Albspirit

Media/News/Publishing

Entebbe: Misioni më spektakolar i Mossad

Luftë me Iranin?
Aeroporti i Entebes, 4 korrik 1976

Në errësirën e natës, 4 avionë Herkules izraelianë, të pakapur nga radarët ugandas, ulen fshehurazi në aeroportin e Entebes. Kanë fluturuar një distancë prej 3500 miljes nga baza e tyre në Izrael, duke transportuar komandon Sayeret Matkal dhe disa njësi elitë të ushtrisë. Një javë më parë, terroristë arabë dhe gjermanë kidnapuan një avion linje të Air France që shkonte nga Tel Avivi në Paris dhe e ulën në Entebe. Të mbrojtur dhe të mbështetur nga diktatori i Ugandës, Gjenerali Iddi Amin, terroristët mbanin peng 95 civilë izraelianë. Izraeli vendos që të ndërmarrë një operacion të guximshëm në zemër të Afrikës, me qëllim lirimin e pengjeve.
Disa minuta pas uljes, komandot izraeliane shpërndahen nëpër aeroport. Joni Netanjahu, komandant i Sayeret Matkal, udhëheq njerëzit e tij në një sulm ndaj terminalit ku mbahen pengjet. Në shkëmbimin e ashpër të zjarrit që shpërthen, Joni rrëzohet papritmas, i goditur nga një plumb. Një tjetër oficer Sayeret, Kapiteni Tamir Pardo, përkulet mbi komandantin e rënë, ndez mikrofonin dhe lajmëron shokët e tij. Joni është goditur, thotë. “Muki, merr komandën!”. Muki Betzer, zëvendësi i Jonit, merr komandën dhe vazhdon misionin. Disa minuta më vonë, beteja ka mbaruar. Terroristët janë vrarë, pengjet janë liruar dhe avionët e rëndë Herkules ngrihen, në rrugën e tyre drejt Izraelit.
Lirimi i pengjeve, aq larg nga shtëpia, do të bëhet legjendë. Por e ka paguar një çmim: tre nga pengjet janë vrarë gjatë luftimit. Ashtu si dhe një ushtarak, Nënkolonel Joni Netanjahu, vëllai i Kryeministrit të ardhshëm izraelian, Beniamin Netanjahu. I gjithë kombi izraelian mban zi për vdekjen e Jonit. Atë natë, Tamir Pardo, oficeri i komunikimit të Sayeret, troket në derën e familjes Netanjahu në Jeruzalem. Është dërguar që ta informojë atë lidhur me rrethanat e vdekjes së Jonit. Një marrëdhënie e ngrohtë do të lindë midis familjes Netanjahu dhe Tamir Pardos, i cili u gjend pranë Jonit në momentet e fundit të tij. 35 vjet më vonë, 57 vjeçari Tamir Pardo emërohet ramsad, duke zëvendësuar legjendarin Meir Dagan.
I lindur në Tel Aviv në një familje hebreje me origjinë turke dhe serbe, 18 vjeçari Tamir ka dalë vullnetar për parashutistët, është diplomuar në akademinë e oficerëve dhe ka shërbyer në njësitë komando Sayeret Matkal dhe Shaldag (Kingfisher). 4 vjet pas Entebes, ai i bashkohet Mossadit, merr pjesë në disa operacione paemër dhe ka marrë 3 herë Israel Security Prize. Në 1998 ai emërohet President i bordit mbikëqyrës të Mossadit që investigoi tentativën e dështuar të vrasjes së Khaled Mashalit në Aman. Shpejt pas kësaj, ai bëhet kreu i Nevioth, departamentit të Mossadit i mbarkuar më mbledhjen elektronike të inteligjencës në vendet e huaja. Ai specializohet në teknologji të reja dhe planifikim krijues. Në 2002, kur 2002, kur Dagan emërohet ramsad, Pardo bëhet një prej dy zëvendësve të tij dhe për katër vitet e ardhshme drejtoi Shtabin Operacional të Mossadit. Por në 2006 ai shërbeu për 1 vit me Forcën e Mbrojtjes së Izraelit si gjeneral ushtrie, duke këshilluar Shtabin e Përgjithshëm lidhur me operacionet speciale. Thuhet se ai ka planifikuar misione të guximshme gjatë luftës së dytë libaneze. Pardo u rikthye në krah të Daganit në 2007.
Ai shpresonte që të emërohej ramsad kur mandatit të Daganit i erdhi fundi në 2009, por kabineti, i impresionuar nga arritjet e tij, ia zgjati edhe për një vit. I zhgënjyer, Pardo dha dorëheqjen nga Mossadi dhe ja hyri biznesit me një kompani shërbimesh mjekësore. Kjo nuk zgjati shumë. Me 29 nëntor 2010, Kryeministri Netanjahu e emëroi atë ramsad dhe e ka marrë detyrën në janar 2011.
Në shumë aspekte, Pardi ndoqi gjurmët e paraardhësit të tij. Lufta e fshehtë mizore kundër Iranit vazhdoi. Në nëntor dhe dhjetor 2011, disa shpërthime tronditën një bazë ushtarake ku po testoheshin raketat Shehab dhe një rrethinë të Isfahanit ku uraniumi i gaztë, i ndarë në centrifuga kaskadë, po konvertohej sërish në gjendje të ngurtë. Pastaj një shkencëtar tjetër, Dr. Mostafa Ahmadi-Roshan, Zëvendësdrejtori i impiantit nëntokësor të Natanzit, u vra teksa po ecte me makinën e tij në rrugët e Teheranit. Modus operandi qei ngjashëm me të tjerat e përdorur në disa vrasje të kaluara.
Irani akuzoi Izaelin dhe u betua se do të hakmerrej. Për herë të parëm shërbimet sekrete iraniane u përpoqën që të kryejnë disa goditje ndaj objektivave izraeliane në Azi: vënia e bombës në një makinë në Nju Delhi plagosi gruan e një diplomati izraelian; një përpjekje e ngjashme në Tbilisi të Gjeorgjisë dështoi; disa shpërthime ndodhën në Bangkok të Tajlandës, njëri prej të cilëve plagosi përgatitësin e tij, një shtetas iranian. Shërbimet sekrete egjipitane parandaluan një goditje të agjentëve iranianë për të hedhur në erë një anije lundruese izraeliane gjatë Kanalit të Suezit. Lufta e fshehtë midis Izraelit dhe Iranit tani po fillonte të bëhej e hapur. Investigimet policore në Nju Delhi, Bangkok dhe Kajro e drejtuan gishtin nga shërbimet sekrete iraniane. Shtypi botëror i përshkroi me detaje përpjekjet deridiku të trasha nga ana e agjentëve iranianë për të sulmuar objektiva izraelianë jashtë vendit.
Në dritën e diellit po dilnin gjithashtu detaje të reja rreth operacioneve izraeliane brenda Iranit. Burime perëndimore pretendonin se Mossadi kishte krijuar baze operacionale në Azerbajxhan e Kurdistan, mu në kufirin iranian. Ato shërbenin si baza stërvitore dhe për shpërndarje agjentësh brenda territorit iranian. Të njëjtat burime pretendonin se shumë prej agjentëve të Mossadit që operonin brenda Iranit qenë aktualisht anëtarë të opozitës M.E.K., myslimanë iranianë që mund të përziheshin në popullsinë lokale më mirë se çdo oficer izraelian. Jo pak militantë M.E.K. qenë stërvitur në vende sekrete në Izrael dhe bile praktikuar disa prej operacioneve në modele të krijuara enkas – si një rrugë e Teheranit – ku do t’i zinin pritë makinës së një shkencëtari iranian apo në vendosnin një bombë pranë shtëpisë së tij.
Në raste të tjera, disidentë iranianë qenë afruar me mënyra të ndryshme. Memo të CIA-s tregonin bile se oficerë të Mossadit kryen misione rekrutimi të “False Flag”. Me sa duket duke u paraqitur si agjentë të CIA-s, izraelianët rekrutuan militantë të organizatës terroriste pakistaneze Xhundallah dhe i dërguan ata me misione sabotimi dhe vrasëse brenda Iranit. Sipas memove të CIA-s, izraelianët paraqiteshin si oficerë inteligjence amerikane me qëllim që të shmangnin objeksioni e myslimanëve të devotshëm për t’i shërbyer shtetit hebre.
Në pranverën e 2012, vëzhgues ndërkombëtarë të frikësuar pretendonin se projekti bërthamor iranian ishte afër kompletimit dhe burime të International Atomic Energy Agency deklaruan bile edhe se Irani kishte prodhuar 109 kilogram uranium të pasuruar, mjaftueshëm për të bërë 4 bomba atomike. Nëqoftëse Izraeli vendoste që t’i jepte një goditje të fuqishme projektit iranian nëpërmjet të lançimit të një sulmi të përgjithshëm kundër qendrave bërthamore të tij, atëhere lufta e fshehtë do t’i hapte rrugën një lufte të hapur.
Sipas shtypit botëror dhe shumë zëdhënësve fjalamanë, Izraeli nuk ishte i vetëm në konsiderimin e tij për një opsion ushtarak. Në Jeruzalem dhe Uashington, burimet zyrtare konfirmuan se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po vepronin sëbashku, por nuk ishin dakord në një pikë kryesore: kur do të duhej të ndalohej Irani me çdo mjet të nevojshëm – ushtarak ose tjetër. Shërbimet amerikane pretendonin se kjo duhet të kryhej në momentin kur pasurimi i uraniumit nga ana e Iranit arrinte 80 përqindëshin, një fazë vendimtare në zhvillimin e kapacitetit bërthamor të tij. Uraniumi i pasuruar në këtë nivel mund të rritej shumë shpejt në 97 përqind, shkalla e nevojshme për krijimin e një bombe atomike.
Konceptimi i Izraelit ishte ndryshe, bazuar në raportime nga terreni dhe zbulime satelitare. Mossadi kishte zbuluar se Irani ishte angazhuar në një garë kaotike kundër kohës, duke ndërtuar një numër të madh impiantesh nëntokësore të ndërtuara në thellësi prej 80 metrash ose më shumë. Ata po e i transferonin nëntokë të gjitha materialet fizibël dhe laboratorët e tyre. Raportet e inteligjencës të siguruara nga Mossadi, me ndihmën e organizatës së rezistencës M.E.K.-ut, pretendonin se Irani kishte ndërtuar një impiante të ri nëntokësor afër Fordos. Në sallat e mëdha e impiantit të ri iranianët planifikonin që të instalonin mijëra centrifuga të reja, shumë më të shpejta dhe shumë më të sofistikuara se pajisjet në punë tani. Në këtë impiant iranianët mund t’i ushqenin centrifugat me uranium të pasuruar deri në 3.5 përqind dhe të vazhdonin ta pasuronin atë deri sa të ishte gati për përdorim. Izraeli ishte i bindur se kjo shpellë e Ditës së Gjykimit, ashtu si shumë baza dhe laboratorë të tjerë, duhej të shkatërrohej përpara se të instaloheshin centrifugat, përpara se të bëheshin plotësisht të mbrojtura ndaj një sulmi ajror. “Kur të aerrijnë fazën kritike të pasurimit”, të dërguarit izraelianë u thanë amerikanëve, “do të jetë shumë vonë për t’i goditur. Ata do të kenë hyrë në një “zonë të imunizuar” ku asnjë bombë nuk do të ishte më në gjendje ta shkatërronte projektin e tyre. Koha për të vepruar është tani, në pranverën e 2012”.
Uashingtoni nuk ishte i bindur dhe donte që të provonte një fushatë sanksionesh të ashpra. Izraeli nuk besonte se sanksionet do ta ndalnin Iranin. Në një takim të nivelit të lartë në Uashington në fillim të pranverës 2012, Presidenti Obama dhe Kryeministri Netanjahu përshëndetën aleancën e fuqishme strategjike midis të dy vendeve, por nuk mundën të binin dakord me mënyrën sesi do të avancohej kundër projektit bërthamor iranian. Raportet e Mossadit sërish tregonin se Teherani po e ndiqte pa ndërprerje energjinë atomike. Në të njëjtën kohë, liderët iranianë e kanë kërcënuar pa u lodhur Izraelin me asgjësim total. Vetë mendimi i rrezikut që një Iran bërthamor fanatik përfaqësonte për Izraelin dhe botën u kujtonte izraelianëve thënien e vjetër talmudike: “Nëqoftëse dikush vjen për të të vrarë, ngrihu dhe vrite ti i pari”.
Edhe njëherë akoma Izraeli ndjente se ishte i vetëm dhe ashtu si në 1948, vitin e krijimit të tij, dhe në 1967, në pragun e Luftës së 6 Ditëve, sërish po përballet me vendimin më fatal të ekzistencës së tij.
(nga libri “Mossad: The Greatest Missions of the Israeli Secret Service” i autorëve Michael Bar-Zohar, Nissim Mishal)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Please follow and like us: