Që paqja të mos ngelet si interval mes dy luftërave
Më 25 mars të vitit 1957, personalitetet politike të gjashtë vendeve evropiane, u mblodhën në Romë për të hedhur gurin e parë të themelit, të atij që më vonë u shndërrua në Bashkimin Evropian. Nënshkrimi i Traktateve të Romës do të mundësonte krijimin e Komunitetit Ekonomik Evropian dhe krijimin e Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike.
Nënshkrimi i tyre, vinte pas një sërë dështimesh dhe tentativash për një integrim evropian në fusha të ndryshme. Përpjekjet për t’u bashkuar ishin të shumta, po ashtu edhe dështimet. Më i rëndësishmi prej tyre, ishte Komuniteti Evropian i Mbrojtjes, që dështoi pas refuzimit francez në vitin 1954. Dështimi i vitit 1954, kishte bërë që Franca të shfaqej politikisht më e angazhuar, në vitet e mëpasshme, për të shmangur mundësinë e një dështimi të dytë. Qeveria franceze e Molesë, do të spikaste në ndërmarrjen e negocimeve të dyfishta. Nga njëra anë, negocimet ishin intensifikuar me palën gjermane, për të integruar në marrëveshje interesat e saj kombëtare, që preknin si fushën e agrikulturës, por edhe përfshirjen në interesat financiare të perandorisë së saj koloniale. Dhe nga ana tjetër, negocimet e brendshme kombëtare, synonin të bindnin sa mjedisin ekonomik mbi shanset e padiskutueshme që do të vinin me dhënien fund të proteksionizmit, por edhe klasën politike, që të arrihej shmangja e një dështimi të dytë.
Ndërkohë që vështirësia shtrihej tek Franca, Gjermania e asaj kohe dominohej nga një shumicë pro-evropiane, ku interesat kombëtare drejt integrimit evropian ishin shumë të qarta, për të gjitha palët. Italia shfaqej gjithashtu e ndërgjegjshme, mbi nevojën për një rilindje ndërkombëtare, por edhe të një nevoje për fuqizim ekonomik të vendit. Ndërsa vendet e Beneluksit, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu që në fillesat e projekteve, kanë qenë të pozicionuara tërësisht pro idesë dhe bashkimit të Evropës.
Me nënshkrimin e Traktateve të Romës, një kapitulli i ri politik po hapej në historinë evropiane, duke i dhënë fund epokës së luftërave absurde nacionaliste mes kombeve evropiane. Kapitull, që u hap falë zhvillimit të ndërgjegjes mbi rëndësinë, që kishte bashkimi dhe bashkëpunimi. Nëpërmjet një bashkimi fillestar të administrimit të çelikut dhe qymyrgurit, lëndës së parë që shërbente në zhvillimin e industrisë së luftës, Evropa arriti që brenda një gjysmë shekulli, jo vetëm t’i kthejë kurrizin me sukses luftërave dhe gjakderdhjeve shekullore, por mundi të shkruajë kapituj të paimagjinueshëm historie mes paqes dhe bashkëpunimit. Duke arritur të ndërtojë një kuadër politik institucional, ekonomik dhe financiar krejtësisht të paimagjinueshëm, 60 vite më parë.
Do të ishte nënshkrimi i këtyre traktateve, që hodhi gurin e parë të themelit juridik dhe politik drejt Evropës së bashkuar. Dhe në preambulën e këtyre traktateve, gjashtë vendet themeluese të Unionit, nuk do të linin pa theksuar edhe objektivat e tyre politikë, “Konsolidimi dhe ruajtja e paqes dhe e lirisë” si edhe “Krijimi i bazave të një Unioni gjithnjë e më të ngushtë, mes popujve evropianë.”
Është pikërisht përkujtimi i këtij 60 vjetori të bashkimit dhe hedhjes së themeleve evropiane, ku pritet që drejtuesit e politikës evropiane, të japin impulse të reja për një zhvillim të mëtejshëm, apo edhe më të thelluar në lidhje me projektin evropian. Konteksti i krizave të shumëfishta dhe ikja e Britanisë së Madhe, ka rritur presionin për një ri-dimensionim të projektit evropian. Alternativa, që tashmë vjen e skicuar prej kohësh është Evropa e dy shpejtësive, që do të bëjë të mundur ndarjen në dy grupime të vendeve të Unionit, sipas dëshirave që ata kanë për integrim më të thelluar të natyrës federale, apo një integrimi më sipërfaqësor. Në mënyrë që vullnetet politike frenuese të vendeve të ndryshme evropiane, të mos pengojnë një integrim më të thelluar, mes vendeve që e aspirojnë këtë.
Por, përveç skicimit politik të Evropës së dy shpejtësive, që tashmë është një projekt politik që synohet nga vendet me peshën më të madhe në Union, një interes të veçantë shfaq edhe mendimi apo opinioni i qytetarëve evropianë në këtë drejtim. Çfarë mendojnë qytetarët evropianë në lidhje me krijimin e mundshëm të një Evrope ku shtetet mund të kategorizohen në dy grupime, sipas interesave që shfaqin ndaj integrimit evropian dhe çfarë ndjesie kanë ata në lidhje me 60 vjetorin e Traktateve të Romës ?
Jo rastësisht, gjatë muajit dhjetor kemi edhe publikimin e dy sondazheve Eurobarometër, special (EB-451 “E ardhmja e Evropës”) dhe standard (EB-86 ) ku një pjesë e tyre fokusohet jo vetëm tek Traktati i Romës, por edhe tek krijimi i Evropës së dy shpejtësive.
Së pari, interes të veçantë ngjall ndjesia, që kanë qytetarët evropianë në lidhje me Traktatet e Romës. Atyre iu është kërkuar që të zgjedhin në një listë prej 12 fjalësh, fjalën e parë dhe të vetme që iu vjen ndër mend, kur mendojnë për përvjetorin e 60-të të Traktateve të Romës.
26% e të pyeturve kanë deklaruar se nuk u vjen asgjë ndër mend.
Po në këtë nivel pra 26%, kanë deklaruar se, ky përvjetor i sjell ndër mend fjalën “shpresë”; në vend të tretë me 12% renditet fjala “kënaqësi”; pas saj vijnë me 8% secila fjala “shqetësim” dhe fjala “zhgënjim”; më shumë se 7% ky përvjetor iu sjell ndër mend fjalën “krenari” dhe 3% e tyre kanë zgjedhur fjalën “trishtim”; ndërsa 9% kanë deklaruar se nuk e dinë.
Gjithsesi, në të 28 vendet e BE-së, shumica e personave të pyetur vlerësojnë se, Traktatet e Romës janë një ngjarje pozitive në historinë e Evropës. Përqindjet më të larta në këtë vlerësim, janë regjistruar në Luksemburg (91%), në Holandë (89%) Në Suedi (89%), në Irlandë (81%) dhe në Belgjikë (80%). Ndërsa përqindjet më të ulëta janë vëzhguar në Republikën Çeke, Britaninë e Madhe (59%) në Itali (60%) dhe në Austri (63%).
Ndërsa, në lidhje me Evropën e dy shpejtësive, opinionet e qytetarëve evropianë shfaqen të dyzuara. Në Eurobarometrin special atyre iu ofrohen dy deklarime, dhe pyeten se cila prej këtyre deklarimeve, vjen më afër preferencave të tyre personale: “Ato vende, që janë gati të intensifikojnë zhvillimin e politikave të përbashkëta evropiane në disa fusha të rëndësishme, duhet ta bëjnë këtë pa iu dashur të presin për të tjerët, apo duhet të presin deri sa të gjithë vendet anëtare të BE-së, të jenë gati për këtë.
Thuajse gjysma e tyre, 47% kanë deklaruar se vendet që janë gati të intensifikojnë zhvillimin e politikave të përbashkëta evropiane, në disa fusha të rëndësishme duhet ta bëjnë këtë, pa pritur për të tjerët. Kjo prirje, vërehet në 20 shtete anëtare, ku përqindjet më të larta i shfaq Holanda, Letonia dhe Suedia. Ndërsa 41% e tyre mendojnë se vendet, që janë gati, duhet të presin deri sa të gjithë vendet e tjera të BE-së të jenë gati. Prirje e vëzhguar kryesisht në Spanjë, Portugali, Greqi, Bullgari, Rumani, Poloni, Britani e Madhe dhe Irlandë. Në Itali opinioni shfaqet i ndarë 44% me 44%. Gjithsesi, duhet kuptuar që edhe në momentet e krijimit të Komunitetit Ekonomik Evropian, me nënshkrimin e Traktateve të Romës, sondazhet e atëhershëm të opinionit publik flisnin për frikë dhe hezitim të konsiderueshëm për këtë bashkim.
Evropa e dy shpejtësive, apo siç konsiderohet rëndom nga kundërshtuesit e saj, Evropa e dy klasave, në thelb është një projekt me frymëzim federal, që synon thellim politik dhe ekonomik, duke nënkuptuar lëshime të tjera të kompetencave kombëtare drejt atyre evropiane. Skicimet paraprake flasin për një grupim me vendet që tashmë gjenden në Eurozonë. Ikja e Britanisë së Madhe, ka shmangur dhe një kundërshtuese të madhe të këtij projekti, që nuk shfaqej e vetme, por mbështetej edhe nga një sërë vendesh të tjera, si V4, apo Danimarka dhe Suedia. Thelbi i kundërshtimit prekte funksionimin demokratik të Unionit, pasi ngrihej mbi frikën se, krijimi i një Evrope të dy kategorive, do t’i japë një fuqizim të konsiderueshëm grupimit kryesor të vendeve të Eurozonës, duke e shndërruar grupimin e dytë, në një ndjekës dhe viktimë të pakontestueshme të vendimmarrjeve politike të grupimit të parë, pasi përjashtohet automatikisht nga procesi i vendimmarrjes. Presionet me në krye Britaninë e Madhe, për të frenuar këtë proces, kanë pasqyruar edhe propozime rivalizuese për krijimin e një grupimi paralel, ku mund të aderojnë vendet që nuk janë pjesë e Eurozonës.
Historiku i integrimit evropian dhe zgjerimi i vazhdueshëm i Unionit, kanë konfirmuar se vështirësive, që shfaq arkitektura institucionale jashtëzakonisht e komplikuar e BE-së, i janë shtuar edhe problematikat e vullneteve, shpeshherë krejtësisht të papërputhshme të 28 vendeve të saj anëtare. Në rast të një zgjerimi drejt BE-32, apo BE-36, ky funksionim pritet të shkojë drejt formave paralizuese. Nga ku Evropa e dy shpejtësive, shfaqet si opsioni i vetëm, që mund të nxjerrë Unionin nga kriza e mos funksionimit dhe të përputhë ambiciet e vendeve anëtare, me nivele të ndryshme integrimi. Skicimi paraprak i Evropës së dy shpejtësive, mund të profilizohet edhe në një zgjerim akoma më strategjik, duke përfshirë edhe kategori të tjera, brenda një Unioni të madh por me disa rrethe funksionuese. I rëndësishëm mbi të gjitha ngelet vazhdimi i bashkëpunimit dhe ndërgjegjësimi se, në rast se ky bashkëpunim nuk thellohet, ai rrezikon të zgjerojë skemën e paralizisë.
DITA