Albspirit

Media/News/Publishing

Tri polemika të panjohura mes Konicës e Krujës

faik konica gjergj pekmezi Akuzat: grabitës i Arkës së Shtetit, kriminel dhe spiun?!

PËR  FAKT  PERSONAL

(Polemikë me Faik Konitzën)

 

  1. S’kishte shumë kohë qi un, bashkë me shokët e idealit e të mjerimit, ndodhesha në Bari t’Italís mbas katastrofës së Dhetorit. Nji mik më dha në dorë nji numër të Diellit me nja disa rrjeshta të ndênvizuëm me pêndë. I këndova këta dhe gjeta, jo pa një farë habitjeje, se shkaktare e asaj katastrofe paska qênë vetë qeveria e Imz. Fan S. Nolit, në pasivë të së cilës regjistrohej dhe ky faj i madh : qi më kishte lânë, mue, të këthehesha n’atdhé nga mërgimi ku ndodhesha po për atê ide prej së cilës kishte lé lëvizja kombtare e Qershorit dhe vetë qeveria e Imz. Nolit. Ky faj i qeverís s’onë demokrate rândohej shumë mâ tepër në sŷt e Faik bej Konitzës, kur ajo, jo vetëm më kishte lânë të këthehem në Shqipní, por më kishte dhânë edhe punë.

Këtê çâshtje nuk due t’a bisedoj, se s’meriton as nji gjymës fjale. Nji tjetër pikë mâ delikate se ajo më kishte râmë në sŷ aty n’atê copëzë prozë faikjane : qi un paskam pasë qênë “i akuzuem prej qeverivet të përparëshme si grabitës i arkës së Shtetit”! Âsht për t’u vûe ré se i pari dhe i vetmi nga kundrështarët e mij në 15 vjet jetë politike âsht Faik bej Konitza qi m’a shton edhe këtê nder(!) të më cilsojë si kusar. Kurse edhe anmiqt politikë mâ të rreptë qi kam pasun deri në këtê ditë kanë tregue burrnín të më përmêndin si nji ndër njerzit mâ të pastër të vêndit t’onë në këtê lamë të moralitetit. Turqit kanë nji proverb qi thotë : “Kusari i hollë qet të zotin e shtëpisë jashtë”. Un s’kam pasë kurrë në jetë t’ême arkë Shteti në dorë me as nji titull e cilsí. Po sikur t’a pyesim Faik beun : si u bâ puna e atyne 35000 dollarve të huas së Shtetit për të cilët z. e tij ka qênë paditun edhe në gjyqë, ku nji ditë do të jetë i detyruem me do e mos me dhânë hesapë, në qoftë se qeveritarët e rij nuk i a falin për shërbimet qi po përpiqet t’u bâjë?…

  1. Po Faik beu nuk âsht kufizue vetëm në kusarí për me më shkreditue mue përpara kënduesvet të Diellit qi s’më njohin. Ai kur e ka sosun t’i a hapë kuj luftën e sharjevet s’ka bir nâne qi të jetë i zoti i konkurrencës me tê, makar qoftë dhe nga dora mâ e poshtme e racës së gabelvet! Atij i vjen për dore të krijojë krejt nji fjaluer asi titujsh fisnikë qi bâjnë me u kuqun deri apache-t e Parisit me të cilët, si duket, do të ketë pasun nji shoqní mjaft intime kur ka studjue letraturë në qytetin e dritës. Âsht e dijtun : kujt tjetër do t’i kishte hije kjo aftësí mâ fort se z. së tij?! Jo vetëm qi ka bâmë mësime të nalta, ka studjue letraturë e harte të bukura, historí e filosofí, ka shetitun Evropë e Amerikë, ka pasun punë me Oborre e Kancelarí, sidomos me ato të Shteteve mâ t’interesuem me çâshtjen shqiptare – merret vesht vetvetiu se për të qitun Shqipnín në dritë! – por âsht edhe beg, noble, fisnik; pra i shkon edhe për soj!….

Të mos vemi mâ gjatë. Ja titujt qi beu i Konicës ka pasun mirsín të më falë mue, dorë për dorë, prej fjalorit të tij qi, siç thashë, âsht nji burim i pasosun e i pasosëshëm për këtê lândë: egërsirë, bandit, kriminel, spiun, aventurier… e ku t’a dij se ç’tjerë mâ?…. Komplimenta të këtilë as qi jam i zoti, un harbut, t’i mbaj mênd, edhe kur t’i mësoj nga nji mjeshtër fisnik si beu i ynë!

III. Vêndi ku kam lé âsht mal. Por i thatë, i rjeptë i zhveshtë. Due me thânë pa pyje të mëdha ku kanë zakon me bâmë çerdhet e strofujt egërsinat! Diku nga nji herë moti, mbas gojdhânës, âsht pamë të fluturojë ndo nji shqipe në qiellin e këthielltë të tij, apo ndo nji luâ t’êndet e të turret me furí kundra ujqve të huej. Por c’era una volta!  Ato kohë kanë kalue e Kruja e mjerë s’ka as mâ të voglën pretencë me i pamë mâ të këthyeme. Ka vetëm pretencën modeste e legjitime qi nuk ushqen në gjí të vet as tjetër kategorí egërsinash si ato qi i prishin gjumin n’ândërr Faik bej Konitzës, i cili mandej çohet në mëngjes e i përshkruen nëpër shtyllat e Diellit.

Jo, Faik bej! N’as nji gjuhë e vênd të botës, as në Kinë, as n’Evropë, as atje n’Amerikë ku ndodheni ju e, madje, as në Koptistan nuk mund të quhet egërsirë nji njerí i cili prej 38 vjetve qi ka, 17 i ka kalue nëpër shkolla tue bâmë mësimet rregullisht deri në gradën mâ të naltë e gjithmonë – qoftë thânë vetëm për ju e me lejen dhe ndjesën e kënduesvet tjerë – me notat mâ të shkëlqyeshme, me lavdet mâ përkëdhelëse t’edukatorvet e të profesorvet të tij.

Jo, Faik bej! Banditizmi kujtoj i ka hije e i shkon për fis mâ fort ndokui tjetër qi vanton ndo nji titull të fituem apo të trashiguem bash prej atij zanati, se sa nji njeriu si un qi gjysh mbas gjyshi ka jetue me djersën e ballit, të derdhun mbas parmêndës : makar jo vetëm e gjithmonë si bulk, por nga nji herë edhe si qahajà bejlerësh e pashallarësh, ashtu si ç’keni dashun dikur të m’a shkrepni larg e larg edhe ju ; ase mbas tregtís e mâ në fund si nëpunës në shërbim të vêndit.

Kriminel? Le t’a analyzojmë kuptimin e kësaj fjale tue u a aplikue fazavet të ndryshme të jetës s’ême! Individualisht në jetën t’ême jam pyetun dy herë prej auktoriteteve gjyqsore për dy vrasje politike : njêna nën sundimin tyrk dhe tjetra ndên nji qeverí shqiptare personalisht t’interesueme. Në të dyja rasat kanë dashun të më komprometojnë po shokët e Faik beut. E në të dyja rasat kam dalë i lamë pa shkue aspak në gjyqë. Sa për në jetën private, me gjithë konditat e këqija të vêndit dhe zakonet tradicionale të popullit t’onë për të cilin vrasjet shumë herë kanë qênë – e mjerisht janë edhe sod – mjete për të shpërblye nji nder të keqkuptuem apo për t’i dalë zot nji të drejte të keqmbrojtun prej auktoritetevet, me gjithë këta, po thom , shtëpís s’ême vetëm nji herë i ka tokue ky fat i keq: kur im ungj, Xhiu i Fajës, me nji bindje të plotë e të thjeshtë, besoi se krimi i Urës së Gallatës ishte për tê nji detyrë e sakrificë, imponue prej besës qi kishte dhânë nji miku për së gjalli se po t’u vritte do t’i a merrte gjakun ai. Besë, kjo, aqë mâ tepër e fortë mbas si ishte dhânë mbrênda në zjarm e në tym tue luftue krah për krah bashkë kundra anmikut në ballë të Thesalís. Këtê krim e ka gjykue vetë populli shqiptar deri në mâ të voglin katundar e malsuer. Prandej la t’a thomi dhe këtê ndër parenthesë se Faik beu lodhet kot me më kuqun e me më shkreditue me êmnin e Xhiut të Fajës, i cili për të tânë ata qi e kanë njohun ka qênë ndera e burrnís krutane, për mos me thânë shqiptare. Por nuk âsht çudí aspak qi t’a quejë edhe Xhí Fajën kriminel, edhe nipin apo makar krejt far’e fisin e tij, kush ka pasun guximin t’i a falë këtê agjektiv deri fatosit të kombit, Avni Rustemit!

Ndoshta Faik be Konitza quen krime edhe disa lufta kombtare në të cilat un e kam për lavd e për nder qi kam marrë pjesë me pushkë në dorë : kryengritjen kundra Turqís më 1912, luftën për mbrojtjen e Shtetit kundra rrebelvet më 1914, luftën për mbrojtjen e tânsís së vêndit t’onë kundra Sërbvet më 1920, gjestin guximtar t’Elez Isufit kundra Ahmet Zogut më 1922. Pse jo? Pse të mos jenë krime edhe këto për Faik beun kur ai ashtu e ka konsiderue deri edhe mrekullín e Vlonës?

Spiun? Pse Faik bej? Kur, ku, për kê e në ç’rasë ju a kam grabitun këtê zanat? Keni në dorë mâ të voglën provë, mâ të voglin dokument apo nji dishmues të ndershëm për këtê akuzë të rândë e të zezë? Kur keni fillue ju me e ushtrue këtê zanat nëpër koridoret e Ballplatzit me atê mjeshtrí e guxim qi ju dallon në mes të gjithë klasës, un edhe kam qênë nxânës shkolle i rí. Mâ vonë kam këndue kolekcionin e Albanies, krejt letraturën t’uej shqip e frêngisht; kam bisedue me njerëz të ndershëm qi kanë pasun rasë të këndojnë ndo nji copë Xhurnal të zotnís s’uej e deri me shokë konfidentë qi ju kanë ndihmue n’ato punë delikate në kohna e në kryeqytete të ndryshme, prej Vjene në Romë e, në dashi edhe në Durrës, në kryeqytetin e Shqipnís së Mesme t’Esad Pashës qi kishit krijue vetë ju me gjenín t’uej. Nga të gjitha këto isha bindun se po të deshironte kush me ushtrue atê zanat fisnik nuk do të gjênte mjeshtër mâ të hollë se z. t’uej për t’a mësue!

Faik beu më quen dhe aventurier. Por edhe kjo më duket âsht mjeshtria apo zanati i tij, qi lyp kohë e rasa e sidomos nji dispozitë natyrale të cilat un, për fat të bardhë, s’i kam pasun kurrë. Jam 38 vjeç, 23 vjeç kam mbarue mësimet. Nga 15 vjetët qi teprojnë i kam kalue në mërgim i ndjekun prej Esad Toptanit e Ahmet Zogut, dhe mbrênda në mërgim mâ të shumtën i internuem o në nji ishull italjan ase në ndo nji katund të Sërbís. Nja dy vjet më kanë shkue në mal apo në burg, prap i ndjekun prej rrebelvet, prej Esadit apo Ahmetit ; afër nja mot mot ndër lufta kombtare e mâ në fund nja gjashtë vjet në zyra të ndryshme të Shtetit.

Në qoftë pra se këta fakte të jetës s’ême qi shpjegova deri këtu janë aventura, do e mos më duhet t’a pranoj se jam aventurier. Për ndryshe un nuk po e thom, por le t’a gjykojë e t’a thotë opinioni publik se ç’âsht, ç’duhet të jetë Faik bej Konitza!

  1. Meriton dy fjalë të veçanta edhe akuza e Kolonizmit. Ja ku po i thom pra Faik bej Konitzës faqe gjithë kënduesvet të këtyne rrjeshtave se deri sa mos të ketë botue në gazetën Dielli qi ka në dorë nji dokument, sa do të vogël, me firmën t’ême për të provue akuzën e tij, do të jesë në pozitën e nji shpifaraku të poshtën pa kurrfarë nderi njerzuer! E atê ças qi ai do të botojë nji dokument të vërtetë t’atillë, gati me i nxierrë edhe cliché-n po t’i kontestohet autenticiteti, të tâna ç’po thom për tê i marr për vete.
  2. S’e kam pasun ndër mênd fare me u marrë me Faik beun nëpër gazeta. E quej se jemi në kohë mjaft të vështira, e nji organ si Lirija Kombëtare  ka punë shumë mâ me rândësí e me nji qark interesash shumë mâ të gjânë për t’i mbushun shtyllat e veta. Por numri (486) i Diellit nëpër êmnin t’êm e prap ndër shtyllat e famshme të Faik beut sjellte nji insinuatë  qi e kapërcen personalitetin, i takon nderit të nacionalizmit shqiptar e interesës së Shqipnís.

Titulli dhe thema e entrefilet  – it për të cilin due të flas âsht “Shën Naumi”

Do të kujtoni sigurisht se këtu kryetari i pameritueshëm i Vatrës qan atê copë t’atdheut qi i u lëshue nji Shteti të huej, mallkon tradhtín qi i u bâ Shqipnís në nji mënyrë kaqë të shëmtueme prej bijve renegatë të saj dhe, mâ në fund, e hek vërejtjen e Shqiptarvet, nep  kushtrimin për rreziqe tjera qi mund të na vijnë në krye prej nji qeverie këso dore. Oh, jo!…. Jeni fare të rrêjtun. Faik beu ka tjetër hall. Qi t’i a kuptoni mâ mirë këtê hall këndoni-e këtu drejt për së drejti nga pênda e tij: “ Na vjen keq – thotë vetë beu i Konicës – se me faje të këtilla, shpejt a vonë do të rëzohet( Ahmet Zogu ) nga fuqia në nji mënyrë a në nji tjatër, dhe s’ka dyshim se në vênd të tij do të vijë ndonji katundar më i egër, si i nipi i Xhi Fajës, Taf (sic!) Merlika ose “Mustafa Kruja”…etj.” E kuptuet tashti hallin e Faik beut? Un nuk due të dyshoj  se ndo nji çikë do t’i ketë ardhun keq edhe për Shën Naumin, sa do qi ai vetë s’e thotë! Ashtu edhe për Vermoshin, kur do të ketë marrë edhe lajmin e lëshimit të këtij. Prap do t’i dhimbet edhe ndo nji Kara-Burun, ndo nji Kelmênd apo ndo nji …ç’e dij un se ç’tjetër mâ? Kur t’u vijë rêndi si Shën Naumit e Vermoshit! Për të gjitha këto i ka ardhun e do t’i vijë keq domosdo edhe z. së tij, në qoftë se ka ndonji pikë gjak Shqiptari në dêj të vet. Por derti mâ i madh për tê, ai dert qi e bân t’i harrojë të gjitha këto âsht ai qi thotë vetë me pêndën e tij e jo ky tjetri qi thom un. Dhe âsht nji dert dy fish: qi me faje të këtilla do të rrëzohet nga fuqia Ahmet Zogu, nji ; e qi më tjetër anë vêndin e Zogut do t’a zânkam un, bâjnë dy!…Qe dertet e mëdha të Faik bej Konitzës! Apo s’ka arsye? Të bjerë nga fuqia një koxha bej e të hypë në vêndin e tij nji harbut shoq i im? Qysh mund të durohet nji punë e këtillë?…. Faik beu – a s’e keni pamë në krahasimet qi s’pushon tue bâmë Dielli po thua në çdo numër? – as Imz. Nolin s’e sheh të dêjë në vêndin e beut të Matës, me gjithë qi e ka pasun aqë mik dikur!

Un e kam në dorë t’a qetësoj anmikun t’êm t’urrejtun vetëm pjesërisht. Nuk mund t’a siguroj, për fat të keq, se Ahmet Zogu s’ka për të ramë kurrë nga fuqia. Por e siguroj plotësisht se vêndin e tij s’kam për t’a zânë un. Ndo nji harbut tjetër si un, po. Kjo âsht nji aksiomë fatale, Faik bej! Sepse të gjithë bejlerët janë bâmë shërbëtorët e tij. Në sheshin e kundërt s’kanë mbetun veçse harbutën.

Faik beu më quen “katundar t’egër”! Âsht e vërtetë se Kruja, ku kam le e nga marr êmnin, në Shqipní quhet qytet e jo katund. Por mbas si shtëpia e ime pak a shumë edhe sod merret me bulqësí ka të drejtë beu të më quejë edhe katundar e bir katundari. Vetëm se në beson ai qi un do të kuqem nga ky agjektiv âsht i gabuem trashë. Për kundras e kam për nder a për lavd. Na harbutët, katundarë ase qytetarë qofshim, nuk shohim ndryshim në mes të shoqi-shoqit. Gjêjmë nji ndryshim, dhe këtê shumë të madh, vetëm në mes t’onë e të bejlervet. Sa për sipëragjektivin “t’egër”, i u përgjigja beut mâ para; ashtu edhe përsa i përket êmnit të t’im ungji.

Kështu pra, Faik bej, insinuatat e jueja qi do t’i zânë vêndin Ahmet Zogut ai apo ky janë mundime të kota. Na, harbutnia, mund të hahemi njêni me tjetrin, edhe për karrika ndoshta, po, le t’a pranojmë edhe këtê ; por kemi dhânë shêmblla e jemi gati t’apim gjithnjí se bâjmë ç’do sakrificë përpara rrezikut t’atdheut e për triumfin e idés s’onë. Jemi krejt, kryekëput të sigurtë se aveniri âsht i yni e jo i jueji, në qoftë se do t’arrijmë t’a shpëtojmë vêndin nga thika e kasapvet qi e kanë vûe ndër kâmbë tue e premë copa copa për t’a shitun në të djathët e në të mângjët.

  1. Mbarova. U kërkoj ndjesë shumë kënduesvet qi u shtrëngova, me këtê vetëmbrojtje, të flas aqë gjatë mbi personën t’ême. Por ç’të bâjsha? Qe, Faik beu, me organin e Vatrës thjesht në dispozitë të tij, s’ka lânë javë, gati, me kalue pa mâ përmêndun êmnin me agjektivat mâ të ndytë të fjalorit të vet.”Calomniez, calomniez, il en restera toujours quelque chose” thotë Frêngu. Prandej nuk munda të hesht mâ gjatë, sidomos tashti qi ai filloi me i intensifikue insinuatat për me shtíe grindje e dyshime në mes të nacionalistvet tue dashun të bâjë vegël edhe êmnin t’êm për këtê qëllim të poshtër.

I kërkoj ndjesë posaçe edhe “Lirís Kombëtare” për shtyllat e çmueshme qi i zuna, dhe u nap fjalën si kënduesvet ashtu edhe redaksionit se s’kam për t’i mërzitun mâ me polemika personale. Këto farë ngatrresash kanë tjera proçedura, tjera rrugë për t’u zgjidhun ndër mjet njerëzve të qytetnuem, kur distanca qi i danë nuk âsht kaqë e madhe sa Atlantiku.

 

P.S.  – “Merlika” âsht êmni i familes s’ême. “Kruja” êmën i qytetit t’êm, më ka mbetun si mbiêmën prej diplomash të liceut e t’universitetit, nuk dij as un se si, dhe nga nji zakon i përgjithshëm i Shqiptarvet qi e thërresin tjetrin me êmën të qytetit apo të fshatit. E dij se kjo farë thirrjeje nuk u pëlqen fisnikvet t’onë, mbas si pretendojnë se kjo âsht vetëm e drejta e tyne! Po ç’të bâj? S’e vlen barra qiranë me ndrrue êmën për hatër të tyne tashti në pleqëní. Do t’a kisha këmbye pa u mêndue as nji minutë sikur t’isha i bindun me të vërtetë se bie erë “noblesí”. Por faktet më kanë bindun ndryshe.

M.K.

  1. Demetrio Corona, 20 / VIII/ 1925

Botuar për herë të parë në “ LIRIA KOMBËTARE” të Gjenevës më 2 shtator 1925.                                                                                                                                                                     

 PYETJET E FAIK KONICËS E PËRGJEGJET E MIJA

(Prej Mustafa Krujës)

Zoti Faik Konica, në Dielli Nr. 2963 (506) me datë 19 janar, 1926, na bân disa pyetje sofistike tue kujtue se me to na i ka futun të dý kâmbët në nji këpucë përpara opinionit publik, dhe na fton qi t’i përgjigjemi kthielltë, hapët, thatë e shqip.

Këto pyetje, kuptohet vetvetiu, i përciell me komplimentat e zakonshme të gjuhës së tij. Por këto – edhe na simbas zakonit t’onë – do t’a lâmë më nj’anë. E do të përpiqemi me i u përgjegjun edhe mâ shqip  se sa e pret ai vetë.

Pyetja e parë : A mohoni se një kryengritje e re në Shqipëri mund të verë në rrezik jetën e Shtetit ?

Përgjegje : E mohojmë ! Shqipnía do të kishte humbun disa herë deri sod nga shumë kryengritje qi janë bâmë, e në rrethâna mâ të vështira. Përkundrazi nji kryengritje e re, e organizueme prej patriotësh dhe e fitueme, do t’a shpëtonte vêndin nga rreziku i vdekjes në duer t’atyne qi s’e kanë dashun kurrë ; qi s’kanë punue për tê kurrë ; që s’e kuptojnë e s’e ndjejnë dashuninë e atdheut veçse përsa t’u ushqejë ambiciet e interesat materiale të tyne ; qi janë gati t’a shesin e që po e shesin copa – copa ase t’a fusin në robní ekonomike, siç janë duke e futun, tue dhânë konçesione të rânda në të djathtë e në të mângjët sa herë të shohin në rrezik pozitën e tyne si sundues.

Pyetje e dytë : A mohoni se nji atentat kundër jetës së Presidentit të Republikës do të shkaktojë një luftë civile, aqë të rrezikshme sa një kryengritje ?

Përgjegje : E mohojmë ! Me gjithë qi sistemin e vrasjevet e t’atentatevet u a kemi lânë dirigjentëvet të sodshëm të Shqipnís, e do të shohim se deri kur do të munden me sundue me këtë sistem ! Katilët e martirvet t’anë duem t’i shohim, na dhe gjithë kombi, jo me lamë duert e idealistëvet me gjak, por përpara nji gjyqi t’ardhëshëm, ku avokatët e tyne të sodshëm do t’i shihnim ndoshta me gjithë gëzim t’u marrin përsipër mbrojtjen!

Pyetje e tretë : A mohoni se ulërimat dhe intrigat t’uaja, po të dëgjohen dhe po  të përhapen, shpien drejt – për – drejt  në kryengritje a në atentat ose në të dyja ?

Përgjegje : Shpresojmë e besojmë të ndigjohemi sa për kryengritje. Kryengritja âsht nji heret e drejtë dhe detyrë e pakundrështueshme – ose në rrezik të saj, si edhe për çdo popull të tiranizuem. Nuk meriton me qênë prîjës as me u thirrë patriot cilido qi i sheh rreziqet e të ligat e kombit dhe hesht për konveniencë ose për mungesë të kurajos. Sa për ata qi me mënyra të ndryshme kërkojnë t’i mbulojnë, s’kemi fjalë! E në qoftë se çfaqja e rreziqevet dhe të ligave nuk arrin t’i largojë e t’i zhdukë këto pa luftë dhe e shtyn popullin n’armë, aq mâ mirë e aq mâ lavd për udhëheqësit e tij ! Mjaft që këta mos t’a këmbejnë kuptimin e kryengritjes me atê të nji invazioni të huej, si na ka ndodhun me Esadin më 1915 e me Ahmet Zogun më 1924 ! Këmbim ky, që ne e kemi cilësue me kohë për tradhëti të naltë, e kështu në qoftë se ecim edhe na asaj udhe për para popullit edhe gjyqin ia kemi bâmë vet vetes !

Pyetja e katërt : A e mohoni se Fuqitë e Mëdhá që rregullojnë sot botën janë të gjitha armike të nxehta të Bolshevizmës dhe s’mund kurrë të durojnë që Shqipëria të bëhet një fole bolshevike ?

Përgjegje : Nuk jemi të çmêndun qi të mihim n’ujë ! E dijmë mâ mirë se Z. Faik Konica se Bolshevizmi s’ka vênd në Shqipní. Doktrinat shoqërore zbatohen simbas nevojavet shoqërore nga të cilat edhe lejnë. Shqiptarët, gati të gjithë borgjezë e zotën toke, përveç nji pakice bujqish qi kanë nevojë të naltohen në shkallë të njerëzve. Konditat shoqnore të vêndit t’onë nuk i njeh  Z. F. Konica sa na qi jemi rritun e u plakëm në Shqipní. Pra Fuqítë e Mëdhá, a të Vogla, t’Evropës a t’Amerikës apo t’Azisë, qofshin pro a kundra bolshevizmit neve sa për punën t’onë s’na intereson fare t’a dijmë. Jemi vetëm kombëtarë e duem vetëm të shpëtojmë kombin nga rreziqet, nga tradhtia e tirania.

Pyetje e pestë : Pse s’botoni nji deklaratë ku të dënoni sheshit çdo lidhje t’uej, paraje e simpatie, me Rusinë Bolshevike ?

Përgjegje : Deklarata t’atilla bâhen vetëm prej asish që e kanë mizën në kësulë ; dhe kanë gjithmonë kuptim pohimi. Prandêj Z. Faik Konica me shokë mund të bërtasin e të derdhin helm deri n’âmshim  pa u trêmbun se kanë me qênë të përgënjeshtruem me deklarata prej nesh. N’ushqefshim simpatí për Rusínë e re, për Rusínë bolshevike, kjo provon vetëm naltësínë e idealevet t’ona si kombëtarë, për sa ai Shtet ka dalë sod në shesh si mbrojtës i të drejtavet të popujve të shtypun, të shfrytuem e të tiranizuem. Kjo simpatí, qi nuk e mohojmë, s’ka asnji ndryshim, për shêmbull, nga simpatia që kemi për popullin e Wilson-it, borgjez deri në palcë. Në fund të fundit simpatia e një shqiptari për Rusín bolshevike, pa interesa të veçanta në Shqipní, âsht gjithnjë mâ e kthielltë se ajo qi mund të ketë për çdo Shtet tjetër borgjez, sidomos për ata që pak së paku kërkojnë të na pijnë gjakun ekonomikisht, edhe kur s’na kërkojnë copa  të gjalla nga trupi i shênjtë i atdheut!

 

P.S. Kam folë për vete ; tue interpretue, kujtoj, dhe mêndimet e shumë shokve mbrênda e jashtë atdheut. Z.Faik Konica mund të vazhdojë të na quejë ngjala apo të na thërresë me êmna e agjektiva të tjera ashtu siç i a don natyra e politika e tij. Nuk na bân as nji nështypje. Kur ka qênë nevoja kemi folun për opinionin publik e jo për tê. Ashtu do të bâjmë edhe mbas këndêj.

Kjo përgjegje le të vlejë edhe për korrespondencën e botueme në Diellin Nr. 2955 (498) me datë 29 – 12 – 1925, prej Z. Argondizza që qênka informue aqë mirë për veprimet t’ona sa mos me na dijtun as vêndin se ku ndodhemi ! Si duket, Z. e tij do të vazhdojë të na shohë gjithënjë në Vjenë, a ç’dij un se ku nëpër qêndrat politike t’Evropës, dhe në qoftë se do të jemi n’atë jetë prej plumbi të ndonji sikari të qeveritarvet të mirë të Shqipnís së sodshme ose prej vdekjes natyrale ! Se në qoftë se populli shqiptar ka me dashun të na thërresë, atëherë jemi të sigurtë se ku jemi e do të na përmêndë shpesh e me nji tjetër stil, si ç’u ka hije shkrimtarëve të racës së tij.

 M.K.

Zara, 18 – 11 – 1926

 “IMMIGRANTI” Worcester, Mass. 13 mars 1926.

 

AVANTI, SIGNOR  ARGONDIZZA !…

Në një shkrim që pati mirsin të më botojë “Immigranti” në numrin e tij 24 me datë 18.II.926 ndën titullin: “Pyetjet e Faik Konicës e përgjegjet e mia” kisha thënë dy fjalë në P.S. edhe për profesorin italian nga fara shqiptare, sig. Francesco Argondizza. Duket se ky Zot tepër pak e kupton shqipen. Kur ka kënduar fjalët e mia q’ i përkisnin s’do të ketë pasur pranë ndonjê përkëthenjës të mirë si atë q’i shqipton artikujt e tij në gazetën “Dielli”. As është interesuar t’a gjejë më vonë.

Kisha thënë atëherë: “Kjo përgjegje e ime vlen edhe për korrespondencën e botueme në gazetën “Dielli” nr. 198 me datë 29.XII.925 prej z-it Argondizza, qi qênka informue aqë mirë mbi veprimet t’ona, sa mos me na dijtun as vêndin se ku ndodhemi. Si duket, Z. e tij do të vazhdojë të na shohë gjithnjë në Vjenë a ç’e dij un se ku nëpër qêndrat politike t’Evropës, edhe në qoftë se do të jemi n’atë jetë prej plumbit të ndonjê sikari të qeveritarvet të mirë të Shqipnís së sodshme apo prej vdekjes naturale!”.

As unë vetë s’isha aq’ i bindur, kur shkruaja, se me këto fjalë po bënja një gjysëm profetie! Teleskopi i sig. Argondizzës me të vërtetë vazhdon edhe, pas kaqë kohe, të më shohë gjithnjë në Vjenë, në shërbim të bolshevikvet e në rrogë të tyre dhe… ata bënë në “rrogë të majme” në “rrogë pa cak e pa kufi”! (Shiko gazetën “Dielli” nr. 564 me datë 8 Qershor 1925).

Besoj të mos ketë mbetur asnjê shqiptar nga ata që rrojnë n’ Evropë i cili të mos ketë marrë vesh se ku jam unë e si jetonj. Po mbushet viti që kam zënë vênd në këtê qytet të Dalmatís me gjithë fëmijë ku jeta kushton më lirë se në viset tjera t’Italís e ku, bashkë me një shok, kam hapur njê dyqan të vogël duhani e cigaresh për të fituar njê copë bukë me djersë e me nder. A ësht’e mundur që i vetmi sig. Argondizza të mos e ketë mësuar këtê? Do t’ishte njê informator shumë i keq për gazetën “Dielli” dhe Presidentin e Republikës së tij! Ç’është pra shkaku që ngul këmbë në çpifje aqë të poshtra dhe çpifje foshnjesh? Asgjë tjetër veç asaj që ka shtyrë dhe mjeshtrin e tij, Z. Faik Konica, të më shajë me të tërë agjektivat e tij duke heshtur kur unë i kam dalë në shesh të burravet me gjuhën e njeriut t’edukuar : La parola d’ordine,  do të thoshte vetë sig. Argondizza! Krejt qëllimi i këtyre “mercenarve të pêndës”, si ç’i quan me arsye shoku Ali Këlcyra, është të çkreditojnë një nga një të gjithë kundrështarët e regjimit në sŷ të shqiptarvet të kolonive të largta që rrojnë ka kaqë kohë larg atdheut e që prandaj nuk janë mirë në rrjedhje të punvet. Dhe na, n’ungjemi nganjëherë të merremi me çpifjet e tyre aqë pa krypë, aqë banale dhe, në fund të fundit, aqë pa mjeshtrí, këtë e bëjmë, më shumë se për të mbrojtur vehten, për të mos lënë ata bashkatdhetarë zêmërbardhë të bien n’ atë rrjet intrigash.

Kush ësht sig. Argondizza që kërkon të bëhet Faiku i dytë në fushën e politikës shqiptare? Nuk do t’a përshkruaj unë. Se z. e tij tërthorazi fton në stilin e edukatës pa qênë aspak nevojë. Le t’a lêmë ta bëjë ay vetë apologjinë e bukur të tij. “Ne italianët rrojmë me shqiptarët në një përçarje të pashëruarshme… etj.” (F. Argondizza, gazeta “Dielli” nr. 561).

O Zot i math! Sa fort e ke dashur këtë Shqipërín t’onë të bekuar kur ke krijuar jo vetëm shqiptarë si Faik Konicën për t’a mbrojtur prej bijvet të saj bukshkaltë, por edhe italianë zêmërbardhë e shpirtmëdhenj si sig. Argondizzën!… Megjithëqë ky, natyrisht, e don dhe e çmon më shumë një Luigj Federconi sesa një Stavro Vinjau! “Një Federconi nuk është  një Vinjau” thotë.

Dhe a dini se kush ia ka kallur gjithë këtë zjarr dashurie për Shqipërinë sig. Argondizzës? “Patrioti dhe idealisti i math, Faik Konica!”, do të thoni. Mirë, më të jeni; por jo vetëm ay. Ka pasur dhe një inspirator tjetër më të hyjnuarshëm, ndofta, se Faikun! Le t’a thotë prap ay vetë cilin. Ja: “… Veç kësaj, miku im i vjetër z. Gjergj Çakua të cilin pata rastin t’a kem dy vjet si mysafir të dashur, i di të gjitha hollësirat e ofertave që më ishin bërë… etj.”

E si të mos bëhet më filoshqiptar se shqiptarët vetë një italian që ka shkuar vite me radhë në shoqërí me Faik Konicën e Gjergj Çakon? Sidomos kur ay ndien edhe pak gjak shqiptari në dejt e tij!

Duhet të dini pastaj dhe një gjë tjetër. Që sig. Argondizza qënka dhe nga ata filoshqiptarët e mëdhenj, me famë e me zotsí mondiale! Sicuro, no? Ky êshtë (apo… qënka) ay q’ i ka çkulur rrënjët Castoldit nga Shqipria me një artikull në gazetën “Il Tempo”; ky sŷ që ka shporrur Vicenzin, q’i ka thyer qafën Ledit, me një fjalë që ka tundur Consultën nga themelet dhe të tëra këto i ka bërë për të mirën e Shqipërísë. Pra është dhe i madh, i fuqishëm sa… Don Kishoti! Lum na dhe lum Shqipëria! Ç’nevojë kanë patriotët shqiptarë të çajnë kokën për atdheun e tyre kur këtij i ka falur Perëndia miq të këtillë?…

Por ja ku shoh, m’a ndien zêmra, të dashur këndonjës, se në mes t’uaj ca po më këndojnë mjaft me shqeptiqizëm. Natyrisht unë, përsa thotë sig. Argondizza vetë për vehten e tij, nuk marr përgjegjësí. E ju në mos dashi të besoni ay ju nxier dhe shahidë. Këndojeni: “Kam lëftuar, pra, sipas fuqive të mia modeste, pa patur ndihmë as nga ndonjê anë, dhe kshu edhe sot; Kryetari i Republikës Zogu dhe njerzit që janë afër tij munt t’a dëshmojnë”. Vini re mirë, pra, që z. e tij, përveç shërbimit me shtyp që ia dijmë të gjithë, ka dhe prova të tjera shërbimi kundrejt Shqipërís që ia dijnë vetëm “kryetari i Republikës Zogu dhe njerzit që janë afër tij”! Ç’doni më tjetër?…

Dhe ky fatos i korvshës shqiptare (!) të tëra këto i bëka vetëm që t’arrijë të mbushë një ambicje. Cila është kjo ambicje? Ja dhe atë ku na e thotë vetë: “… ambicja ime është ajo që ka qênë: të bashkpunonj me Kryetarin e Republikës dhe të bênj ç’të munt duke i dhênë ndihmën time që të mundë të dalë nga zoret e sotme.”

Avanti, pra, sig. Argondizza puno si ia ke nisur pareshtur e pa u lodhur; se për së shpejti do t’ia arrijsh qëllimit të lartë, do të bêhesh collega i Sotir Martinit!…

Mustafa KRUJA

Gazeta “Liria kombëtare”, 14 korrik 1926

*Marrë nga libri “MUSTAFA  MERLIKA – KRUJA, GJYSËM SHEKULLI ME PENDË NË DORË”, botimet OMSCA-1

Please follow and like us: