Albspirit

Media/News/Publishing

Për vëllanë tim që dikur donte të vriste “çdo komunist që do t’i dilte përpara”

Kristo Zharkalliu*

 

Gjatë gjithë jetë së tij  rronte me një shpresë,me një qëllim: t’i vinte koha të hakmerrej ndaj komunistëve për të gjitha të këqiat që i kishin bërë familjes së tij. “Dhe ç’do të bësh?” e ngacmoja unë “i urti” ose i “humburi” , i “moderuari” dhe i “pajtuari”sipas tij, në këtë drejtim.

“Do të marr një automatik dhe do të vras cilindo komunist që do të më dale përpara!” thërriste dhe numëronte me dhjetra emra që kishte në listen e atyre që duhej “patjetër” t’i vriste. –  “Nuk do ta bësh” e ngacmoja më tepër unë.  – “Kështu thua tani se je i inatosur por kur të të vijë ajo ditë,në se do të vijë dikur, dhe kur t’i takosh këta njerëz do të ndërrosh mëndje…” – “Kështu thua ti se je me ata!” thërriste…”Guxon të përkrahësh komunistët në shtëpinë time!”

Sigurisht unë nuk i përkrahja por përderisa nuk besoja se ai ishte i aftë të mirte kosoren dhe të priste koka komunistësh,isha, sipas tij, përkrahës i tyre! Sa here dëgjonim ndonjë lajm të keq nga familja (këto lajme ishin të shpeshta aso kohe: vëllezërit dhe Nëna jonë, u internuan, pastaj dy vëllezërit u burgosën me radhë, si në turne-dilte njëri hynte tjetri, sikur të mos mjaftonte për ta internimi në Grabjan të Lushnjës) ai zemërohej më tepër, sikur i ngjitej një shkallë më lart dëshira e hakmarrjes.

Këto biseda ishin pothuajse të përditëshme dhe ai më shumë se tridhjet vjet numëronte armiqtë e familjes të cilët do të vriste sapo të shëmbej komunizmi dhe vinte “dita jonë”; nga ana tjetër numëronte pasurinë  -kaq dele,kaq kullota, kaq mushka e kuaj, kaq shtëpi, kaq hektar tokë buke të zaptuar nga fshatra t- që na kishin shtetëzuar-për të gjitha këto do të kërkonte llogari nga ata qëna i kishin “rrëmbyer” me dhunë si kusarë dhe nga ata që i kishin shfrytëzuar kaq vite.

Këto llogari i bënte deri aty nga vitet ‘80 sepse pastaj pushoi të shpresonte. Por me kalimin e kohës zvogëlohej dhe lista e “armiqve” ndaj të cilëve do të “hakmerrej” ai; në çdo grup “armiqsh” që do të dënohej në Shqipëri, ekzekutohej edhe nga një ose dy nga armiqtë e tij gjë që e bëri një ditë të thoshte: “Një gjë të mire po bën Enver Hoxha! Hakmerret ai  për të gjithë armiqtë e familjes sonë! Po i qëron të gjithë një nga një!”

Dhe unë gjeta rastin ta ngacmoj: “Kur të thosha unë se Enveri ishte i mire ti nuk doje të më dëgjoje! Të tjerët e kishin fajin, ai nuk dinte gjë!…” Atëhere zëmërohej më shumë: “Ai qen është i mire? Ai që ka qëruar të gjithë shokët e tij më të ngushtë?Kriminel është!” Kur diktatori vdiq tha,pak i zhgënjyer: ”Ndoshta dikur do të shëmben të mallkuarit por atëhere ne nuk do të rrojmë që të gëzohemi!”

Nga ana tjetër situata ndërkombëtare nuk lejonte që të kishim shpresa sepse kishte filluar të zbutej lufta e ftohtë,ministra venin e vinin nga Tirana në Athinë dhe anasjelltar, shtypi grek lavdëronte “arritjet madhështore të “vogëlushes së socializmit”(thoshin me përkëdhelje për Shqipërinë!!!) dhe pritja e gjatë na kishte lodhur.

Kur dikur mori pushtetin në B.S. Gorbaçovi u gjendem në shtëpinë e tij bashkë me disa të tjerë. Kur dëgjova unë se në krye të B.S. u zgjodh Gorbaçovi.thashë me një vetbesim të çuditëshëm: “Ky është fundi i sistemit komunist!” Si guxova të nxjerr nga goja këto fjalë? Të gjithë më sulmuan duke më akuzuar për të marrë dhe meqënëse në shoqërinë tone ishin dhe disa simpatizantë të “socializmit ekzistues” më sulmuan për “antikominizëm të turpëshëm prej fanatikut”!!!Megjithatë unë ngula këmbë në mendimin tim më shumë nga pizma dhe jo se e besoja me të vërtetë.

Çuditërisht ai që ëndërronte gjatë gjithë jetës shëmbjen si askush tjetër, mbeti i heshtur dhe vetëm si u larguan të tjerët e pa të udhës të më sulmonte: “Ti nuk vë mënd me asgjë!’ thirri “Na e prishe mbrëmjen me marrëzirat që thua. Të gjthë ata që bëhen antarë të byrosë politike në Moskë, janë këlyshë të Stalinit…Unë kam frikë se ky i riu do ta rregullojë dhe me Tiranën dhe pastaj prit të shëmbet komunizmi në Shqipëri…”

Kur ra muri i Berlinit,një ditë i thashë në prani të disa të tjerëve: “Merre me mënd se ç’do të bëhet sikur të hapë kufijt Ramiz Alia! Do të sulen të gjithë të kalojnë në Greqi dhe atëhere do të na vijnë nja dyqind veta nga familja jonë…””Dhe ti nuk e do këtë?”thirri ai- “Por kjo është ëndërr! Ai vend i mallkuar nuk do të hapet kurrë!”

Por, dikur-jo shumë vonë, u hap. Në këtë drejtim isha treguar largpamës që të mos themi profet. Se ç’u bë nuk është nevoja ta përshkruajmë këtu-edhe ne që ishim armiqtë më të betuar të regjimit diktatorial nuk kishim mundur të mirrnim me mënd një shëmbje dhe rrëmujë të atillë katastrofike. Vërshimi i njerëzve drejt Greqisë u shndërrua në një lumë të harbuar dhe i turbullt që përpiqej të përlante gjithçka i dilte përpara. Madje edhe grekët,përfaqësuesit e të cilëve në fillim u kishin bërë thirrje “vëllezërve” nga Shqipëria të vinin në Greqinë “mëmë”, se i priste në gjirin e saj,fillimisht u hutuan,pastaj u trëmbën dhe  në fund u…zëmëruan!

Ishte sikur thoshin se: ”Ne ju kishim ftuar por juve nuk ishte nevoja ta pranonit ftesën tone!” dhe dukej qartë se këta bukuroshët e Athinës nuk e kishin parashikuar se bashkë me të ashtuquajturit “vëllezërit e tyre” nga Shqipëria do të vërshonin drejt Greqisë afro gjysmë milion shqiptarë të cilët kurrsesi nuk mund të konsideroheshin “vëllezër”!

Sa e sa nga ata që prisnin me padurim të shëmbej regjimi diktatorial dhe të hapeshin kufijtë,nuk u fshehën. Duke ndërruar banesë ose numër telefoni që të mos i gjenin “të dashurit” e tyre që kishin ardhur nga Shqipëria! Hakmarrësi ynë që kaq vite mprehte shpatën për të prerë koka komunistësh,sikur kishte harruar betimin që kishte bërë kaq vite dhe përpiqej si të përballonte të posaardhurit që nuk ishin të pakët dhe gjithsecili kërkonte se si “të rregullohej”, të gjente një shtëpi, një punë. Pretendimet e të porsaardhurve ishin nga më të çuditëshme aq  sa njëri nga nipërit e shumtë i kërkoi ta ndihmonte që edhe ai të bëhej një…Dallara i Shqipërisë në Greqi! Thoshte se kishte zë të bukur,por hakmarrësi ynë nuk mundi të përmbahej dhe i tregoi djaloshit rrugën e ndërtimit sepse  “edhe Dallaras para se të bëhej këngëtar i famëshëm, në ndërtim kishte punuar!”

Me gjithë këto telashe pra kishin kaluar tre vjet dhe akoma nuk kishim vendosur të shkonim në Shqipëri që më në fund ai të… hakmerrej. Udhëtimi u bë në pranverën e vitit 1993 me një nga autobuzët gërdalla të asaj kohe,të cilin shoferi e mbushi me afro dyqind veta, të gjithë me çanta të mëdha të mbushura me lecka dhe sende të panevojëshme që kishin marrë nga Greqia dhe që në Shqipëri konsideroheshin “të vyera” dhe të rralla.

Pasi kishim udhëtuar  katërmbëdhjetë orë, mbërritëm në Kakavie. Atje na prisnin gjashtë kushërinj dhe nipër  që ishin lajmëruar për vajtjen tone. Ata kishin ardhur me një mikrobuz që e kishin blerë pak kohë më pare në Selanik. Shoferi-kushëriu ynë- mburrej me aftësitë e tij se si mund të drejtonte makinën pa bërë asnjë stërvitje më pare dhe pa…patentë. Para se të vazhdonim rrugën për në fshatin e tyre,kërkuam të ngjiteshim tek sheshi i Çerçiz Topullit, të cilin kishim më shumë se tridhjet vjet ta shkelnim.

Sigurisht atë që pamë gjatë rrugës na bëri të zhgënjeheshim akoma më shumë nga sa prisnim të shihnim. Por këto duhet një përshkrim të veçantë. Në shesh ku qëndronte akoma krenar statuja  Çerçizit dhe ajo e të dy gocave që i kishin shtuar komunistët, (aty pranë rrapit ku i kishin varur mizorisht nazistët). Aty ishte një kafene e vogël dhe vendosëm të pinim kafen e mëngjesit-se kishim udhëtuar gjatë gjithë natës. Shoqëruesit tanë po “bëheshin cope” të na kënaqnin “me aq sa kemi në kushtet tona”

Pronari dhe disa klientë na shikonin me kurreshtje “ne ish-diversantët” dhe gjithsecili kërkonte të na përgëzonte për “trimëritë tona” kundër komunistëve dhe kur u thosha se unë nuk kisha qënë asnjëherë “diversant”  më vështronin  me mosbesim sikur të admironin… modestinë e një trimit me fletë!

Para se të niseshim “hakmarrësi” ynë kishte caktuar si qëllim kryesor që të takohej me të dy “sigurimsat” që kishin sjellë Nënën nga Grabjani dhe me oficerin që e kishte hetuar në mënyrë barbare. Këtë ja kishte thënë Thanasit-kushëriut që na shoqëronte- dhe unë isha kurreshtar të shihja turinjtë e këtyre biçim njerëzve dhe në mënyrë të veçantë të shikoja se si do të reagonte e njeriu yne “hakmarrës” ndaj tyre.  Kohët e fundit sikur kishte pushuar  të thoshte se kishte qëllim të mos linte kokë komunisti mbi supe.

Atje ku pinim kafe pra Thanasi më shtyu duke më bërë të hedh një sy në një qoshe ku rrinte në një karrike një njeri gati  i leckosur, i parruar i cili dukej si lypës. “E shikon atë?”më tha. “Ai është ai oficeri që mirrej me familjen tone. Ai kishte urdhëruar të sillnin Dadon nga Grabjani  kur kishin arrestuar babanë…”

Më tha emrin e tij që më kujtonte një vend heroik për luftën kundër Ali Pashait dhe turqve në Greqi. Patjetër këtë njoftim ja thashë dhe “hakmarrësit”  tonë. Ai la flixhanin e kafes mbi tryezë dhe tha: “Thirre të vijë këtu!”

Dhe ne të gjithë mbanim frymën se ç’do bënte vaki, ndonse mua më qeshej pak dhe tymosja  cigaren në qetësi sepse njihja mire psikologjinë e njeriut tone. Ish sigurimsi nuk solli kundërshtim, erdhi dhe qëndroi më këmbë përpara nesh.

“Na njeh neve ti?” e pyeti  “hakmarrësi”

“Si nuk ju njoh zoti…Por më falni, se nuk ishte faji im. Këtë detyrë kisha. Punën time bëja. Tani dua megjithë mënd t’ju kërkoj të falur,për kaq sa jam fajtor unë…”

“Dhe duke kërkuar të falur,kujton se bëhesh i pafajëshëm? Nënën time nuk e respektove aspak por i u solle si egërsirë. A mund të falen këto krime ty dhe shokëve të tu? …” -“Unë nuk kam asgjë tjetër të them. Punën tone bënim ne. Kështu na urdhëronin…”

“Dhe tani ç’bën? Punon akoma në sigurim?..” “Ku ka sigurim tani zotni. Asgjë nuk ka më…Jam papunë dhe nuk di nga t’ja mbaj. Në Greqi nuk guxoj as dua të shkoj dhe kam katër fëmijë që vuajnë nga uria… Askush nuk më ndihmo…”

Atëhere ndodhi e papritura. “Hakmarrësi” ynë vuri dorën në xhepin e palltos dhe ndërsa shumë nga të pranishmët prisnin që ai të nxirte koburen,nxori kuletën.. Mori një pesmijëshe drahmes dhe ja zgjati ish armikut i cili i ishin zgurdulluar sytë nga habia. Pastaj tha:

“Shko të marrësh ushqime për fëmijët…Nuk dua të dëgjoj asnjë fjalë! Largohu!”  Ish xhelati  u zhduk në një rrugicë.Në tryezën tone kishte rënë heshtja. Kur më pa mua se po buzëqeshja me qesendi,më hodhi një sy të egër duke më thënë: “Ti, mbylle gojën!” “ Nuk thashë gjë unë! Dhe pse ta mbyll?”qesha unë “Kjo ishte gjakmarrja më e mire që kam pare deri sot! Nuk të kisha paralajmëruar?”

Papritur qeshi dhe ai…sikur i kishte ikur një barrë Të dy sigurimsat e tjerë nuk i takuam kurrë. Si mësuam kishin kaluar në Greqi ku ishin paraqitur si “homogjenë” të… persekutuar nga shqiptarët. Atë që kishte shpëtuar Nënën  e gjetëm në Tiranë. I shkuam në shtëpi dhe donte të na mbante për darkë por nuk pranuam. Ishte një njeri i zhgënjyer dhe punonte në një ministri ku mirte një rrogë modeste. Nuk mohonte të kaluarën e tij, dinte të vlerësonte dhe të dënonte marrëzirat e pashëmbëllta-kështu thoshte “marrëzira” të regjimit injorant dhe çnjerëzor.

Sa për dijeni “Hakmarrësi”nuk ishte tjetër veçse vëllai im Spiroja.

 

(Botohet me rastin e vdekjes të SPIRO Zharkalliut me 4 Dhjetor 2016 në moshën 89 vjeçare)

Please follow and like us: