendum pavarësinë e Kosovës. Jehona e menjëhershme ndërkombëtare që krijoi kjo ngjarje, e detyroi Beogradin t’i kthente bateritë nga Tirana, për të fokusuar vëmendjen e opinionit publik në një front tjetër, në Shqipëri. Hyrja forcërisht e mijëra qytetarëve nëpër ambasada, duke krijuar një situatë shumë të rëndë destabilizuese, kishte patjetër markën e Beogradit. Kjo do të thotë se UDB-ja ka patur në Shqipëri një rrjet aq të organizuar, sa kishte entuziazmuar aq shumë Milosheviçin, sa deklaroi publikisht se po të donte, e merrte Tiranën brenda 8 orëve vetëm me klubin e gjuetarëve! Një deklaratë cinike dhe fyese për Shqipërinë. Ti ndoshta do të më citosh edhe deklaratën e ndonjë trimi, sipas së cilës ai e merr Tiranën vetëm me Mamurrasin, por këto janë të turpshme!
Një kriminel jugosllav në Shqipëri?!
-Mos u vër veshin deklaratave të tilla, z. Hektor, ato kanë karakter propagandistik, -ndërpreva unë.
-Çfarë thatë? Edhe deklaratat propagandistike e kanë një bazë reale dhe i shërbejnë pikërisht asaj. Le të shikojmë p.sh. ngjarjet që u zhvilluan në vitet 1990-1992. Jugosllavia u përfshi nga dhuna që krijuan shtetet që donin të fitonin pavarësinë. Por një dhunë e pashembullt shpërtheu edhe në vendin tonë. Shkatërrimet dhe dëmtimet që iu bënë Shqipërisë në këta dy vjet nuk i janë shkaktuar as gjatë luftërave botërore. Nuk ka dyshim se ato synonin jo vetëm shkatërrimin e bazës ekonomike të Shqipërisë për ta katandisur atë në krizën e urisë, por të shkatërronin edhe trashëgiminë kulturore të kombit tonë të lashtë dhe çdo gjë tjetër me vlerë që i shërbente mbijetesës së shtetit shqiptar. Si mund të motivohen ndryshe shkatërrimet dhe djegiet masive të fabrikave, uzinave dhe kombinateve tona të ngritura me djersë e gjak nga një popull i uritur? Si mund të motivohet ndryshe djegia e mijëra hektarëve me agrume e pemë të tjera të mbjella nga rinia studentore Jonufër, Lukovë e Ksamil? Si mund të motivohet ndryshe shkatërrimi i fabrikës moderne të letrës në Lezhë dhe shitja e një tornoje të blerë me 80.000 USD për 300 USD në Cetinjë? Por unë jam i sigurt se ju i dini këto, zoti Bezhani. Kam lexuar librin tuaj “Procesi i shekullit”, ku analizoni profesionalisht ngjarjet tragjike të 2 prillit 1991 në Shkodër.
Me të drejtë kini nënvizuar se parullat e hedhura në demonstratat e 1 dhe 2 prillit, “Shkodra republikë”, ishin parulla armiqësore, që synonin copëtimin e mëtejshëm të trungut shqiptar. Por kush tjetër mund të kishte interesa të tilla përveç UDB-së që vazhdojnë ta quajnë Shkodrën të Serbisë?
Por ajo që i ka shkaktuar plagë të rënda dhe dhimbje të thellë Kombit shqiptar është masakra demografike. Ikën djemtë tanë me kokën varur për të punuar argatë tek të huajt. Iku gjysma e Shqipërisë, duke lënë pas truallin mëmë si “tokë e djegur”. Inteligjenca u shit për argatësi. Me kazmë në dorë përfunduan diplomatët me tituj shkencorë! Kush tjetër mund t’ia bënte këtë gjëmë Shqipërisë veç agjenturave të huaja?
Vura re se në komentet, arsyetimet dhe logjikën e bashkëbiseduesit nuk mund të gjeja element të disekuilibrit mendor apo psikoza të llojit deliroz, përkundrazi, në monologun e tij zbulohej një dhimbje e thellë për ato fatkeqësi e veprime kriminale që i janë imponuar kombit shqiptar. Është e natyrshme që të nxjerrë konkluzione të tilla për veprimtarinë kriminale të UDB-së dhe ASFALIA-s, të krijojë urrejtje për to dhe të shqetësohet për fatet e Shqipërisë. Ai ishte i bindur se rreziku më potencial për Shqipërinë ishte UDB-ja, e cila vepron nëpërmjet një rrjeti të gjerë që ka krijuar në Shqipëri në shërbim të saj. Dhe u përpoq të jepte dhe shembuj bindës:
-Organizimi i rrjetit agjenturor të UDB-së në Shqipëri, po ashtu si edhe ai ASFALIA-s pasqyrohen edhe në shumë veprime të hapëta antiligjore dhe në shkelje të akteve ndërkombëtare. Le të ndalemi pak në konfliktin serbo-boshnjak. Shqipëria formalisht apo me saktë mund të thuhet sa për sy e faqe, dënoi Serbinë për krimet e kryera dhe u bashkua me shtetet e tjerë në bllokadën që ju bë Serbisë. Por ç’ndodhi realisht? Kryeministri i Serbisë, Mumir Bullatoviç, krahu i djathtë i Milosheviçit, vizitoi dy herë Tiranën, duke siguruar përkrahjen klandestine të saj, për çarjen e bllokadës ndërkombëtare. Kështu në kundërshtim me angazhimet dhe detyrimet e saj ndërkombëtare, Shqipëria nisi drejt kufirit serb mijëra maune me naftë, që furnizonin makinën luftarake të Serbisë që bënte krime monstruoze kundër popullit boshnjak. A nuk tregon kjo se në shërbim të agjenturës serbe është vënë edhe një pjesë e funksionarëve të lartë, të shtetit shqiptar? Gërmoni zoti Bezhani, gërmoni, se do të gjeni material të rëndësishëm për të mbrojtur Kombin nga rreziqet e mëdha që i kanosen integritetit të tij nga agjenturat e huaja.
Ky rrezik është shumë i madh dhe imediat. Po ju besoj jetën time. Në Shqipëri nuk kanë ardhur vetëm Kryeministri Bulatoviç, por edhe një kriminel i tmerrshëm, për shkak të të cilit u largova nga detyra, për shkak të të cilit u kërcënova me vdekje, në rast se do t’i tregoja kujt, për shkak të të cilit po persekutohem shpirtërisht.
-Përse e mbani sekret, z. Hektor, përderisa deklaruat se më besoni jetën, nuk më besoni emrin e një krimineli?
-Nuk mundem. Po ju tregova emrin e tij, unë do të vuaj nga torturat e tij, aq sa jeta do të ishte pa vlerë. Unë po vuaj shpeshherë edhe pa thënë emrin e tij. Ai, edhe pse e kanë vrarë, ka lënë njerëz që kërkojnë ta mbyll gojën.
-Të paktën historinë e njohjes? – këmbëngula unë.
-Po, e njoha në vitin 1995, në Durrës. Isha caktuar në stafin shërbyes, por i porositur prerë: në rast se dekonspiroj, për çfarë do të shihja dhe çfarë do të dëgjoja, do të përgjigjesha me jetën time. Dikush e pësoi. Por unë nuk i kam thënë njeriu asnjë emër, ndonëse ata nuk besojnë dhe më fandaksen me kërcënime, ditën dhe natën.
-Kush ata? Cilët janë ata që të kërcënojnë? – e pyeta përsëri.
-Më mirë ta lëmë me kaq. Ju mund t’i gjeni vetë. Gërmoni zoti Bezhani, gërmoni, se do të gjeni kush ka ardhur në Shqipëri dhe cilët ishin shokët e tij. E kini të lehtë, mjafton të hapësh defterin e Rambujesë. A nuk ishin personalitete të larta të politikës shqiptare që, njëlloj si Beogradi, e quajtën të paligjshëm delegacionin e Kosovës të kryesuar nga Hashim Thaçi? A nuk u shpall në Tiranë publikisht nga përfaqësues kryesorë të politikës shqiptare, me nota më armiqësore për deklaratën e Rambujesë, njëlloj si vlerësimet që bëri Beogradi, por edhe më shumë, duke shtuar: “Kush firmos këtë deklaratë, është tradhtar i çështjes shqiptare?!!” Ja, pra, zoti Nafiz, këto janë pikërisht shkaqet që më kanë shqetësuar shpirtërisht dhe vij tek ju, duke ju lutur të kërkoni këto fije të nëndheshme që lidhnin tradhtarët e Shqipërisë me armiqtë e saj të jashtëm. Ti i ke ato mundësi dhe duhet ta bësh këtë.
***
Ai fliste pa asnjë copë letër. Vura re se kishte një kujtesë të jashtëzakonshme. E ndërprisja vende-vende për ta pyetur për ndonjë fakt historik dhe me përgjigjej aty për aty me data të sakta, me emra dhe me hollësi të tjera që të befasonte me kujtesën e tij. Shumë interesante dhe të sakta ishin edhe deponimet e tij, të cilat i përshkonte një fill i mprehtë logjik, por kompetencat që më njihte mua ligji nuk kishin të bënin me veprimtarinë armiqësore të shteteve të ndryshme kundër Shqipërisë në kushtet aktuale, por me një veprimtari tjetër antiligjore të kryer nga ish-Sigurimi i Shtetit. Prandaj u detyrova t’i jepja fund bisedës me zotin Hektor Drini, duke vlerësuar shumë analizën e tij. I thashë se ky takim më kishte lënë mbresa të pashlyeshme dhe e sigurova se do të bëja çdo gjë që do të ishte e mundshme dhe e ligjshme. E përcolla deri tek dera dhe i shtrëngova dorën fort. Ai më falënderoi dhe më tha:
-Gërmo zoti Nafiz, gërmo, se do t’i gjesh patjetër ato fijet e holla që lidhin këto agjentura kriminale.
Përfitova nga rasti për t’i bërë edhe një pyetje jo fort të rëndësishme:
-Nuk më thatë, zoti Hektor, si e siguruat numrin e celularit tim?
Buzëqeshi kënaqësisht dhe më pa drejt me ata sy të zinj që këtë herë m’u dukën të ndritshëm. Pastaj u përgjigj me humor:
-Me gjithë këto agjentura që ka Shqipëria, asgjë nuk mund ta quash sekret! Gërmoni zoti Nafiz, gërmoni dhe kërkoni! Ai më shtrëngoi edhe një herë dorën dhe tepër i kënaqur më tha: Mirupafshim!