Herbert për shqiptarët: Të bukur, inteligjentë, trima, besnikë, por kundër rendit shtetëror…
Daut Dauti
Ky është një përkthim i pjesshëm nga libri ‘A record of eastern travel’ (Një shënim nga udhëtimi në Lindje) i autorit Aubrey Herbert, mikut më të madh të shqiptarëve, i cili në këtë vepër paraqitet me pseudonimin e tij Ben Kendim. Libri është botuar në vitin 1923 dhe kjo pjesë paraqet një shënim të shkurtër të historisë shqiptare që mbërthen periudhën e kohës otomane e deri në pavarësi. Në mënyrë interesante, shkrimi është thjeshtësuar më qëllim që të lexohet dhe kuptohet nga publiku i gjerë.
Shqipëria
‘Ne nuk duam rrugë në vendin tonë për shkak se rrugët çojnë në okupim, eksploatim dhe në humbje të trashëgimisë sonë’, thanë shqiptarët. ‘Shumë mirë’, tha Stambolli, ‘nuk do të keni rrugë’. ‘Ne nuk duam as shërbim ushtarak për shkak se ne të gjithë kemi lindur të lirë, pa marrë parasysh a jemi katolikë, ortodoksë apo myslimanë’, thanë shqiptarët me vendosmëri të madhe. Edhe me këtë kërkesë Porta u pajtua, kurse shqiptarët me të madhe iu bashkuan Armatës turke si vullnetarë. ‘Ne nuk i duam gjykatësit turq’, deklaruan shqiptarët. ‘E tash, mos e teproni’, tha Porta. ‘Mos shkoni aq larg pasi kjo çështje e prek thellësinë e shtetit. Pranojeni këtë kompromis. Lejoni gjyqtarët turq dhe ne ju premtojmë se ata nuk do ta gjykojnë askënd’. ‘Në rregull’, thanë shqiptarët. Regjimi i vjetër në Turqi ka qenë i gatshëm që ta pranojë lirinë dhe lejen për ta aprovuar anarkinë në Shqipëri e cila në atë kohë ka qenë shërbëtore e dobishme e perandorisë. Është e drejtë të thuhet që ligji turk nuk ka sunduar askund në malet e Shqipërisë, edhe pse me ngadalësi është vendosur në qytetet si Shkodra, Elbasani dhe Janina. Shqiptarët janë dhe gjithmonë kanë qenë dashurues të mëdhenj të tokave dhe shkëmbinjve të tyre dhe për sistemin e jetës që kanë ndërtuar. Ka qenë sistem i rëndë, por i përshtatej popullit; secili njeri ka qenë polic i mjaftueshëm i vetvetes kurse hakmarrja ka qenë ligji i tyre i pranuar. Atë që Evropa do ta etiketonte si hakmarrje, shqiptarët e kanë quajtur drejtësi. Nga pikëpamja e vendeve të civilizuara, Shqipëria ka qenë vend pa ligj. Megjithatë, krimet e vogla që në Evropën Perëndimore i stërngarkojnë kronikat e gazetave, policinë dhe gjykatat, në Shqipëri kanë qenë shumë të rralla. Ka shumë për t’u thëne për ligjin shqiptar. E vërteta, kurajoja dhe besueshmëria kanë qenë kualitete të këtij populli që i ka kultivuar me zell dhe ky fakt ka qenë i njohur në tërë Lindjen e Afërt. Rojtarët e bankave, që nga Kajroja e deri në Greqi dhe nga Stambolli në Jerusalem, kanë qenë shpesh shqiptarë. Shkelja e besimit apo vjedhja e parave nga shqiptarët në këto pozita përgjegjëse ka qenë aq e rrallë sa që praktikisht është e panjohur. Shqiptarët posedojnë edhe një kualitet të papërshkrueshëm. Ata kanë një sharm të llojit të tyre dhe një atraktivitet magjie për vendin e tyre e cila gjë lë përshtypje të përhershme të shumica e atyre që kanë qenë në Shqipëri. Në pamje dhe me trup shqiptarët e veriut e rivalizojnë çdo racë të Evropës. Në ditë pazari në Shkodër, në kohët e shkuara, njeriu mund të shihte malësorët thatanikë me kokë gjysmë të rruar dhe me sytë e tij të pa pushuar që ndahen në mes interesimit për mallrat e tregut dhe kujdesit të tensionuar për mundësinë e ekzistimit të ndonjë armiku në afërsi. Gratë e kanë një lezet që nuk ua shijojnë dy veta dhe që janë po ashtu ndryshe nga çdo racë tjetër. Ato duken sikur Madona që kanë zbritur poshtë nga malet me borë. Por, inteligjenca dhe shpejtësia e mendjes së burrave të maleve është më interesante se bukuria e rrallë që kanë gratë e tyre. Në vitin 1880 z. Goschen dhe Lordi Edmund Fitzmaurice hartuan një memorandum për formimin e një Shqipërie autonome. Kufijtë që ata i propozuan dallojnë gjerësisht nga të sotmit pasi që ata përfshinë rrafshin e Kosovës, vilajetin e Shkodrës, qytetin e Janinës dhe pjesë të vilajetit të Manastirit. Ata kanë qenë njerëz të paanshëm, kurse propozimi i tyre kishte për qëllim arritjen e paqës. Propozimet e tyre nuk u miratuan. Gjatë shekujve kur Turqia e dominoi Ballkanin ndjenja kombëtare ka qenë e mbështjellë dhe e pa ushqyer në tokat e sundimit të saj. Bullgarët kanë fjetur pa ëndrra, kurse serbët vetëm nga ëndrra e mbajnë në mend madhështinë e së kaluarës. Aspiratat e grekëve kanë qenë të kufizuara vetëm në një rreth të vogël të inteligjencës së tyre. Në Shqipëri nuk ka pasë dyshime dhe as ëndrra për arsye se populli kurrë, as për një qast, nuk e ka humbur dijen për vërtetësinë e racës së vet. Shpirti i bashkimit ka lundruar për një kohë të gjatë mbi ujë, por ende nuk e ka gjetur varkën e saj. Para se vendi të arrinte qëllimin e përbashkët të artikuluar është dashtë të kalojë nëpër një përvojë të zjarrit. Gjatë tërë dimrit të viti 1912 malazezët kanë qenë të angazhuar në punë propaganduese në drejtim të malësorëve në veri. Një komision nën udhëheqjen e Adil Beut dhe i shoqëruar nga z. Robert Graves ka shkuar nëpër Shqipëri me qëllim që të eliminoj problemet që shkaktonin fermentim. Në Shkodër Adil Beu e emëroi Hysen Riza Pashën për vali dhe komandant ushtarak të qytetit të cilin ai menjëherë filloi ta fortifikojë. Misioni ka qenë më shumë se një herë nën zjarr gjatë udhëtimit dhe dështoi të arrinte sukses. Shumë shpejt shpërtheu revolta shqiptare në Kosovë nën udhëheqje të Isa Boletinit. Armët shqiptare triumfonin gjithkah. Shqiptarët e morën në posedim Shkupin dhe e mbajtën pjesën më të madhe të veriut ku unë kam pas fat t’i shoh incidentet të cilat do t’i përshkruaj në një kapitull tjetër. Porta e kuptoi se duhet të arrij marrëveshje. Shqiptarëve ju premtua autonomia e cila do ta përfshinte vilajetin e Kosovës, Shkodrës, Janinës dhe pjesë të atij të Manastirit. Ky koncesion erdhi me vonesë. Kjo i dha arsye agresionit të Aleancës Ballkanike e cila nuk e dëshironte një Shqipëri të pavarur. Nuk nevojiteshin sytë e profetit për të parë ndarjen e Shqipërisë që ishte rezultat i fitores së Aleancës Ballkanike. Ismail Bej Qemali erdhi në Vlorë në gusht 1912, para shpalljes së luftës nga shtetet ballkanike dhe që në fillimt të luftës ai u kthye në Stamboll. Ai u kthye sërish në Vlorë dhe e shpalli pavarësinë e Shqipërisë duke e ngritur flamurin kombëtar me 28 nëntor 1912. Qemali i lajmëroi Fuqitë të cilët nuk treguan ndonjë vëmëndje. Grekët, të ngjallur nga lindja e shtetit të ri shqiptar, i morën gjërat në duar të tyre dhe e bllokuan Vlorën, selinë e qeverisë së përkohshme anëtarë të së cilës ishin Dom Nikollë Kaçorri, Mufid Bej Libohova dhe Mithat Bej Frashëri. Në vitin 1913, delegacioni shqiptar, i udhëhequr nga Ismail Bej Qemali, që përbëhej nga Mehmet Bej Konica një mysliman nga jugu, Filip Noga një katolik nga veriu, imzot Fan Noli një ortodoks nga Ibriktepe dhe Faik Bej Konica i cili përfaqësonte emigrantët shqiptarë nga Amerika në kuadër të federatës së Vatrës, erdhën në Londër për t’i paraqitur kërkesat e tyre në Konferencën e Ambasadorëve. Me 6 mars 1913, mbreti Gjorgj i Greqisë u vra në Selanik, kurse mbreti Konstantin erdhi ne fron. Ndërkohë, lufta shkonte keq për turqit: Selaniku u mor gati pa u shkrepur asnjë plumb; Adrianopoli [Edrene] bëri rezistencë heroike; Manastiri ishte ende i rrethuar. Në Shkodër Hysen Riza Pasha u vra pasi që doli nga shtëpia e Esat Pashës ku kishte ngrënë darkë. Në Ballkan ka qenë zakon për nikoqirin që të dërgonte një apo dy njerëz të armatosur me fenerë për ta përcjellë mysafirin në shtëpi pas darkës. Hysen Riza Pasha u largua i vetmuar nga shtëpia e Esat Pashës. Riza Pashën e sollën përsëri në shtëpi të Esat Pashës disa minuta para se të vdiste. Bounuo kim yapdi – ‘kush e bëri këtë’? – e kishte pyetur Esat Pasha. Sen bendenü bilirsin – ‘ti e di më mirë se unë’ – kishte thënë Hysen Riza dhe kishte vdekur. Pastaj, Esat Pasha e mori komandën dhe bëri marrëveshje me serbët. Kritikët e tij kanë thënë se financat kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe se atij [Esat Pashës] ju premtua edhe principata e Shqipërisë së mesme. Ai marshoi nga Shkodra me 23 prill. Fuqitë refuzuan ta njohin okupimin malazez të Shkodrës dhe admirali Cecil Burney shkoi në qytet si kryesues i forcës ndërkombëtare me 13 maj kur malazezët u detyruan të evakuonin qytetin. Kështu ndodhi që Shqipëria, duke qenë e para në luftë për liri, në llogari të saj e hapi rrugën për ekspansionin e shteteve të tjera ballkanike. Aletatë Ballkanikë e pushtuan Shqipërinë si miq dhe si çlirimtarë, por mbetën aty si posedues dhe si trashëgimtarë. Shqipëria ka qenë si Samsoni në Tempullin e Gazës. Ajo [Shqipëria] e rrëzoi Perandorinë Otomane dhe mbi kokën e saj ranë ngrehurinat.