Një president i ve në Shtëpinë e Bardhë
Gjenerali Endrju Xhekson (Andrew Jackson) triumfoi në zgjedhjet presidenciale të 1828 përmes një fushate elektorale të ashpër. Shumë baltë u hodh mbi kandidatin që kishte fituar zemrat e popullit amerikan. Gjenerali Endrju Xhekson ishte Heroi i betejës historike të Nju Orleansit, fitorja e të cilës shpëtoi pavarësinë e SHBA.
Por triumfi i tij qe tragjik. Pak para se të inagurohej si president i SHBA, gruaja e tij e shtrenjtë vdiq nga një atak masiv në zemër.
Nuk vdiq nga gëzimi, por i plasi zemra nga një hidhërim i mbledhur 40 vjeçar, të cilin s’e mundi dot.
Dy fjalë nga historia
Edhe 30 vjet pas shpalljes së pavarësisë së SHBA, (1776), Britania e madhe e ruante të nxehtë ndjenjën e hakmarrjes ndaj Amerikës që i kishte ikur nga duart. Pasi u çlirua nga luftrat në Evropë, u angazhua sërish në luftë me SHBA , e vendosur për ta kthyer atë në gjendjen e mëparshme, dmth në gjendjen koloniale. Lufta kundër Britanisë së madhe, (1812-1815) për nga rëndësia e saj konsiderohet si lufta e dytë e amerikanëve për të mbrojtur pavarësinë e vendit .
Me zbarkimin e trupave angleze në Merilend dhe marshimin e tyre drejt kryeqytetit të vendit Uashington DC, njerëzit nxituan ta braktisnin atë, si një vend pa zot. Në ato momente kritike, kujtesa njerëzore ka përcjellë figurën e Dolli Medison, gruas se presidentit Xhejms Medison, e cila shpëtoi nga Shtëpia e Bardhë, një portret të Xhorxh Washingtonit dhe dokumenta të rëndësishme, për të mos rënë në duart e anglezëve. Ushtria britanike i vuri zjarrin Shtëpisë së Bardhë (këtë emër e mori pas restaurimit) dhe godinës së Kongresit amerikan. Krenaria amerikane mori një goditje të rëndë. Por anglezët nuk e dinin që në marshimin drejt jugut, në Luizianë i priste gjenerali Endrju Xhekson. Fitorja e Betejës së Orleansit ndaj ushtrisë britanike, thyerja e Anglisë në përmasa të mëdha qe vendimtare në mbrojtjen e pavarësisë së Amerikës. Amerikanët nuk flisnin për asgjë tjetër veçse për këtë fitore të madhe. Xhekson fitoi famë në të gjithë Amerikën si Heroi kombëtar. ( Siç thuhej,ai ishte hero me H të madhe) Kishte shpëtuar pavarësinë e Amerikës, kundrejt një pushtim i dytë nga Britania e madhe. Populli e krahasonte Xheksonin me Xhorxh Washingtonin.
…Endrju Xhekson mbeti jetim që në moshën 14 vjeç. Fati e privoi nga dashuria e prindërve në një moshë delikate. Jeta e bëri të ashpër, trim të çartur dhe po aq neglixhent, deri atë ditë që vendosi të vazhdojë studimet për t’u bërë avokat. Pas kësaj, udhëtoi për në West, në Nashville, Tennesee, për të provuar mundësitë që i jepte ai vend në profesionin e vet. Këtu ai takoi të bukurën e njerëzoren Rejçëll (Rachel). Rejçëll ishte e martuar dhe për shkak të natyrës së saj të butë, të qeshur e talentit që manifestonte në ditët festive, të gjithë e e admironin dhe vlerësonin .Në të kundërtën , i shoqi bëhej shumë xheloz dhe abuziv. Ai e keqtrajtonte. Ato kohë sado të vuante gruaja nga keqtrajtimi i burrit, divorci ishte diçka që nuk ndodhte kollaj. Endrju iu bë shok e mbështetje gruas së re dhe përfundimisht ra në dashuri me të. Rejçëll dhe Endrju u rrëmbyen dhe u larguan nga ai shtet. Më pas u kthyen sërish dhe familja e saj e pranoi Xheksonin si njeri të shtëpisë. Ish bashkëshorti i saj kishte bërë kërkesën për divorc duke e akuzuar për tradhëti bashkëshortore,mirëpo procesi i divorcit ende nuk kishte përfunduar, gjë që ata të dy nuk e dinin. Kështu, në sytë e opinionit Rejçëll ishte një grua që kishte tradhëtuar të shoqin dhe njëkohësisht bashkëjetonte me një tjetër(Endrjun). Ajo u akuzua për bigami. Kjo njollë turpi e ndoqi gruan për afro dyzet vjet rresht. Ndërsa Endrju Xhekson ngjiti shkallët e karierës së vet, arriti lavdinë e respektin, kundërshtarët e tij politikë nuk linin rast pa e sulmuar moralisht si një burrë që i kishte marrë gruan një tjetri, dhe të shoqen, gjatë fushatës së tij për president, e quajtën si një grua pa moral për të cilën nuk mund të kishte vend në Shtëpinë e Bardhë. Xheksonin e “akuzonin” për tipin e tij të rrëmbyer dhe mungesë të kontrollit të vetvetes, duke e bërë këtë si argumentin kryesor që mund të shkatëronte integritetin e Republikës dhe institucioneve të saj. Publiciteti i emrit të Rejçëll për një çështje shumë private e zhyti atë në depresion. Ajo i pat thënë një mikeshe “Unë më mirë bëhem roje në portën e Zotit, se jetoj në atë pallat në Washington.” Asaj nga natyra nuk i pëlqente të ishte në qendër të vëmendjes. Rejçëll e paralajmëroi Xheksonin se kishte frikë që fama që kishte marrë pas fitores së Nju Orleansit dhe popullariteti i madh (që krahasohej me atë të Xhorxh Washingtonit) do ta bënte që një ditë ai të vlerësonte lavdinë e tij, mbi familjen.
Gjithësesi, gjatë fushatës presidenciale, Rejçëll nuk dinte shumë se ç’bëhej dhe as akuzat që i ngrinin të shoqit, sepse atë kohë ajo nuk banonte në Washington D,C. Kur Endrju Xhekson u zgjodh president , Rejçëll shkoi në Washington DC, dhe filloi të përgatiste veshjen për ditën e inagurimit. Aty mësoi të tëra epitetet me të cilat opinioni e kishte veshur atë dhe të shoqin. Pas gati dyzet vjet martese, dashurie dhe devotshmërie për të shoqin, në mëndjet e liga ende ruhej i freskët divorci dhe historia e dashurisë së saj me Endrjun. Armiqtë politikë të së shoqit kishin gërmuar dokumentat e divorcit, kaq kohë të shkuara, dhe ‘zbuluan’ që gruaja e Xheksonit paska qenë tradhëtare dhe bigamiste! Kjo ishte shumë e rëndë për të. Rejçëll nuk mbajti dot më. Vdiq nga një atak masiv në zemër, në prag të Krishtlindjeve. Endrju nuk mund ta besonte vdekjen e saj. I lutej doktorit të bënte diçka se Rejçëll nuk kishte vdekur. Humbja e gruas qe e papërballushme për Endrju Xhekson. Ai fajsoi kundërshtarët e tij politikë për vdekjen e gruas së dashur, duke deklaruar: ” Ata që që e vranë Rejçëll të shohin nga Zoti për mëshirë. Zot i madh, fali vrasësit e saj, siç do t’i falte ajo. Por unë, kurrë!’
Zonjën e parë të vendit e veshën me fustanin e bardhë që kishte prerë për ditën e inaugurimit.
Për Endrjun, Rejçëll qe dashuria e tij më e madhe. I mbetur jetim që në fëmijëri, Rejçëll i solli atij paqe, ngrohtësinë e familjes e lumturi në jetë. Ata e vuanin shumë mungesën e njeri-tjetrit kur Xhekson largohej për arsye pune, dhe i lumturoheshin ditëve që kalonin bashkë. Ata ishin tek të 60 -tat dhe kishin kaluar një jetë të tërë si njerëz të respektuar. Vdekja e Rejçëll ndodhi pak kohë para se ai të hynte në Shtëpinë e Bardhë. Njerëzit prisnin “një mbrëmje festive triumfi”, por Endrju ishte i zhytur në trishtim. Për muaj të tërë Endrju Xhekson qëndroi larg, mënjanë, e i mbyllur .
Megjithatë, me presidencën e Endrju Xheksonit filloi një periudhë e re në të cilën populli dhe jo elita , ishte forca udhëheqëse në politikën amerikane. Në vitet e Xheksonit demokracia lulëzoi në Amerikë. Ai kishte një personalitet të fuqishëm, trimëri të dukshme dhe një lidhje magjike me popullin. Endrju Xhekson ndryshoi vendin duke u përballur me vështirësi të reja brenda dhe jashtë . Ai eliminoi në administratë çdo gjë që e shikonte të dëmshme për mirëqënien e popullit.
Qe një presidencë e një presidenti të fortë, me autoritet dhe njerëzor, që në mëndje e në zemër ruajti çdo ditë kujtimin e gruan së tij të shtrenjtë.
Presidenti Xhekson u varros në të njejtin varr me Rejçëll. Ishte 8 Qershor 1845. Mbi pllakën e varrit u shkrua thjesht: “Gjeneral Endrju Xhekson. Lindur 15 mars1767 .Vdiq 8 qershor, 1845.