Albspirit

Media/News/Publishing

Lulja e Kripës së Mirë!

Ajola Xoxa

Unë nuk e kam patur fatin ta njoh Jakovin për së gjalli; siç thonë, të mirët vdekja i merr në fillim. E kam njohur fillimisht përmes sendeve të tij që ndodheshin kudo në shtëpi: makina e shkrimit, motoçikleta Java, pena në kuti, ndonjë xhaketë e ruajtur nga gjyshja, fotografitë, dorëshkrimet e shumta që mbushnin dollapët e shtëpisë. Më pas nisa të lexoj krijimtarinë e tij, fillimisht tregimet, më pas romanet: “Lumi i Vdekur”, “Juga e Bardhë“. Sigurisht, si e mbesa, isha mësuar të dëgjoja lëvdata të mëdha për punën e Jakovit, nga kushdo e kishte lexuar e aq më tepër nga studiuesit e letërsisë. Dëgjoja gjithashtu se sa e bukur dhe e plotë tingëllonte gjuha shqipe në rreshtat e tij.

Mendoja se një pjesë e këtij ngazëllimi të shfaqur varej prej faktit se isha gjaku i tij. Dhe ende e mbaj mend mrekullimin që ndieva kur nisa ta lexoj. Kisha lexuar jo shumë letërsi shqipe gjer në atë kohë; ndieva një lloj mallëngjimi kur zbulova se gjyshi im kishte patur një penë kaq të madhe, një shpirt aq të bukur e të pafund, e se me sa mjeshtëri kish ditur ta hedhë atë në fjalë. Nuk e ndaja e nuk e ndaj dot as sot nga autorët e mëdhenj të letërsisë botërore që unë dua. Dikush do të buzëqeshë tani, por kjo s’ka të bëjë me gjakun apo me dashurinë, por me të vërtetën e një shkrimtari që vdiq shumë i ri për t’u vlerësuar aq sa meriton. “Lulet e Kripës”, më së fundmi botuar i plotë, i pacenuar nga censura e kohës, është për mua edhe më i mirë se romanet e tjerë të Jakovit, mbase sepse përshkohet nga një fije e ngadaltë magjie të cilën gjithmonë e kam dashur në letërsi. Eshtë një roman i ndërtuar nga një njohës mjeshtëror i gjuhës shqipe (në fakt kur lexon Jakovin ndërgjegjësohesh edhe për faktin se gjuha jonë i përmban të gjitha nuancat dhe është e përplotë në cdo ndjesi – ndryshe nga cfarë shpesh thotë brezi im pa u menduar), dhe një roman meshtërisht i ndërtuar për të të lënë të jetosh secilin personazh në tërësinë e vet: të duket sikur këta njerëz po i njeh për së gjalli. Nuk është vendi për mua të flas për meritat letrare të Jakovit, janë të tjerë ata që dijnë shumë më tepër nga unë mbi letërsinë. Mbase dhe ai vetë nuk do ta donte, duke qenë se ka qenë një njeri thelbësisht i mirësjellë dhe shumë modest. Do të më thonte me siguri që nuk më takon. Por krijimtaria e tij, vërtet, si lexuese, ka qenë për mua një zbulim në letërsinë shqipe. Siç ka qenë po aq zbulim dhe lindja e dashurisë dhe admirimit për një njeri që vdiq shumë më parë se sa unë të lindja. Gjyshja (e cila gjithashtu vdiq shumë e re) fliste çdo ditë për të, për shpirtin e tij të madh, për dashurinë që kishte ndaj njerëzve. Kam kuptuar më vonë se dhimbja e time gjyshe për humbjen e të shoqit nuk ishte vetëm dhimbja e madhe e humbjes së bashkëudhëtarit të jetës, por edhe keqardhja e një njohëseje të letërsisë (letrare edhe ajo) për ndërprerjen e parakohshme të jetës së një shkrimtari të madh, e bashkë me të, errësira e përgjithmonshme e personazheve dhe historive të lëna pa rrëfyer. Nuk e kam njohur, por fjala e tij më ka mësuar shumë. Mirësinë dhe përunjjen i kam mësuar nga Jakovi, i cili siç donte shpirtin e madh të njerëzve, donte edhe thjeshtësinë e tyre, i cili mendonte se çdo jetë mund të jetë një histori e madhe e denjë për t’u shkruar. Nga Jakovi kam mësuar edhe dashurinë për natyrën dhe shijen e gjërave të thjeshta, kur isha adoleshente e kur mendoja se kemi nevojë për shumë për të qenë të lumtur. Siç kam mësuar edhe se punët e mira duan kohë, seriozitet dhe durim: siç do të shkruash një roman 850 faqesh… apo tri. Kam mësuar se e bukura ndodhet kudo ose thuajse kudo. Kam mësuar fisnikërinë: modestinë gjithmonë dinjitoze edhe përballë “kripës së egër”.

Mbase Jakovi vdiq aq i ri sepse shpirti i tij ishte më i madh se Shqipëria e kohës kur jetoi. Mes censurës dhe autocensurës, presionit prej tij të papërtypshëm për të thënë atë që duhej, atë që pritej, mutilimit të veprës së tij, në një Shqipëri të fundviteve ’70 ku aq lehtë e kishim t’ia dhuronim të keqen tjetrit, Jakovi u sëmur rëndë dhe vdiq shumë shpejt.

Rëndësinë e Lirisë, mësimin e fundit që Jakovi më ka dhënë, të shtrenjtë sa vetë jeta e tij, më mbetet ende ta mësoj.

Please follow and like us: