Amnistia nis të shtunën, vijon verifikimi i listës së të burgosurve
E shtuna e 14 janarit do të jetë dita kur do të fillojë zbatimi i amnistisë për personat e dënuar dhe atyre që janë në proces hetimi apo gjykimi.
Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve u shprehen për Top Channel, se referuar afatit kushtetues, dy javë pas botimit në fletoren zyrtare, përllogaritja ka përcaktuar datën 14 për hyrjen në fuqi të amnistisë.
Ditën e martë Drejtoria e Burgjeve do të verifikojë listat e ardhura nga të gjitha burgjet për të dënuarit që përfitojnë, në mënyrë që mos të ketë lirime abuzive apo keqllogaritje të kohës së burgimit.
Në kuadër të amnistisë, të shtunën e ardhshme pritet të lirohen nga qelitë e burgimit të gjithë ata që nuk janë dënuar më shumë se 3 vite burg dhe atyre që u ka mbetur 3 vite burg dhe që nuk kanë ndalesa për vepra të tjera të rënda që parashikohen në ligjin e amnistisë.
Gjithashtu do të lirohen edhe gratë që kanë mbushur 55 vjeç dhe burrat që kanë mbushur 60 vjeç dhe që nuk janë dënuar për vepra të rënda.