Albspirit

Media/News/Publishing

Asnjëherë më shumë uniteti gjeografik i Turqisë nuk është kaq i rrezikuar

The Independent

Asnjëherë më parë, që nga rënia e Perandorisë Osmane, e ardhmja dhe uniteti gjeografik i Turqisë nuk ka qenë kaq e rrezikuar. Mirëpo, ky është një lajm tejet i keq për rajonin, për Evropën dhe për mbarë botën.

Bashkë me vitin e ri vjen edhe një tjetër paralajmërim se destabilizimi i rajonit në Lindjen e Mesme vijon dhe mund të përshpejtohet edhe më gjatë 2017. Edhe pse mund të ketë njëfarë armëpushimi të brishtë në luftën civile në Siri – si paqja në varreza – por vitet e fundit kanë dëshmuar shkatërrimin e kombeve të tëra në një mënyrë që do të kishte qenë e paimagjinueshme edhe vetëm para disa viteve.

Njësoj si gurët e dominosë, Iraku, Libia, Siria dhe Jemeni kanë vuajtur të gjitha, madje edhe sot e kësaj dite kostoja njerëzore vazhdon të paguhet prej të plagosurve, të pastrehëve dhe të afërmve të viktimave. Poende Egjipti ngjan të jetë “disi i ngrohur në periferi të procesit të shkrirjes”. Ndërsa, tani, është Turqia, një prej superfuqive rajonale, anëtare e NATO-s dhe një vend, i cili është konsideruar më tepër si një aktor se sa një viktimë në këtë sagë kaq të egër, e cila po mundet prej mbizotërimit të dhunës.

Kjo dhunë, shqetësuese, po ushqehet nga dita në ditë prej një varg forcash: ekstremizmi islamik, separatistët kurdë dhe forcat shekullare që fshihen pas tentativës për grusht shteti në verë, si dhe shumë elementë të dhunshëm që gjenden në radhët e regjimit të vetë presidentit Erdogan. Asnjëherë më parë, që prej rënies së Perandorisë Osmane, uniteti dhe e ardhmja e kombit nuk ka qenë kaq e rrezikuar dhe me një pushtet qeverisës në dobësim e sipër. Ky është një lajm tejet i keq për rajonin, për Evropën dhe për mbarë botën.

Terrori i përmasave të vogla ka qenë thuajse përherë normativ në Turqi. Pothuajse çdo muaj ka nga një akt diskriminimi apo vrasje për qëllime politike, duke vënë në shënjestër ceremonitë familjare, aeroportet, autokolonat ushtarake, vendet e argëtimit, ambasadorin rus dhe, tani, edhe klubin e natës më të famshëm dhe më të frekuentuar në vend, i cili kësaj here shërbeu si simbol i elitave shekullare për shumë fondamentalistë fetarë.

Ndërkaq, reagimi i zakonshëm nga ana e presidentit Erdogan është një tjetër kufizim në liritë qytetare, legjitimim i ndërhyrjeve politike ngado dhe spastrime të mëtejshme në radhët e policisë dhe të institucioneve të tjera shtetërore. Kjo është diçka e provuar tashmë, madje edhe me rezultatet e saj, që nuk funksionon. Dhe as që ka për të funksionuar, përderisa politika e jashtme dhe ajo e sigurimit mbeten kaq në mëdyshje dhe kaq të rrëshqitshme.

Herë-herë është krijuar përshtypja se Turqia i është afruar zgripit të një lufte të mundshme me Rusinë, vetëm kur sheh se të dyja këto vende shfaqen sikur ndajnë të njëjtat interesa përsa i përket shtypjes së ISIS-it, si shembull i të cilit mjafton nxitja e të dy vendeve për një armëpushim në Siri. Turqisë, ndërsa nga njëra anë i pëlqen ta ndiejë veten të sigurt te mbështetja ushtarake e Shteteve të Bashkuara, nga ana tjetër e akuzon atë se po strehon dhe mbështet Fethullah Gylenin, një personalitet fetar, të cilin i pëlqen ta mbajë për përgjegjësin e përpjekjes për grusht shteti.

Dhe më e çuditshmja ndër të gjitha, gjer në kufijtë e budallallëkut madje, është se Turqia e pati bërë një sy qorr e një vesh shurdh ndaj ISIS-it, duke qenë se e konsideronte atë një forcë “të dobishme”, duke qenë se luftonte kundër kurdëve me një egërsi që vetë presidenti turk nuk do t’i ishte afruar dot. Veçse, para kësaj, qeveria turke kishte qenë herë pro e herë kundër qeverisë së Asadit në Siri. Njësoj si perëndimi, Turqia nuk ka qenë asnjëherë e sigurt se ç’duhet të bëjë me organizatën terroriste të al-Nusras, e cila e ka marrë tanimë këtë emër, duke pasur parasysh edhe lidhjet e saj të mëhershme al-Kaedën.

Asnjëri prej këtyre veprimeve nuk i ka bërë mirë Turqisë apo z. Erdogan. Fakti që qeveria turke ka dështuar të kuptojë siç duhet natyrën dhe përmasat e rreziqeve me të cilat po përballet vendi, e tradhtojnë çdo vendimmarrje të saj.

Edhe çështja kurde, nuk do të zgjidhet dot asnjëherë, të paktën derisa të arrihet njëfarë konsensusi dhe qetësie ndaj dëshirës legjitime të popullit kurd për vetëvendosje. De facto, duket se është krijuar një atdhe kurd dhe një entitet politik multietnik në veri të Irakut dhe provincës federale të Rozhavës, quajtur ndryshe si Kurdistani sirian, i cili zgjatet përreth kufirit turk. Kësisoj, Turqia nuk mund të fshihet dot më pas Sadamit apo Asadit për t’u ruajtur prej nacionalizmit kurd.

Patjetër që për shumicën në Turqi një marrëveshje me kurdët do të ishte e papranueshme, e cila mund të bartë kuptimin e ndarjes së territorit kurd, njësoj si edhe tërësinë territoriale të Turqisë. Gjithsesi, kjo mund të ndodhë në përfundim të prirjes aktuale për dhunë dhe përplasje të vazhdueshme në rajon.

Turqia gjendet tashmë përballë mundësisë për kolaps përsa i përket çështjes së unitetit dhe të ruajtjes së identitetit të një shteti demokratik, nëse nuk neutralizon të paktën rreziqet e veta të fjetura të brendshme, siç janë ato nga ana e kurdëve. Mirëpo kjo, nën regjimin e presidentit Erdogan, në partneritet me miqtë e tij të rinj në Kremlin, ngjan të jetë një shpresë kalimtare, megjithëse gjendemi në periudhën më shpresëplotë të vitit.

Please follow and like us: