Isabelle Huppert merr “Golden Glob“ si aktorja më e mirë dramatike
Luan Rama
Nëse ka një aktore franceze që më pëlqen shumë-shumë, kjo është Isabelle Huppert, të cilën e kam ndeshur në barin e hotel „Lutece“ në Paris, por që nuk kam biseduar me të. Sidoqoftë, unë jam pikëtakuar me të përmes filmave, nga „Loulou“ e „Volette Nozière“ e deri në filmat „Vallzueset“, „Porta e parajsës“, „Madame Bovary“, „Pianistja“ apo „Ceremonia“, ku u nderua me çmimin „Cesar“. Sa herë shoh në ekran një film ku ajo interpreton unë do ta shoh patjetër, pasi mendoj se krahas aktores tjetër ndërkombëtare Juliette Binoche, ajo është një nga aktoret më inteligjente që ka Franca por dhe bota. Ajo sapo ka marrë titullin e aktores më të mirë në Amerikë „Golden glob“ për filmin „Elle“ („Ajo“), me regjizor hollandezin Paul Verhoeven. Dhe kuptohet thënia e saj kur mori në duar këtë kupë, duke thënë „O Zot, zemra po më rreh fort“!… Ishte një vlerësim i veçantë edhe pse kjo aktore njihet mirë në Amerikë. Veç disa vjet më parë, në Muzeun e Artit Modern të New York-ut një ekspozitë fotografike me 120 portrete të saj bëri një jehonë të veçantë, pasi ajo ishte fotografuar nga fotografët më të mëdhenj të epokës sonë që nga Cartier-Bresson e Robert Doisneau e deri te Lartigue apo Lindbergh, etj.
“Madame Bovary” e këtij fund shekulli…
Madame Bovary nuk është thjesht një kryevepër e shkrimtarit Gustave Flaubert (Gustav Flober). Ajo është diçka shumë më thellë sesa letërsia, se bota e një personazhi, sepse në të, para dhe pas Flobert, shekuj me rradhë, gruaja ka parë vetveten, rrugën për kërkimin e lirisë.
Nuk di pse pas atij filmi, të realizuar nga Claude Chabrol, aktorja Isabelle Huppert m’u ngulit thellë në kujtesë në atë «plan» tragjik, në vorbullën trallisëse të Emma Bovary. Nuk di pse edhe në filma të tjerë, ajo ishte përsëri një Emë, veçse në një emër tjetër, me partnerë dhe me një petk tjetër. Emma në fakt fshihej thellë saj e unë e dalloja fare mirë. Sartre ka shkruar se „Flober ishte vetë Emma Bovary“… Të njëjtën gjë thoshte dhe vetë Flober.
Chabrol, kishte njëzet vjet që ëndërronte ta realizonte këtë film. Po kështu dhe aktorja Huppert, që e shihte Emën jo si një heroinë romantike, por si një personazh tragjik. Ishte një lloj ëndrre. Nga ato ëndrra, prej të cilave nuk shqitesh dot vite me rradhë. «Unë doja t‘i largohesha mitit disi të reduktuar të «bavarizmit», do të pohonte me pas Huppert. – Tek ajo ka ashpërsi, zëmërim, zgjuarësi. Ajo vuan nga mediokriteti që e rrethon dhe është një viktimë që nuk do të sillet si një viktimë. Ajo do tu shkojë gjer në fund pasioneve, dëshirave. Tek ajo ka diçka nga idealizmi dhe utopia. Eshtë një personazh në revoltë kundër kotësisë, vogëlsirave dhe të keqes së shoqërisë që e rrethon. Ajo përballon të gjitha paragjykimet dhe me të gjitha mjetet kërkon të dalë nga neuroza e asaj shoqërie provinciale. Sot ka ende shumë Emma Bovary.»
Pikërisht ky personazh ishte interpretuar qindra e qindra herë në skenë, ishte ekranizuar në shumë filma, por Huppert i kishte dhënë asaj një fytyrë të veçantë, disi të egër dhe me një lloj arrogance, një personazh me një fytyrë bashkëkohore, të cilën ajo e konsideronte si «heroina e parë feministe në letërsi»…
Huppert trokiti në botën e kinemasë jo rastësisht. Ajo ka lindur në Paris më 1955 dhe ishte fëmija e fundit e një familje të madhe. Pasi mbaroi liceun dhe vitin e parë për studimin e gjuhës ruse në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale, ajo ndoqi kurset teatrale në konservatorin e Versajës, ku u vlerësua me çmim të parë dhe më pas ndoqi kursin teatral në «Rue Blanche». Ishte pikërisht e ëma që e shtyu atë drejt teatrit dhe kinematografisë. Udha e saj nisi nëpër rrugët e «Butte-Chammont» në Paris, kur filloi të trokasë në dyert e producentëve për të kërkuar ndonjë rol. I pari që i propozoi një rol ishte C. Santeneli. Ajo mundi të luante Gilberte Swan në një emision të titulluar 100 ditë mbi Prustin. Ai i ofroi gjithashtu dhe një rol nga Maupassant. «Por trokitja nëpër porta, nuk zgjati shumë», do të kujtojë më vonë ajo. Aktorja «qukse», me sy inteligjentë e portret interesant, filloi karierën kinematografike. «Në fillim, – shkruan regjisori Jean-Luc Godard, – Isabelle dukej e vagët, si një aktore që ia kishte lënë veten rastësisë. Por shumë shpejt ajo e përcaktoi veten në kinematografi, duke lënë njëkohësisht zona hijesh me të cilat ajo kënaqej.»
Kështu ajo filloi të luajë në filmat e regjisorëve të njohur francezë si Gjykatësi dhe vrasësi, i B.Tavemier, (1975), në Violete Noziere, të C. Chabrol, Motrat Bronté të A. Techine, (1979), apo dhe filmat e tjerë si Loulou, Portat e parajsës, Trashëgimtarët, Të shpëtojë kush të mundet, Portat e ferrit, etj. Në fillim ajo ishte një tip i heshtur, disi i veçuar nga ekipi i xhirimit, si për të ruajtur një lloj misteri. Nga viti 1973 e deri më 1984, Huppert interpretoi në 14 filma. Filmi i parë i vërtetë ishte Faustine dhe vera e bukur, i N. Campanéez ku takohet me një aktore tjetër debutante: Isabelle Adjani. Pikërisht në këto vite, ajo filloi të kërkojë role dramatike, siç do të ishte filmi Loulou, etj. «Këta filma i shkonin për shtat shijes sime për të interpretuar dhimbjen.» «Aktorët e tjerë, partnerë të saj, e dinin se të interpretoje bashkë me të duhej të kishe aftësi të mëdha aktoriale», – thoshte regjisori Chabrol. Por ajo vazhdoi gjithnjë në alternancë: kinema – teatër, teatër – kinema. Më 1989, ajo interpretoi në pjesën e Turgenievit Një muaj në fshat. „Më 1992, në amfiteatrin e Opera de Bastille, Isabelle Huppert dhe Rexhep Mitrovica i shfaqën publikut francez pjesën e dramaturgut të njohur Paul Claudel, Jeanne d’Arc në turrën e druve, një «oratorio dramatike», siç e quan atë Claudel, ku harmonia perfekte e zërave, siç na thotë dhe kritiku F. Renjo „është në harmoni me „Mitrovicën unikal“. Duke folur për Huppert, aktori me origjinë shqiptare, Mitrovica, nënvizon se «është një kënaqësi e madhe të punosh me Huppert, e cila është një aktore e mrekullueshme dhe punon jashtëzakonisht për krijimin e rolit.»
Huppert nuk i ka më të pakta rolet në teatër se sa ato në kinematografi. Para se të luante në filmin Separation, (Ndarje), ajo interpretoi në teatrin e Odeonit pjesën Orlando, me regjisorin e njohur Bob Wilson. Në fakt bota e saj ishte gjithnjë kinematografia, një botë ku ndihet sa e shqetësuar aq dhe e gëzuar. Në filmin Ceremonia, i regjisorit Chabrol, ajo dhe aktorja tjetër franceze Sandrine Bonnaire u vlerësuan me kupën «Volpi», për interpretimin më të mirë. E ndërkohë ajo vazhdonte xhirimet me vëllezërit Taviani për filmin Affinites selectives, sipas një vepre të Gëtes. Një histori moderne, e treguar nga shkrimtari i madh gjerman me një frymë ironike e fantastike. Sharlotës dhe Eduardit u lind një fëmijë, i cili ka tiparet e mikut të tyre të afërt. Ky film, u shfaq me sukses jashtë konkursit në festivalin e Cannes, më 1996, një film ku spikati sërrish loja e mrekullueshme e Huppert. Kështu, krahas La Dentelliere, Ceremonie, Séparation, etj, u shtuan me shpejtesi tituj të tjerë filmash dhe emra të tjerë rolesh. Eshtë periudha kur ajo bëhet një aktore e preferuar jo vetëm e francezëve por edhe e amerikanëve, të cilët zbuluan diçka vibrante tek ajo. «Ndoshta sepse unë si origjinë jam më shumë anglo-saksone se sa latine», – thotë Huppert.
Dhjetë vjet më parë ajo u dashurua pas romanit Përmbytja të disidentit rus Evgeni Zamiatin, një roman denoncues për shoqërinë totalitariste sovjetike me ngjarje të fundit të viteve 20-të. Zamiatin mundi të largohej nga Rusia dhe të vinte në Paris, ku dhe vdiq në një mjerim të plotë. Ishte pikërisht Huppert që bleu të drejtën e ekranizimit të këtij romani dhe zgjodhi regjisorin rus Igor Minev për ta realizuar. Sofia ishte heroina e filmit dhe një personazh tragjik. Një personazh me një kompleksitet të madh ndjenjash, gati të pabesueshëm. «Nga gjendja e viktimës, ajo kthehet në një vrasëse», – thotë Huppert.
Të ngjan se kjo aktore i parapëlqen personazhet tragjike, femrat që vuajnë dhe që pësojnë tronditje të mëdha, siç është dhe personazhi i saj në filmin Affaire de femmes, (Punë femrash), realizuar nga C. Chabrol, e që merr shkas nga një ngjarje e vërtetë që ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Eshtë historia e një gruaje të dënuar me vdekje sepse kryente abortet e grave në mënyrë klandestine. Një rol ky që për amerikanët ishte një krye-rol, dhe që shumë aktorë amerikanë ëndërronin ta luanin. «Në Amerikë rolet e grave – thotë Huppert, – janë të pakta, ndërsa në Francë, rolet e tyre janë të fuqishme, të thella, të prekëshme, provokuese dhe subversive.»
«Huppert të jep një kënaqësi në vetvete, – thoshte Chabrol, një nga regjisorët më intimë dhe që ka punuar më shumë me të, – pasi ajo ka një fuqi përqëndruese të jashtëzakonshme. Në sytë e saj s’ka asnjëherë ndjesi paniku». Ndërsa regjisori Tavernier thotë: «Ajo është një aktore melodike dhe çdo skene i jep një ritëm muzikal, mbushur me heshtje dhe emocione.» Ndërsa Isabelle përgjigjet: – “Eshtë një element natyral, që e bëj pa sforco. Përqëndrimi psiokologjik më jep kënaqësi. Kinematografia ka aftësinë të depërtojmë kudo për të shprehur ndjenjat dhe emocionet. Eshtë një punë që kërkon saktësi, si të futësh fillin në majën e gjilpërës. Sa më e saktë të jetë, aq më emocion ka. Kur duam të shprehim diçka me shumë forcë, në një moment preçiz, pa lëvizur, kjo krijon një tension të mrekullueshëm.»
Huppert është gjithnjë në udhëtim, nga Perëndimi në Lindje, nga Franca në Amerikë, Rusi, Itali… Të ngjan se ajo është aktorja më kozmopolite franceze e që udhëton më shumë. E kështu të duket një çast sikur ajo kërkon ti largohet kinemasë franceze për tu takuar me regjisorë të vendeve të tjera, me stile e metoda të tjera, pra për të eksploruar botra të reja. «Sigurisht që ndjehem pak e kufizuar këtu në Francë, – thotë ajo, – por në fakt kinematografia është e lidhur me udhëtimet. Të interpretosh, do të thotë të nisesh diku, të mërgosh, pastaj të kthehesh. Këtë metamorfozë të aktorit kam dashur ta përjetoj në mënyrë konkrete». Nga filmografia e saj, të ngjan se kjo aktore zgjedh role grash që duan të dëshmojnë forcën e tyre në këtë shoqëri ende patriarkale, ku gruaja nuk është në të njëjtën barazi me burrin. «Unë jam një feministe, por jo një militante, – pohon ajo, – ashtu siç thotë dhe një këngë që „gruaja është e ardhmja e botës.“ Në vitet 80-të, ajo interesohet për jetën sociale dhe në këtë kuadër, duke kërkuar lirimin nga burgu të një gruaje të linçuar padrejtësisht, ajo i shkroi kryeministrit të Nju Delit: ”Vështrojeni fotografinë e kësaj gruaje. Ajo mund të ishte motra juaj, kushërira apo një mikesha juaj. Tani vështrojeni dhe këtë karrige lëvizëse, ku ajo qëndron në atë burg. Ngrohtësia e trupit të saj dhe ftohtësia e metalit, qëndrojnë së bashku për vite me rradhë. Ajo është torturuar, është kërcënuar të përdhunohet dhe ndërkohë kanë kaluar tre vjet. Këmbët e saj janë të paralizuara»…
Në itineraret e saj artistike, pjesa e Fridrich Schiller, Marie Stuart, ishte një udhëtim më vete, një pjesë që më 1996 u vu në skenë në «National Theatre», të Londrës. Një dramë e gjatë, e luajtur në anglisht, ku gjatë tri orëve në skenë tregohet historia e mbretëreshës së Skocisë. Marie Stuart, hyri në jetën dhe krijimtarinë e saj si një uragan. «Nga dramat e Shilerit unë nuk njihja pothuaj asgjë. Nga ai personazh dija vetëm se kushërira e saj, Elisabeta I, i kishte prerë kokën.» Duke e studjuar, ajo zbuloi një tjetër personazh, një Marie Stuart të ndjeshme, prekëse, mallëngjyese, të zjarrtë, të përfshirë në ingranazhin e dhunës, hakmarrjes dhe revanshit në dashuri. Pra jeta e saj hepohej çdo çast, midis dashurisë dhe vdekjes. «Një performancë përvëluese», – do të shkruajë për të The Indipendent, duke kujtuar atë skenë të fundit, kur ajo i lë lamtumirën jetës, duke tronditur gjithë sallën.
Tek Isabelle Huppert, ndihet gjithnjë një lloj energjie e optimizmi. Duket se ajo nxiton të luajë dhe të interpretojë sa më shumë role në këtë periudhë të krijimtarisë së saj, pasi ndjen se është në kulmet e saj, kur mund të interpretojë profile nga më të ndryshmet dhe gjithnjë të habitshme. Në filmin Les Palmes de Monsieur Schultz, një adaptim i një pjese teatrale mbi jetën e Marie dhe Pierrre Curie, ajo arriti të krijojë një personazh origjinal dhe mjaft psikologjik. Ndërkohë të tjerë role e presin, të tjerë personazhe vibrojnë brenda saj, në thellësi, për tu shfaqur një ditë. Gjithçka ka një dinamizëm trallisës te kjo aktore që preferon të luajë tragjeditë…
Isabelle Huppert: „Kinematografija është një sëmundje nga e cila nuk arrijmë të shërohemi“
«Ç’është mjeshtria e aktorit? Në fillim kemi dëshirë të themi se është diçka që s’mund ta përcaktosh, pasi nuk mund të tregohet. Sigurisht, të jesh aktor, është një mjeshtëri, që ka një raport konkret me atë ç’ka bën, por që ka në vetvete dhe diçka misterioze, çka i bën gjërat psikologjike. Nga ana tjetër është dhe çështja praktike: ditët e xhirimit, etj. Ata ju filmojnë dhe në kamera duket veçse portreti juaj. Ju transmetoni gjithçka përmes syve tuaj, ndërkohë që poshtë kamaras, këmbët tuaja mund të kenë ftohtë.
Shumë pak përgatitem për rolin. Si t’ju a shpjegoj? Kur lexoj një skenar, në thellësi të vetvetes kam një lloj ordinatori të vogël që fillon të punojë, apo për ta krahasuar në mënyrë më poetike, janë princesha të fjetura apo dhe përbindësha që zgjohen papritur. Në se luajmë një rol historik, sigurisht, midis teje dhe personazhit ka shumë zona në të cilat duhet të punosh dhe të zbulosh.
Kam vite me rradhë që xhiroj pa ndalur: Pialat, Cimino, Godard, Meszaros, Bolognini, Chabrol, etj, nga Perëndimi në Lindje, nga Amerika në Itali, në Zvicër e gjetkë. Në një film, ka gjithnjë dy histori që pikëtakohen, ajo e regjisorit dhe ajo e aktorit, si e luan atë, ku çdokush mundohet ti imponohet tjetrit. Por aktori mendoj se duhet të marrë sa më shumë hapësirë, duke iu nënshtruar njëkohësisht konceptit të regjisorit. Të jesh aktor, nuk do të thotë të interpretosh, por do të thotë të jesh. Kur isha e re nuk kisha asnjë ide mbi aktoren, shfaqjen, lojën e aktorit. Ajo që më interesonte ishte që të mund të shprehja diçka. Pra jo të luaja, por të isha. Ky është dhe përkufizimi im për lojën dramatike. Dhe mbetem e bindur se një aktore duhet të ekzistojë veçse në ekran.
Në kinematografi nuk është si në teatër, sepse ne e dimë që filmi është i destinuar për të prekur mijra njerëz. Në kinema është plani i afërt, fytyra. Pra nuk mund ta harrosh këtë gjë kur je para kameras. Pikërisht në atë moment ti ke dëshirë të jesh aktor. Unë e zgjodha këtë profesion sepse dhe fizikisht e ndjeja se e përballoja. Të luash film kërkon energji. Jeta gjatë një filmi është e vështirë.
Aktorët duan gjithnjë të bëjnë diçka. Dhe unë gjithashtu…Aktori Femando Rey thoshte gjithmonë: «Ç’është ky profesion i çuditshëm që ne ushtrojmë». Dhe unë pyes veten se ku qëndron kjo kënaqësi. Në fakt kënaqësia është vetë loja aktoriale, interpretimi dhe kjo kënaqësi është më e madhe kur filmi i përfunduar shfaqet në ekran. Ja pse dëshira ime e vetme është të jem aktore. Këtë profesion nuk do ta ndërroja me asgjë në botë. Kinematografija i personalizon njerëzit. Kështu ne përcaktohemi gjithnjë në raport me kinematografinë: kur jemi të pranishëm apo jo, kur jemi larg apo afër…Kinematografija është një sëmundje nga e cila nuk mund të arrijmë të shërohemi.
Jeta e një aktori kalon përmes suksesesh dhe dështimesh dhe ndoshta më shpesh përmes mos-arritjesh. E pra gjëja e parë që duhet bërë është të rrezistosh, të kesh aftësinë ti rrezistosh dështimit që mund të kesh. Suksesi është ajo pjesë e ajsbergut që duket. Kjo është ekzistenca profesionale, një nga mjeshtëritë që një femër mund të ushtrojë, por me shumë luftë dhe vështirësi. Jam shumë e vëmëndëshme ndaj lojës aktoriale. Më pëlqejnë planet e afërta. Pa kërkuar të imitojmë, ne ecim në rrugë e referenca që na vijnë në mënd gjatë kohës që luajmë. Në skenat joshëse riprodhojmë modele, apo shfaqim xheste të yjeve të kinemasë, si të Marlen Dietrich apo Marilyn Monroe.
Unë flas pak por vëzhgoj shumë: në vëndet publike, në autobus etj. Mund të qëndroj minuta të tëra duke parë një fytyrë, ashtu si në kinema. Ndjek veprimet e vogla, gojët që mbyllen, që hapen, xhestet… Kinematografia dhe psikoanaliza kanë lindur «grosso modo» në këtë shekull. Eshtë interesant dhe madje e rekomanduar ti bashkosh ato në praktikë dhe në teori. Aktori ka fantazmat e tij…Kur personazhet materializohen në ekran, diçka ka dalë nga thellësia e tyre. Duke u bërë materiale, fantazmat e mia vdesin. E kështu tek kanë marrë jetë në ekran, unë i kam vrarë ato brënda meje. Çdo aktor ka metodën e tij të punës. Harvey Keitel vinte muzikë që të mund të interpretonte. Disa mendojnë për vdekjen që të mund të qajnë.
Një aktore jeton gjithnjë e maskuar. Ne vazhdimisht ndryshojmë nga një film tek tjetri. Më pëlqejnë skenarët që nuk kanë shumë fjalë, faqet e të cilëve janë disi të bardha. E di, që duke punuar me regjisorin, do të krijoj plotësisht personazhin dhe do ti jap liri imagjinatës sime.
Sa më shumë personazhi është i komplikuar dhe i dykuptimtë, aq më shumë më pëlqen. Ai është si një pasqyrë ku reflektohet kompleksiteti i botës sonë. Nuk mund të luaj një personazh që është i qartë. Kjo nuk më intereson. Edhe sikur të dua të jem plotësisht e qartë nuk mund të jem, pasi personazhi ka gjithnjë një pamje «opake», sepse qëniet njerëzore janë komplekse. Pra dua një personazh jo të idealizuar, por një personazh midis dritës dhe hijes. Besojmë se një njeri është i tillë apo i atillë, ndërkohë që ai mund të jetë krejt tjetër nga ajo që dallojmë së jashtmi. Ja pse më pëlqen ambiguiteti, sepse ai është i afërt me realitetin, jetën. Cocteau thoshte: «Unë jam gënjeshtra që thotë të vërtetën“.
Pikërisht tani kam dëshirë të loz shumë filma. Tashmë kam një lloj eksperience. Ajo që ka ndryshuar mes filmit tim të parë dhe të fundit është shqetësimi im. Arti sa vjen dhe bëhet edhe më i vështirë. Të xhvishesh në kinematografi, është njëlloj sikur të shkosh tek mjeku. Përpara se të shkosh ti je plot ankth, ashtu si dhe në xhirim. Ti mendon se si do të xhvishem para pesëdhjetë personave në shesh të xhirimit, qoftë dhe nëse nuk do të kesh ndonjë vështrim tinzar. Por pasi gjëndesh mes ekipit, e ndjen veten më mirë, njëlloj si të kridhesh në ujë. Ka aktorë që i pëlqejnë më shumë këto skena.
Të gjithë aktorët janë narcisë. Ata e duan vetveten. Ata gjithnjë mendojnë për trupin e tyre, fytyrën, etj. Arrin të gjëndesh para pasqyrës mbi dhjetë herë në ditë. Sa më shumë kohë kalon, aq më e obseduar bëhem ndaj kësaj gjëndje. Por duhet të jesh e shkathët, ta fshehësh….Kur xhiroj me Pialat apo Godard, mund të jem me flokë të çrregullta, dhe s’ka ndonjë problem. Por në filmin Zonja me kamelie të Bolognini-t, nuk ndodhte e njëjta gjë, sepse ai ishte një estet.
Kur flas për interpretimin e roleve bëj gjithnjë krahasimin me letërsinë. P.sh. sikurse ndodh në filmin Motrat Bronté, të cilat arrijnë të shpikin gjithçka brënda katër mureve. Më pëlqen të them se te aktorja gjithçka është imagjinare, bota e saj, apo e tij, mund të zhvillohet edhe në një botë të mbyllët. Kurrë nuk kam ndjerë nevojë të bëj kërkime rreth një roli, si p.sh. personazhi i filmit Une affaire de femme, Marie Bouchon, një personazh i njohur gjatë pushtimit, në kohën e Vichy-së. Fati i saj ishte tragjik. Edhe nëse do të kisha dëshirë të njihja këtë personazh, jetën dhe epokën e saj, prapë do e kisha të vështirë. Realiteti ishte shumë larg meje, shumë i ndryshëm nga unë. Pra do të ishte e rrezikshme ta kopjoja atë si model. Më mirë ta kujtoja si personazh, me shpresë se mund të kishim një piktakim midis dy figurave.
Ja pse shpesh, kinematografinë e krahasoj me letërsinë. Kam përshtypjen të tërhiqem më shumë pas fjalëve, por meqë nuk mund të lexoj shumë, përdor kinematografinë për të qënë më afër letërsisë, e cila si art i shkon më thellë analizës së brëndshme. Dhe kështu kam përshtypjen se duke luajtur rolet e mia, unë «shkruaj» libra. Imazhet janë çështje të regjisorit. Duke qenë aktore, ke idenë se mund ta analizosh personazhin si në një roman. Madje shpesh pyes veten: vallë a është kinematografia kaq e përkryer sa dhe letersia? A nuk tenton ajo vallë të afrohet me të? Duke qënë një art sintezë, a do të vazhdojë vallë më vonë si art? Kështu bëhem «avokat i djallit», më tepër për të provuar se kam bërë mirë që e kam zgjedhur një profesion të tillë.
Që në fillimet e mia si aktore, kam punuar për të krijuar një rol të vërtetë, pra për vërtetësinë. Aktorët thonë se ata e adhurojnë ti përjetojnë personazhet e tyre, të „gënjejnë“, të bëjnë gjoja apo të mendojnë se përjetojnë jetë të tjera. Kjo ka qënë gjithnjë e huaj për mua. Kurrë nuk kam menduar se që të bëhesh aktore do të thotë të përjetosh jetë të tjera. Për mua ka qënë ndryshe. Ka qënë një eksplozim i i palodhshëm i vetvetes, një lëvizje drejt thellësisë. Pra nuk jam unë që shkoj drejt personazheve, por janë personazhet që vijnë drejt meje. Në këtë kuptim unë asimiloj shumë nga puna aktoriale. Që në hapat e para, për mua nuk ishte të mohoja vetveten për tu bërë dikush tjetër, por përkundrazi, të kuptoja më shumë se cila isha.
Në shesh të xhirimit ndihem e vetmuar. Jam e detyruar të ruaj një lloj distance dhe të kem intimitetin dhe «territorin» tim, për të humbur në të. Për këtë jam e kënaqur, sepse vetmia nxit imagjinatën. Kam shumë ide në kokë dhe kur për ju dikush nuk ka idera apo propozime, kjo ju detyron që ti keni ju.
Po si ta shpjegosh këtë lloj vetmie? Pjesa teatrale Orlando, fillonte me tekstin: «Unë jam vetëm»…» Je suis seul. Dhe po kështu mbaronte. Ishte vazhdimi i një obsesioni. Kur xhiroj, ka në fakt gjithnjë një pyetje që ka mbetur pa përgjigje. Nuk do të doja të isha e kënaqur njëqind përqind. Më pëlqen ndjenja e kërkimit të përhershëm, për të hetuar mbi diçka të padeshifrueshme, ç’ka më jep forcë dhe vitalitet. Në pjesën teatrale Orlando, zbulova diçka të veçantë. Bob Wilson ishte krejt ndryshe nga regjisorët e tjerë. Ai nuk është një regjisor konkret e realist. Me të je në një botë abstrakte e megjithatë kurrë nuk kam qënë aq në thellësi të vetvetes.
Kam thënë dikur se prapa një dukjeje të qetë në të vërtetë unë provoja një vështirësi të madhe për të ekzistuar. Por tashmë organizimi i jetës bëhet më mirë dhe më lehtë. Ka më pak frikë. Eshtë pikërisht kjo frikë që është e rëndë për ta përballuar, pasi është një ndjenjë që prek dinjitetin. Ka jo pak raste ku rrezikojmë të humbasim. Dhe për të fituar mbi frikën, duhet punuar. Duhet të mësojmë se cilët jemi. Që të mos kesh frikë, do të thotë të dish. Frika është përjashtim nga arti, e pra unë nuk kam frikë.
Në teatër trupin mund ta përdorësh në tërësinë dhe unitetin e vet. Ndërsa në ekran, ai është i copëzuar, i „erotizuar“ pjesë-pjesë, pra më misterioz.
Tashmë unë jam një aktore e fortë, dhe më e fortë se personazhet e mia. Kinematografija më ndihmon, ajo nxit imagjinatën e njerëzve që të mendojnë se «po vallzojnë me djallin», se luajnë me zjarrin dhe se ka një betejë të rrezikshme. Për mua ka veç kënaqësi… Rëndësi ka dhe improvizimi, që është liria që ka një aktor, i cili arrin të krijojë brënda kufijve të dhënë dhe një kuadri të përcaktuar. Kënaqësia është kur brënda këtij kuadri të detyruar aktori arrin të krijojë në lirinë e tij.
Në mënyra të ndryshme dhe në planin individual, ne aktorët, nuk kemi asgjë të përbashkët. Dëshira e seduksionit është e vetmja gjë e përbashkët mes nesh. Unë besoj në bindjen e aktorit ndaj regjisorit. Pra nuk duhet ta ndjeni veten të manipuluar, pasivë, etj. Duhet luftuar ideja se ju jeni një objekt. Kështu brënda mundësive, është interesante krijimi nga ana e aktorit e personalitetit të tij. Kjo është pjesë e punës aktoriale. Pra nuk duhet të jeni si një fëmijë që i thonë: „bëni këtë, bëni atë“…Në fakt, gjithçka mbështetet tek besimi që kemi te njëri tjetri, mes aktorit dhe regjisorit. Vetëm regjisori ka të drejtë të mos bindet për diçka, sepse është ai që drejton gjithçka. Po të mos i donin aktorët, Pialat apo Godard s’do mund të bënin dot asnjë lloj filmi.
Kur xhiroj, nuk lexoj shumë, por kur jam e lirë, mbetem gjithnjë pas librave. Pëlqej biografitë dhe romanet. Më parë lexoja libra ku përpiqesha të gjeja vetveten. Ishte diçka narciste. Por tashmë nuk e kam atë interes. Vështrimi im është më i lirë. Librat e mij të adoleshencës kanë qënë ato të Andersenit si Sirena e vogël dhe Vogëlushja e shkrepseve. Më vonë e kuptova pse këto dy libra kishin lënë shumë gjurmë te unë. Atëhere lexoja shumë Pearl Buck, që ishte letërsi e epokës, lexoja Cronin, Colette, apo Les Thibault të R. M. du Gard. Tashmë më pëlqejnë autorët çifutë amerikanë si Singer, apo F. Roth, por ai që preferoj më shumë është Albert Cohen. Belle du Seigneur, (E bukura e Perëndisë), më bëri shumë përshtypje, ndërsa Le livre de ma mère, (Libri i nënës time), më bëri ta adhuroj akoma më shumë. Kur lexoj një libër e kam tmerr të ndahem prej tij. Më arrin që të lexoj disa libra në të njëjtën kohë. Më pëlqen të lexoj para se të flë. Leximi është një mënyrë të përjetuari dhe krijimi imagjinar. Por kur xhiroj një film, kam nevojë për një lloj boshllëku, momente ku s’dua të bëj asgjë. Kjo pritje më ushqen shpirtërisht. Njerëz që të shohin dhe që habiten që ti s’bën asgjë. Por në sajë të kësaj pritjeje e boshllëku, lind roli, krijohet personazhi. Një kohë lexoja shumë filozofi dhe psikoanalizë për të gjetur përgjigje rreth shumë pyetjeve. Pastaj nuk vazhdova më.
Sot, gjithnjë e më pak kam shijen e fatkeqësisë e të melankolisë. Kur fillova të interpretoj në kinematografi, unë përdora më shumë atë pjesë të botës sime që kishte të bënte me diçka të trishtë e të errët. Të afirmohesha, do të thoshte të afirmoja vështirësinë e ekzistencës sime. Tashmë kjo ka ndryshuar…