Angelo Panebianco: Shqiptarët lëngojnë nga dogmat e së shkuarës komuniste
Shkrimi i profesorit të Fakultetit të Shkencave politike të Univeritetit të Bolonjës, Angelo Panebianco, njërit ndër intelektualët më të spikatur liberalë të botës kulturore italiane, “Nderimet Kastros – një fyerje për demokracinë”, mund të them pa mëdyshje se është një nga artikujt më të goditur, të prerë, objektivë e mësimdhënës, që kam lexuar në shtypin italian gjatë një të katërt qindvjetori.
Shkrimi është një Lectio magistralis, e zhveshur nga terminologjia e “korrektësisë politike”, karakteristike për gjuhën e zakonëshme diplomatike të së majtës evropiane gjatë shtatë dhjetëvjeçarëve të fundit, e me një thjeshtësi e saktësi mahnitëse trajton tema themelore për botën e sotme, duke marrë shkas nga kundërveprimet e ndryshme t’asaj bote kundrejt ndërrimit jetë të diktatorit kuban.
Nuk është e lehtë të shtjellohen në një hapësirë kaq të vogël sa ç’është ky artikull, ato ide e koncepte themelore për të hyrë në vetëdijen historike të një epoke të ndërlikuar e të keqinterpretuar deri në tjetërsim, si ajo e mbas luftës së dytë botërore. Duhet një pendë e fortë, një kurajë qytetare për të shkuar kundër rrymës e, mbi të gjitha duhet një ndershmëri intelektuale, për të pohuar në mënyrë bindëse, siç bën autori, se historiografia e asaj periudhe vuan nga një simptomë e rëndë patologjike, mbi të cilën duhet vepruar, mbasi rrezikon t’u japë brezave t’ardhshëm një përceptim të rremë e të shtrembëruar t’epokës së gjyshërve e baballarëve të tyre.
Autori, i cili është bashkëpuntor i mjaft enciklopedive, ka shkruar për to kapituj të rëndësishëm. Mund të kujtohen ndër to ata me tituj : “Lufta”, Shkenca e politikës” dhe “Politika” për Enciklopedinë e Nëntëqindit (1998, 2000, e 2004). Ka shkruar libra të ndryshëm e parathënie të veprave të politologëve të shquar si Aron, Bull, Buzan, etj.
Shkrimi që përktheva m’u duk tepër i përshtatshëm edhe për lexuesin shqiptar. Nëse interpretimi i dukurive historike në Perëndimin e zhvilluar lë shteg për diskutime e krijon zbrazëti informative, në Shqipërinë tonë mbetet, ende mbas një të katërt qindvjetori “demokracie”, një problem, jo vetëm i pazgjidhur, por që është tepër shqetësues për edukimin e brezit të ri, mbasi tekstet e shkollave kanë mbetur robër të klisheve të historiografisë së regjimit komunist. Të gjitha problemet që shtron profesori i mirënjohur bolonjez në shkrimin e tij, në Vendin tonë ngrihen në fuqi kubike.
Dy peshat e dy masat, në gjykimin e krimeve të nazifashizmit e të komunizmit, mbeten një kostante, jo vetëm e politikës, por edhe e shkencave historike e shoqërore.
Bëjnë përjashtim këtu, fatmirësisht, përpjekjet e lëvdueshme të disa studjuesve e gazetarëve si Kastriot Dervishi, Admirina Peçi, Ҫelo Hoxha etj. që hulumtojnë me sukses në arkivat e Shtetit apo organeve të tij të dhunës, duke botuar fashikuj të tërë e libra të materialeve që pasqyrojnë të vërtetën historike të luftës dhe të mbas luftës.
Këta njerëz, ndoshta më shumë se e gjithë aradha e artikullshkruesve, ku hyn edhe i nënëshkruari, meritojnë mirënjohjen e përgjithëshme për punën e tyre të dobishme në drejtim të ndriçimit të së vërtetës historike shqiptare të tre çerek shekullit të fundit.
Konceptet liberale mbi demokracinë, që na paraqet profesori 68-vjeçar italian, janë piketa të rëndësishme të mendimit shoqëror edhe për ne, madje duhet të jenë edhe shtigje udhërrëfyese jo vetëm për studjuesit por, kryesisht, për klasën politike, e cila ka nevojë të domosdoshme të përmirësojë e të rifreskojë idetë e saj. Do të theksoja një frazë nga shkrimi i përkthyer : “Është aq e rëndësishme të ngulet këmbë mbi hapësirën, edhe morale, që ndan demokracitë nga diktaturat”. Ngjarjet e fundit, sidomos rrahja e mendimeve në lidhje me dekorimet e ndryshme, tregojnë se ne jemi larg pohimit të këtij parimi të rëndësishëm. Malli për simbolet dhe “personalitetet” e diktaturës, i shfaqur jo rrallë edhe nga njerëz me moshë relaivisht të re në shoqërinë tonë, është tregues i faktit se rrënjët e “ançarit” të helmuar të saj janë ende të gjalla në trupin e tharë të saj. Titulli i këtij shkrimi dhe ideja që shpreh, pavarësisht se emri i Kastros mund të këmbehet me secilin nga ish kolegët e tij, përfshirë këtu edhe Enver Hoxhën, duhet të hyjnë thellë në vetëdijen tonë e të jenë një gur themeltar në mendësinë liberale, që duhet të ndriçojë rrugën tonë për sot e për t’ardhmen.
Mendoj se, edhe në emër të lexuesve shqiptarë, është e drejtë të falënderojmë profesorin e nderuar, Angelo Panebianco, për leksionin e tij, aq të dobishëm jo vetëm për opinionin publik të Italisë së tij, por më shumë për atë tonin, i cili lëngon më tepër se të tjerët nga dogmat e së shkuarës komuniste.