Çfarë e pengon dialogun shqiptaro-serb
Lavdosh Ahmetaj
Ka një perceptim sipërfaqësor mbi zhvillimet e viteve të fundit, si dhe mbi koniukturat gjeopolitike të kohës në rajon, në një kontekst të ngushtë mbi marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve. Është krijuar përshtypja se janë dy forca që lëvizin në fushë: ato “progresive” që, edhe nën trysninë e fuqive diktuese ndërkombëtare, bëjnë përpjekje për një dialog shqiptaro-serb në kuadër të integrimeve rajonale e kontinentale, për sheshimin e mosmarrëveshjeve të shkuara, për një klimë bashkëpunimi e mirëkuptimi, e deri bashkëjetese në kushte të reja. Nga ana tjetër ato “regresive”, “nacionaliste” që janë refrektare ndaj një tendence të tillë dhe kërkojnë të mbajnë ndezur armiqësinë mes palëve. Në këto dy kahje mund të “integrohen” edhe lëvizjet konkrete politike, shoqërore e mediatike, qofshin edhe ato sporadike në dukje, si rasti i përplasjes për vijën e demarkacionit me Malin e Zi, qëndrimet bardhë-e zi mbi bisedimet e herahershme Tiranë-Beograd apo Prishtinë-Beograd, çështjet konkrete të mbetura pezull mes palëve, e deri tensionet në fushën e futbollit.
Ndërkohë të gjitha rekomandimet, këshillat apo edhe presionet e faktorit ndërkombëtar ngrihen mbi kërkesën për një dialog shqiptaro-serb, proces i pashmangshëm dhe pothuaj i detyrueshëm për koniukturat e kohës. Dhe ky dialog do të ishte vërtet konstruktiv për vetë rajonin si dhe për ardhmërinë e vetë palëve në diskutim, nëse do të ngrihej mbi një shtrat të qenësishëm dhe mbi kushtet reale që mundësojnë një dialog, apo më tej një mirëkuptim e bashkëpunim. Por shihet se të gjitha lëvizjet në këtë drejtim bëhen të sforcuara dhe pa një ridimensionim të politikave në përputhje me realitetet e reja shtetërore e kombëtare, si dhe me asetet e ndryshuara radikalisht në dy dekadat e fundit. Pra, kërkohet një dialog pa ndryshuar thelbin e raporteve të vjetra mes faktorëve politikë në fjalë, pa llogaritur premisat nga të cilat duhet nisur ky dialog, pasi palët veprojnë mbi mendësi dhe shtrat konceptual të bazuar mbi reminishencat e shkuara, pa përpjekjen dhe përgatitjen e nevojshme për të ngritur këtë institucion (pra, dialogun) mbi themele të qëndrueshme në përkim me potencialet dhe resurset vetjake të secilës palë. Në këtë kontekst, duket se një “dialog shqiptaro-serb” është i parakohshëm dhe fiktiv në mënyrën që rekomandohet të zhvillohet, pasi ka barriera që e pengojnë seriozisht atë. Po çfarë e pengon realisht dialogun shqiptaro-serb?
Duhet thënë fillimisht, për të mos rënë në keqkuptim, se këtu nuk bëhet fjalë për bisedime të rastit (për çështje teknike, takime protokollare apo të nxitura nga rrethana detyruese nga faktorë madhorë) mes qeveritarëve të radhës në Tiranë e Beograd apo në Prishtinë e Beogradi, çka edhe krijojnë atë perceptim të sipërfaqshëm të këtij dialogu, shpesh te amplifikuar mediatikisht edhe si kryetemë e ditës në axhendën politike rajonale. Me dialog shqiptaro-serb kuptojmë atë proces marrëdhëniesh midis dy palëve (kombëtare e shtetërore, pavarësisht artificit të dy shteteve shqiptare) që gjenden të detyruara të bashkëjetojnë – në armiqësi, në superim të njëanshëm apo mirëkuptim- si fqinjë të përhershëm në një rajon të caktuar, pavarësisht simpative apo antipative që ushqejnë kundrejt njëra-tjetrës. E në këtë hulli, pavarësisht propagandës që flet hera-herës me retorikë të sforcuar për “frymë bashkëpunimi, integrimi e mirëkuptimi” për të krijuar një imazh utopik të këtij dialogu, ky proces ende nuk ka nisur, apo mungon madje vullneti për ta nisur për sa kohë palët ende nuk kanë bërë rivlerësimin dhe nuk kanë reflektuar mbi kushtet reale mbi të cilat duhet të nisë ky dialog institucional.
Përpara se të kalojmë në evidentimin e pengesave, le të shohim llojet e raporteve mbi të cilat mund ngrihet një bashkëjetesë e diktuar dhe e kushtëzuar (si në rastin tonë mes shqiptarëve dhe serbëve në këtë rajon):
– së pari, është raporti i armiqësisë pothuaj të përhershme në thelb, kur palët ushqejnë të njëjtën ndjenjë dhe zhvillojnë të njëjtën politikë të ndërsjellë karshi njëra-tjetrës, mbi parimet bazë të një nacionalizmi aktiv pavarësisht modeleve ideologjike që afrojnë kohët e ndryshme, me konceptin e përjashtimit, mposhtjes apo dhe të asgjësimit të mundshëm të potencialeve të tjetrit të konsideruar si armik. Në këtë raport, kur potencialet qëndrojnë në ekulibër dhe ka një konseguencë politike të secilës palë për të ruajtur dhe përmbushur ngulmësisht interesat vetjake, paradoksalisht afrohet edhe një mundësi dialogu (të përkohshëm apo në kohëzgjatje, varësisht qëndrueshmërisë së ekulibrit të ndërsjellë), një lloj armëpushimi dhe paqeje korrekte “luftëtarësh”.
– së dyti, raporti i superimit të njëanshëm, apo i nënshtrimit të njërës palë nga tjetra. Ky raport mund të jetë i përkohshëm apo i përhershëm, varësisht nga zhvillimi i potencialeve, i vetëdijes apo dhe i kahjes politike në palën e nënshtruar. Kjo lloj bashkëjetese padyshim që nuk afron asnjë mundësi dialogu, por ajo çka mund të quhet dialog është vullneti i shprehur i njërës palë dhe bindja e palës tjetër.
– së treti, raporti i mirëkuptimit. Në këtë rast, interesat e secilës palë bashkëjetuese në fqinjësi kanë gjetur politika të urta që plotësojnë interesat e tyre dhe stabilitetin e tyre në marrëdhënie të ndërsjella miqësie dhe mirëkuptimi. Veçse duhet pasur parasysh se ky raport mund të jetë ekzistent vetëm kur palët nuk përmbajnë në kujtesën historike, të hershme apo të vonshme, zhvillime të hidhura e të papërtypshme, kur realiteti territorial, demografik, ekonomik, etj, i njërës palë, nuk është arritur si pasojë e grabitjes së palës tjetër, kur historikisht janë detyruar të përballen me palë të treta që i kanë sjellë në rrethana të mirëkuptimit dhe bashkëveprimit për të përballuar rrezikun jashtë rajonal. Më tej, ky mirëkuptim (në terma teorikë) mund të arrihet edhe kur pala që në një kohë të caktuar historike ka përvehtësuar territore, popullsi apo resurse të tjera prej fqinjit, ka vullnetin të kthejë atë ç’ka është e mundshme dhe reale. Apo më tej kur pranon të heqë dorë edhe prej platformës së përhershme kombëtare e shtetërore e cila ngrihet mbi konceptet e dy raporteve të mëparshme, domethënë të armiqësisë apo të superimit.
Në perspektivën e këtyre tre raporteve, bashkëjetesa shqiptaro-serbe ka qëndruar prej mëse një shekulli politikisht në raportin e dytë, e më tej edhe oferta e një dialogu është ngritur gjithherët mbi premisat e këtij raporti. Qoftë kjo edhe kur është nxitur apo “urdhëruar” nga faktorë madhorë të politikës globale një dialog shqiptaro-serb. Pse arrihet në këtë përfundim? Raporti i mirëkuptimit është i përjashtuar thelbësisht përderisa serbët kanë qëndrim të pandryshuar në mohimin e realitetit faktik shqiptar dhe të drejtat e tyre (shqiptarëve) për të njësuar drejtësisht hapësirat jetike, popullsitë, ekonomitë e gjithçka tjetër, mbi bazën e potencialeve të tyre reale. E ky qëndrim nuk ka lëvizur “nga istikami” pavarësisht modaliteteve apo kostumeve të stinës politike e ideologjike që ndërrohen në regjimet apo qeverisjet e tyre, pa përfillur llogaritjen e potencialeve vetjake shtetërore e kombëtare në kohë të ndryshme. Ndërsa raporti i parë, ai armiqësisë së ndërsjellë, nuk ka arritur të institucionalizohet, pavarësisht shfaqjeve apo shprehjeve popullore në këtë sens, pasi kjo do të kërkonte që shqiptarët të kishin të njëjtin shtrat konceptual në politikën dhe strategjinë e tyre kombëtare, domethënë të ushqenin të njëjtën frymë urrejtje, agresiviteti dhe ekspansioni si serbët. Fryma difensive, ankimtare, viktimizuese, sjellja inferiore karshi palës tjetër, nuk flet për reciprocitet armiqësor, por vetëm të shtyn të klasifikosh këto marrëdhënie në raportin e dytë, domethënë atë të superimit apo të nënshtrimit të njërës palë nga tjetra. Dhe shfaqjet publike të shenjave të armiqësisë shqiptare janë veçse reagim i vetvetishëm i të lënduarit sa herë që merr plagë të reja. Ndërsa tek serbët urrejtja është permanente dhe në konstitucionin shpirtëror e mendor të tyre, tek shqiptarët është e përkohshme dhe jo një frymë konstituive, e detyruar nga rrethanat dhe veprimi agresiv serb. Përndryshe këta të fundit janë të gatshëm, edhe pse e kanë pësuar gjithë kohën në kurriz të tyre, të shtrijë dorën e pajtimit, të “miqësisë”, të mirëkuptimit e bashkëpunimit, pa rivendikuar dhe rikuperuar dëmet e pësuara.
Nga ana tjetër, shqiptarët (në këtë përcaktim shumësor në fakt duhet kuptuar politika që zhvillohet ndër ta e jo entiteti popullor) edhe armiqësinë, edhe mirëkuptimin e kanë të kushtëzuar gjithherët nga interesi dhe humori i të tjerëve, domethënë nga faktorët madhorë ndërkombëtarë. Duket sikur politikisht nuk mendojnë vetë, por veprojnë vetë për të përmbushur vullnetet e të tjerëve. Edhe kur kanë vepruar me parametrat e armiqësisë dhe “dialogun” e kanë zhvilluar me mjete të forta, kokën e kanë mbajtur mbrapa për të marrë sinjalin se deri ku duhet të shkojnë, deri ku është urdhëri apo leja për të vepruar.
Pra ka pasur dhe vijon të ketë një raport të zhdrejtë mes dy faktorëve, atij shqiptar dhe atij serb, për të institucionalizuar një dialog të mirëfilltë mes dy palëve bashkëjetuese në rajon, përderisa atyre u kërkohet të zhvillojnë këtë proces mbi premisa dhe reminishenca të vjetra që afrojnë një raport diskriminues për njërën palë. Por ky dialog është i kërkuar dhe i nevojshëm për politikat madhore të integrimit rajonal në bashkësinë kontinentale. Padyshim po. Por së pari duhen krijuar premisat e këtij dialogu, duhen ngritur palët në vetëdijen e një raporti të ndërsjellë të sinqertë, pa tejkaluar atë proces të nevojshëm reflektimi për të rivlerësuar bashkëjetesën mbi bazën e potencialeve reale që ka secila dhe për të respektuar asetet që zotërohen prej tyre, ndërkohëdhe pa mbartur në këtë dialog reminishencat e politikave të deritashme të superimit e të përfitimit të njëanshëm serb në kurriz të shqiptarëve.
Është e pakonceptueshme që të nisë ky dialog: -së pari, nëse serbët nuk do të bëhen të ndërgjegjshëm se edhe institucionalisht nuk kanë më atë aset shtetëror ose konstitucion shtetëror që i afronte shteti i mbretërisë së dikurshme apo federata jugosllave, kur për arsye gjeopolitike mund të “justifikonte” aneksime entitetesh kombëtare të tjera, por se tashmë kanë statusin e njështeti kombëtar serb dhe nuk mund të pretendojnë të përfshijnë brenda vetes një entitet kombëtar të huaj si Kosova që për më tepër është pothuaj sa gjysma e popullsisë serbe në shtetin e tyre. Me këtë reminishencë të politikës së vjetër, me këtë rrobë statutore ekspansive që “i rri tepër e madhe” natyrshëm që nuk mund të pretendojë që të ketë akses në një dialog të mundshëm shqiptaro-serb, aq më pak më tej me mitizime historike e folklorike që mjerisht i kanë bërë punë fort në të shkuarën në realizimin e synimeve agresive politike; – e së dyti, nëse shqiptarët nuk vetëdijësohen për realitetin e ri të tyre, për ridimensionimin si faktor rajonal qoftë për hir të potencialeve territoriale (edhe pse koniukturalisht të ndarë në tre shtete), qoftë atyre demografike, ekonomike e kulturore, duke u çliruar nga ajo psikozë viktimizimi që i ka karakterizuar përgjatë këtyre 130 viteve dhe që i ka kondicionuar në të bërit politikë dinjitoze e në raport të drejtë me serbët, por edhe me fqinjët e tjerë ballkanikë.
Pra, një dialog i qenësishëm shqiptaro-serb mund dhe duhet të nisë padyshim, jo me lëvizje utopike e altruiste për një raport mirëkuptimi inekzistent të kërkuar nga jashtë pa pretendimin për të rikuperuar dëmet e shkaktuara nga raporti i zhdrejtë i deritanishëm, por vetëm duke eleminuar ato barriera së pari konceptuale, e së dyti reale që gjenden mes palëve, së treti, ndryshimi i frymës shtetërore, duke reflektuar kohën. E natyrshëm që kjo nuk mund të arrihet vetëm me vullnetin apo me gatishmërinë e shqiptarëve, sado të devotshëm që të tregohen duke shkelur mbi veten.