Shtëpia e Bardhë udhëzon diplomatët e emëruar politikisht të japin dorëheqjen
Shtëpia e Bardhë i ka udhëzuar të gjithë ambasadorët amerikanë që janë të emëruar politikë që të kenë dhënë dorëheqjen më 20 janar, ditën e inaugurimit.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby tha të premten se kjo është “një praktikë e zakonshme, tipike”.
“Kur je i emëruar politik për këtë apo çdo administratë tjetër, nuk ke pritshmëri që të qendrosh në detyrë kur fillon punën administrata tjetër. Kështu funksionon. Për diplomatët e karrierës, nuk ka pasur një udhëzim të tillë, nuk kërkohet që ata të paraqesin dorëheqjen në fund të mandatit (presidencial)”.
70 për qind e ambasadorëve amerikanë në gjithë botën janë diplomatë karriere.
“Ambasadorët e emëruar politikisht po thirren sepse janë përfaqësues së administratës së Presidentit Obama”, sipas presidentit Akademisë Amerikane të Diplomacisë, Ronald Neumann.
Presidenti i Zgjedhur urdhëroi largimin e të emëruarve politikë
Këto deklarata vijnë pasi u bë e njohur se ekipi i tranzicionit i Presidentit të Zgjedhur Trump kishte nxjerrë një urdhër të përgjithshëm që u shpërnda si nga Departamenti i Shtetit, ku u kërkohej të gjithë të emëruarve politikë që të jenë larguar nga vendet ku janë ambasadorë deri në Ditën e Inaugurimit.
Tradita diplomatike u ka lejuar në të kaluarën të emëruarve politikë në poste diplomatike një periudhë të arsyeshme kohore për të vënë në vijë aspektet familjare dhe personale.
Sipas agjensisë Reuters dhe gazetës New York Times, tashmë po lindin pikëpyetje për pasojat e mundshme të largimit të përfaqësuesve më të lartë amerikanë nga vende si Britania, Gjermania apo Kanadaja, dhe boshllëkut që do të krijohet derisa Senati të konfirmojë ambasadorët e rinj.
Të emëruarit politikë në diplomacinë amerikane mund të përballen me çështje logjistike, që nga sigurimi i vizave për fëmijët që të mbarojnë vitin shkollor, apo marrjes me qera të banesave të reja private deri në përfundim të vitit shkollor.
Një anëtar me peshë i ekipit të zotit Trump i tha gazetës “The New York Times” se nuk kishte pasur qëllim të keq tek udhëzimi, duke e përshkruar si një çështje të thjeshtë të largimit sipas planit të ambasadorëve, ashtu si edhe mijëra zyrtarë të tjerë në Shtëpinë e Bardhë dhe agjencitë e tjera federale, të emëruar politikë.
“E vetmja gjë ndryshe këtë radhër, është që nuk po lejojnë asnjë prej tyre të kenë një farë kohe. Kjo është disi e pazakontë”, tha zoti Neumann për Zërin e Amerikës.
Ai shtoi se janë shumë të paktë ata ambasadorë politikë që kërkojnë një shtyrje të datës së largimit.