Albspirit

Media/News/Publishing

Deklaratat e një serbi lunatik dhe pyetja: Kush u fut në politikë pas ’91?

 

“Doni të shkatërroni shqiptarët…? Vrisni një katolik dhe më pas akuzoni një mysliman… Shteti shqiptar është lehtësisht i mundshëm të shkatërrohet nëse ekziston vullneti te shërbimet sekrete serbe… Nëntoka serbe, me mbështetjen e shërbimeve të inteligjencës mund të shkaktojë në çdo kohë luftë në Shqipëri”.

Autori i këtyre deklaratave quhet Dejan Luçiç dhe është një personazh jo pak i njohur në Serbi.

Luçiç fton hapur shërbimet inteligjente serbe të nxisin luftë ndër shqiptarët duke i përçarë ata në vija fetare dhe fisnore.

“Nuk është vështirë të grinden shqiptarët ndërmjet tyre, Toskët dhe Gegët, të krishterë dhe myslimanë. Në linja fisnore dhe fetare lehtë mund të shkatërrohet shteti shqiptar, ndërsa me luftë qytetarëve në Shqipëri u tretet ëndrra për ‘Shqipërinë e Madhe. Vritni një politikan shqiptar, akuzoni konkurrentin e tij dhe ja…, luftë fisnore mes shqiptarëve. Nëse shkaktoni konflikt mes Thaçit dhe Haradinajt çdoherë mund ta ndizni zjarrin’ – thotë ai në një intervistë në emisionin televiziv “Në Qendër”.

Nëse disa libra të tij kanë për zemër tema me spiunazh, teori konspiracionesh dhe komplote ndërkombëtare, thëniet e mësipërme më shumë se konspiracion, bien erë ngjarje e zhvillime të ndodhura rregullisht në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët në rajon.

Lindur në Beograd në vitin 1950, Dejan Luçiç u diplomua nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd, së bashku me disa emra që më pas do të ndiznin zjarrin ne Ballkan dhe ish Jugosllavi: Është fjala për ish-kreun e shërbimit të sigurimit të shtetit Jovica Stanishiç dhe komandantin e njësive speciale Franko Simatoviç, i mbiquajtur Frenki, i dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale e Hagës për krimet e luftës.

Është fakt i njohur shoqëria e tij me krerët e shërbimit sekret serb; lidhje këto që kanë prodhuar një seri librash që lidhen me «zbulim të sekreteve» mbi trafiqet e armëve dhe drogës në Ballkan e më gjerë.

Parapëlqen tema si teoritë e konspiracionit, frankmasoneria, shoqëritë sekrete, Kisha Katolike Romake, etj.

Nuk ka munguar dhe një libër mbi “mafien shqiptare të UÇK-së”; por në përgjithësi, Luçiç ka oreks të veçantë për të ngjallur debate dhe përdorur gjuhën e urrejtjes, me të cilën ka stigmatizuar Vatikanin, myslimanët, hebrenjtë, kroatët, shqiptarët, etj..

Në fillim ka qenë anëtar i Lëvizjes për Ringjalljen Serbe (SPO) të Vuk Drashkoviçit. Një krenari të veçantë shpreh për origjinën e familjes së tij, duke thënë se është një pasardhës i Jelena Markoviçit, anarkistja e famshme e cila në 11 tetor 1882 në Kishën Katedrale në Beograd qëlloi pa sukses mbi Mbretin Millan Obrenoviç.

Me një sy të parë, deklaratat e hapura, pozat teatrale dhe qëndrimet e mëparshme të Dejan Luçiçit, tradhtojnë një prirje drejt famës në dobi të librave të tij.

Nuk është e rastësishme miqësia e Luçiçit me Jovica Stanishiçin, të cilin me Shqipërinë nuk e lidh vetëm qenia shef i UDB-së në kohën e Millosheviçit, por edhe nipi i tij Damir Fazlliç dhe aferat e këtij të fundit ne Tirane.

Por le të përqëndrohemi në një kënd tjetër analize: Përtej kollajllëkut pompoz të retorikës së Luçiçit, deklaratat e tij përkthehen realisht, në ngjarje që kanë ndodhur në Shqipëri.

Duke lënë mënjanë të kaluarën e largët, kundërvëniet gegë-toskë, Veri-Jug, shfrytëzimi i vrasjes së dikujt për të çuar drejtimin e ngjarjeve diku tjetër dhe akuzuar ndërkaq kundërshtarin politik, janë ngjarje dhe sekuenca ende të freskëta në Shqipëri, e padyshim edhe në Kosovë.

Ish-kryeministri Vilson Ahmeti

Ish-kryeministri Vilson Ahmeti

Shteti shqiptar shkatërrohet lehtë? Ngjarjet kanë treguar se, fatkeqësisht, po.

Pavaresisht ngjarjeve te renda, zyrtarisht nuk ka patur deklarime mbi arsyet e shkaterrimeve dhe as procese gjyqesore serioze.

Ne nentor 2014, nje nga ish0kryeministrat e pare te vendit theu me ne fund heshtjen.

Ish-kryeministri Vilson Ahmeti, në një intervistë televizive tha se shkatërrimet e pas vitit 1991 u nxitën nga serbët.

“…Shqipëria ishte në tranzicionin e parë.  Njerëzit e pakënaqur dëmtonin pasurinë e tyre duke krijuar kaos e përcillnin pasiguri. Për mua kjo ishte gjëja më e vështirë… Kishte varfëri, zhgënjim nga sistemi i kaluar, kishte influencë tinëzare që i nxiste të krijonin situata të pakëndshme…  

Serbët janë përpjekur që në mënyrë të rregullt të destabilizojnë Shqipërinë në çdo kohë. Dhe kjo ishte një situatë në të cilën ata kanë vepruar për ta destabilizuar Shqipërinë. Ne kishim të dhëna se ata nxisnin për të kryer shkatërrime masive.

Populli ynë sapo kishe dalë nga një sistem diktatorial dhe zhgënjimi ishte i madh dhe kjo shfrytëzohej,” tha Ahmeti.

Auron Tare

Auron Tare

Edhe studiuesi Auron Tare në një intervistë në DITA në janar 2015 lidhur me disa hulumtime të tij private në dokumentat e deklasifikuar të arkivave amerikane thotë që UDB-ja jugosllave ishte më aktivja dhe më e informuara mbi situatën në Shqipëri.

Nga dokumentat ai ka krijuar përshtypjen që UDB nuk është pa rol në ngjarjet e vitit 1990-1991 në Tiranë.

Shkruan Tare:

“Duke pasur parasysh një mori dokumentesh dhe sidomos një prej takimeve të nivelit të lartë ndërmjet amerikanëve dhe UDB-së në vitin 1954, unë mendoj se kjo hipotezë (“kujdestaria” e jugosllavëve në ngjarjet e 1991 – shën red), mund të jetë e vërtetë. Nga dokumentet e deklasifikuara deri më tani mes marrëdhënieve amerikano-jugosllave, duket se UDB-ja kishte një njohje të shkëlqyer të çështjeve shqiptare.

Deri më sot janë deklasifikuar dokumente deri në vitet 70, kur t’u vijë radha  viteve ’90, me siguri që do të kemi një pamje më të mirë të ngjarjeve të asaj kohe, por deri atëherë qëndron pyetja legjitime: Kush erdhi në pushtet pas vitit 1991? Elita komuniste? Bejlerët e rrëzuar? Apo ndonjë tjetër?”.

Please follow and like us: