Letrat e Bektash Cakranit
Në historiografine e varfer shqiptare te fillim shekullit te 20 rrallekush ka lene deshmi kaq interesante dhe personale mbi perpjekjet qe sollen Pavaresine e Shqipërisë në 28 Nëntor 1912.
Sjell sot dëshmitë e drejtpërdrejta të një prej firmëtarëve, Hajredin Bej Cakrani.
Këto kujtime të lëna në dorëshkrim janë botuar nga Auron Tare dhe Kujtim Cakrani me redaktim te Kastriot Robos dhe vijnë për herë të parë ne duart e lexuesve te apasionuar me ngjarjet historike ne vigjilje te dites se 28 Nentorit.
“Si rralle kush nga dyert e bejlereve Hajredin Bej Cakrani kishte kuptuar se mvetesia nuk ishte thjesht nje çeshtje politike por ne rradhe te pare iluminimi i popullates se prapambetur dhe dituria e brezit te ri. Sebashku me te vellane nje tjeter figure interesante por ende e panjohur Bektash Cakranin, ata hapen nje prej shkollave te para ne shqip duke financuar jo vetem per ngritjen e saj por edhe per nje sere mesuesish. I mprehtë, therrës dhe me nje toskerishte plot ngjyra Hajredin Beu shpjegon ne detaje arsyet e renies se Qeverise Vlora, Luften e Vlores, rebelimin e Qamilisteve apo ngritjen meteorike te Zogut …” , shkruan Tare në hyrjen e kujtimeve.
Dy letrat e Bektash Cakranit për vëllanë e tij Hajredin Cakrani:
Në letrën që i dërgon nga Vlora Bektash bej Cakrani, të vëllait Hajredin bej Cakranit, i shpjegon qartë se Turqia ka nxjerrë një urdhër arresti për Ismail Qemalin, kështu që misioni i madh mund të dështojë, prandaj duhet me ç’do kusht të kalohen delegatët anës detit, përmes çifligjeve të tij, për të evituar përplasjen me Ushtrinë Osmane.
Teksti i letrës fillon frëngjisht dhe më pas me shqipen e kohës:
“Hautement Confidenti- elle! Personne qui va remetre la letter est la persone la plus digue confiance que vous pouvez faire confiance totalement et sans reserve de lui. (Shumë sekret! Personi që do të japë letrën është njeri i besuar dhe mund të besoni tërësisht tek ai)
I dashur vëlla Hajredin!
Uroj të ini mirë të gjithë. Me këto hallet këtej më të hyrë të Vjeshtës së tret muarrim një telegram t’Ismail Beut nga Wiena që e këndoi i biri Et’hem Beu ku mësuam se çështja t’onë politike u sigurua. Që më 2 të Vjeshtës tret fjalosëm me Nexhip Bej Dragën e Abdi Bej Toptanin për Luigj Gurakuqin kish thënë se Konti Berchtold druan se ndikimi rus në Ballkan vetëm një shtet Shqiptar mun’ t’a pengojë.
Ne do t’ju ndihmojmë po nevojitet edhe me ushtëri po lufta do mare brënda shumë Mbretëri dhe del nga Ballkani. Në Triest kanë fjalosur me gazetat se shkojmë të bëjmë Shqipërinë që ësht’ një gjë e mire dhe e keqe. Shirat nuk pushuan as këtu e kam ardhur ndë buzë të Vjosës dhe nuk munt’ të kaptohet se ka ardhur shumë.
I dërgova Azis Pashës në Berat një telegram që pa humbur kohë të dërgojë njerëz të besuar në Durrës t’a bien udhës për Vlorë. Do isha nisur vetë në këtë punë me axhale po këtej nuk i kemi punët mire me lumin këtu e me grekët që kanë zënë Sazanin e janë në Himarë. U poqa me Brahim Abdullanë dhe Hamza Isanë dhe me Xhemil Benë që e njeh Vlorën si asnjë tjetër dhe më tha se Ismail Beu duhet të udhëtojë në msheftësi të madhe, po të mundemi. Ata kanë ardhur në Durrës dhe janë tek hani Azis Pashës. Mua dhe Xhemil Benë na kërkuan të fjalosemi n’aksham.
Xhemil Beut i dha një mijë porosi e pyetën për gjëndjen në Vlorë po me mua u fjalos gjatë për kuvëndin po më shumë për udhën. E di që do të mbetet hatëri për këtë detyrë po për ty kam një punë tjetër. Osmanllinjtë kanë plot njerëz vërdallë dhe do bëjnë ç’mos t’a likujdojnë se në kë vend ku nga anë futet serbi e në tjatrën greku vrasin e presin s’ka siguri asnjë sahat. Puna ësht’ pisk e llafi ka marrë dhenë e munt’ t’i shohën në ç’do vent po më keq ësht’ aty tek ty në Lushnje që ësht’ ushtërija sheshit.
Nuk e di si e qysh po ti duhet t’u këmbesh udhë në rast rreziku e mundohi t’i futësh nëpër çifliqet e tu se udhën nëpër çiflik o e di ti o s’e di njeri. Lumi do ket dale e ka mbytur dynjanë pa të dua me bujq, me kuaj e me buaj më këmbë nuk e di si do t’ja bësh. Po të ndoth ndonjë e pa bërë, punën e luftën t’onë të filluar qëkur e muari lumi. Druaj se ajo punë do të vejë tek pushka mos hap batare i pari se do bësh dëm tek ndonjë yni po u përpoqët me t’a. Mavzerri tek koka gjumë s’ka edhe nevej këtej. Po n’a ka bekuar Perëndia këtë here shpëtuam. Njeriu që po dërgoj letrën po e nis në ndonjë va fshatrave me ngut. Jam në merak të math. Notre Patrie sera notre! (Atdheu ynë do të jetë yni)
Të fala vëllai yt Bektashi
Letra e dytë është e shkurtër dhe urgjente:
“Hautement Confidentielle! (Shumë sekret) Hajredin Beut në dorë!
Ismail Beu, z.Luigj Gurakuqi me shokë janë nisur. Na kanë njoftuar se garnizoni i ushtërisë e do të gjallë a vdekur Ismail Bejnë me të tjerë. Rrezik më të math nuk ka. Dilu para në Shkumbin me kuaj e buaj dhe këtheje rrugën e mos e ler të hyjnë në Lushnje. Moti s’ësht me ne po ti i di të gjitha. Bëj si të kam thënë e të mos u preket qime flokut, ti e di si do t’ja dalësh me ç’do kusht e mos humb asnjë sahat. Presim me merak në zemër. Bektash Cakrani.”
Auron Tare