Musolini: “Kolegu im i dashur”
George Seldes
Çdo reporter, gazetar, bashkëpunëtor i jashtëm apo botues që pat vajtur në Romë në vitet e para të Duçes i kërkonte intervistë, por kjo nuk ishte punë e lehtë për meshkujt. Tek e vizitonin “zonjushat gazetare”, siç i quanim atëherë ne ato, e kishin pak më të lehtë dhe ato që shprehnin dëshirë për faqen e parë duke kaluar nëpër dhomën e gjumit e kishin fare të lehtë. Madje edhe në ato ditë të përkora të pas epokës viktoriane “zonjushat gazetare” në mbledhjet e profesionit ishin mjaft të çlirëta për të hedhur e pritur llafe, edhe për të folur për përvojat e tyre, disa sosh edhe mburreshin për mjeshtërinë e të bërit dashuri të atij njeriut të madh, Duçes. (Unë e vendosa në thonjëza “zonjushat gazetare” për t’i dalluar ato nga gratë gazetare, koleget e mia, me qëndrim në Romë apo diku gjetkë nëpër Europë, të cilat mund të kenë marrë ose nuk mund të kenë marrë intervista, por që kurrë nuk i zvetënuan mënyrat e sjelljes së tyre morale.)
Për trupat e huaj të shtypit në Romë vitet e para të Musolinit ishin me të vërtetë të njëjtë. Madje edhe për disa prej nesh që nuk e donin e nuk u shkonte për shtat Fashizmi dhe terrori i Këmishëzinjve të armatosur, ndërsa vrasja e njerëzve të paarmatosur përkonte me faktin se çdo “gazetar punonjës” i rregullt mendonte se Musolini ishte bërë shtypësi i vendit. Disa prej nesh e kishin njohur para shumë vitesh si shok pune, koleg; ne u patëm takuar në të njëjtat strofulla reporterësh, patëm këmbyer lajme dhe pikëpamje. Unë jo vetëm që pata raportuar tok me të për të quajturin gabimisht “Revolucioni i Kuq” i 1919-tës, por e pata parë thuajse çdo ditë në Konferencën e Gjenovës në prill të vitit 1922 e natyrisht pas kësaj u emërova në Romë në vitin 1924 e qëndrova për më shumë se një vit, e shihja atë shpesh dhe një herë i bëra një intervistë të gjatë prej disa orësh.
Eyre i gazetës World më tregoi se pat bërë kërkime për udhën e fshehtë nga shtypi drejt ngjitjes në pushtet të Musolinit. Ai e mori këtë informacion prej një miku në Quai d’Orsay, por kjo u vërtetua më vonë kur Musolini u zbulua për një korrupsion dhe u përjashtua nga Shoqata e Gazetarëve të Lombardisë. Faktet ishin këto.
Ndonëse Italia pat bërë marrëveshje me Forcat Kryesore të traktatit gjatë Luftës së Parë Botërore, ajo nuk mund të bashkohej me luftuesit për shkak të armikut të vjetër mbretërisë austro-hungareze, kështu qëndroi neutrale. Atëhere njerëz të mençur nga Zyra e Jashtme Franceze dërguan udhëheqësin e shquar soicialist, Jules Guesde, njëherë e një kohë bashkëpunëtor me Karl Marksin, t’i kërkonin Musolinit, botuesit të së përditshmes të partisë socialiste, Avanti, në se do të ishte i gatshëm të pranonte 200.000 franga (40.000 $) për të themeluar një gazetë, që do të përkrahte Çështjen Aleate dhe ta nxiste Italinë për të hyrë në luftë në anën tonë. Musolini gjithashtu do të merrte një shumë mujore prej mijëra frangash të mjaftueshme për të mbajtur ecurinë e gazetës ditore.
Musolini e pa se ëndrra e jetës së tij po bëhej e vërtetë. Ai shpresonte që një ditë të botonte një gazetë të vetën, kështu i përlau paratë dhe themeloi gazetën e Milanos Popolo d’Italiaaty botonte lajme, që i përshtateshin çështjes së Aleatëve. Në të vërtetë erdhi dita kur Italia i shpalli luftë Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë.
Kur Eyre dhe unë i bëmë një vizitë të shkurtër Musolinit më 1919, ai u soll si të ishte vetë përzemërsia. Gjëja e parë që tha kur i treguam se na kishin dërguar në Torino për grevën se ai pat ofruar Këmishëzinjtë e tij për grevën sepse e konsideronte atë “një grevë krijuese”. Pastaj ai shtoi, “Kolegët e mi të dashur, unë jam ende socialist”. Gjithashtu propozoi një union ndërmjet punës dhe forcës së tij të re të cilën e quante Fascismo Italiani di Combattimento. Së toku ata mund ta merrnin qeverinë edhe fabrikat. “Unë e pështyj demokracinë ligjore sociale të unioneve të punës”, na tha duke e ilustruar foljen.
Mes e përmes historisë, ai vazhdoi, “forcat e armatosura kanë pushtuar dhe ato të paarmatosurat janë shkatërruar”, heshti një grimë për të vënë re në se kolegët e tij më pak të zgjuar e dinin se ai po citonte shkrimtarin e tij të preferuar Makiavelin. “Ky është Makiaveli”, shtoi e pas një heshtjeje, “Makiaveli ishte fashisti i parë”.
Ku qëndronte e fshehta e këtij të foluri me dy kuptime: Unë jam ende socialist. Unë jam fashist? Nga fundi i vitit 1922, në Paris ish-kryeministri italian Nitti më prezantoi me kryetarin e unioneve të punës të mërguarin, Buozzi, i cili më lejoi të kopjoja një dokument të rëndësishëm të shkruar në kohën e “kryengritjes” së Torinos. Dokumenti i Buozzit përfundon:
Ky është sekreti. I shtyrë nga një ambicie e shfrenuar, Musolini zgjodhi ta mbajë një derë të hapur të Djathtën a të Majtën, kështu çfarëdo që të ndodhte pas pushtimit të fabrikave, ai të kishte mundësi të ngrihej, në krye të një lëvizjeje revolucionare ose të një lëvizjeje reaksionare.
Takimi im tjetër me Musolinin ndodhi në Konferencën e Gjenovës më 1922, kjo konferencë tërhoqi rreth katërqind korrespondentë të huaj. Musolini u shfaq si reporter i gazetës Popolo. Burimi kryesor i lajmeve ishte konferenca e përditshme e shtypit mbajtur nga David Lloyd George vetëm për britanikët. Ne amerikanët u lutëm për të ndjekur konferencën e përditshme dhe na lejuan me kënaqësi. Pastaj u pranuan edhe të gjithë europianët e tjerë. Menjëherë ndodhi rrëmuja. Një gazetar, në vend që të bënte pyetje, filloi të mbajë fjalime. Ai u grind me Zotin George mbi shumë çështje duke shkaktuar provokim.
“Cili është ky njeri që po na shqetëson?” Pyeti Zoti Lloyd George.
Dikush i tregoi se ai ishte një gazetar italian i gazetës Popolo d’Italia i quajtur Musolini.
“Atëhere flakeni përjashta”, tha Zoti Lloyd George, dy roje britanike e shpunë në vend fjalën e tij. Shumë prej nesh duartrokitëm.
Herën e tretë që e pashë, ai dukej një Musolini i ri, një lloj shtetari me pantallonat me vija, duke qëndruar ulur i vrenjtur prapa tryezës së madhe në dhomën e hartave në Pallatin Çigi, ishte 29 shkurti i vitit 1924. Në të vërtetë pati harruar se ishte vit i brishtë e nuk pati lënë takime për datën njëzet e nëntë prandaj më dha një intervistë prej më se dy orëshe duke rrëfyer gjithçka për jetën e vet përveç politikës. “Janë librat. Lexoni librat”. Më tha. Për çfarë mund të fliste? Për kafshët e tij shtëpiake. Për këlyshët e luanit. Për sportin e tij kryesor: ta ngiste makinën deri në rrezik. Ai nuk ishte kundër alkoolit por “të pirët nuk ka dobi, alkooli më sjell mërzi”. Hobi i tij violina. “Është strehëza ime”. “Muzika ngandonjëherë më nxjerr lot nga sytë… Nuk më vjen turp ta pranoj këtë”. Kompozitori më i madh i të gjitha kohërave është Vivaldi.
Feja? (Nuk e pyeta, “A jeni ende ateist?” por pata gjetur një kopje të rrallë të shkrimit të tij të parë, pamfletin “Dieu n’existe pas” [“Zoti nuk ekziston”}, botuar në Zvicër.) “Unë jam fatalist”, u përgjigj ai, “Unë besoj tek ylli i fatit. Nuk i trembem asgjëje në botë. Nuk kam frikë nga vdekja”.
Tërë jeta e tij ishte formuar nga librat. Cili qe autori i tij i preferuar? Ai u përgjigj, “Soreli, Makiaveli, Niçe. Niçe ka influencuar tek unë më tepër se çdo njeri i gjallë apo i vdekur”. Ai përdorte titujt e librave të Niçes në bisedë, duke vëzhguar në i dija unë; vijonte të fliste të jesh Njerëzor, Gjithçka Shumë Njerëzore, Përtej të Mirës dhe të Keqes. Ai shkoi përtej Niçes “Ti që vete tek gruaja mos harro kamzhikun” duke thënë se epigrami i tij ishte La fortuna e donna – bisogne prenderla e batterla. (“Fati është grua – ti duhet ta pushtosh e ta zotërosh”.) Kjo ishte drejtpërdrejt nga Makiaveli, por ai e kaloi si të tijën.
Ndoshta gjëja më interesante që tha ishte për vitet e rinisë, kur ndodhej në Zvicër e kish filluar punën e parë veç si miliona italianë edhe ai mendonte për të emigruar në Amerikë ku pagesa e një muratori apo një gurgdhendësi ishte shumë e mirë.
Çfarë e bënte të mendonte?
“Isha nëntëmbëdhjetë vjeç”, u përgjigj. “Mendoja ta gjeja fatin tim në Amerikë. Hodha një monedhë”.
Heshti dhe m’u duk se kaloi një kohë e gjatë.
“Rini! Rini!” tha ai dhe psherëtiu. “Një ëndërr! Një ëndërr! Do të doja ta dija çfarë do të isha bërë po të kisha vajtur në Amerikë?”
Ai mund të qe bërë organizatori kryesor ose presidenti i unionit të muratorëve.
Kur u ngrita për të ikur, Musolini mori një fotografi të tijën dhe një luan të vogël nga rafti i madh më shkroi “Kolegut të dashur, George Seldes”, e firmosi dhe i vuri datën.
Nga fundi i vitit 1924 unë isha caktuar në Romë përngaherë, udhëtova nga Berlini për në Paris drejt tek Cafe Select. Në këtë kafene takova William Bolitho, me të cilin pata punuar në Gjermani e pata bërë shumë lajme të mbushura me historira. Asokohe ai njihej si William Ryall i Manchester Gardian. Tani preferonte emrin e mesit, mbiemrin Bolitho nga ana e nënës së vet.
Kur ai dëgjoi fjalën Romë u interesua për qamet; më tha se puna ime e parë ishte të mblidhja faktet dhe dokumentet e fillimit mbi fashizmin, të cilat Musolini po përpiqej t’i fshinte nga historia.
“Për nja pesë vjet”, tha ai “Musolini do ta shkatërrojë historinë e së kaluarës dhe do ta zëvendësojë me kopje të falsifikuara. E vërteta po zhduket çdo ditë. Ne kushedi nuk do të arrijmë dot tek faktet se si Musolinit i dhanë ryshfet nga Zyra e Jashtme Franceze më 1914, por megjithatë mund të gjesh manifestet e Musolinit, formulimet, fjalimet radikale socialiste e mund të marrësh të dhëna nga mijëra persona rreth terrorit e gjakderdhjes të Këmishëzinjve në shumë qytete duke filluar para vitit 1920”.
Një nga shembujt më të mirë të shtypjes ishte programi origjinal fashist, i cili, tha Bolitho, përbëhej nga gjashtëmbëdhjetë pika duke përfshirë dhjetë pika të hartuara nga Marksi dhe Engelsi në Manifestin Komunist: e gjithë toka të ndahet, “shpronësim i pjesshëm i të pasurve”, “një taksë mbi fitimin”, hekurudhat t’u jepeshin punonjësve të rrugës hekurudhore dhe të tjera ndërmarrje kombëtare të dorëzoheshin po në të njëjtën mënyrë.
Bolitho e dinte se Musolini dhe Këmishëzinjtë e tij ishin blerë dhe paguar që nga greva e përgjithshme e 1919-1920-tës nga Confederazione Centrale dell’Industria që është njësoj si Shoqëria Kombëtare Amerikane e Manifakturës apo Federata e Industrive Britanike.
Konfederata e Përgjithshme e Industrisë, tha Bolitho, i pat dhënë Musolinit njëzet milionë lireta, atëhere me vlerë prej një milion dollarësh, e cila u përdor për të pajisur barakat, për të blerë pushkët, uniformat, klubet dhe vaj recinin – një zbulim modern i fashizmit në historinë e torturës dhe vdekjes së ngadaltë me dhimbje. Subvencione të tjera të fashizmit të emërtuara nga Bolitho ishin:
Lega Industriele (e barabartë me Industritë e Bashkuara)
Associazone fra Industriali Metallurgica (e barabartë me Institutin tonë Hekur & Çelik)
Ente Nazionale per le Industria Turistici (dhomë e tregtisë të industrisë turistike)
Associazone Grandi Alberghi (pronarët e hoteleve të mëdhenj)
Bolitho mund t’i emërtonte të gjithë interesat e biznesit, të cilët fitonin para prej Fashizmit të Musolinit. Gazeta Manchester Guardian gjithnjë pat qenë respektuar si shumë e rëndësishme, në mos më e rëndësishmja e kohës. Në Shtetet e Bashkuara gazeta World e Nju Jorkut dhe simotra e saj Post-Dispatch e San Luisit, mund të rishtypnin historitë e Guardian, por Asoshiejted Pres dhe Shërbimi i Lajmeve Ndërkombëtare (Hearst) dhe shumica e gazetave u vinte më për mbarë të botonin artikuj të turistëve që udhëtonin me trena se sa artikuj rreth interesave të Musolinit për marrje ryshfetesh.
“Por para së gjithash”, tha Bolitho, “përpiqu të marrësh fakte mbi vrasjen politike të Matteottit, ti e di se ai u vra pikërisht pasi shpalli se do të vinte në dijeni për një marrëveshje ndërmjet Kompanisë Sinclair Oil dhe udhëheqësve të shquar fashistë. Ndiqe këtë histori: ajo do ta tronditë botën”.
Lajm i ndaluar: Vrasja politike e Matteotti-t
Gjëja e parë që bëra, kur mora zyrën e Tribune në Hotel Ekselsior në Via Veneto, ishte të pastroja tryezën e paraardhësit tim. Ai ishte një burrë i quajtur De Santo dhe menjëherë e kuptova nga letrat që gjeta se pat qenë një punëtor vullnetar në anën e Musolinit. Ai, bashkë me shumë korrespondentë të tjerë, që nuk përfaqësonin vetëm amerikanët, por shtypin botëror, mirrte një ryshfet mujor nga Musolini në formën e pesë mijë fjalëve pa pagesë nëpërmjet telegrafit apo kabllogramit
Pastaj gjeta një ndihmës përkthyes, Camillo Cianfarra dhe gjëja e parë që e pyeta ishte, në se dinte diçka për thashethemin që kishim dëgjuar në Paris se Musolini ishte ngatërruar në një farë mënyre në vrasjen politike të rivalit të tij, kryetarit të Partisë Socialiste Giacomo Matteotti?
“Thashetheme?” bërtiti Cianfarra. “Dokumentet e provuan, pohimet e njerëzve të Musolinit mund të gjenden në çdo qoshk gazete të Romës”.
Por, pyeta unë, përse kjo histori që do “të trondiste botën” nuk shkruhet?
Përgjigjja shkurt: Salvatore Cortesi i Asoshiejted Pres, shërbimit më kryesor të lajmeve në botë, të cilat dalin thuajse në çdo gazetë të mëngjesit të çdo vendi, më së shumti në Amerikën veriore, qendrore dhe jugore, kjo agjensi këmben lajme me Reuters, Havas, Ullfbyro, Tass e shërbimet e tjera kombëtare në krye të saj ishte ky fashist i njohur, njeriu kryesor i publicitetit të Musolinit. Arnaldo Cortesi, biri i tij, ishte korrespondent i Romës përThe New York Times. Edhe ai ishte një super-fashist. De Santo ishte fashist dhe kjo e vinteChicago Tribune në listën e të përditshmeve të fuqishme, që jepnin lajme në mbështetje të fashizmit. Sa për disa gazetarë liberalë me qëndrim në Romë, të gjithë pa përjashtim më paralajmëruan se në rast se do të dërgoja historinë e vërtetë të fajit të Musolinit, Duçja nuk do të hezitonte të më vriste. Secili nga kolegët e mi kishte fotokopje të pohimeve të bëra prej Cezare Rossi-t, kryetar i Zyrës së Shtypit Italian dhe Filippo Filippeli-t, drejtor i Corriere Italiano. Po ashtu kolegët e mi më treguan se kishte dy këndvështrime të lajmeve në faqet e para amerikane. Njeriu, që kishte bërë shumicën e sulmeve ishte një gangster amerikan. Emri i tij ishte Amerigo Dumini, ai kish lindur në San Ljuis dhe ndonëse babai i tij mbante një emër italian, e ëma ishte një amerikane e lindur Jessie Williams. Dumini nuk ishte vetëm vrasës me pagesë, por ai e kishte grurë me Musolinin, nuk e vizitonte Duçen vetëm në zyrë, por edhe në shtëpinë e tij. Këndvështrimi i dytë ishte fjalimi i Matteotti-t në Dhomën e Deputetëve i planifikuar për ditën kur e masakruan, në të cilin ai tha se Kompania Sinclair e Naftës dhe kryesuesi i saj, Harry F. Sinclair, po tirrnin intriga që të joshnin me ryshfete njerëz pranë Musolinit duke përfshirë edhe anëtarë të kabinetit – në përpjekje për të zhvatur monopolin e naftës në Itali.
Ishte vërtet një histori për të tundur botën. E dërgova me postë nëpërmjet zyrës së Tribunenë Paris dhe i paralajmërova të mos e botonin në Paris sepse mund të më vrisnin. Mëngjesin tjetër botimi i Parisit që paraqiste vrasjen politike të Matteotti-t u shit në mbarë Europën, emri im shquante mbi të.
Kur më urdhëruan të largohesha menjëherë nga Italia, i gjithë shtypi amerikan protestoi me përjashtim të dy Kortesëve, u tha se vetëm Dino Grandi, që njihej si dora e djathtë e Musolinit, mund ta anullonte urdhërin. Atë natë ftova kolegët të festonim, kisha një apartament në Rrugën Lombardia. Ne hëngrëm e pimë e kënduam për orë të tëra. Pastaj u dëgjua një trokitje në derë. Katër burra, dy me uniforma policie, më urdhëruan të mblidhja gjërat e mia; ata do të më shpinin tek treni për në Paris. I bëra gati rraqet.
Për shkaqe që unë kurrë nuk i mora vesh, treni Orient Ekspres qëndroi një orë në këtë anë të kufirit francez. Qyteti quhej Modena. Pasi kishim pritur nja gjysmë ore dëgjova të bërtitura, gurgule në vagonët e fjetjes dhe pikërisht fjalët “Dove Seldes?” (“Ku është Seldes?”) Pastaj pashë Këmishëzinjtë me kopaçe në duar e kuptova se Musolini u pat dërguar fjalë squadristitë Modenës të më zhdëpnin, apo të më jepnin me zor një çerek a gjysmë litër vaj recini, një metodë që përfundonte me vdekje, jo vdekje e menjëhershme, që mund të quhej vrasje fashiste, por vuajtje e ngadaltë dhe vdekje me shumë dhimbje.
Në kupenë e tretë pas times pata parë katër burra, dy prej tyre me sa dukej ishin oficerë të marinës britanike. Nuk e duroja dot të takohesha me të huaj anglezë, por duhej. “Më falni”, u thashë, “por më janë vënë pas të më vrasin fashistët, ata po më kërkojnë në vagonët e fjetjes e do të vijnë këtu nga minuta në minutë. Unë jam korrespondent për Chicago Tribunedhe më ka përzënë Musolini…”
“Ju lutem uluni”, tha oficeri më i moshuar; “ne jemi katër admiralë nga Malta, dy me rroba civile…”
Dhe në këtë moment mbërritën squadristi, e tërhoqën derën e hapur e duke parë tre me rroba civile bërtitën “Dove Seldes?”
Admirali në detyrë u ngrit dhe lëshoi komandën: “Jashtë! Dilni përjashtë, ju porco fascisti!”Dhe “derrat fashistë” e mbyllën gojën, ata sa nuk u përkulën barkas para admiralëve, duke pëshpëritur Perdone, perdone signori e ia mbathën.
Nja njëzet minuta më vonë u ndodhëm në kufirin francez për kontroll të pasaportave. Për një çast ndjeva se do ta puthja tokën.[1]
Shkëputur nga libri “Dëshmitari i një shekulli”