Erdogani do edhe më shumë pushtet
Ndryshimi i Kushtetutës dhe futja e sistemit presidencial është projekti më i rëndësishëm për presidentin Erdogan. Ai do edhe më shumë pushtet.
Parlamenti i Turqisë do të debatojë në dy javët e ardhshme mundësinë e futjes së sistemit presidencial në këtë vend. Mediat turke bëjnë të ditur se për një gjë të tillë janë të domosdoshme ndryshimet kushtetuese, që vlerësohen si një prej projekteve më të rëndësishme të presidentit Erdogan. Ndryshimet parashikojnë heqjen e postit të kryeministrit dhe forcimin e pushtetit të presidentit. Ndërtë tjera presidenti do të ishte komandant suprem i ushtrisë dhe do të vendoste për të gjitha postet e rëndësishme në ushtri. Ai do të emëronte rektorët e universitete, gjyqtarët më të lartë dhe të më shumë se gjysmën e gjyqtarëve. Kushtetuta e re do t’i mumndësonte presidentit edhe përkatësinë në ndonjë parti politike. Erdogani në këtë mënyrë do të merrte edhe zyrtarisht drejtimin e partisë së tij konservatore islamike AKP.
Kërkohen 3/5 e votave
Për fatin e këtyre ndryshimeve do të vendosë partia opozitare nacionaliste MHP, sepse për ndryshime kërkohen 3/5 e votave në parlament. Lideri i kësaj partie Devlet Bahçeli ka kërkuar që kushtetuta e re të përpunohet së bashku me AKP-në. Por disa deputetë të kësaj partie kanë bërë të ditur se do të votojnë kundër propozimeve për ndryshime kushtetuese. AKP-së i mungojnë edhe 17 vota për të votuar këto ndryshime. Ndërsa MHP ka 40 deputetë.
Në rast votimi të këtij projekti në parlament, brenda 60 ditësh do të mbahet edhe referendumi. Opozita ka bërë të ditur se do të përpiqet që me të gjitha mjetet t’i evitojë këto ndryshime, sepse ato e mundëojnë përqendrimin e të gjithë pushtetit në duart e Erdoganit. Në sondazhet e fundit të bëra nga AKP-ja, rreth 45 % e qyetarëve janë për ndryshime kushtetuese. Ndërsa për miratimin e ndryshimeve në referendum kërkohet shumica absolute (50% plus një votë).
Dekretet e Erdoganit kundër diasporës
Fundjavën e kaluar Erdogani ka nxjerrë disa dekrete, me të cilat e ka zgjeruar pushtetin e policisë, në mënyrë që të luftojë edhe më ashpër kundërshtarët e tij dhe kritikët në rrjetet sociale. Njëkohësisht nga puna janë larguar edhe 8.400 nëpunës, ndër ta edhe policë, nëpunës në ministrinë e Drejtësisë dhe profesorë universiteti. Me një dekret tjetër ai i ka kërcënuar turqit që jetojnë jashtë vendit se do t’ua marrë nënështetësinë, në qoftë se kundërshtojnë të japin deklarata para gjykatave turke.