Albspirit

Media/News/Publishing

Ish- Presidenti, Alfred Moisiu: Shqipëria të reagojë fort për Haradinajn! BE të mos “përkëdhelë” Serbinë

“Arrestimi i Ramush Haradinaj është një pabesi që i bëhet shqiptarëve në tërësi dhe një përkëdhelje që po i bëhet shtetit serb nga ana e BE-së.”, kështu e ka cilësuar ndalimin e liderit të AAK-së ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu.

I kontaktuar nga gazeta “Tema” posaçërisht për këtë çështje, Moisiu tha se këtu nuk bëhet fjalë për akuza duke apeluar ndaj ligjvënësve francezë.

“Kjo është një poshtërsi e padëgjuar dhe gjykatësit francezë duhet t’i thërrasin mendjes për të kuptuar se këtu bëhet fjalë për një lojë politike dhe jo për akuza konkrete që kanë ngritur ndaj tij. Duket pak absurde kjo situatë në një kohë kur kriminelet qarkullojnë lirshëm  ne Serbi”, u shpreh Moisiu.

Ish-Presidenti ngarkon me faj Bashkimin Evropian duke thënë se për këtë çështje ata janë duke bërë një gabim të madh historik.

“Padrejtësia e bërë është përgjegjësia e BE-së, pasi ata kërkojnë të shkëpusin Serbinë nga Rusia por i kanë bërë llogaritë gabim. Shteti serb është mësuar që të hajë me dy sahanë.”, tha Alfred Moisiu.

I pyetur lidhur me reagimet zyrtare të Shqipërisë dhe Kosovës, Moisiu gjykon se ato duhet të ishin edhe më të forta.“Reagimet e të dyja vendeve ishin të nevojshme, të dobishme por duhet të ishin shumë më të forta. Qeveria e Kosovës që në momentin kur u ul në tryezën e bisedimeve me serbinë në Bruksel, duhet që çështjen e urdhër-arresteve të lëshuara nga Serbia ta kishte diskutuar të parën. Ato sot nuk duhet të egzistonin për BE-në.” –nënvizoi ish-presidenti Alfred Moisiu.

Please follow and like us: