20 heronjtë e njerëzimit, nga Nënë Tereza tek Ataturku
Historia e botës s’është gjë tjetër veçse biografia e heronjve. Kështu thotë historiani skocez Thomas Carlyle në vitet 1800. Përmes historive të 20 heronjve më të mëdhenj të shekullit të ’20-të do lexoni biografinë e botës. Gra dhe burra, që nuk janë “të fortët me muskuj”, “të përkëdhelurit e perëndive”, sipas përkufizimit të fjalës hero në mitologjinë greke, por njerëz të thjeshtë që bënë vepra të mëdha. Liderë shpirtërorë, ikona të lëvizjeve masive. A nuk ishin të tillë Gandi e Mandela që udhëhoqën lëvizjet paqësore për të çliruar vendet e tyre nga kolonizimi? Po Martin Luter Kingu që solli barazinë e emigrantëve afrikanë në Amerikë? Pjesa më e madhe e heronjve, kanë fituar edhe çmimin Nobel.
Albert Ajnshtajn
Ai është fizikani më i madh i të gjitha kohërave. I njohur për teorinë e relativitetit, Ajnshtajn u vlerësua në vitin 1921 me çmimin Nobel për fizikën. Emri i tij përdoret në mbarë botën si sinonim i inteligjencës dhe gjenialitetit. Heroizmi i tij qëndron në faktin se i dha shkencës një hov të madh përpara, por kjo nuk e shpëtoi nga fakti se ai ishte çifut. Lufta e Dytë Botërore kishte filluar sakaq, dhe ndaj Ajnshtajnit dhe teorive të tij, me asistencën e SS-ve, po ndërmerreshin fushata denigruese. Ajnshtajn heq dorë nga nënshtetësia gjermane dhe jeton në Amerikë. Ai i dërgon një letër President Franklin Rusvelt, duke i sugjeruar studimin e lëndëve bërthamore për qëllime ushtarake, me frikën se qeveria naziste do të ishte e para që do i zhvillonte këto lloj armësh. Nga kjo, Ruzvelti filloi një investigim që u bë Projekti Manhatan (një projekt mes SHBA-së, Britanisë dhe Kanadasë për zhvillimin e armëve bërthamore). Ajnshtajni nuk punoi në projektin e bombës dhe më vonë ai deklaroi se ishte penduar që e kishte shkruar këtë letër. “Nëse do të ketë një Luftë të Tretë Botërore, atëherë e katërta do të bëhet me gurë dhe shkopinj”, thoshte Ajnshtajn. Ai vdiq në 18 prill të vitit 1955.
Xhon Kenedi
Xhon Kenedi është presidenti i 35 dhe më i riu në historinë e SHBA-së. Ai u zgjodh president i Amerikës në zgjedhjet e vitit 1960, në moshën 43-vjeçare. Megjithëse qenia e tij president ishte vetëm tre vjet, ai shumë shpejt u bë njeriu më popullor në botë. Ai është cilësuar si një nga njerëzit më të mëdhenj të shekullit XX. Gjatë qëndrimit të tij trevjeçar si president i SHBA-së Kenedi do përballej me shumë situate kritike për fatin e botës. Në vitin 1962 ai do përballej me krizën e raketave me Bashkimin Sovjetik. Një krizë që mund të përfundonte me një luftë nukleare që mund të përfshinte gjithë planetin, por që ia arriti ta zgjidhë. Kenedi mbahet mend edhe si presidenti që gjatë mandatit të tij iu dha fund dallimeve raciale në Amerikë. Në vitin 1963 ai qëllohet për vdekje në Dallas, SHBA
Franklin Delano Rusvelt
Presidenti i 32-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një ndër heronjtë e shekullit të 20-të për shkak të rolit të tij gjatë Depresionit të Madh dhe mundjes së fashizmit në Evropë, si dhe militarizimit të Japonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. I zgjedhur në 4 mandate, Rusvelti shërbeu nga viti 1933 deri në vitin 1945, dhe ishte i vetmi president i SHBA-së, i cili ka shërbyer për më shumë se dy mandate. Figurë qendrore e shekullit që lamë pas, ai vazhdimisht është vlerësuar si një nga tre presidentët më të mëdhenj të SHBA-së në sondazhe. Gjatë Depresionit të Madh të viteve ’30, Rusveli krijoi Kursin e Ri, një strategji për të dhënë asistencë, rigjenerim dhe reformizëm sistemit ekonomik, i cili kishte degjeneruar në një krizë të egër. Dhe programi i tij pati rezultat. Kriza përfundoi. Pas vitit 1938, në kushtet kur kishte filluar Lufta e Dytë Botërore Ruzvelti e theu izolimin e Amerikës nga lufta, duke u dhënë ndihmë Aleatëve, konkretisht kryeministrit britanik Ëinston Churchill, derisa sulmi në Pearl Harbor e futi Amerikën në luftë. Më 12 prill të ’45-ës, ndërsa po pozonte për një portret, Ruzvelti vdes nga hemorragjia cerebrale.
Xhorxh Marshall
Ai është i vetmi ushtarak amerikan që ka fituar çmimin Nobel për paqe. Ai e fitoi çmimin në vitin 1953. Çmimi i është dhënë gjeneralit të shquar amerikan jo për rolin e tij të madh në fitoren e aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, por për planin e tij në ndihmë të vendeve të shkatërruara evropiane. Madje, për nder të tij ai u quajt “Plani Marshall”. Gjenerali amerikan Xhorxh Marshall është vlerësuar nga Uinston Çërçilli si një nga strategët më të mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore. Madje në vitin 1943 revista amerikane “Time” e kishte shpallur Xhorxh Marshall Njeriu i Vitit. Pas përfundimit të luftës, ai u zgjodh për të negociuar midis Mao Ce Dunit dhe Çan Kaj Shisë për përfundimin e luftës civile që kishte nisur në Kinë. Më pas, në vitin 1947, ai zgjidhet nga presidenti Truman sekretar Shteti. Gjatë kësaj kohe në një fjalimi në Universitetin e Havardit ai hedh idenë e Planit Marshall. Xhorxh Marshall vdiq në vitin 1959, në moshën 79-vjeçare.
Mustafa Qemal Ataturk
I quajtur “Babai i turqve”, Mustafa Qemali nuk është vetëm heroi i Turqisë, por edhe një nga heronjtë e botës të shekullit të 20-të. Ataturku është themeluesi i Turqisë moderne dhe presidenti i parë në historinë e këtij shteti. I lindur në Greqi, Kemal Ataturku ishte djali i një zyrtari në nivele të ulëta të Perandorisë Otomane. Me një edukim ushtarak, Ataturku luftoi për modernizimin e Turqisë në një kohë kur perandoria cilësohej si “E sëmura e Bosforit” dhe pushteti ishte drejtuar nga “Tre Pashallarët”. Kështu, më 29 nëntor të vitit 1923, Ataturku u emërua President i Republikës së Turqisë, dhe Ankaraja u shpall kryeqytet. ”Në vazhdën e një triumfi ushtarak të arritur me bajoneta, armë dhe gjak, ne duhet ta shtrijmë fitoren në fusha të tilla si kultura, arsimi, shkenca dhe ekonomia”, tha Ataturku kur u zgjodh President. Ai vetë bëri detyrën e mësuesit për ca kohë. Ataturku vdiq në vitin 1938 nga ceroza në mëlçi.
Lady Diana
Një prej ikonave të shembullit të 20-të, jo për titullin e saj, por edhe për aktivitetin e saj të bamirësisë. Në vitin 1987 ajo ishte figura e parë publike e një profili aq të lartë që fotografohej duke prekur një person të infektuar nga SIDA. Ishte fundi i viteve 80-të kur ajo u bë e njohur për mbështetjen e saj në projektet e bamirësisë. Fillimisht kjo erdhi natyrshëm, për shkak të titullit të saj si princeshë. Ndërsa më pas ajo u angazhua plotësisht në këto aktivitete. Asaj i atribuohet influenca në fushatën kundër përdorimit të minave tokësore dhe shmangies së diskriminimit të viktimave të AIDS-it. Gjithashtu, mendohet se Diana bënte vizita klandestine në spitalet ku ishin të sëmurët me AIDS për t’u shfaqur atyre mbështetjen e saj. Sipas infermiereve, ajo shfaqej në spitalin “Mildmay Hospice” në Londër me udhëzime specifike që kjo të mos regjistrohej në media. Fotot e Dianës duke ecur në tokat e minuara me një helmetë u përhapën në gjithë botën. Ajo ka vizituar Bosnjen së bashku me Rrjetin e të Mbijetuarve të Minave. Ajo vdiq në vitin 1997 në moshën 36- vjeçare.
Dalai Lama i 14-të
Në moshën 2-vjeçare, ai identifikohet si mishërimi i Dalai Lamës së 13-të. Megjithëse sipas rregullave ai duhet të zyrtarizohej si monark në moshën 18 vjeç, për shkak të pushtimit të Tibetit nga Kina, Dalai Lama shpallet kryetar shteti i 6 milionë tibetianëve në moshën 15-vjeçare. Në vitin 1959, ai merr doktoraturën për filozofinë budiste, pasi jep një provim përfundimtar, ku 80 shkencëtarë budistë e marrin në pyetje, por ai kalon shkëlqyeshëm. Detyrohet të jetojë në ekzil për shkak të agresivitetit kinez. Aktiviteti i tij politik, dhe gjithmonë paqësor, vazhdon pa reshtur për t’u siguruar tibetianëve të drejtat e tyre. Ai madje, pranon edhe një pavarësi të kufizuar prej kinezëve, mjaft që populli i tij të jetojë pa konflikte. Gandi është idhulli i tij. Para se India të fitonte pavarësinë, Gandi ishte figura kryesore drejtuese, pastaj ai zgjodhi të mos merrte pjesë në qeveri. “Në të ardhmen, dëshira ime është të heq dorë nga politika dhe të predikoj joga dhe meditimin, si dhe të studioj Budën”, thotë Dalai Lama i 14-të.
Mahatma Gandi
Gandi ka hyrë në listën e heronjve, për çështjen e të drejtave të emigrantëve indianë në Afrikën e Jugut dhe çlirimin e Indisë si koloni britanike. I lindur në vitin 1869, Gandi ishte lideri më i madh politik dhe shpirtëror i Indisë. Ai ishte pionier i rezistencës ndaj tiranisë përmes mosbindjes me anë të paqes dhe shmangies së dhunës. Gandi u martua në moshën 13-vjeçare, megjithëse ishte fejuar dy herë më parë, por të fejuarat e tij kishin vdekur. Ai studioi ligje, dhe fillimisiht i zbatoi idetë e tij në komunitetin indian në Afrikën e Jugut. Pas kthimit në Indi, ai organizoi fermerët dhe punëtorët në protesta kunër taksave të rënda dhe diskriminimit. Si lider i Kongresit Kombëtar indian, ai udhëhoqi fushata për uljen e varfërisë, lirinë e grave, për paqen midis etnive dhe besimeve të ndryshme etj. Gandi është burgosur me vite të tëra në shumë raste si në Afrikën e Jugut ashtu edhe në Indi. Ai ishte frymëzuar nga Marin Luter Kingu. Në janar të 1948-ës, Gandi vritet në Nju Delhi, ndërsa po shkonte në lutjen e darkës. Vrasësi i tij ishte një hindu ekstremist, i cili ishte kundër dëshirës së Gandit për dialog me myslimanët.
Uinston Çërçill
Nofka e tij, “Fitimtari”, ka të bëjë edhe me arsyen pse kryeministri i Britanisë së Madhe është futur në listën e heronjve. Mundja e fashizmit evropian në Luftën e Dytë Botërore i dedikohet edhe atij. Çërçill lindi në 30 nëntor të vitit 1874 në Angli, në një familje aristokrate. Ai u pranua në Akademinë Mbretërore në Sandhurst (atje ku është diplomuar edhe Princi Leka I), ku studioi për t’u bërë oficer. Në vitet ‘1896-‘98 punon në kalorësi dhe si gazetar. Në vitin 1900 ai futet në politikë. Në vitin 1940 Çërçill emërohet kryeministër i qeverisë së koalicionit të luftës, dhe njëkohësisht ministër i Mbrojtjes. Pas mbarimit të luftës, Partia Konservatore humbet dhe Çërçill kryeson opozitën. Në vitin 1951 zgjidhet për herë të dytë kryeministër. Në ’53-shin fiton çmimin Nobel për letërsinë. Kongresi amerikan i jep për nder shtetësinë amerikane. Në vitin 1965 ai vdes nga një goditje në zemër.
Nënë Tereza
Nënë Tereza është një nga njerëzit më të famshëm në botë dhe është shenjtëruar nga Papa Gjon Pali II në vitin 2003. Ajo ishte fëmija i tretë i prindërve Kolë Bojaxhiu (Nikollë Bojaxhiu), me origjinë nga Mirdita dhe Drane Bojaxhiu (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Lindi në Shkup, më datën 26 gusht 1910. Nënë Tereza u largua nga më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Më pas ajo u vendos në Kalkuta (Indi), ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. Nënë Tereza e Kalkutës e quajtën kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë planetit. Në vitin 1979, mori çmimin Nobel për paqe. Ajo ishte nënë e kujdestare e 7 500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960 000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmije ilegjitim e bonjake. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80. Vdiq në vitin 1997.
Nelson Mandela
Mandela ishte presidenti i parë i Afrikës së Jugut, i zgjedhur në mënyrë demokratike. Ai është një nga liderët më frymëzuesit e gjysmës së dytë të shekullit të 20-të dhe vetëm falë tij aparteidi në Afrikën e Jugut mori fund. Para se të merrte presidencën, Mandela ishte një aktivist kundra racizmit dhe lider i Kongresit Kombëtar Afrikan. Ai ishte burgosur me 27 vjet burg për sabotazh, pasi luftoi me armë për lëvizjen e rezistencës. Gjatë 27 viteve të tij të burgut, Mandela u bë figura më e njohur në luftën ndaj aparteidit. Ai u bë një ikonë e lirisë dhe krahasohej me Gandin. Mandela ka shpjeguar më vonë se i përdori armët si burimin e fundit, kur represioni dhe dhuna e bindi se protestat paqësore prej vitesh nuk kishin dhënë asnjë rezultat. Ai del nga burgu në vitin 1990, dhe pas fundit të aparteidit, ai është vlerësuar shumë, madje dhe nga kundërshtarët e tij. Mandela ka marrë mbi 100 çmime në 4 dekada, si dhe çmimin Nobel për paqe. Vdiq më 5 dhjetor 2013.
Mikhael Gorbaçov
Ish-lideri i Bashkimit Sovjetik është ndoshta njeriu më i famshëm i shekullit XX. Mikhael Gorbaçov ishte njeriu që në sajë të vullnetit të tij i dha fund njëherë e mirë luftës së ftohtë. Fitues i çmimit Nobel për paqen në vitin 1990, ai ishte edhe sekretar i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik nga viti 1985 deri në vitin 1991. Gjithashtu, Gorbaçov ishte edhe nismëtari për procesin reformues të Perestrojkës duke qenë edhe dëshmitar i fundit të supermacisë së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Në sajë të tij, ndryshimet politike në Rusi u bënë pa gjakderdhje.
Martin Luther King Jr
Martin Luter King, ishte lideri i famshëm i të drejtave të afrikano-amerikanëve dhe një aktivist i politikës. Në vitin 1964, Luter King u bë një nga njerëzit më të rinj i vlerësuar me çmimin Nobel për paqen për punën e tij si pajtues duke promovuar paqen dhe trajtimin e barabartë për racat e ndryshme. Në vitin 1951, King mbrojti doktoraturën në Universitetin e Bostonit për teologji. Në moshën 24-vjeçare ai u bë pastor. Në vitin 1955 ai organizoi bojkotin e madh të autobusëve, pas arrestimit të një vajze afrikane, e cila nuk pranoi t’i lëshonte vendin në autobus një njeriu të bardhë. Bojkoti zgjati 382 ditë dhe situata u tensionua aq shumë saqë King-u u arrestua. Gjykata Supreme vendosi të nxirrte jashtë ligjit ndarjet raciale në transportin publik. Pas kësaj ngjarjeje ai do të bëhej një nga figurat kryesore të të drejtave civile. Luter King spikaste si një orator i mirë. Veprimtaria e tij do zgjerohej dhe do të bëhej shembull edhe për komunitete të tjera, por edhe do të bëhej shënjestër e njerëzve racistë. Më 4 prill 1986, Luter King u vra në Memfis, në ballkonin e dhomës së hotelit. Pesë ditë më vonë presidenti amerikan Lindon Xhonson shpalli ditë zie për humbjen e liderit të të drejtave të njeriut.
Vaclav Havel
Kreu i lëvizjes për demokraci dhe çlirimit të Çekosllovakisë nga regjimi komunist, është një nga heronjtë e shekullit të 20-të. I ardhur nga një familje intelektuale, e lidhur ngushtë me ngjarjet politike dhe kulturore të Çekosllovakisë në vitet ’20-’40, atij iu mohua arsimi i lartë nën regjimin komunist. Megjithatë ai arriti të studiojë dramë dhe njëkohësisht t’i kushtonte kohë letërsisë. Nga viti 1968, ai u bë një aktivist i njohur politik e për këtë u burgos disa herë. Gjatë kohës së qëndrimit në burg, ai shkroi pjesë brilante, të cilat janë vlerësuar me çmime. Mbështetës i pasionuar i rezistencës paqësore, një rol me të cilin u krahasua me Bill Klinton, Gandin e Mandelën, Havel u bë lideri i revolucionit të vitit 1989, i cili i dha fund regjimit komunist pa gjak në Çekosllovaki (tani Çeki. Si lider i forumit civil, Havel u zgjodh unanimisht President. Në vitin 1992 pas ndarjes së Çekisë dhe Sllovakisë ai jep dorëheqjen, por zgjidhet më pas President i Çekisë. Haveli e lë zyrën e Presidentit në vitin 2003, pasi përfundoi edhe mandatin e dytë si kreu i Çekisë. Havel është një figurë e spikatur kundër luftës ndaj terrorizmit.
Juri Gagarin
Astronauti i famshëm rus është quajtur ndryshe edhe “Kristofor Kolombi i hapësirës”. Ai do mbahet mend në historinë botërore si njeriu i parë që ka fluturuar në hapësirë. I apasionuar mbas fluturimit, Juri ishte regjistruar në vitin 1957 në shkollën aeronautike sovjetike në Orenburg, ku falë rezultateve të larta ai përzgjidhet midis shumë pilotëve të tjerë për të kryer fluturimin e parë në hapësirë me anë të një anije kozmike. Më 12 prill 1961,0 në orën 9 të mëngjesit, Juri Gagarin niset për të kryer të parin fluturim në hapësirë në bordin e anijes kozmike “Vostok 1”. Ai kreu një udhëtim prej 108 minutash në atmosferën e tokës, duke hyrë në histori. Në orën 10.20, Juri Gggarin zbret me anë të një kapsule në tokë, duke realizuar kështu të parin udhëtim të njeriut në hapësirë. Por 7 vjet pas misionit të tij të parë hapësinor, më 27 mars 1968, “Kristofor Kolombi i hapësirës” vdes në një aksident të mistershëm me një avion MiG – 15.
Neil Armstrong
Por nëse Juri Garin hyri në historinë e njerëzimit si njeriu i parë që fluturoi në hapësirë, astronauti amerikan Neil Armstrong ka hyrë në histori si njeriu i parë që shkeli me këmbë në Hënë. “Ky është një hap i vogël për njeriun, por një hap i madh për njerëzimin”, këto ishin fjalët e para të thëna prej tij në momentin kur ishte duke hedhur hapin e parë në Hënë. Neil Armstrong është padyshim një nga njerëzit më të rëndësishëm të Tokës. I zgjedhur nga NASA si astronaut në sajë të cilësive të tij, piloti i Forcave Ajrore amerikane, Neil Armstrong mori pjesë në shumë misione në hapësirë. Në vitin 1969 ai drejtoi misionin “Apollo 11” drejt uljes në sipërfaqen e Hënës, duke u futur në histori. Madje një krater i vogël në sipërfaqen e Hënës mban emrin e astronautit të famshëm.
Rosa Parks
Afro-amerikania është ikona e lëvizjeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në SHBA. Ishte viti 1955, kur Rosa Parks hyri në histori duke mos pranuar t’i lëshonte vendin në autobus një të bardhi, duke mos iu bindur ligjeve të asaj periudhe në SHBA, megjithëse e dinte se do dënohej me burg. Por gjesti i saj ndaj atij ligji absurd dhe diskriminues për afro-amerikanët bëri që në SHBA të nisnin lëvizjet në mbrojtjen e të drejtave të njerëzve me ngjyrë. Si shenjë solidariteti me veprimin e Rosa Parks, miliona amerikanë bojkotuan autobusët për 381 ditë, derisa gjykata supreme e SHBA-së e shpalli Rosa Parks të pafajshme dhe ligjin jo të drejtë. Rosa Parks vdiq më 24 tetor 2005 në moshën 92-vjeçare.
Peter Benenson
Ata që e dinë rolin e organizatës ndërkombëtare “Amnesty International”, mund ta kuptojnë pse Peter Benenson është një hero. I lindur në vitin 1921, Benenson, ishte diplomuar në Oxford për histori e më pas për juridik. Aktivist i të drejtave të njeriut, ai themelon “Amnesty International” në vitin 1963. Me një shkrim në “The Observer”, disa ditë para themelimit, ai shkruan: “Hapeni gazetën dhe çdo ditë do të gjeni një lajm diku në botë për një njeri të burgosur, torturuar apo ekzekutuar për shkak se mendimet e tij apo feja është e papranueshme për qeverinë e tij…Ja pse kemi filluar një apel për amnisti”. Bashkë me një grup juristësh, shkrimtarësh dhe botuesish, ai ngriti një nga organizatat më prestigjioze në botë. Apeli në gazetë tërhoqi mijëra mbështetës në mbarë botën. Në vitin 1964, “Amnesty”-s i jepet statusi si këshilltare e Kombeve të Bashkuara. Në ’77-ën fiton çmimin Nobel për paqen. Benenson vdes nga pneumonia në vitin 2005.
Daw Aung San Suu Kyi
Budiste e devotshme, Kyi është një aktiviste e lëvizjes paqësore, pro-demokracisë dhe lidere e Ligës Kombëtare për Demokraci në Burmë (tani Myanmar, shtet në Azinë Juglindore). E quajtur në popull “Zonja”, është vlerësuar më shumë çmime, si ai i Lirisë së Mendimit në vitin 1990 dhe Nobel për paqe në vitin 1991, për përpjekjet e saj paqësore nën diktaturën ushtarake represive. Kontributi i saj për çlirimin e Burmës nga regjimi ushtarak, e fut atë edhe në listën e heronjve të shekullit 20-të. Ajo u përfshi në politikë e ndikuar nga filozofia e Gandit për paqen. Pas themelimit të Ligës Kombëtare për Demokraci, “Zonja” u vendos nën arrest shtëpiak në vitin 1989. Asaj iu ofrua liria, me kusht nëse largohej nga vendi, por Kyi nuk pranoi. “Nuk është pushteti ai që të bën të korruptosh, por frika. Frika se mos humbet pushtetin korrupton ata që e zotërojnë atë, dhe frika e fshikullimit të pushtetit korrupton ata që janë të varur nga ai”, ka thënë ajo në një nga fjalimet më të famshme. Në rubrikën “Krerët e rinj të shtetit”, në vitin 2006, ajo u votua në vendin e parë si “Heronjtë e kohërave tona”.
Lech Walesa
Lech Walesa është një politikan polak dhe aktivist i të drejtave të njeriut. Ai bashkëthemeloi sindikatën e parë të pavarur në bllokun sovjetik, fitoi çmimin Nobel të paqes në vitin 1983 dhe u bë president i Polonisë. Walesa lindi më 29 shtator në vitin 1943 në Popoëo, Poloni. Ai ishte anëtar i një komiteti ilegal në vitin 1970. Pas një greve që u mbyll me vrasjen e 80 punëtorëve nga policia, Ëalesa u arrestua dhe u dënua për “sjelljen e tij antisociale” me një vit burg. Në vitin 1976 humb vendin e punës, për shkak se po mblidhte firma për një peticion për ngritjen e një busti për punëtorët e vrarë. Në vitin 1978 së bashku me miq të tij themelojnë në ilegalitet Sindikatën e Pomeranias (kështu quhet një vend mes Gjermanisë dhe Polonisë). Arrestohet disa herë, por lirohet përsëri. Megjithëse fiton Nobelin për paqe, ai nuk mund ta tërhiqte çmimin vetë, pasi qeveria mund të mos e lejonte të kthehej. Ëalesa i dhuroi paratë e çmimit sindikatës “Solidariteti”, zyrat e përkohshme të cilës ishin në Bruksel. Në vitin 1990, me shembjen e komunizmit, ai zgjidhet president.