Shqipëria ka humbur më shumë njerëz nga emigracioni sesa Siria
Gjatë 25 viteve të fundit 1 milionë e 120 mijë shqiptarë kanë emigruar. E thënë ndryshe rreth 28% e popullsisë shqiptare është detyruar, për një arsye apo tjetër, të largohet nga vendlindja e vet. Në bazë të kësaj të dhëne, Shqipëria është ndër 3 vendet e para në botë me “humbjen” më të madhe të popullsisë nëpërmjet emigracionit. Madje në raport popullsie, Shqipëria ka më shumë humbje të popullsisë sa edhe vetë Siria, e cila është prej disa vitesh në gjendje të vazhdueshme lufte,raporton BW.
Ndërsa, vendi i parë në botë që ka numrin më të madh të emigrantëve në raport me popullsinë është Bosnje-Hercegovina. Këto të dhëna janë publikuar nga agjencia e statistikave “Pew Research Center”, duke përdorur të dhënat e vitit 2015 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ndërkaq, ajo që vlen të theksohet është fakti se ky emigrim kaq i theksuar i popullatës shqiptare krijon një hemorragji të kapitalit njerëz, që është burimi më i rëndësishëm për zhvillimin e një vendi. Kapitali njerëzor mund të përkufizohet si aftësitë, talenti dhe dija, që i japin mundësi krijuese njeriut, duke e materializuar në të mira ekonomike etj që i vlejnë njeriut.