‘Nostradamusi’ meksikan parashikon fatkeqësi të mëdha për 2017
I vetëshpalluri “magjistar i madh i Meksikës” i ka kthyer në traditë parashikimet për vitet që porsa hyjnë, dhe 2017-n e sheh plot me zhvillime, përfshirë këtu dhe sulme të ISIS-it në Amerikë.
“Numri më i madh i goditjeve të ISIS-it këtë vit do të jetë në Shtetet e Bashkuara. Sulmet kanë filluar e do të përshkallëzohen. Ndërkohë, diku nga muaji prill do të ketë një përkeqësim të gjendjes shëndetësore të presidentit Donald Trump”, tha Antonio Vazquez, “magjistari i madh” i Meksikës.
Antonio Vazquez profetizon gjithashtu se do të ketë dy apo 3 tentativa ndaj jetës së Trumpit, të cilat do të rezultojnë të pasuksesshme. Në fund, njeriu që meksikanët e njohin si “Brujo Mayor”, parashikon se lordi i drogës Joaquin “El Chapo” Guzman do të vdesë në burg.
Vazquez e bën për çdo rast të qartë se profecitë e tij nuk janë përfundimtare, me argumentin se ato mund të lëkunden nga ndërhyrja e forcave të tjera, siç mund të jenë formulat magjike, lutjet apo fakti që njerëzit mund të ndryshojnë rrjedhën e paracaktuar të ngjarjeve, me veprimet apo qëndrimin e tyre.
Magjistari ka një histori të gjatë parashikimesh, e në televizion është shfaqur për herë të parë që në vitet 1960, megjithatë ai gaboi kur tha se Barack Obama nuk do t’i fitonte zgjedhjet në vitin 2012, ndërsa për Trumpin mendonte se garën presidenciale nuk do ta vazhdonte dot nën siglën e republikanëve, por si i pavarur.