I emëruari për Sekretar Shteti, Rex Tillerson, në seancë konfirmimi
Të mërkurën zhvillohet seanca e konfirmimit për të emëruarin për Sekretar Shteti të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, Rex Tillerson. Gjatë seancës ai pritet të flasë edhe për marrëdhëniet me Rusinë.
Në deklaratën e ekipit të tranzicionit të zotit Trump, thuhet se zoti Tillerson pritet që t’i thotë Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë se NATO ka të të drejtë që ka shprehur shqetësim për rigjallërimin e synimeve të Rusisë dhe se “nevojitet një dialog i hapur dhe i sinqertë me Moskën për ambiciet e saj” në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të planifikojnë rrugën që duhet ndjekur.
Tillerson kohët re fundit hoqi dorë nga pozicioni i shefit ekzekutiv të kompanisë energjitike Exxon Mobile, ku ai kishte punuar për më tepër se katër dekada.
Marrëveshjet e shumta që ai ka patur për naftën me Rusinë, mund ta komplikojnë konfirmimin e tij në Senat, ku një numër ligjvënësish kanë ngritur shqetësime për lidhjet e tij të afërta me Presidentin rus Vladimir Putin. Në vitin 2013 presidenti rus i dha Tillersonit Medaljen e Miqësisë, me të cilën Rusia nderon të huajt.
Rex Tillerson pritet të shpjegojë gjatë seancës së konfirmimit të tij, se zoti Trump po kërkon marrëdhënie më të afërta me Rusinë, pas keqësimit të tyre për shkak të politikave të administratës Obama. Këto hollësi paraprake të fjalimit të zotit Tillerson i bëri të njohura agjencia Reuters.