Presidenti Obama shikohet pozitivisht nga shumica e amerikanëve
Një anketim i ri tregon se shumica e amerikanëve kanë pikëpamje pozitive për Presidentin Barack Obama ndërsa po largohet nga detyra. Por, shumica e amerikanëve mbeten të ndarë për sa i përket trashëgimisë së tij. Më pak se gjysma e amerikanëve thonë se ata janë më mirë tetë vjet pas zgjedhjes dhe se ai e bashkoi vendin.
Anketimi i kryer nga agjensia e lajmeve Associated Press dhe Qendra Kërkimore për Çështjet Publike hedh dritë mbi një nga kontradiktat thelbësore të presidencës Obama. Në përgjithësi, amerikanët shprehen pozitivisht për presidentin Obama,por ai nuk ka arritur ta shfrytëzojë këtë popullaritet për të përmbushur objektivat e tij.
57% e amerikanëve u shprehën pozitivisht për presidencën Obama, ndërsa 37% u shprehën negativisht. Këto shifra ndryshojnë nga anketimet e dhjetorit 2014, kur demokratët humbën kontrollin e Senatit, dhe vetëm 41% e amerikanëve ishin shprehur pozitivisht për zotin Obama.