Albspirit

Media/News/Publishing

Uashingtoni reflekton rreth raportit të shërbimeve të zbulimit

Me më pak se dy javë deri në inaugurimin e presidentit të ri, Uashingtoni është ende duke reflektuar rreth raportit të agjensive amerikane të zbulimit. Në tekstin e këtij raporti paraqiten akuzat më të forta dhe të detajuara deri më sot se Rusia përdori sulme kibernetike dhe taktika të tjera për të ndërhyrë në zgjedhjet e muajit nëntor, që u fituan nga Donald Trump.

Ndërsa bëhen përgatitjet e fundit për ceremoninë më të rëndësishme të Uashingtonit dhe procesin e transferimit të pushtetit, vazhdojnë reagimet rreth raportit të agjensive amerikane të zbulimit se Presidenti rus Vladimir Putin drejtoi një fushatë kibernetike që synonte nxitjen e fitores së Donald Trump.

“Raporti është shumë i qartë. Më e rëndësishmja, rusët u përpoqën të ndërhyjnë tek procesi zgjedhor. Sulmi kibernetik që u bë nga rusët ishte pjesë e fushatës së tyre që pati një preferencë të qartë për rezultatin e zgjedhjeve,” tha Presidenti Barack Obama.

Presidenti Obama tha se ai e nënvlerësoi aftësinë e një qeverie të huaj për të ndërhyrë në procesin demokratik amerikan:

“Rusët synuan të ndërhynin dhe e bënë këtë.”

Presidenti i zgjedhur Donald Trump u informua të premten për raportin. I pyetur nëse zoti Trump i pranon gjetjet e raportit, këshilltarja e tij e lartë KellyAnne Conway, i tha kanalit NBC se Rusia nuk pati sukses dhe se zoti Trump fitoi ndershmërisht dhe qartësisht. Zoti Trump shkroi vetë në Twitter se raporti i zbulimit deklaron se nuk pati asnjë lloj prove që sulmi kibernetik të ketë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.

Shefat e shërbimeve të zbulimit dëshmuan javën e kaluar se Rusia nuk ndërhyri në rezultatet zgjedhore, por se nuk gjykonin dot nëse veprimet e Moskës ndikuan në mënyrën se si votuan amerikanët.

Ndërkohë, premtimit të zotit Trump për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA – Rusi mund t’i kundërvihen veprimet dypartiake në Kongres.

“Nuk ka asnjë dyshim, asnjë, se rusët thyen, sulmuan dhe vodhën informacione që i përdorën si mjet armiqësor kundër Shteteve të Bashkuara dhe neve na duhet t’u vendosim sanksione edhe më të forta,” tha senatori demokrat, Richard Blumenthal.

“Nuk ka asnjë dyshim që rusët e bënë këtë, por radhës tjetër mund ta bëjnë iranianët apo kinezët. Këtë herë e pësuan demokratët dhe nesër do ta kenë radhën republikanët, nëse nuk e ndalojmë këtë,” tha senatori republikan, Lindsey Graham.

Rusia ka mohuar vazhdimisht çfarëdolloj roli në sulmin kibernetik apo nxjerrjen e informacioneve të burimeve të Partisë Demokrate.

Please follow and like us: