Albspirit

Media/News/Publishing

Vendimi i `67-ës/ Me ligj, si u dërguan intelektualët në punë prodhuese

V. Murati

fotogor_1Vendim i VP të KQ të PPSH mbi masat për organizimin e punonjësve të punës mendore drejtpërdrejt në punë prodhuese.

Për të luftuar burokratizmin dhe ideologjinë borgjeze revizionistë, Kongresi V i PPSH vendosi që intelektualët të jenë pjesëmarrës të drejtpërdrejt në punën prodhuese. Sipas vendimit të datës 22.4.1967, për herë të parë lëshohen disa masa për organizimin më të mirë të pjesëmarrjes së punonjësve të punës mendore drejtpërdrejt në punën prodhuese. Që nga ky moment puna prodhuese si dhe puna e detyrueshme në fshat u bë një ligj normative i vendosur nga diktatura.

***

Vendimi

Partia e Punës e Shqipërisë

Byroja Politike e KQ

 

Vendim

Nr. 58 Datë 22.4.1967

 MBI DISA MASA PËR ORGANIZIMIN MË TË MIRË TË PJESËMARRJES SË PUNONJËSVE TË PUNËS MENDORE DREJTPËRDREJT NË PUNËN PRODHONJËSE

 

Organet e partisë, të shtetit dhe të ekonomisë, duke u mbështetur në Orientimet e Byrosë Politike të vitit të kaluar për riorganizimin e punës fizike, bënë përpjekje që pjesëmarrja e kuadrove dhe e punonjësve të administratës në punën drejtpërdrejt prodhonjëse të shërbente për edukimin revolucionar dhe kalitjen e tyre fizike, për t’u njohur më nga afër me jetën dhe punën e punëtorëve e të fshatarëve, për të luftuar burokratizmin dhe ideologjinë borgjeze e revizioniste.

 1-Kuadrot dhe punonjësit tanë, jo vetëm që e mirëpritën riorganizimin e pjesëmarrjes drejtpërdrejt në punën prodhonjëse, por në luftën për të vënë në jetë vendimet historike të Kongresit të 5-të të Partisë, lindën edhe inisiativa të tjera revolucionare për zgjerimin e pjesëmarrjes së tyre në punën prodhonjëse. Me një vlerë të madhe në përmbajtje të thellë ideologjike është inisiativa e kuadrove drejtuese dhe e punonjësve të administratës së kooperativës bujqësore të Trashanit në rrethin e Lezhës për të bërë 100 ditë pune në vit drejtpërdrejt në prodhim dhe ajo e kuadrove drejtuese dhe e punonjësve me të cilën janë ngarkuar. Rinia shkollore e studenteske, e cila vitin e kaluar u angazhua në një masë më të gjërë në punën fizike, sivjet ka ndërmarrë aksione të mëdha me karakter kombëtar dhe lokal.

 2-Për punonjësit e dikastereve e të institucioneve qëndrore, të komiteteve të partisë, të komiteteve ekzekutive, të organizatave të masave, për kuadrot ushtarake, për arsimtarët dhe gjithë inteligjencës, koha e pjesëmarrjes së tyre në punën drejpërdrejt në prodhim, si rregull, të jetë 30 ditë në vit, kurse për gratë e martuara 15 ditë.

 a- Si rregull, kuadrot kryesore të organeve të partisë, të shtetit, të ekonomisë dhe të institucioneve social-kulturale në qendër e në rrethe të kryejnë punën drejtpërdrejt në prodhim, kryesisht në fshat dhe në grupe të organizuara, në përbërjen e të cilave të jenë kuadro të sektorëve e të profileve të ndryshme, me qëllim që atje ku do të venë të bëjnë punë prodhonjëse dhe njëkohësisht të ndihmojnë për probleme politike, ideologjike, edukative, organizative, ekonomike dhe për shumë çështje të tjera që u paraqiten punonjësve ose banorëve të atyre qendrave ku do të kryejnë punën në prodhim.

 b-Aparati i Komitetit Qëndror të Partisë dhe i Këshillit të Ministrave, të krijojnë disa grupe me kuadrot e tyre kryesore e të dikastereve për t’i dërguar në rrethe, zona ose qendra të caktuara, jo vetëm për të bërë punë në prodhim dhe punë politike, edukative e shoqërore me masat, por edhe për të studiuar çështje të caktuara që gjykohen të nevojshme. Në të njëjtën mënyrë të veprojnë edhe dikasteret (duke e koordinuar këtë çështje me komitetet ekzekutive), si dhe organet e partisë e të pushtetit në rrethe.

 c-Mjekët dhe projektuesit gjysmën e kohës së punës prodhonjëse ta përdorin për punë të profilit të tyre në fshat në qendrën e punës ku do të kryejnë punën në prodhim.

 ç-Arsimtarët që marrin pjesë në zbore, në kohën e punës drejtpërdrejt në prodhim, t’u llogaritet edhe puna në prodhim që bëjnë me nxënësit.

 d-Punonjësit e dobët fizikisht, por që nuk përjashtohen nga puna në prodhim, të caktohen në punëra më të lehta.

 Mbledhja e përgjithshme e kooperativistëve, në rast se dëshiron, mund të vendosi sanksione kundrejt atyre që nuk e kryejnë detyrën e caktuar për pjesëmarrjen në punën prodhonjëse, duke u zbritur nga shpërblimi ditët që ata nuk kanë kryer në prodhim, sikurse edhe mund të mos bendosi për një gjë të tillë.

 – Brigadierët në kooperativat bujqësore kryejnë 150 ditë pune kalendarike në vit drejtpërdrejt në prodhim (duke kryer në një ditë kalendarike jo më pak se një ditë pune të normuar), dhe të shpërblehen sipas rregullores-tip të kooperativave bujqësore. Në qoftë se ata nuk e kryejnë detyrën e caktuar për pjesëmarrjen drejtpërdrejt në punën prodhonjëse, atëherë asambleja vendos që atyre t’u zbriten në fund të vitit, për llogari të shpërblimit, ditët e punës që ata nuk kanë kryer në prodhim.

 -Në kooperativat bujqësore që kanë më pak se 100 hektarë tokë nën kulturë, si drejtuesit dhe punonjësit e administratës, ashtu edhe brigadierët, të punojnë çdo ditë në prodhim, bashkë me kooperativistët e tjerë, duke kryer gjatë vitit jo më pak se mesataren e ditëve të punës që kryejnë kooperativistët që ata drejtojnë, dhe të shpërblehen sipas rregullores-tip të kooperativave bujqësore. Në qoftë se ata nuk e kryejnë detyrën e caktuar për pjesëmarrjen drejtpërdrejt në punën prodhonjëse, atëherë asambleja vendos që atyre, për llogari të shpërblimit, në fund të vitit t’u zbriten ditët e punës që ata nuk kanë kryer në prodhim, me përjashtim të ditëve që mungojnë për arsye të thirrjes me shërbim nga organet shtetërore dhe të partisë.

 -Në të gjitha rastet, qoftë për ndërmarrjet shtetërore, qoftë për kooperativat bujqësore, kuadrot gra të martuara, që janë me funksione drejtuese ose në aparatin administrativ, të marrin pjesë drejtpërdrejt në punën prodhonjëse në masën 50 % më pak, në krahasim me ditët e punës që duhet të kryejnë burrat në prodhim.

Komitetet dhe organizatat bazë të partisë, si dhe organet shtetërore, të ndjekin nga afër kryerjen e punës drejtpërdrejt në prodhim dhe në fund të vitit të shqyrtojnë përfundimet e arritura, me qëllim që të përgjithësohet më tej përvoja që do të fitohet për një organizim më të mirë të kësaj pune në të ardhmen.

 ***

Byroja politike shpreh bindjen se organizatat bazë të partisë dhe ato të masave, organet shtetërore dhe ekonomike si dhe gjithë punonjësit, do të marrin të gjitha masat për ta organizuar në mënyrë shembullore këtë punë dhe për të siguruar suksesin e plotë të saj në lëmin politik, ideologjik dhe ekonomik.

Sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë

Enver Hoxha

Please follow and like us: