Albspirit

Media/News/Publishing

Pse u depozitua në Londër ari shqiptar

Si u vulosën në Bankën e Shqipërisë 100 mijë franga ari

xhamite-e-tiranes-2 Në dhjetor, Ministria e Ekonomisë nxori një urdhëresë me penalitet, mbi «Ushtrimin e tregtisë me shumicë dhe me pakicë», me të cilin edhe tregtia e brendshme private vihej praktikisht nën kontrollin e shtetit. Ndërmjet të tjerash, tregtarët nuk mund të bënin shitje me shumicë pa autorizim të Komitetit Ekzekutiv të Prefekturës. Ky Komitet caktonte edhe çmimet e mjaft sendeve të nevojës së parë. Taksat ishin progresive, me tendencë të theksuar për të rënduar të kamurit.

Një dëshmi e periudhës më të rëndësishme në historinë tonë nga vitet `45-`48 është konsideruar libri historik “Sundimi pa pushtim. Shqipëria 1945-1948”, me autor Luan Doden, botim i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore. Autori, rreth të 80-ave, jeton në Bruksel, ndërsa botimi është vlerësuar si një punim shkencor që ballafaqon fakte e dokumente. Duke qenë në kaosin e debateve shpeshherë të ashpra, kryesisht politike, periudha e vendosjes së regjimit komunist e sidomos fillimi, vitet `45-`48 vazhdojnë të shqetësojnë të gjitha palët. Rishkrimi i historisë – mbetet themeli. Më poshtë kemi shkëputur një fragment ku jepen fakte e kalkulime si u shkatërrua ekonomia shqiptare, tregtarët dhe si u procedua me floririn e konfiskuar nga diktatura. Një statistikë e ftohtë që dëshmon si iu “rrëmbye” pasuria shqiptarëve.

 ***

 Luan Doda

Rimëkëmbja e rindërtimi i vendit dhe politika ekonomike

Pushteti i ri u mobilizua me vullnet e me të gjitha mundësitë për rimëkëmbjen dhe rindërtimin e vendit. Duhej të ngriheshin apo të rregulloheshin shumica e urave të hedhura në erë nga ushtria gjermane në tërheqje, nga të cilat 95 ura të mëdha dhe të rëndësishme të shkatërruara plotësisht ose pjesërisht, portet detare, veçanërisht ato të Durrësit dhe të Vlorës të nxjerrë jashtë përdorimit, si dhe të përmirësoheshin rrugët. Duhej të rifillonte prodhimi i naftës/ i bitumit, i qymyrit dhe i minierave përgjithësisht, e të viheshin në rrugë veprimtari të tjera në shkallë vendi si industria e lehtë, sidomos bujqësia e blegtoria, komunikacioni, arsimi, shëndetësia etj. Rifilluan punën centralet elektrike të dëmtuara e u ngritën 7 të rinj. Për këto veprimtari, një ndihmë të madhe në materiale e veçanërisht në makineri dha UNRRA. Një kujdes të veçantë kërkonin masat kundër inflacionit, spekulimit dhe zbulimi i materialeve të fshehura për t’u shitur në tregun e zi.

Në buxhetin e shtetit për ushtrimin financiar të vitit 1945-1946, parashikoheshin 91 milionë fr. shq. për rimëkëmbje dhe 66 milionë për rindërtim. Rimëkëmbja e ekonomisë u konsiderua e përfunduar në vitin 1946.

E gjithë veprimtaria ekonomike, duke përfshirë mbajtjen e aparatit të shtetit, kërkonte financim, për të cilin qeveria u ndodh në vështirësi. Një dëm i madh ekonomik e financiar erdhi nga zhvlerësimi me 50% i frangut shqiptar karshi dinarit jugosllav, të cilin qeveria jugosllave e vendosi në prill 1945, me rastin e reformës mbi njësimin monetar mes republikave të federuara të Jugosllavisë. Spekulatorë nga Jugosllavia u turrën në tregun shqiptar për të blerë ar e mallra të tjera me franga shqiptare në bankënota. Si rrjedhojë, çmimi i arit në treg u ngrit, situatë të cilën e favorizonte edhe fakti se tregtarët shqiptarë e shisnin arin edhe për të përballuar detyrimet e tatimit të jashtëzakonshëm. Ari filloi të dilte kontrabandë jashtë kufijve. Më 16 maj, me urdhër të Ministrisë së Financave, u ndalua tregtia e arit. Edhe rezervat e arit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, prej 2.455 kg ar që kapnin vlerën prej 8.1 milion fr. ar, të transferuara në Romë (për të siguruar kartëmonedhën shqiptare të para LDB-së), që u morën nga ushtria gjermane në shtator 1943 pas kapitullimit të Italisë, e që pas lufte ranë në duart e ushtrisë angleze dhe u depozituan në Londër e që më 1946 u lidhën me incidentin e Kanalit të Korfuzit, patën një histori shumë të gjatë.

 

NË VAZHDIM TË LEGJISLACIONIT KOMUNIST

Veç dy ligjeve për gjykatat ushtarake, pamë se dy javë pas ardhjes në pushtet filloi nxjerrja e ligjeve me karakter ekonomik, politik, financiar e shoqëror, që do të shërbenin njëherazi për realizimin e qëllimeve politike dhe të politikës ekonomike të komunistëve. Me kategorinë e fundit do të realizohej përqendrimi i ekonomisë në duart e shtetit, e cila nga njëra anë do të sillte “përmbysjen e klasave të vjetra sunduese”, nga ana tjetër “marrëdhëniet e vjetra kapitaliste” do zëvendësoheshin me “marrëdhënie të reja socialiste”. Të gjitha ndryshimet pagëzoheshin me parullën e përgjithshme “shndërrime revolucionare”.

Më 15 dhjetor 1944 u miratuan një sërë ligjesh të tjera: •Kontrolli i shtetit mbi industritë dhe shoqëritë shqiptare. •Ndalimi i eksportimit të metaleve me vleftë (ar dhe argjend, platin dhe gurë të çmuar) në çdo trajtë, duke përfshirë stolitë, dhe ndalimi i eksportimit të prodhimeve bujqësore e industriale, ligj që mund të konsiderohet si fillimi i vendosjes së kontrollit të shtetit mbi tregtinë e jashtme. •Mbi sabotatorët e luftës dhe të pushtetit të popullit, ligj për të cilin kemi folur më parë. •Rekuizimi i prodhimeve ushqimore (grurë, misër, thekër, elb, sheqer, oriz, etj.) përveç ushqimit familjar dhe të farës, i prodhimeve farmaceutike dhe ndërtesave, dhe bllokimi e rekuizimi i mjeteve të transportit tokësor (kuaj, mushka, qé, karro, biçikleta, motoçikleta, automobila dhe vegla shkëmbimi, goma), të transportit ujor (lundra dhe anije të çdo lloji deti ose liqeni, etj.), të lëndëve të ndërtimit (çimento, hekurishte, lëndë druri, gëlqere, etj.), të vajrave lubrifikante dhe “të çdo sendi e mjeti tjetër të domosdoshëm për ushtrinë dhe rindërtimin e vendit”. Rekuizimi do bëhej “kundrejt një shpërblimi të arsyeshëm”, por me vendim të Këshillit të Ministrave *’përjashtoheshin (nga shpërblimi – shënim)… sendet e domosdoshme për bujqësinë dhe për funksionimin e zyrave dhe të shërbimeve publike”. «Konfiskimi i pasurisë së tundshme e të patundshme të arratisurve politikë, që e kemi përmendur më parë. •Mobilizimi civil i specialistëve.

Për kontrollin e shtetit mbi industrinë dhe shoqëritë shqiptare e të huaja, u vendosën pranë tyre komisarët. Ky person, që ishte “përfaqësues i pushtetit révolucionar”, mbante lidhje të drejtpërdrejta me Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare. Llogaria rrjedhëse e ndërmarrjeve dhe e shoqërive nuk mund të përdorej lirisht nga pronari. Depozitimet në bankë nuk mund të përdoreshin jashtë prodhimit; pa miratimin e komisarit degët e bankës nuk shlyenin asnjë pagesë. U hoq fshehtësia tregtare si dhe tjetërsimi i pasurisë. Sabotuesit ndëshkoheshin në bazë të ligjit të famshëm të 15 dhjetorit 1944 mbi sabotatorët e luftës dhe të pushtetit, si dhe të dispozitave të tjera ligjore e nënligjore.

Më 13 janar 1945 u miratuan dy kategori ligjesh: «Mbi konfiskimin e pasurive shtetërore italiane dhe gjermane që ndodheshin në Shqipëri dhe mbi marrjen nën kontroll të pasurive të shtetasve të tyre. •Tatimi i jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës për të cilin do të flitet më poshtë.

Të nesërmen dolën dy ligje të tjera: «Dispozita të përgjithshme mbi konfiskimin e pasurisë private. •Anulimi i konvencionit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe të aksioneve të saj dhe krijimi i Bankës së Shtetit Shqiptar (më tej: BShSh), e cila u hap më 17 janar 1945 dhe po atë ditë u bë njoftimi i parë zyrtar për kursin e këmbimit të monedhave prej ari. Më 23 shtator vendosi një kurs shkëmbimi kartëmonedhash. «Në gusht u suprimua dhe u likuidua Banka Kombëtare e Punës, kurse në nëntor Banka e Napolit në Shqipëri, të dyja banka italiane.

Më 18 maj doli ligji që ndalonte tregtinë e arit i cili nga njëra anë ishte i detyruar për kushtet që u krijuan, nga ana tjetër shërbeu për konfiskimin e tij. Këmbimi i arit do të bëhej nën monopolin e Bankës së Shtetit. Kështu lindi tregu i zi për këmbimin privât të arit. Kundërvajtësit cenoheshin rëndë, deri me vdekje, kurse kallëzuesi shpërblehej me 25% të arit të sekuestruar.

Në fillim të qershorit 1945 Ministria e Financave urdhëroi ndalimin e eksport-importit të bankënotave shqiptare si dhe shitblerjen e divizave e valutave të huaja. Një vendim i 4 shkurtit 1946 (i ndryshuar më 4 dhjetor) i Këshillit të Ministrave urdhëronte denoncimin brenda 21 ditësh të valutave dhe divizave të huaja. U ngrit një valë sekuestrimesh në tërë vendin.

Me qëllim zhvleftësimi të bankënotave e çekmonedhave false si dhe të atyre që ndodheshin jashtë Shqipërisë, BShSh-ja urdhëroi vërtetimin (i quajtur “syrsharzhim”) e tyre që u bë me anë të një vulosjeje, me afat nga 29 qershori deri më 8 korrik 1945. Në qendrat e vulosjes mund të paraqitej vetëm një person për çdo familje, zakonisht kryefamiljari. Me këtë rast kontrollohej çdo familje për shumat e parave që dispononte si bankënota. Bankë- notat që nuk u paraqitën për vulosje kapën vlerën prej 101.055.000 fr. shq. – shumë që doli jashtë qarkullimit monetar, gjë që, sipas pushtetarëve uli inflacionin – kundrejt sasisë prej 286.100.000 të monedhës në qarkullim në fund të vitit 1945. Pjesa më e madhe e bankënotave që nuk u paraqitën për vulosje u takonte shqiptarëve jashtë Shqipërisë, ku përfshiheshin edhe ata në Jugosllavi.

Po në korrik doli një ligj mbi konfiskimin e pasurive të shtetasve të huaj që ndodheshin pa leje jashtë Shqipërisë. Kurse në gusht Ministria e Financave nxori një urdhëresë që detyronte të gjithë banorët të denonconin pasuritë që kishin jashtë shtetit.

Në dhjetor Ministria e Ekonomisë nxori një urdhëresë me penalitet, mbi «Ushtrimin e tregtisë me shumicë dhe me pakicë», me të cilin edhe tregtia e brendshme private vihej praktikisht nën kontrollin e shtetit. Ndërmjet të tjerash, tregtarët nuk mund të bënin shitje me shumicë pa autorizim të komitetit ekzekutiv të prefekturës. Ky komitet caktonte edhe çmimet e mjaft sendeve të nevojës së parë. Taksat ishin progresive, me tendencë të theksuar për të rënduar të kamurit.

 

TATIMI I JASHTËZAKONSHËM MBI FITIMET E LUFTËS

DHE REKUIZIMI E KONFISKIMI I MALLRAVE DHE I ARIT

Ligji mbi këtë tatim u miratua më 13 janar 1945, me shtesa e ndryshime. I pranishëm kudo, KQ i PKSH-së u dërgoi komiteteve të Partisë qarkore para dhe pas daljes së ligjit. Më 28 dhjetor 1944 porosiste që “komisionet të mos dalin nga ky veprim me disa shuma të vogla e qesharake, por me shuma të mëdha të hollash”. Më 31 mars i udhëzonte se “pushteti duhej të tregohej i fortë dhe i pamëshirshëm, duke përdorur mbi ta (të tatuarit – shënim) çdo masë sekuestrimi e ndëshkimi”.

Ky tatim mbështetej në faktin se një pjesë e veprimtarisë ekonomike gjatë luftës, sidomos ajo e tregtarëve, u kishte sjellë këtyre të ardhura të jashtëzakonshme, duke mos paguar doganë dhe duke rritur çmimet edhe me dhjetëfishin. Por ligji u hartua dhe sidomos u zbatua me të gjitha prerogativat për të shpronësuar e likuiduar shtresën e kamur si dhe me tendencën për sekuestrimin e arit që mbahej i fshehur e mallrave të mbyllura nëpër depo, sepse njerëzit e kësaj shtrese politikisht ishin apo jo kundërshtarë të drejtpërdrejtë të pushtetit, në pikëpamje potenciale konsideroheshin “një mbështetje e fortë për reaksionin”.

Prej këtij tatimi parashikohej të vileshin 600 milionë fr. ari kurse 450 milionë do të vinin nga sekuestrimet. Shifra e parë përbënte 59% të buxhetit të parë të shtetit – 1 prill 1945 deri 31 mars 1946. Por këto të ardhura nuk u arkëtuan dot në kohën e duhur, duke mbetur detyrë për vitin e ardhshëm financiar; kështu që buxheti i vitit financiar 1945-1946 u realizua vetëm 52%.

Tatimit të-jashtëzakonshëm i nënshtrohej veprimtaria ekonomiko-tregtare, industriale apo ndërmjetëse, nga 7 prilli 1939 deri më 31 dhjetor 1944, në rastet kur fitimi kishte qenë mbi 500.000 fr. shq., me një tarifë progresive të shkallëzuar në mënyrë të tillë që pati një përplasje të fortë ekonomike e politike.

Për t’i dhënë një karakter ‘demokratik’, po dhe hijerëndë masave që po merreshin, Komisionet e Tatimit të ngritura pranë këshillave nç të prefekturave dhe nënprefekturave kishin në për- bërje tre këshilltarë të pushtetit, një përfaqësues të ushtrisë, një të sindikatave të punëtorëve, një të organizatës së Rinisë, tre tregtarë kategorish të ndryshme, një teknik ndërtimesh dhe një ose dy persona njohës të tregut, të emëruar nga komiteti ekzekutiv.

Ligji parashikonte masa drakoniane për vjeljen e këtyre tatimeve. Një afat tejet i ngushtuar – prej dhjetë ditësh – detyronte personat objekt tatimi të paraqisnin me shkrim në zyrën e tatimit fitimet e realizuara gjatë kohës së luftës, të shoqëruara me një sërë dokumentesh. Tatimet vileshin në këste tremujore. Kur kësti nuk paguhej në kohën e caktuar, organet përkatëse kishin të drejtë të vepronin për të nxjerrë njëherësh edhe këstet e tjera të cilave nuk u kishte ardhur radha, duke rekuizuar pasuritë e luejtshme e të paluejtëshme të detyruesit. Në raste mosdeklarimesh të sakta, viheshin mbitaksa baras me 1/3 e pjesës së padeklaruar. Këto masa shpinin në shkatërrimin e shtresës së pasur qytetare e jo rallë edhe asaj të mesme.

Dy ligje të tjera, të nxjerra në mars 1945, në dukje të zakonshme, e thelluan më tej gjendjen e vështirë të tregtarëve dhe shtresave të kamura, nëpërmjet mekanizmit të diferencimit në shkallëzimin e tatimeve. Më 20 mars u miratua ligji Mbi tatimin e ndërtesave dhe të trojeve. Më 31 mars doli ligji Mbi tatimin e të ardhurave të përgjithshme, që përfshinte tërë gamën e veprimtarisë ekonomike.

Por procesi i vjeljes nuk po ecte si duhej. Prandaj, në maj 1945 doli ligji Mbi likuidimin e pasurisë së bashkëdhënësve debitorë kundrejt Arkës së Shtetit për tatimin e jashtëzakonshëm. Për këtë pasuri, që mund të shitej me shumicë apo me pakicë, seksionet e financës kishin të drejtë të ulnin çmimin deri në masën 30% nga ai i caktuar prej ekspertëve.

Individualisht apo në grupe, të tatuarit u ankuan në Ministrinë e Financave për shumat e mëdha të këtyre tatimeve. Në korrik, ligjit në fjalë iu bë një shtesë që vendoste të drejtën e ankimit dhe krijimin e komisioneve të apelimit.

Për dy vitet financiare, 1945/1946 dhe 1946/1947, shuma prej 467.220 fr. shq. përfaqësonte 53% të të gjitha të ardhurave për vitin e parë dhe 16% për vitin e dytë.

Në prill të vitit 1946 doli Ligji i nxjerrjes së të ardhurave, i cili do të zbatohej për ata që vazhdonin të mos shlyenin detyrimet. Duke u konsideruar elementë që vepronin kështu me qëllime armiqësore e sabotuese, u vendos heqja e lirisë në një masë që vepronte për sa kohë që nuk do të ishte shlyer tatimi i jashtëzakonshëm. Më tej pati raste kur ‘të pabindurit’ u dënuan sipas ligjit mbi sabotatorët e luftës.

Në shkurt 1947 ministri i Financave u drejtohej komiteteve ekzekutive për likuidimin e llogarive të tatimit nëpërmjet pasurisë së paluajtshme, domethënë që hotelet, dyqanet, shtëpitë, apartamentet etj. të transkriptoheshin në emër të Shtetit.

Për të përballüar vështirësitë financiare pas prishjes me Titon, në korrik të vitit 1948 u vendos administrativisht një “tatim i menjëhershëm” që u zbatua mbi atë pjesë “elementësh kapitalistë” të cilët nuk ishin tatuar sa duhej apo i kishin shpëtuar tatimit, si dhe ata që gjatë tre viteve të pushtetit popullor kishin zhvilluar veprimtari tregtare ose industriale por nuk ishin tatuar në bazë të të ardhurave të fituara faktikisht. Për shkak të gjendjes së rëndë financiare, ky lloj tatimi, që u parashikua të realizohej në dy këste, i pari të shlyhej deri më 20 gusht, tjetri më 20 shtator, ndiqej sistematikisht në periudha dhjetëditore.

Të tatuarit u detyruan të paguanin me ar të monetuar, me stoli prej ari e argjendi, me mallra, duke i nxjerrë këto nga kasafortat, nga magazinat, nga qilarët, nga muret apo qypet e groposura ku i kishin fshehur.

Në mbarim të luftës tregtarët kishin në duart e tyre vlera relativisht të mëdha në ar dhe në mallra. Vetëm mallra manifakture, të përqendruara në duart e 100-150 tregtarëve të mëdhenj, llogariteshin nga specialistët vendas si “të mjaftueshme për të plotësuar nevojat për një periudhë 2-3-vjeçare”. Pas rekuizimeve, pjesën më të madhe të tyre, siç e ka dëshmuar dhe Enver Hoxha disa herë, e morën Jugosllavët.

* * *

Në fillim të marrjes së pushtetit, në thesarin e Bankës Kombëtare Shqiptare u gjetën 90 kg ar. Në inventarin e bërë pas tri javësh, më 18-22 janarit 1945 me rastin e krijimit të BShSh-së, gjendja e monedhave prej ari vlerësohej me 413.715 fr. ar.

Po rikujtojmë se më 18 maj 1945 KANÇ-i miratoi ligjin Mbi ndalimin e tregtisë së arit. Kjo tregti u bë monopol i BShSh-së. Ky ligj, nga njëra anë uli së tepërmi daljen e arit jashtë shtetit me kontrabandë, sidomos në drejtim të Jugosllavisë, nga ana tjetër krijoi tregun e zi të brendshëm. Veç këtyre shërbeu jo vetëm për blerjen e arit nga BShSh-ja, por dhe për sekuestrimin e arit; kjo e fundit mbeti mënyra kryesore e grumbullimit të tij.

Sasia e monedhave prej ari, e hyrë në Bankë brenda nëntë muajve të parë të zbatimit të tatimit të jashtëzakonshëm ishte 592.650 fr. ar.

Më 31 dhjetor 1948 rezerva e arit në Thesar dhe në rrethe ishte 5.675.202 franga. Bilanci në lekë i arit ishte: 21.705.329 lekë që ishte vlera e sasisë së arit të konfiskuar kundrejt 2.308.147 lekëve të sasisë së arit të blerë nga Banka prej personave të ndryshëm. BShSh-ja kishte gjithsej në Thesar 2.311 kg argjend.

Të tatuarit iu shmangën denoncimit të saktë të sasive të arit që dispononin, të cilat ishin kërkuar nga komitetet ekzekutive siç ishte vepruar me vlerësimin e mallrave dhe të pronave. Por në mjaft raste, veç torturave, mbledhja e mallrave të fshehur dhe e magazinave me mall zbulonte dhe arin e fshehur. Organet e Mbrojtjes së Popullit e më pas ato të Sigurimit, kishin për detyrë jo vetëm të zbulonin arin e fshehur, por gjatë bastisjeve të sekuestronin çdo lloj takëmi dhe sendesh me vlerë.

Përpara se të procedohej për rekuizimin e pasurisë, merreshin masa ‘administrative’ me “përpunim” nëpër qelitë e burgjeve. Pati nga ata që pasi jepnin shpirt nga torturât, ‘vrisnin veten’ duke u hedhur nga dritaret, apo mënyra të tjera, siç pati nga ata që i jepnin fund jetës.

Të dhënat tregojnë një diferencë të madhe mes sasisë së artit të konfiskuar dhe asaj të futur në Thesarin e Bankës së Shtetit. Sipas njoftimeve që mund të konsiderohen zyrtare, deri në fund të vitit 1948 ishin zbuluar 43.816.682 monedha ari, veç shufrave të stolive prej floriri.

Please follow and like us: