Albspirit

Media/News/Publishing

Baby, it’s cold outside!

Rreth fundit të dhjetorit që shkoi, shërbimi meteorologjik na lajmëroi se “i ftohti siberian po mbërthen të gjithë territorin e vendit dhe ditët e fundit të 2016-ës parashikohen të jenë ndër ditët më të ftohta të këtij viti”.

Ndërsa në rrjetet sociale filluan të qarkullonin imazhet e programeve të parashikimit të motit që konfirmonin se temperaturat do zbrisnin cdo ditë.

Qytetarët e thjeshtë, pa kushtet minimale për të përballuar një të ftohtë, filluan të ankoheshin… ditë të ftohta, ngrica, borë, rrugë të bllokuara, mungesë energjie elektrike, mungesë uji…

Po qeveria cfarë masash po merrte? Qeveria dukej e zënë me takime masive festive nga veriu në jug, e zënë duke dhënë urime me zë e figurë nga zyra ta ngrohta e të mobiluara me shije, e zënë duke kërkuar ndjesat e saj që nuk kish bërë e nuk do bënte asgjë për to, ndjesë për të fituar ngushëllimin e qytetarëve të varfër e të pamundur nga hallet e varfëria e këtij fundviti.

Dhe në këtë atmosferë viti të ri, askush nuk u kujtua për të ftohtin që do përfshinte cdo cep të Shqipërisë e për gripin…hmm…jashtë bënte ftohtë!

Rreth fundit të dhjetorit edhe gripi kishte dhënë alarmet e para… Telefonatat e mësueseve për prindërit kishin filluar të shpeshtoheshin… ”eja merre fëmijën se digjet nga temperatura”, në klasa kishin filluar të mungonin fëmijë përherë e më shumë… virozë e fortë thanë!

Filluan pushimet dimërore dhe mësuesit nuk dhanë më alarme gripi, dhe vendin e ankesave të tyre e zunë urimet e qeveritarëve në tavolinat e shtruara me mësues “përfaqësues” që kishin privilegjin të uleshin në tavolina sa me Kryeministrin, sa me Ministrin e Brendshëm, e ndonjëherë edhe me Ministren me flokë të krehura me kujdes të arsimit… jashtë bënte ftohtë!

Rreth fundit të dhjetorit qe shkoi pothuaj në cdo television shiheshin kronika për të ftohtin dhe për virozën e gripit që kishte shtuar rradhët e të sëmurëve në spitale apo qendra mjekësore, aq shumë saqë fluksin nuk e përballonin dot, sepse mungonin mjekët (400 prej të cilëve kishin zgjedhur ta linin Shqipërinë, nga “i ftohti” që ka zënë shëndetësinë shqiptare prej kohësh), sepse mungonin infermieret (mijëra prej tyre i janë drejtuar “te ftohtit” gjerman gjatë 2016-s), sepse mungonin ilaçet (edhe këto i ka kapur “i ftohti” i koncesioneve)… sepse mungonte… sepse mungonin! Bënte ftohtë!

Mes fishekzjarresh e gëzimit e hodhëm pas të ftohtin e dhjetorit, e ngrohëm me urimet me vend e pavend, diku të ngrohta për shefat, e diku të ftohta për kolegët, por nga gëzimi nuk i vumë shumë veshin shërbimit meterologjik që vazhdonte të lajmëronte se “i ftohti siberian mbërthen të gjithë territorin e vendit, ditët e para të 2017-ës, parashikohen të jenë ndër ditët më të ftohta….”

Dhe surprizës së një fillim viti nuk mund t’i mungonte Ministri i Koncesioneve (kujt më mirë së atij i shkonte!) me urdhërin e tij për epideminë e gripit e mbylljen e shkollave!

Ç’po ndodh kështu?–më thotë ime bijë. –Nuk ka shkollë? Ftohtë bënte edhe në dhjetor? Shumë grip pati edhe në dhjetor? Nuk të kujtohet që vetëm gjysma e klasës ishim derisa morëm pushimet?…Bën ftohtë!

Bënte ftohtë, shumë ftohtë! Qeveria nuk e përballonte dot, kish qenë e zënë shumë në fundviti me qoka e sebepe, ndjesa e koncerte!

Fundja nga e di qeveria çdo me thënë i ftohtë e virozë? Apo rrugë e bllokuar nga bora e akulli? Po ta dinte e ta ndjente do kujtohej edhe vitin që shkoi, edhe atë që shkoi, se borë bie çdo vit në ato zona e se grip e viroza ka çdo vit!

Bën ftohtë sivjet, i ftohtë elektoral, dhe qeveria e ndjen e duhet kujdes!

Ka epidemi gripi sivjet, duhet kujdes mos të ketë asnjë viktimë (do zoti kurrnjë!), asnjë ankesë për shkolla ku fëmijët ngrijë, apo rrugë të bllokuara e ngricë (kripa ka kohë që ka “ftohtë”!), vit elektoral…

Kështu ndjesës së gjatë të Kryeminstrit për asnjë premtim të mbajtur i shtohet një “përkëdhelje e ftohtë” përkujdesi për gripin dhe i ftohti kryeneC që mund të mbajë gjatë, aq gjatë sa as pranvera e vonë të mos e ngrohë!

Baby, it’s cold outside!

Please follow and like us: