Hapet gara për anëtarët e KLGj dhe KLP
Kuvendi çeli të hënën garën për anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), në kuadër të riorganizimit që do të pësojnë institucionet e sistemit gjyqësor me miratimin e reformës në drejtësi.
“Bazuar në nenet 276 dhe 279 të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, gjyqtarët dhe prokurorët e interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, brenda datës 16 janar duhet të depozitojnë pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit një kërkesë ku shprehin interesin për të kandiduar, si dhe një kopje të dokumentacionit që kërkohet për rivlerësimin, sipas ligjit të Vettingut”, thuhet në njoftimin zyrtar të parlamentit.
KLGJ-ja dhe KLP-ja janë dy nga katër organet e reja që parashikohet të ngrihen, bazuar në ligjin “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë”, një nga shtatë ligjet mbështetëse të reformës në drejtësi.
Ligji në fjalë parashikon një ndryshim thelbësor të rolit të organit që qeveris gjyqësorin, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i emërtuar rishtasi si Këshilli i Lartë Gjyqësor. Ndryshimet kryesore në funksionimin e këtij institucioni kanë të bëjnë me numrin e anëtarëve, nga 15 që është aktualisht në 11; me procedurën e zgjedhjes së tyre, etj.
Partia Demokratike ka ankimuar më 21 dhjetor në Gjykatë Kushtetuese ligjin ‘për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë’ dhe konkretisht kapitujt ku parashikohet ngritja e KLGJ-së dhe e KLP-së, duke argumentuar se përzgjedhja e anëtarëve të dy institucioneve është antikushtetuese.