Albspirit

Media/News/Publishing

Putini po rishkruan historinë e Luftës së Ftohtë

putin“Duke krijuar një realitet paralel, Putini e shfaq Rusinë si viktimë, dhe jo si agresorja që është në Ukrainë. Në një përpjekje për të shkëputur një zonë influence, ai përfiton nga ideja që Rusia u keqtrajtua nga Perëndimi pas Luftës së Ftohtë”.

Prej debatit për mënyrën si Evropa duhet të trajtojë Rusinë nuk është vënë re një përvjetor i madh: 70 vjet më parë, Çurçilli, Ruzvelti dhe Stalini u takuan në Jaltë për marrëveshjen pas lufte, pas mundjes së nazistëve. Shpesh thuhet që në Jaltë, tre të mëdhenjtë ndanë Evropën.

Në fakt, ndarja kishte ndodhur tashmë, deri në një farë mase, për shkak të përparimit të forcave sovjetike. Një gjë për të cilën ata ranë dakord ishte se, në vendet e pushtuara duhet të mbahen “zgjedhje të lira” – një premtim që Stalini nuk e mbajti kurrë, ndërsa lëvizi me shpejtësi për vendosur diktaturën komuniste kudo.

Më vonë, Ruzvelti e pranoi privatisht se ai dhe Çurçilli ishin treguar naivë dhe u mashtruan. Por në anën tjetër, një nga synimet kryesore të tyre ishte të garantoheshin që Bashkimi Sovjetik do t’u bashkohej shumë shpejt përpjekjeve kundër Japonisë: Stalini e ofroi këtë në shkëmbim të dominimit sovjetik në Evropën Lindore. Për evropiano-lindorët, Jalta është një emër vendi që u bë kod për sakrifikimin cinik të lirisë së vendeve të vogla për hir të sferës së influencës së fuqive të mëdha. Rusët, nga ana e tyre, priren të flasin për rolin e tyre si çlirimtarë. Sot, lufta në Ukrainë e ka rikthyer në Evropë debatin e “zonave të influencës”. Ka njëfarë ironie në faktin që beteja gjeopolitike mes Evropës dhe Rusisë është qendërzuar në vendin ku u mbajt konferenca e Jaltës.

Në këtë përplasje, beteja për narrativën është aq e rëndësishme sa dhe rezultati i luftës së armatosur. Vladimir Putini e ka bërë rrugë evokimin e historisë për të justifikuar veprimet e tij. Në një fjalim të mbajtur në mars 2014, ai e përshkroi aneksimin e Krimesë nga Rusia si korrigjim të një padrejtësie historike. Ai tha gjithashtu se rusët, kudo që jetojnë në ish-Bashkimin Sovjetik, janë pjesë e një kombi të vetëm rus – duke nënkuptuar që ai do të bënte përpjekje për të garantuar dhe “mbrojtjen” e tyre. Kjo logjikë do të thotë që gjithë rendi evropian, në të cilin Bashkimi Sovjetik dhe më vonë Rusia kanë qenë aksionerë të rëndësishëm, të hidhet në koshin e historisë.

Në çdo cep të botës ka një tundim të kuptueshëm për të projektuar dijen dhe emocionet e sotme mbi ngjarje të së shkuarës, e kështu të rishkruhet historia. Por regjimet totalitare bazohen në versione zyrtare të historisë dhe propagandës për të konsoliduar ekzistencën e tyre – diçka që Orwell-i e ka përshkruar shumë mirë. Putini e di që mënyra si rusët janë të lidhur me historinë e tyre është kyç për trashëgiminë e tij politike. Njohja e krimeve sovjetike në Evropën Lindore do të minonte variantin e historisë që rusët njohin.

Nëntorin e kaluar, Putini tha si vijon për Rusinë: “Ne e kuptojmë fatalitetin e një ‘perdeje të hekurt’ për ne. Ne nuk do të shkojmë asaj rruge, askush nuk do të ndërtojë mure rreth nesh”. Kjo ishte newspeak [term oruellian, për komunikimin në diktaturë] në formën më brutale. Ajo më kujtoi filmin Goodbye Lenin [Mirupafshim, Lenin], në të cilin, fëmijët e një gruaje gjermano-lindore, e cila pëson atak gjatë rënies së Murit të Berlinit, përpiqen të zbutin tronditjen e saj, mes të tjerave, duke prodhuar lajme televizive të rreme, ku gjermano-lindorët që arratisen në perëndim paraqiten si gjermano-perëndimorë që arratisen drejt Gjermanisë Perëndimore.

Duke krijuar një realitet paralel, Putini e shfaq Rusinë si viktimë, dhe jo si agresorja që është në Ukrainë. Në një përpjekje për të shkëputur një zonë influence, ai përfiton nga ideja që Rusia u keqtrajtua nga perëndimi pas luftës së ftohtë. Këtu janë ndërtuar shumë mite, e kjo s’do të thotë që perëndimi nuk bëri gabime. Siç ka shkruar historiania Mary Elise Sarotte, nuk pati kurrë një premtim nga perëndimorët që NATO nuk do të zgjerohej. Gorbaçovi pranoi kushtet e bashkimit të Gjermanisë, të paraqitura nga George Bush dhe Helmut Kol, sepse kishte nevojë të madhe për ndihmën financiare të Gjermanisë.

Rusia u vendos në situatë ku një strukturë e luftës së ftohtë, NATO, thjesht u zmadhua, dhe nuk u shpik asgjë për të ndërtuar një kornizë të përbashkët euro-ruse për të ardhmen. Sarotte e ka shpjeguar këtë jo si cinizëm perëndimor, por pasojë të shpejtësisë së madhe me të cilën u zhvilluan ngjarjet e 1989-91. Aktorët evropianë po luanin me shumë gogla njëherësh dhe nuk kishin kohë të tregoheshin krijues.

Franca dhe Gjermania u pajtuan pas Luftës së Dytë Botërore sepse të dyja e pranuan historinë. Vetëm kur Rusia dhe Evropa të pranojnë së bashku ngjarjet e të shkuarës mund të ndërtohet diçka e përbashkët. Por kjo do të kërkojë që rusët pranojnë plagët që kanë shkaktuar vetë. Flet shumë fakti që Putini nuk e ka vizituar kurrë monumentin e vogël të viktimave të Gulagut në qendër të Moskës. Deri tani nuk ka shumë gjëra për të qenë optimistë. Vetëm kohët e fundit, kryetari i Dumës ruse tha se do të votonte për dënimin e “aneksimit” të Gjermanisë lindore nga Gjermania perëndimore më 1990. Në botën e Putinit – si në barsoletën e vjetër sovjetike – e ardhmja është e qartë, e paparashikueshme është e shkuara. Marrë nga Postbllok.com

Më vonë, Ruzvelti e pranoi privatisht se ai dhe Çurçilli ishin treguar naivë dhe u mashtruan. Por në anën tjetër, një nga synimet kryesore të tyre ishte të garantoheshin që Bashkimi Sovjetik do t’u bashkohej shumë shpejt përpjekjeve kundër Japonisë: Stalini e ofroi këtë në shkëmbim të dominimit sovjetik në Evropën Lindore.

Franca dhe Gjermania u pajtuan pas Luftës së Dytë Botërore sepse të dyja e pranuan historinë. Vetëm kur Rusia dhe Evropa të pranojnë së bashku ngjarjet e së shkuarës mund të ndërtohet diçka e përbashkët. Por kjo do të kërkojë që rusët të pranojnë plagët që kanë shkaktuar vetë. Nëntorin e kaluar Putini tha për Rusinë: “Ne e kuptojmë fatalitetin e një ‘perdeje të hekurt’ për ne. Ne nuk do të shkojmë asaj rruge, askush nuk do të ndërtojë mure rreth nesh”. Kjo ishte newspeak [term oruellian, për komunikimin në diktaturë] në formën më brutale. /The Guardian

Please follow and like us: