Albspirit

Media/News/Publishing

Bujqësia, qoka e radhës!

Prof. Dr Dritan LAÇI

Në këto ditë të ftohta ku çdonjëri përpiqet të rrijë ngrohtë në shtëpi më doli në ekranin e televizorit Ministri Bujqesise e ca të tjerë të cilët kishin dalë në Kavajë për gripin e shpendve. Të them të drejtën në fillim mendova “e hëngrëm edhe ne” pasi për vitin  2016 u raportuan shpërthime epidemike të gripit në Austri, Danimarkë, Francë, Gjermani, Hungari, Hollandë, Poloni, Suedi. Kjo situatë i ngjason pak a shumë asaj të vitit 2015 kur një virus i ngjashëm me këtë aktualin shkaktoi epidemi në 6 vende europiane. Meqënëse informacioni për gripin e shpendëve ka qenë sporadik dhe joprofesional, po dua të informoj se gripi i shpendëve është sëmundje infektive e shkaktuar nga viruset e Tipit A. Ekzistojnë edhe viruset e tipit B dhe C por që nuk i prekin shpendët. Grupi i tipit A është virus që klasifikohet në dy lloje: me patogjenitet të lartë (H5N8) dhe viruse me patogjenitet të ulet (H5N8).

Në shtator të 2016, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) dhe Kombet e Bashkuara, pas zbulimit të virusit në Rusi ngritën alarmin për mundësinë e futjes së virusit të gripit të shpendit (HPAI H5N8) me patogjenitet të lartë në Europë. Rruga e mundshme e futjes në Europë u supozua rrugëtimi migrator i zogjve shtegtar (rosa, pata, mjelma etj) drejt Europës për të dimëruar.  Nga 30 tetori i 2016 deri më 6 dhjetor të 2016, 13 vende Europiane (Austria, Kroacia, Danimarka, Finlanda, Gjermania, Hungaria, Hollanda, Polonia, Rumania, Rusia, Serbia. Zvicra dhe Suedia) kanë raportuar identifikimin e virusit të gripit me patogjenicitet të lartë (H5N8) në zogjtë e egër dhe ne kafshët e kopshteve zoologjike. Që nga sinjalizimet e para në tetor virusi është shpërndarë me shpejtësi në Europën Qendrore dhe në shumicën e rasteve virusi ka prekur zogjtë e egër të ujit, por edhe zogjtë grabitqar që ushqehen me shpendët e ngordhura si pasojë e gripit të shpendëve.

Ndërkohë vendet e fundit Europiane që deklaruan prezencën e virusit H5N8 janë Greqia dhe Bullgaria si dhe vendet fqinje Mali i zi dhe Maqedonia. Për sa i përket vendeve fqinje në zonën e Podgoricës është identifikuar virusi (H5N5). Mbas këtij shpjegimi, për Shqipërinë  është veshtirë të shkruash dhe situata për virusin e gripit të shpendëve H5N8 është një enigmë.

Ministria e Bujqësisë dhe autoritetet që i mbajnë iso, lajmërojnë se kanë ndaluar importin e kafshëve të gjalla nga vendet e prekura, dhe deklarojnë se kanë marrë masat përkatëse.

Për sa i përket masave përkatëse askush nga të interesuarit e sektorit të shpendarisë nuk ka marrë informacione të detajuara mbi masat që duhet të praktikojnë që të ulin sa më shumë rrezikun e infektimit të shpendëve të mbarështruar për vezë apo mish.

Nuk rezulton asnjë informacion mbi numrin e shpendëve të egër të analizuar sidomos nga zonat me vendet fqinje ku tashmë është vërtetuar prezenca e virusit. Nuk ekziston asnjë informacion se sa ferma shpendësh janë vlerësuar, me çfarë testesh dhe me çfarë rezultatesh. Nuk rezulton asnjë informacion se çfarë masash duhen ndërrmarë nga autoritetet përkatëse, fermerët në rast dyshimi apo shpërthimi epidemie.

Ajo që shohim është analoge me situatën që ndodhi me LSD në gjedh. Ministria deklaron se e ka mundur virusin pasi virusi bëri kërdinë. Gjithashtu deklaron se do zhdëmtohen fermerët me një fond prej 3 milion eurosh. Kjo katastrofë ekonomike mund të shmangej me një fond 10 herë më të ulet duke vaksinuar në kohë bagëtinë dhe duke ndërmarrë një fushate sensibilizimi të përshtatshme. I kujtojmë ministrit se 3 milion eurot janë të taksapaguesve dhe në vend që të përdoren për dëmshperblime si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga një shërbim veterinar totalisht i ç’organizuar dhe i paaftë mund ti jepeshin fermerëve si ndihma për të ndihmuar bizneset në prag të falimentimit.

Sigurisht, që pas festave duhet të intensifikohen vizitat por jo aty ku duhet si në pikat doganore ku gjithçka mungon por në ferma, në zemër të Shqiperisë, Kavajë, dhe kjo për shoë elektoral. Me ndezjen e motorrëve elektorale mbase LSI do ti duhet të shtype mbi 10 milion tesera të reja për shpendët e mbarështruar në Shqipëri. Për më teper, gjate vizitave shoë, këta drejtues vetë na tregojnë thyerje totale të rregullave higjeno-sanitare kur Minsitri na shfaqet i veshur nga koka te këmbët sipas rregullores ndërsa oborrtarët dhe kameramanët nga rruga futen nëpër stalla, duke e shumëfishuar rrezikun e infektimit të këtyre strukturave që vizitohen për qëllime propagandistike. Në një moment të tillë kur epidemia e gripit po bën kërdinë në Evropë, ministri na merr oborrtarët dhe na i fut në stalla të mbarështimit të shpendëve për të na siguruar që masat jo vetëm nuk janë marrë por po shkelen drejt për ëe drejti në emisionin e lajmeve.

Le të shpresojmë që këto ditë ministri të vazhdojë propagandën në liqenin e Shkodrës apo të Pogradecit në kërkim të zogjve shtegtarë. Të shpresojmë që me masat e marra Ministri nënkupton rritjen e kapaciteteve laboratorike të ISUV për identifikimin dhe tipizimin e viruseve të gripit që mund të kalojnë në vendin tonë. Gjithashtu kurioze është situata nëpër pikat doganore, ku perveçse kontenierave (zyrat) e shërbimit veterinar të dhuruar nga Komuniteti Europian disa vite më parë nuk ka asnjë strukturë apo mjet tjetër për kontrollin e duhur të kamionëve apo makinave që futen në territorin shqiptar nga vendet fqinje tashmë të deklaruara me Virusin H5N8. Asnje pikë doganore nuk kryen dizinfektime të mjeteve që kalojnë nëpër pikat doganore. Asnjë monitorim i zogjve shtegtar nuk është konfirmuar. Asnjë fletëpalosje nuk është shpërndarë për të informuar publikun apo të interesuarit e sektorit.

Interesi i shëndetit publik për këtë virus është tepër i lartë për faktin që këto viruse në raste të rralla mund të infektojnë edhe njerëzit. Duhet theksuar se nuk është për tu alarmuar, pasi rastet e transmetimit nga kafshët te njerezit janë shumë të rralla.  Gjithashtu mishi i shpendit, vezët apo derivatet e tyre nuk kane qenë përgjegjëse në asnjë rast deri më sot për trasmetimin e këtij virusi te njerezit. Më të rrezikuar janë ata persona që për arsye profesionale janë në kontakt të ngushtë me shpendët e sëmurë apo materialet patologjike që derivojnë nga këto shpendë ndaj ky virus duhet të mbahet nën vëzhgim për të identifikuar çdo lloj adaptimi që mund të ndodh me kalimin e kohës.

Karakateristikat e virusit H5N8 nuk sugjerojnë për ndonjë rrezik pandemik. Gjithsesi, mungesa e imunitetit te njerezit për këtë lloj virusi si dhe rritja e shpërndarjes gjeografike dhe incidenca në kafshë e justifikojnë monitorimin konstant të shpërthimit të epidemive tek zogjtë. Shqetësimet aktuale të veterinerve përfshijnë aftësitë potenciale që ka virusi për të infektuar gjitarët e tjerë si qentë apo macet: për këtë duhen shtuar përkujdesjet për të minimizuar ekspozimin e këtyre kafshëve ndaj virusit.

Please follow and like us: