Albspirit

Media/News/Publishing

Dashuri dhe herezi të tjera në epokën e “modernizmit të lëngshëm”

Një intervistë e kohëve të fundit me Zygmunt Bauman, filozofi i famshëm që u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare / Sociologu më i njohur i botës tregon së çfarë do të thotë të dashurosh në Internet, me SMS-ë dhe me cellular. Egoizëm, përkohshmëri, frikë. Utopia e marrdhënieve të qëndrueshme në botën e globalizuar

Zygmunt Bauman është ndoshta sociologu më i njohur bashkëkohor. Gjatë viteve të fundit ka botuar një breshërit titujsh mjaft të suksesshëm në Europë. Me sy të stërvitur arrin të kapë aspektet e kësaj epoke edhe në devijimet që nuk i prêt. Një epokë pasigurishë, por që u frikësohet lidhjeve, marrdhënieve, agregimeve. Le të marrim dashurinë. Qysh në faqet e para të librit të tij të fundit kuptohet se cila është natyra e tij në këto periudhë të parë të shekullit të XXI-të. Dhe nuk është ajo absolute e përshkruar nga Platoni tek Simposio. Shoqëria jonë e liberizmit capitalist, e globalizimit dhe e konsumizmit ka prodhuar një dashuri “përdor dhe hidh”, një ndjenjë të zëvendësueshme në mijëra raste. Të brishtë e fleksibël, kështu duket të jenë raportet afektivë midis njerëzve. Ja se çfarë mbetet nga filein në epokën e Internetit. Të ulur në një bar në një fshat në thellësi të jugut, Bauman tregon utopinë e tij të dashurisë, një herezi për këtë kohë ultrafleksibël. Sëbashku me të shoqen Xhanina, më tregon për një ndjenjë që duket e një epoke tjetër, e lindur gjashtëdhjetë vjet më parë në një shtëpizë të akullt në Poloni. Bashkëshortët Bauman mishërojnë pikërisht të kundërtën e “dashurisë së lëngshme” të atyre viteve. Është një ndjenjë e qëndrueshme, e fortë, konsistente, që u ka duruar përplasjeve të historisë si katedralja e mrekullueshme pikërisht këtu përballë nesh. Me Dashuri e lëngshme, Bauman ndjek hartën e postmodernizmit në dritën e kategorisë së “lëngshmërisë”, kyçi shpjegues i punimeve të fundit të sociologut polak. Në “lëngshmërinë moderne” të Bauman gjërat kanë ndryshuar kundrejt epokës së paraglobalizimit. Tani obsesioni për spostimin, për ndryshimin, janë pothuajse të pashmangshme. «Jemi të gjithë heretikë. Nuk mund të jetojmë pa ndryshuar: çdo gjë që ishte e detyrueshme javën e kaluar ose të një jave më para saj, bëhet sot jashtë mode, transformohet në diçka për të cilën duhet të turpërohesh. Shikoni influencën e ushtruar virtualisht nga të gjitha mediat, të cilat furnizojnë rreth 95 përqind të njohurive tona lidhur me botën. Mendoni: ju nuk kini njohur asnjëherë më shumë se 5 përqind të kësaj pa ndërhyrjen e mediave». Dhe loja e mjeteve të komunikimit masiv është që ta shpërbëjë realitetin dhe ta bëjë fluid, të lëngshëm. «Në faktin që çfarëdo gazete të lexohet, ekziston një kolonë kushtuar asaj se çfarë është në modë: se çfarë duhet të posedojë, të bëjë, të veshë dhe akoma më e rëndësishme duhet të shikojë të bëjë, veshë, e kështu me rradhë. Por pikërisht në krah, në një kolonë tjetër lexohet ajo që nuk është në modë, ajo që nuk duhet të shikohet në qarkullim. Lidhur me këtë është shumë interesant publiciteti komercial i shumë gjigandëve të telefonisë mobile. Nuk ekziston synimi për të gjetur blerës të rinj potencialë. Publiciteti u drejtohet që tashmë e disponojnë një celular dhe jo atij që potencialisht mund të posedojë një të tillë. Mesazhi është: “Ke një celular për të cilin të vjen turp përpara miqve të tu? Nëqoftë është kështu, atëhere hajde tek ne dhe të ofrojmë një celular absolutisht hi-tech, shumë aktual, për të cilin mund të jesh krenar”. Atëhere ja: ndryshimi është një motiv krenarie. Nëqoftëse do të qëndrosh në pozicionin që zë, nuk mund të ndalesh, duhet të lëvizësh gjithmonë, sepse pozicionet ndryshojnë. Për pasojë, nga forca e gjërave, ne jemi të gjithë heretikë». Është për këtë herezi permanente në të cilën jetojmë sot që na flet sociologu i madh polak Bauman, duke rrufitur një kafe.

Profesor Bauman, përveç dashurisë me “D” të madhe, cila mund të jetë një utopi bashkëkohore?

Një utopi? Është problem. Mendoj se Tommaso Campanella i ulur këtu do të kishte ndonjë vështirësi për të përshkruar sot “qytetin e diellit”, Princin e përsosur apo Mbretin e kështu me rradhë. Nuk besoj se ekziston asgjë e ngjashme, nuk besoj se ekziston një urtësi e ngjashme në një person të vetëm e tillë sa të mund të reformojë shoqërinë. Bile nuk duhet të presim shumë as edhe nga asnjë institucion kolektiv, pasi institucionet e kësaj natyre përfundojnë duke ushtruar një pushtet egoist në reformimin e shoqërisë.

Problemi, nëse mund ta quajmë kështu, është në atë që ju e përmblidhni me konceptin e “lëngshmërisë”? në një shoqëri të lëngshme nuk ka hapësirë për një projekt, utopik ose jo, që të shikojë në një të ardhme jo shumë të afërt.

U është lënë individëve detyra për të nxjerrë më të mirën nga gjendja ekzistuese dhe kjo do të thotë të shmangësh – koncept që unë e gjej të huaj e të papëlqyeshëm, por fatkeqësisht nënkupton pikërisht këtë – të shmangësh çdo impenjim afatgjatë. Kjo është një prej pengesave më të vështira: të bëhesh sëbashku e të flasësh gjatë sa të arrish një marrëveshje. Lëvizim shumë shpejt. Ne i përfundojmë diskutimet tona. Nuk i çojmë në fund dialogjet tona. Gjërat janë gjithnjë e më të përkohshme dhe kalimtare. Nga njëra anë, në këtë botë kaq fluide do të ishte e pëlqyeshme t’u besoje disa pikave të fiksuara, kur në të vërtetë nuk është kështu, në çdo aspekt të jetës. Për shembull, në marrdhëniet e punës: dikur dihej se punësimi yt do të zgjaste dyzet ose pesëdhjetë vjet dhe se në fund të dilej në pension të nderuar me një sahat floriri si simbol të besnikërisë ndaj kompanisë. Kurse sot, deri dhe personat më të mirë, të suksesshëm, nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me punësimin e tyre, nuk dinë se çfarë do të ndodhë me punësimin e tyre pas gjashtë muajsh. Sipas një kolegut tim, Richard Sennett, jetëgjatësia mesatare e një punësimi në Silicon Valley – që pastaj është Meka e personave të rinj e të shkëlqyer – është vetëm 8 muaj. Konsiderata të ngjashme mund të bëhen për marrdhëniet private: ekziston frika për t’u martuar; në universitet, ekziston frika e të specializuarit në një lëndë të veçantë; ekziston frika për t’ju kushtuar një profesioni.

Cilat janë arsyet e kësaj nevoje të re jostabiliteti, përkohshmërie?

Ndryshimet janë tepër të shpejtë dhe sikur t’i kushtoheshe shumë diçkaje, më pas do të nxirreshe jashtë. Me fjalë të tjera, bari i fqinjit do të ishte më i gjelbër dhe për kopshtin tonë nuk do të ekzistonin mundësi të tjera. Fundi i historisë. Ky është edhe motivi për të cilin personat shmangim që të kenë fëmijë shpejt. Të kesh një fëmijë do të thotë të humbasësh përgjithmonë një punë. Nuk mund t’ia dalësh si me martesën. Sipas statistikave angleze, të rrisësh një fëmijë deri në moshën universitare të kushton rreth 164000 stërlina. Mund të blihet një shtëpi.

A ka egoizëm në këtë aspekt të epokës sonë post moderne?

Ne duam t’i mbajmë të gjitha urat e hapura: duam të kemi gjithmonë mundësinë e zgjedhjes, e të ndryshuarit. Në këto kushte, të konceptosh një utopi të kuptueshme dhe finale ecën kundër përvojës sonë të përditshme. Sot, utopitë janë si titulli i librit tim Life in fragments, janë fragmente: të ndryshosh makinën; të transferohesh në një lagje më të bukur; të socializohesh më shumë; të keshë më shumë miq. Fragmente utopie që gjithësesi vazhdojnë të krijojnë një distancë midis asaj që ke dhe asaj që dëshiron. Kjo po.

Me pak fjalë, do të ishte një frikë e përhapur për të bërë projekte, impenjime afatgjatë?

Është nevoja për t’u spostuar nga një projekt tek tjetri. Kam mbetur i gditur nga suksesi jashtëzakonisht i shpejtë i pasur nga takimet në rrjet. Dikur personat shkonin në bare, shkonin në agjensitë martesore, tani shkojnë në. Pse sot preferohet Interneti? Një kërkim anglez lidhur me këtë fenomen ka bërë një pyetje dhe një përgjigjeve fantastike, dhënë nga një profesionist njëzetetetë vjeçar i Bath-it, ka qenë: «Sepse gjithmonë mund të shtyp butonin “cancel”». Kështu që personat mendojnë si të dalin. Kur ekziston një impenjim, gjithmonë duhet parashikuar një dhënie fund, një dalje. Është ky motivi i kontestimit të vetëm bërë Rumsfeld nga oficerët e lartë amerikanë lidhur me Irakun.

Heretikë dhe utopistë janë konsideruar për një kohë të gjatë edhe shkencëtarë. Sot, në epokën e Big Science duken shumë më të integruar. Në librin e tij të fundit, The Elisir of the Science, Hans Magnus Enzensberger flet për një pushtet të shkencëtarë jo vetëm në fushën e tyre, por edhe në politike e në ekonomi.

Ekziston diçka që mund ta quajmë shkencë? Them në përgjithësi. E di, nga praktika universitare, se personat e një departamenti nuk janë të interesuar për gjërat e tjera të prodhuara nga personat e një departamenti tjetër dhe kjo ndodh jo vetëm midis disiplinave të ndryshme, por edhe në sektorë të afërt të të njëjtës disiplinë. Atëhere, në çfarë kuptimi mund të flasim për një qëndrim unik shkencor, edhe nga pikëpamja metodologjike? Përgjithësimet janë shumë të vështirë, shkencëtarët sot janë më të lidhur me institucione joshkencore sesa midis tyre. Institute kërkimore e novacioni mbahen ekonomikisht nga sipërmarrje të mëdha. Le të mendojmë për mjekësinë dhe industrinë farmaceutike. Nuk ekziston asnjë autoritet unitar. As universitetet, sepse sot universitetet janë një koleksion departamentesh të ndryshmë që shikojnë në drejtime të ndryshme.

Këtë e konsideroni një faktor negativ?

Unë thjesht vëzhgoj atë që ndodh. Si gjërat e tjera, është fragmentar. A është heretik? Biznesi që ka arritur shumë nga afër shkencvëtarët gjatë viteve të fundit jeton me risí dhe risítë, ashtu si herezitë, plaken shpejt. Përfitimet më të mëdha vijnë nga ajo që është e ndryshme, e re. Kur kjo e re bëhet e zakonshme dhe arrin rrugët, atëhere nuk ka më kurrfarë fitimi. Ndiqet risía vazhdimisht, edhe në mjekësi. Edhe shkencëtarët sot janë të përfshirë në këtë ndjekje.

(Në nderim të filozofit të shquar që u nda nga jeta në moshën 91 vjeçare)

Please follow and like us: