Hungaria bën gati planin për të goditur organizatat e Soros
Hungaria planifikon të godasë organizatat jo-qeveritare të lidhura me miliarderin Xhorxh Soros.
Ky veprim pritet të zbatohet pasi Donald Trump të marrë zyrtarisht detyrën si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Agjensia e lajmeve “Bloomberg” i referohet një prononcimi të zëvendëskryetarit të partisë në pushtet të kryeministrit Viktor Orban. “Do të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për spastrimin e vendit nga OJQ-të e financuara nga Soros”, tha ai.
Viktor Orban ishte kryeministri i parë në BE që doli publikisht pro kandidaturës së Trump në SHBA. Në parlament pritet të kalojë një ligj që do të lejojë autoritetet të auditojnë OJF-të e lidhura me Soros.
Nga ana tjetër gjatë fushatës në SHBA, Donald Trump e akuzoi miliarderin 86-vjeçar si pjesë e një strukture globale që është përgjegjëse për vendimet ekonomike që kanë grabitur klasën punëtore, duke favorizuar kështu korporatat e mëdha dhe entitetet politike.