Vrasjet misterioze të gazetarit amerikan / Sigurimi i Shtetit, si eliminonte të huajt në Shqipëri përmes agjentëve të dyfishtë
Por revista kishte botuar edhe një shkrim tjetër të një redaktori të RAI-t, i cili shprehte mendimin se “vrasja e Njekovit ishte një krim politik i kryer nga agjentura të caktuara, për të frikësuar organet e shtypit, për t’i detyruar ato të konformoheshin me politikat e tyre”. Saliu e mbylli revistën duke buzëqeshur.
-Çfarë ke që qesh?- pyeti Ymeri.
-Asgjë! Kjo është revista e të ndjerit Njekov. Po e qajnë me ligje kolegët, por njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit.
-Ndërsa mua më mbeti mendja te “Martini”. A thua të ketë shpëtuar?
-Mos ia qaj hallin atij, ka kaluar shumë hendeqe, bile shumë të vështira dhe ka dalë “Qeriba”. Unë ja kam frikën vetëm “dosjes Njekov”
-Sidoqoftë e morën një mësim të mirë, nuk e besoj të vazhdojnë më me plane të tilla kriminale, të paktën tani për tani.
-Jo, Ymer, mos mendo ashtu. Në disfata armiku egërsohet më shumë. Në fakt goditja që u dhamë i ka tronditur rëndë, por armiqtë nuk kanë vetëm një front. Për mua, armiqtë më të rrezikshëm të Shqipërisë, janë ata që kanë pretendime territoriale ndaj vendit tonë. Janë pikërisht frymëzimet e tyre që nxisin elementin armik të brendshëm, siç ishte i ndjeri Lirim Dema. A nuk e deklaroi ai vetë se çdo veprim mund ta kryente vetëm nën urdhrat e Mirko Vukoviqit? Është detyra jonë që edhe Mirko të marrë ndëshkimin e merituar.
Vrasja misterioze e Mirko Vukoviqit plotësoi serialin e goditjeve vdekjeprurëse të organizuar nga Sigurimi i Shtetit kundër atyre që kishin planifikuar rrëzimin e pushtetit nëpërmjet dhunës. Ju pre rruga luftës civile në Shqipëri, plumbave, vrasjeve, djegieve, shkatërrimeve, urisë dhe mjerimit. Por Saliu ra në “mina” që kurrë nuk mund t’i imagjinonte. Kur u kthye në Paris, pas aksioneve të suksesshme të tij, provoi të takonte me rezidentin e Sigurimit të Shtetit me qendër në këtë qytet, asht siç kishte bërë edhe herët e tjera. Ai vinte këtu për të tretën herë, nga të cilat, në dy raste ishte takuar edhe me rezidentin. Por këtë herë ai jo vetëm që nuk pranoi të takohej me të, por e pa shumë të vrazhdët dhe me një ton urrejtës i tha:
-Ti je tradhtar i kombit shqiptar?!- u çudit Saliu për këtë akuzë kaq të rëndë, që nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend ta dëgjonte. Unë tradhtar?!
-Po!- këmbënguli rezidenti. Ti je bërë shok dhe mik i Dubçekëve dhe shërbëtor i imperialistëve amerikanë. Partia e Punës dhe shteti shqiptar të kanë damkosur me vulën e tradhtisë.
Vetëm pak orë më vonë Saliu pësoi edhe një goditje tjetër. Tre agjentë francezë, pa uniformë, i ndaluan para hotelit dhe u kërkuan dokumentet.
Në fund ata arrestuan Ymerin dhe e futën në një autoveturë të policisë që ishte parkuar pranë tyre. Saliu provoi për të pyetur për shkakun e arrestimit, por agjentët e shtyjnë me përbuzje pa i thënë asnjë fjalë. Kjo do të thoshte se diçka kishte ndodhur edhe me siguri që radha i vinte atij.
Shkaqet e arrestimit të Ymerit u morën vesh shumë shpejt. Gazetat kryesore të ditës së nesërme, kishin botuar lajme që provonin se Ymer Kondo ishte vrasësi i gazetarit Njekov. Në komentet e tyre jepeshin edhe provat e ekspertizës, mbështetur në dëmtimin që i ishte shkaktuar parakolpit të makinës “Ford” dhe në disa grimca bojë që kishin mbetur në parakolp nga përplasja me autoveturën “Fiat” të gazetarit Njekov.
Provat ishin të qarta dhe mbi bazën e tyre ishte kërkuar edhe arrestimi i Ymer Kondos, si dhe ekstradimi i tij në Itali. Në fakt Saliu nuk i trembej këtij procesi, për shkak se ishte e provuar plotësisht alibia e tij kur u bë rrëzimi në greminë i makinës së Njekovit. Fakte të tilla ishin të provuara edhe nga organet hetimore. Por një rrezik tjetër shumë serioz i kanosej Saliut. Ai zbuloi, nga një shok i ngushtë, i shërbimit diplomatik, se ditën që u vra Mirkua, shërbimi i CIA-s pranë ambasadës amerikane, kishte dhënë një raport ku thuhej se për këtë vrasje nuk mund të dyshohej për shoferin Ymer Kondon, për shkak se në orën 10, të asaj dite, ai u mor nga ne në telefon dhe ishte në dhomën e tij. Makinë e kishte nxjerrë nga Ambasada vetë inspektori i CIA-s, zoti Hobson, i maskuar si shoferi i tij. Kjo do të thotë se vrasja e Mirkos ishte kryer nga Saliu, për qëllime të caktuar, i ngarkuar nga agjentura të huaja.
Saliu gjendej në një situatë shumë të turbullt dhe me rreziqe të pritshme. Nga njëra anë ai u penalizua, pa e gjykuar, nga Partia dhe Shteti i tij, ndërsa nga ana tjetër iu arrestuan bashkëpunëtorët më të besueshëm të tij, Gjergji dhe Ymeri, çka do të thoshte se edhe ai ishte në pragun e burgut. Dhe kjo situatë e ankthit të rrëmben gjithçka, forcën dhe optimizëm për të ardhme. Ai shkoi një në një restorant modest për të ngrenë drekën dhe pastaj do të shkonte në hotelin ushtarak për të pushuar. Por rrugës ndjeu se po ndiqej nga dy persona. Ata e shoqëruan deri në restorant, e pritën sa mbaroi dhe, kur po dilte për të shkuar në hotel, i dolën përpara dhe i thanë me zë të ulët:
-Mos krijoni probleme. Kemi urdhër t’ju shoqërojmë në Komandë.
Me sa dukej mbaroi edhe historia e agjentit Sali Dani. Është një fund dramatik që nuk duhej t’i vinte atij, por jeta agjenturore fillon dhe mbaron me të papritura. Vetëm këto i japin bukuri asaj. Vetëm këto vlerësohen në veprimtarinë agjenturore. Vetëm këto përbëjnë historinë agjenturore, aq të bukur, aq të mençur, aq burrërore dhe aq të rrezikshme!
Edhe pse ishte gjendje arresti, Saliu u trajtua në mënyrë të veçantë. Ai qëndroi në Paris dhe dy ditë të tjera, në pritje të urdhrit nga Uashingtonit, por ai ishte pothuajse i lirë, mund të shkonte ku të donte e të bënte çfarë të donte, natyrisht nën shoqërimin e një personi të caktuar. Edhe kur e nisën me aeroplan për në Uashington, atij nuk i vunë pranga, ndoshta për vlerësimet që kishin për kontributin e tij në CIA, ndoshta për të provuar nëse do të bënte ndonjë tentativë për t’iu shmangur drejtësisë, ndoshta për të zbuluar ndonjë bashkëpunëtor të tij apo ndonjë lidhje të caktuar ndërkombëtare. Por gjysme të lirë e kishin lënë dhe në burgun e sigurisë së lartë, në Uashington, por ai e shikonte çdo gjë të mbaruar, çdo gjë të zezë, sterrë, pa dritë në “fundin e tunelit” ndonëse ishte i ndërgjegjshëm se çdo vepër e tij, i kishte shërbyer luftës kundër terrorizmit, për të shpëtuar njerëzit nga tragjeditë që përgatisnin kundër tyre terroriste. Ai ishte i sigurt se veprat e tij ishin të moralshme dhe pasqyronin botën e tij shpirtërore, të bazuar në vlerat e humanizmit njerëzor. Ata që nuk i përfillin këto vlera fisnike, i përkasin njerëzve të pavirtyt, janë kufoma njerëzore.
Pas 46 ditëve, erdhi çasti për ta marrë në pyetje edhe të pandehurin Sali Dani. Një hetues ushtarak, me origjinë irlandeze, i shkoi në burg, bisedoi me të për akuzën që ishte ngritur kundër tij dhe i la një kopje të aktakuzës për ta lexuar dhe për t’u përgatitur për përgjigjet që duhet të jepte. Pastaj e porositi:
-Zoti Hobson, ju këshilloj të merrni një avokat. Akuza, siç e shikoni, është shumë e rëndë.
Saliu tundi kokën në shenjë mohimi dhe ju përgjigj:
-E vërteta nuk ka nevojë për avokat, zoti hetues. Edhe po ta fshehësh në fund të detit, ajo do të dalë përsëri mbi ujë. Prandaj nuk kërkoj dhe nuk do të pranojë avokat. Nuk do të kërkoj dhe nuk do të pranoj as mëshirë, sepse mëshirë kërkojnë mëkatarët. Unë nuk jam mëkatar, zoti hetues, nuk pranoj të kem bërë mëkate, prandaj dua ta humbas përfundimisht edhe shpresën për mëshirë.
Hetuesi, një burrë rreth moshës së pensionit, me një karrierë 20 vjeçare në këtë profesion, dëgjonte për herë të parë përgjigje kaq mospërfillëse për një akuzë shumë të rëndë, të parashikuar me vdekje me Kodi Penal. Është një rast i jashtëzakonshëm, apo më mirë të thuhet se kemi të bëjmë me një njeri të jashtëzakonshëm, që nuk dëshiron të mbrohet me avokat, që e ndien veten krenar për veprat e tij, që e ndien të qetë veten, që nuk pranon se ka gabuar, nuk pranon akuzën që i është bërë, “për vepra terroriste në shërbim të agjenturave të huaja”
Hetuesi e përsëriti këshillën, por Saliu ju përgjigj me krenari:
-Mos u shqetësoni, zotni hetues. Jo vetëm për mua, por edhe për ju, do të jetë më mirë që t’i shpjegoj vetë veprat e mia, të tregoj vetë motivet tyre, me atë forcë të shpirtit që më detyroi t’i kryeja….