Artur Zheji: Beteja me natyrën dhe brekët e grisura të shtetit
Dritat dhe energjia elektrike ikën edhe vjen në çdo cep të Shqipërisë.
Telefonata dhe emaile të panumërta vijnë në adresën e 360grade.al dhe kërkojnë që të bërtasin në vend të tyre, se ata nuk kanë as zë dhe as se ku të bërtasin për hallin e tyre. Të izoluar, pa energji, me tubacione të ngrira të ujit, me rrugë që herë hapen dhe herë mbyllen.
Në Pogradec, në rrethinat e Korçës, Kukësit dhe Shkodrës, në fshatra të shumta të Veriut të Shqipërisë apo në rrethinat e Gjirokastrës dhe nga shumëkund, ku vëmendja e mediave, as edhe afrohet, energjia elektrike dhe vetmija, janë sot e përditshmja e tyre.
Është e vërtetë që në Tiranë ka lëvizje në qëndrat sociale dhe në qëndrat mjekësore shtetërore. Lëvizje dhe aktivitete që hidhen rregullisht në Fb, Erion Veliaj duke shërbyer në mencë apo drejtoresha punëtore e QSUT, Ogerta Manastirliu, që mban në gatishmëri dhe në këmbë, strukturën më të madhe mjekësore të Shqipërisë.
Por nuk ka fonde shtesë, sepse nuk ka buxhete.
Ka vetëm Koncesione tek dy apo tre struktura të mëdha mjekësore private. Struktura të miqve të pushtetit, sigurisht.
Mirëpo strukturat private mjekësore, përfitueset e mëdha financiare të kësaj qeverie, nuk lëvizin as edhe gishtin e vogël dhe as edhe një autoambulancë, në mënyrë vullnetare. Dhe çfarë bën Ogerta me kolegët e saj? Duan apo s’duan, shtrydhin deri në rraskapitje, personelin e keqpaguar mjekësor të strukturave shtetërore, që të rrinë natë e ditë në emergjencë, me shpresën se do të ruajnë vendin e çmueshëm të punës dhe se do të marrin ndonjë kacidhe shtesë, nga orët jashtë orarit të turneve të natës apo të ditëve festive.
E vërteta është se personeli mjekësor që punon në shtet dhe që ka mbetur ende në Shqipëri, apo që nuk është rekrutuar nga strukturat e pasura private, punojnë kafshërisht dhe në mënyrë të admirueshme në këto ditë e në këto netë të gjata Halli Kombëtar!
Por shoqëria nuk i shpërblen! Shteti i shfrytëzon, ndërsa strukturat private mjekësore fërkojnë duart, sepse herët a vonë, kjo klimë e ftohtë shton fitimet, sepse shton pacientët-klientë, që dynden në dyert e tyre për një trajtim mjekësor normal, pamvarsisht se sa e kripur është fatura.
Lëvizin edhe disa ministra si Saimir Tahiri apo Sokol Dervishaj i Transporteve. Kamerat i ndjekin rregullisht pas, por aksidentet për shkak të motit dhe mospërgatitjes paraprake, vetëm shtohen dhe akset rrugore, aty hapen dhe aty bllokohen. Askush nuk ka dijeni deri më tash se sa janë Fondet e posaçme të emergjencës, që ndonjë mbledhje e jashtëzakonshme e qeverisë, të ketë caktuar! Sepse mënçurisht dhe në mënyrë tinzare, qeveria ka vendosur të mos flasë për to, që të mos përgojohen, se sigurisht që do të jenë në nivele qesharake.
Por edhe Opozita, në këtë Situatë të jashtëzakonshme Kombëtare duket e griposur, ndërkohë që duhet të ishte rrugëve të hallit Kombëtar edhe ajo dhe duhet të breshëronte interpelancat në Kuvend! Me të gjithë Ministrat që janë për shkak të postit, përgjegjës për paaftësinë e shtetit në këtë reagim kaq të zbehtë, ku të gjithë kujdesen për të prodhuar lajmin: “Ja po punojmë! Jemi në krye të detyrës!”
Mirëpo qeveria e ka mendjen te fushata që po afrohet, te deklaratat e Kokëdhimës, te dyzimi i Ilir Metës për koalicionin e ardhshëm me PS dhe qeveritarët apo opozitarët tanë, nën veshjet e ngrohta, nga zyrat e ngrohta apo nga veturat e tyre 100.000 eurshe ku plas vape, postojnë fotot e policëve apo mjekëve, që zhyten në dëborë deri në brez.
Porse shpresojmë që, kujtesa e atyre shqiptarëve, që nuk do të shesin votën në Qershorin e ardhshëm zgjedhor, mban shënim, qoftë edhe duke kërcëllitur dhëmbët nga ky i ftohtë i jashtëzakonshëm dhe në mesin e një beteje të pabarabartë me natyrën e egërsuar.
Ata, shqiptarët, e kanë mirë parasysh këtë shtet brekgrisur, në këtë betejë të humbur me natyrën. Një betejë e sapo filluar dhe e humbur ditë mbas dite në mënyrë të palavdishme.
Ruajna Zot, që ngricat të vazhdojnë edhe në Shkurt!