KE përzgjedh ekspertët për vetingun, 8 gjyqtarë nga Gjermania, Austria e Franca
Komisioni Evropian ka gati ekspertët që do të realizojnë procesin e vetingut në Shqipëri. Me zhbllokimin e ligjit nga Gjykata Kushtetuese më 22 dhjetor, KE ka mbyllur procesin e rekrutimit të anëtarëve të Operacionit të Monitorimit Ndërkombëtar dhe me të hyrë në fuqi ligji, ata do zbarkojnë në Tiranë.
Sipas burimeve nga ambasada e BE në vendin tonë dhe misioni EURALIUS, gjithçka që po pritet është të zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që të quhet zyrtarisht i rregullt ligji. Me të ndodhur kjo, Presidenti ose Avokati i Popullit do duhet të nisin menjëherë procedurat për të zgjedhur anëtarët e Këshillit të Verifikimit dhe Kolegjit të Apelimit, ku do ketë rol dhe Operacioni i Monitorimit Ndërkombëtar. Duke qenë se javës tjetër gjykata pritet të zbardhë vendimin, BE është bërë gati për të kaluar në sitë gjithë gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë.
Mësohet se pjesë e grupit do jenë 8 gjyqtarë profesionistë me mbi 15 vite përvojë, ndërsa do ketë dhe një staf mbi 20 persona që do asistojnë në procesin e verifikimit. Përveç ekspertëve apo vëzhguesve që do të zbarkojnë në Tiranë dhe do të punojnë nga afër me Komisionin e Verifikimit apo Kolegjin e Apelimit, një njësi e posaçme është ngritur në Bruksel. Bëhet fjalë për një njësi bashkërenduese mes gjyqtarëve që do vijnë në Tiranë dhe zyrës së zgjerimit dhe asaj të drejtësisë. Sipas informacioneve, fillimisht Operacioni i Monitorimit Ndërkombëtar do të përbëhet me përfaqësues nga shtete kryesore të Bashkimit Evropian. Mësohet se shumica do të jenë gjermanë, ndërsa do të ketë austriakë, francezë, kroatë apo dhe belgë. Ndërkohë janë lënë jashtë përfaqësues nga shtetet e lindjes, si Rumania e Bullgaria, të cilët do angazhohen me trajnime në luftën ndaj korrupsionit.