Ja pse CIA hoqi dorë nga plani për rrëzimin e Enverit
Pse këtë titull? Çfarë është “Djalli me vlerë”?…kështu e kam përkthyer unë
Origjina e titullit vjen nga emrat e koduar të operacioneve të Agjencisë Britanike dhe asaj Amerikane. Emri i koduar për amerikanët ishte Fiend, që mund të përkthehet si dreq ose djall, dhe për britanikët emri i koduar ishte Valuable, që mund të përkthehet i vlefshëm. Prandaj dhe titulli i libri është ‘Operacioni Djalli i vlefshëm’
Si filluan operacionet e CIA-s dhe britanikëve në Shqipëri. Cila është origjina?
Origjina fillestare ishte dëshira e Agjencisë Amerikane CIA, e cila sapo ishte formuar për të goditur Bashkimin Sovjetik dhe vendet satelite të tyre. Ata (CIA) e gjetën Shqipërinë si një vend të izoluar fizikisht pas ndërprerjes së marrëdhënieve mes Titos dhe Stalinit. Shqipëria ishte e izoluar nga kampi sovjetik dhe ishte mendimi se me një goditje të përqendruar, regjimi i Hoxhës mund të përmbysej në atë kohë.
Është fjala për vitin 1948 dhe 1949?
Planifikimi filloi nga fundi i vitit 1948 dhe operacionet e para u ekzekutuan më 1949.
Pse CIA zgjodhi pikërisht Shqipërinë dhe jo një vend tjetër përtej ‘Perdes së Hekurt’. Iu duk regjimi në Shqipëri më i lehtë për t’u goditur?
Shkaku i parë ishte se Shqipëria ishte fizikisht më e izoluar nga kampi sovjetik, kështu trupat ruse e kishin të vështirë kalimin për t’i ardhur në ndihmë regjimit të Hoxhës. Arsyeja tjetër ishte sepse në atë kohë zhvillohej një luftë e ashpër civile në Greqi, mes forcave komuniste dhe forcave antikomuniste dhe siç dihet, regjimi i Hoxhës e kishte hapur kufirin jugor për kalimin e këtyre forcave komuniste në Shqipëri. Dy agjencitë e huaja mendonin se një ndryshim regjimi mund të ndihmonte aspekte të luftës civile në Greqi.
Natyrisht, baza e operacionit ishin grupet e emigrantëve shqiptarë. Po cilët ishin këta njerëz konkretisht?
Ishin tri grupe kryesore, të cilat kishin dalë nga lufta dhe si kundërshtarë të komunistëve. Grupi ndoshta më i madh ishte Balli Kombëtar, grupi tjetër ishin ndjekësit e legalitetit me në krye Abaz Kupin, dhe një grup kosovarësh dhe malësorësh nga Shqipëria Verilindore, me në krye Sait Kryeziun. Të tria këto grupe kishin luftuar komunistët gjatë luftës dhe kur kishin dalë në emigrim u koordinuan nga amerikanët, britanikët dhe agjenci të tjera në rajon kundër regjimit të Hoxhës.
Ku i kishin bazat këto grupe?
Shumica prej tyre ishin emigrantë në Itali dhe në kampe refugjatësh në Greqi. Disa kishin kaluar në Egjipt pranë Zogut, i cili jetonte në atë kohë në Aleksandri. Por shumica e këtyre shqiptarëve jetonin në kushte të dëshpëruara nëpër kampe refugjatësh.
Si dërgoheshin këto grupe? Si arriti CIA t’i organizonte dhe t’i hidhte në Shqipëri?
Kishte ndërhyrje nga toka dhe deti. Metoda më e preferuar e CIA-s ishte parashutimi nga ajri, britanikët preferonin më shumë zbarkimin nga deti. Nga vitet 1952, 1953 dhe 1954, shumica e zbarkimeve ishin nëpërmjet kufirit grek.
Me siguri ka qenë shumë e vështirë hedhja e këtyre grupeve në Shqipëri?
Ishte shumë e vështirë, sidomos nga ata që parashutoheshin. Në qoftë se shikon stërvitjen dhe trajnimin që një ushtarak i zakonshëm merr për të kryer rënien me parashutë dhe ta krahasosh me trajnimin që CIA u dha agjentëve shqiptarë, mund të kuptohet se sa guxim dhe kurajë kishin këta agjentë për t’u hedhur nga aeroplani. Shumica e tyre hidheshin për herë të parë me parashutë. Operacionet e para të viteve 1950 dhe 1951 nuk kishin njerëz në tokë që të sinjalizonin apo t’u tregonin vendin për t’u hedhur dhe ndoshta kjo është një nga arsyet që shumë prej të zbarkuarve pa mjete dhe municione binin në vende të gabuara dhe u ndoqën nga forcat e ndjekjes dhe të Sigurimit.
Ju provoni në librin tuaj se dështimi i operacioneve të CIA-s dhe Agjencisë Britanike nuk erdhi kryesisht si rezultat i tradhtisë së Kim Filbit, por erdhi për shkaqe të tjera. Si keni arritur ju ta provoni këtë? Në çfarë dokumentesh jeni mbështetur?
CIA i ka deklasifikuar të gjitha dokumentet e operacioneve në Shqipëri dhe këto janë nxjerrë nga Arkivi Kombëtar në Uashington. Po të vihet re janë tri valë operacionesh në kohë; më 1949-ën, Filbi ishte akoma me detyrë në Turqi dhe nuk ishte në dijeni të këtyre operacioneve. Gjatë operacioneve të ‘50 dhe ’51, Filbi ishte i pranishëm, por ai u largua nga Uashingtoni me dyshimin se mund të ishte bashkëpunëtor sovjetik.
Filbi erdhi në Uashington si sekretar i Ambasadës britanike, në mos gaboj?
Ajo ishte mbulesa diplomatike, por roli i Filbit ishte koordinues midis zbulimit britanik dhe agjencive të zbulimit amerikan CIA-s, FBI etj. Po të shihet, dështimet më të mëdha të këtyre operacioneve ndodhën gjatë viteve ’52, ’53 dhe ’54, dhe s’ka asnjë dyshim që në atë kohë Filbi nuk kishte asnjë dijeni për operacionet sepse ishte larguar nga shërbimi britanik.
Sidoqoftë, Filbi, një pjesë të informacionit duhet t’ua ketë dhënë sovjetikëve?
Teorikisht ndoshta po, por po të shikosh detyrat nga zbulimi sovjetik për Filbin në Uashington ishin më shumë për sekretet bërthamore të Amerikës, ose për të kontrolluar pozitën e CIA-s si një agjenci e re informacioni dhe zbulimi në Amerikë. Për mendimin tim, një operacion në Shqipëri ishte diçka që dhe sikur Filbi të kishte informata, sovjetikët nuk do ta rrezikonin zbulimin e një agjenti kaq të rëndësishëm për diçka me vlerë kaq të vogël.
Pra, shkak kryesor ishin përçarjet mes grupeve shqiptare. Pse ishin këto përçarje?
Për mendimin tim, këto përçarje ishin trashëguar që nga koha e luftës dhe vazhdonin. Fraksioni zogist, fraksioni i Ballit Kombëtar që ishte kundër Zogut, ashtu si dhe gjatë luftës nuk patën pjekuri që të shikonin komunistët si armikun e tyre kryesor dhe të bashkoheshin në luftën kundër komunistëve. Pasi dolën në emigracion, sado që ata ishin nën ombrellën e Komitetit Shqipëria e Lirë, prapë kishin shumë përçarje midis tyre. Për shembull, kompania 4000 në Gjermani, ku shumica e refugjatëve qëndronin në atë kohë, ishin ndarë në fraksione; ballistët ishin në një grup dhe zogistët në grup më vete. Ata nuk komunikonin me njëri-tjetrin dhe shpesh luftonin njëri-tjetrin.
CIA ishte e vetëdijshme për këto përçarje mes grupeve?
Po, CIA ishte e vetëdijshme. Arriti një kohë pastaj që dhe ata hoqën dorë nga shpresa se këto grupe mund të bashkoheshin.
Një faktor tjetër ishte sipas jush dhe planifikimi i dobët i këtij operacioni. Si shpjegohet kjo?
Diçka që unë kam zbuluar në këto dokumente që kam përmbledhur në libër është se qëllimin final për përmbysjen e regjimit të Hoxhës CIA e braktisi shumë shpejt, qysh nga fundi i vitit 1949 dhe fillimi i vitit 1950. Konjukturat në Ballkan kishin ndryshuar për CIA-n dhe ata thanë që le t’i vazhdojmë këto operacione thjesht për të bërë presion ndaj Hoxhës. Gabimi që CIA bëri, për mendimin tim, është se ajo nuk u tha agjentëve shqiptarë që ne po marrim veprime kundër regjimit të Hoxhës, por tani për tani nuk jemi të përgatitur për përmbysjen e regjimit.
Ndërkohë që grupet e emigrantëve mendonin se synimi ishte përmbysja e regjimit…
Po, ata e kishin të qartë se objektivi kryesor dhe përfundimtar ishte përmbysja e regjimit të Hoxhës.
Tentoi CIA për operacione të tjera në vitet e mëvonshme?
Pas vitit 1954, CIA i pezulloi të gjitha operacionet. Të paktën nuk ka dokumente që të faktojnë një gjë të tillë dhe për mendimin tim, nuk ka patur.
Pse CIA hoqi dorë?
Po ta shohësh në aspektin historik, Stalini vdiq më 1953, mbas një debati të brendshëm në Bashkimin Sovjetik erdhi Hrushovi me atë zbutjen ndaj Perëndimit, kështu që vendimi strategjik i Departamentit të Shtetit Amerikan ishte të zbutej lufta paraluftarake me Bashkimin Sovjetik. Ata vazhdonin me operacione kundërzbulimi dhe inteligjence, por jo goditje paraushtarake. Vëmendja e CIA-s pas kësaj u përqendrua në Amerikën Latine, në Iran dhe në Azinë Juglindore.
Ish-zv/sekretari i Shtetit amerikan
Frank Wisner: Operacioni dështoi se grupet shqiptare ishin të përçara
Mendoj se shumë gjëra në këtë libër janë të reja, sepse autori eksploron një fushë për të cilën është folur shumë përciptas, me sa kam lexuar për historinë e asaj kohe. Ky libër përshkruan me thellësi të konsiderueshme vetë operacionet, jep hollësi për pjesëmarrësit shqiptarë në to si dhe futet në thelbin e gabimeve që u bënë, pra fakti që ky operacion nuk u planifikua dhe aq mirë, nuk u zbatua mirë dhe nuk u financua sa duhej. Informacionet e zbulimit nuk ishin të plota. Pra, megjithëse motivet ishin të qarta, zbatimet e tyre si nga ana e britanikëve dhe ajo shqiptare linte shumë për të dëshiruar. Shqiptarët ishin shumë të përçarë dhe regjimi i Tiranës kishte shumë më tepër hapësirë për ta penguar operacionin si pasojë e përçarjeve mes kundërshtarëve të tij.
Prof. Nikolla Pano: Libri provon se fajin për dështimet nuk e kishte Kim Filbi
Mendoj se ky libër provon se zoti Kim Filbi, megjithëse ishte në dijeni të natyrës së operacioneve sekrete në Shqipëri, nuk kishte akses në planet operative. Megjithëse ai mund të kishte qenë një faktor në dështimin e kësaj aventure në Shqipëri, faktori kryesor që e shkaktoi dështimin ishin përçarjet dhe rivalitetet mes grupeve shqiptare dhe nxjerrjet e informacionit nga ana e grupeve të emigrantëve shqiptarë, si dhe karakteri mjaft burokratik i operacionit. Ishte gjithashtu rivaliteti mes agjencive të ndryshme të përfshira në planifikimin e këtij projekti.