Artur Zheji: Franca është edhe e shqiptarëve!
Ajo çfarë po ndodh me heroin e Luftës së Kosovës dhe ish kryeministrin Haradinaj, ështëe rëndë dhe e gabuar. Të gjithë mendjet e hapura dhe të mençura shqiptare, pamvarsisht habisë dhe nervozizmit legjitim, presin me durim reagimin korigjues francez, në nivelet më të larta.
Dje, ish presidenti shqiptar, Rexhep Meidani, bëri publike në media rastet paradoksale të urdhër arrestimeve të Beogradit të Slobodan Milosheviçit. Ku ishte edhe ish presidenti amerikan Bill Clinton dhe personalitete të tjera të larta të Botës. Pra, vërtetohet se ato urdhër arreste, si edhe ato që vijuan më pas, janë produkt i një marrëzie apo të një legjislacioni hakmarrës serb dhe aty, në ato akte, nuk ka asgjë realisht të llogjikshme dhe të vërtetueshme.
Është ende e paqartë, se përse, burokracia e autoriteteve franceze, veproi në këtë mënyrë me zotin Haradinaj, ndërkohë që po shihet se sot, Beogradi zyrtar po e shpall si një fitore të vetën gjeopolitike, këtë stuhi reagimesh, që ky arrestim ka ngjallur në Kosovë dhe në Shqipëri.
Një stuhi e mirëfilltë, e rrezikshme dhe që mund të përshkallëzohet, nëse Haradinaj, vendoset të ekstradohet në Beograd, si një i burgosur politik.
Një veprim i tillë, do të shembte me një të rënë të lapsit, gati 20 vite punë ndërtimtare dhe paqtuese që SHBA dhe Bashkimi Europian, kanë bërë në Kosovë dhe në Ballkanin e mbas Luftrave të tmerrshme genocidale, të viteve të përgjakshme të pas ’90-tës.
Në këtë tensionim emocionesh, ku edhe ngrenë krye, dhjetëra teori konspirative të sajuara apo të mirëqëna, që shohin Francën, si antishqiptare dhe si filo-serbe, duket se opinioni publik shqiptar, është acaruar së tepërmi, por në brendësi të tij, ka edhe shumë diversion keqdashës.
Dhe në këtë acarim nervash, sidomos në Kosovë, rrezikojmë tu bëjmë serbëve jo dashamirës, një dhuratë shumë të madhe duke u vetshpallur si “antifrancezë”, kur nuk jemi absolutisht të tillë. Përkundrazi!
Është e vërtetë që ka një aks të kahershëm Paris-Beograd-Moskë në Ballkan dhe është e vërtetë, që në Luftën e Parë Botërore, armatat Ruse të Car Nikollës së II, duke sëlmuar me zulmë të madhe ushtrinë gjermane, shpëtuan Parisin nga një pushtim i ri gjerman në vitin 1914, duke hapur një front të dytë. Dhe kjo miqësi Franko-Ruse, e farkëtuar në vitet 1914, ka qenë një nënshtresë e përhershme e këtyre dy vendeve dhe këtyre dy popujve dhe kjo është histori e tyre e mbrojtjes nga një armik i përbashkët, i atyre kohrave.
Ka edhe mjaft raste të marrëdhënieve të mira dhe preferenciale Paris-Moskë-Beograd, por këto marrëdhënie kanë lidhje me Europën e vjetër, të dominuar nga gjermanikët (Gjermanët dhe Austriakët) në Mittel Europën e dikurshme dhe jo me shqiptarët. Askush nuk mund të provojë në mënyrë bindëse, nëse ka një aleancë të mirëfilltë Franko-Serbe me pikësynim anti-shqiptar.
Simpati franceze pro-serbe sigurisht që ka, por që lidhen edhe ato me luftëra të kaluara të përbashkëta kundër Austriakëve apo Gjermanëve, Luftra të Europës së Vjetër gjithësesi.
Serbët kanë rrënjë të thella kulturore në Paris, kanë emigruar aty në mënyrë cilësore prej një shekulli, dhe kanë ditur të ecin përpara në atë terren miqësor dhe kjo është meritë e tyre dhe padyshim edhe dashamirësi kulturore dhe historike e Francës, tradicionalisht dhe kulturalisht, edhe pro-sllave.
Por nuk mund të arrihet në përfundime të lajthitura, ose të paktën të paprovueshme, që arrestimi i Ramush Haradinajt, është një skenar franko-serb, për të destabilizuar Kosovën e më pas edhe Shqipërinë.
Sepse Franca, është edhe e Shqiptarëve! Sepse Republika Franceze e ka njohur Republikën e Kosovës në 18 shkurt 2008, në të njejtën ditë me SHBA dhe Britaninë e Madhe, mbasi mori pjesë edhe ajo, si shtet anëtar i Nato-s, në luftën ndërkombëtare për çlirimin e Kosovës. Dhe ky është një fakt dërmues, ndërkohë që Rusia apo Greqia fqinje dhe sigurisht Serbia, nuk e kanë njohur Kosovën. Dhe mendjet e arësyeshme, të ftohta dhe rrënjëthella, duhet të mbahen fort te ky fakt!
Franca është edhe e shqiptarëve, sepse ka qenë dhe është një burim i madh dhe universal frymëzimi, që nuk mund të errësohet nga një incident i rëndë burokratik, që do të mbetet shpresojmë, një episod kalimtar. Kush kërkon ta frymëzojë këtë errësim nga pasioni apo nga padija, gabon keqas. Kush paguhet nga Beogradi për ta bërë këtë errësim tendencioz të marrëdhënieve Franko-Shqiptare, po punon vërtet mirë dhe në drejtimin e duhur.