Albspirit

Media/News/Publishing

Mallkimi indian që “vrau” 7 presidentë amerikanë

Duke filluar nga presidenti William Henry Harrison në vitin 1840, e deri në 120 vitet e ardhshme, çdo president amerikan i cili u zgjodh gjatë vitit ku numri i fundit ishte 0 (zero), ka vdekur gjatë mandatit të tij presidencial. Sipas një legjende, kjo ndodhi shkaku i mallkimit të magjistarit indian i cili e nëmi Harrisonin, sepse ky i fundit me mashtrime ia vodhi tokat fisit Shauni (Shawnee). Gjithçka nisi në vitin 1809, kur për shkak të këtij mashtrimi, fisi i sipërpërmendur indian nisi luftën kundër agresorit, luftë që më vonë njihet si Lufta Tecumseh, e që mbante emrin e kryeplakut të fisit (që në përkthim i bie: Ylli që bie). Qëllimi i tyre ishte ndalja e përparimit të mëtejshëm të racës së bardhë në Perëndim të Amerikës së Veriut. Në vitin 1811 u zhvillua një betejë e madhe në vendin e quajtur Tippecanoe, ku forcat amerikane – nën komandën e Harrisonit – korrën fitore dhe si triumf udhëheqësit ushtarak amerikan iu dha nofka “Tippecanoe i Vjetër”. Megjithatë, pas betejës, vëllai i Tecumsehit, Tenskwatawa (që fillimisht quhej Lalawethika, që në përkthim i bie: Ai që bën shumë zhurmë) e lëshoi një nëm. Tenskwatawa – i cili ishte magjistar dhe lider fetar i popullit të tij, e të cilin vendasit e cilësonin profet – evropianët i konsideroi si fëmijë të shpirtit të lig, ndërsa Harrisonin e mallkoi. Kur në vitin 1840 William Harrison kandidoi për president të SHBA-ve, ai përdori sloganin “Tippecanoe dhe Tyler – njëkohësisht” (ky i fundit – John Tyler – ishte emri i kandidatit për zëvendëspresident të shtetit). Në atë kohë ishte edhe një këngë e famshme që mbante të njëjtin emër me fushatën. Por, për të shkurtuar këtë histori, Harrisoni triumfoi në zgjedhje dhe hyri në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit 1841. Tri javë më vonë ai u ftoh. Besohej se shkak për këtë ishte moti i keq gjatë inaugurimit në postin e presidentit. Gjendja e tij u përkeqësua edhe më shumë, ndërsa për shkak numrit të madh të obligimeve ai nuk mundi të shërohej plotësisht. Harrison vdiq nëntë ditë më vonë, në ora 00:30, më 4 prill 1841. Në 120 vitet e ardhshme, çdo president amerikan i cili fitoi zgjedhjet në vitin që përfundonte me numrin zero, vdiq gjatë mandatit presidencial (për më tepër, është vetëm një president amerikan që vdiq gjatë mandatit, e që nuk u zgjodh në vitin me zero, e ai ishte Zachary Taylor që po ashtu luftoi kundër Tecumsehit më 1812), transmeton Telegrafi. I pari rast i tillë ishte ai i Abraham Lincolnit, i cili u zgjodh në vitit 1860, ndërsa u vra në fillim të mandatit të dytë presidencial. Pastaj e njëjta ndodhi me James Garfieldin, që u zgjodh në vitin 1880, ndërsa u vra në shtator të vitit të ardhshëm – në muajin e nëntë të mandatit të tij. Pastaj, në vitin 1900, president u zgjodh William McKinley, i cili e kishte fatin e njëjtë si Gardfild.Në vitin 1920, Warren G. Harding fitoi, ndërsa besohet se vdiq nga një sulmi në zemër ose në tru në vitin 1923. Franklin Roosevelt që fitoi mandatin e dytë në vitin 1940, vdiq duke shërbyer gjatë mandatit të katërt. Në vitin 1960 për president u zgjodh John F. Kennedy, i cili dy vjet e gjysmë pas inaugurimit u vra në Dallas të SHBA-ve. Së fundi, rendi i erdhi edhe Ronald Reaganit, i cili u zgjodh në vitin 1980. Vetëm disa muaj pas hyrjes në Shtëpinë e Bardhë, dështoi një përpjekje për vrasjen e tij, ku u plagos rëndë. Ai mbijetoi. Ndërsa, gjatë kryerjes së mandatit presidencial e mundi edhe kancerin. Është interesante se si guvernator i Kalifornisë, para se të bëhej njeriu më i fuqishëm në botën perëndimore, Reagan refuzoi të lejonte ndërtimin e një dige të madhe që përmbyste një rezervat të tërë indian. Këtë vendim ai e arsyetoi duke thënë se “deri tash kanë shkelur shumë marrëveshje me indianët”. Nëse mallkimet ndonjëherë ishin të vërteta dhe nëse besoni në gjëra të tilla, mbase mund të mendoni se kjo ishte arsyeja pse shpirti i Tenskwatawa vendosi t’ia hiqte nëmën Reaganit. Duhet theksuar se presidenti tjetër amerikan i cili u zgjodh në vitin 2000, ishte George Bush Jr. Në vitin 2005 ai po ashtu i shpëtoi një përpjekjeje për atentat, kur një bombë – në të cilin edhe presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, u gjuajt nga një fanatik gjeorgjian – çuditërisht nuk shpërtheu edhe pse ishte aktive.

Please follow and like us: