Si po e rrezikon sigurinë e SHBA dhe të botës Donald Trump
Trumpi deklaroi se do të hartojë një program kundër sulmeve kibernetike. Këtë e tha pas takimit me përfaqësues të shërbimeve të fshehta. Por deri tani qëndrimi i Trumpit ndaj tyre ka minuar besimin tek institucionet.
Një president amerikan nuk duhet të jetë mik i shërbimeve të fshehta. Por megjithë mosbesimin e justifikuar përballë shërbimeve të fshehta, informacioneve të tyre dhe personelit të tyre drejtues është prepotente, naive dhe e rrezikshme që t’ua mohosh atyre kompetencat në tërësi, siç e bën prej kohësh presidenti i ardhshëm Trump.
Që të pohosh, siç bëri Trump në dhjetor, se ai nuk ka nevojë për takime informuese çdo ditë nga shërbimet e fshehta, por vetëm kur e do situata, se ai është “i zgjuar”, dëshmon jo vetëm për arrogancë dhe padije, por rrezikon ndoshta edhe sigurinë e SHBA dhe të botës.
Të eleminohen njollat e zgjedhjeve
Sulmi më i fundit i Trumpit kundër shërbimeve të fshehta duke iu referuar themeluesit të Wikileaks, Julian Assange i shërben natyrisht kryesisht objektivit të kuptueshëm për të eleminuar ose deligjitimuar njollën e një ndikimi të mundshëm të Rusisë ndaj zgjedhjes së tij. Njëkohësisht, manovra joelegante dhe si zakonisht e shpërndarë përmes twitterit e minon besimin e amerikanëve të tronditur gjithsesi rëndë tek institucionet e tyre.
Për ta thënë qartë: natyrisht që nuk ka një “smoking gun”, siç shprehen shërbimet sekrete amerikane në raportin e tyre, pra një dëshmi të qartë, se hakera rusë qëndrojnë pas sulmeve kundër demokratëve, me dijeni ose me porosi të politikanëve të lartë rusë. Por për këtë ekzistojnë jo vetëm dëshmi të shumta, që mund të ketë qenë kështu, por një mënyrë e tillë veprimi do të përshtatej edhe me mënyrat e zakonshme të sjelljes të Kremlinit.
Michael Knigge
Këtë vlerësim të shërbimeve, të Shtëpisë së Bardhë si dhe të shumë ekspertëve të sigurisë nuk duhet ta mbështesësh patjetër. Por si president i zgjedhur duhet ta argumentosh më mirë mendimin tënd të ndryshëm për një temë kaq të rëndësishme për SHBA dhe për botën, në vend të publikimit të një sërë tweet-esh, burimi kryesor i të cilave me sa duket është një intervistë e Fox News me Julian Assange.
Jo surprizë
Që të besosh më shumë pohimin e tij, se informacionet për demokratët nuk e kishin burimin te pala ruse, dhe jo vlerësimin e përbashkët të shërbimeve të fshehta amerikane, ky është një akt i pashembullt, i rrezikshëm dhe që duhet ta gëzojë Kremlinin. Megjithatë, sjellja e Trumpit nuk vjen vërtet papritur. Që në fushatën elektorale, ai pati mbjellë me aluzione të turbullta për gjoja sistemin e manipuluar dyshime në procesin demokratik në SHBA, për ta flakur larg vetes paraprakisht fajin për një dështim të mundshëm në zgjedhje.
Kështu po vepron ai tani edhe me kritikën për shërbimet e fshehta. Sepse nëse kemi mësuar gjë ndërkohë për presidentin e ardhshëm, atëherë ajo është pikërisht kjo. Në fund të fundit, megjithë deklaratën e diskutueshme të Trumpit “America First” gjithçka rrotullohet vetëm rreth një personi: Donald Trump-it.
DW