PËR ÇFARË FLET ARRESTIMI I RAMUSH HARADINAJT NË FRANCË
Spartak NGJELA
Asnjëherë shqiptarët, që pas Ismail Qemalit, nuk janë drejtuar nga njerëz me personalitet. Kjo dhe kundërshtimi i fuqive të mëdha europiane Francë-Rusi, kanë qënë dhe fatkeqësia kryesore e rrudhjes së territoreve shqiptare dhe e ekzistencës reale të varfërisë dhe prapambetjes shqiptare në qytetërim.
Ka një defekt historik në koshiencen politike shqiptare: gjithmonë krerët që kanë dashur të drejtojnë shtetin, kanë shitur interesin kombëtar. I pari e krijoi precedentin Esat Toptani: një matrapaz ordiner ky i shitjes së interesit kombëtar. I njohur fillimisht si luftëtar në rrethimin e Shkodrës nga Malazezët në vitin 1912, dhe shumë i pasur, luajti gjithçka kundër Shqipërisë në favor të xhepit dhe ambicies së tij patologjike për të qënë princi i Shqipërisë.
I dyti spikati Ahmet Zogu, përgjithësisht i paditur, dhe patologjik për të qënë princi i Shqipërisë, gati për të shitur gjithçka, sikurse i shiti. Nuk krijoi asnjë lloj impakti në arenën ndërkombëtare si politikan i artikuluar, dhe e la Shqipërinë në mes të katër rrugëve gati për t’u shpërbërë…
I treti ishte Enver Hoxha, gati injorant edhe ky si dy të parët. Shitës i madh i interesave të shqiptarëve dhe Shqipërisë fillimisht, dhe një izolacionist i paskrupull deri në sadizmëm më pas. E izoloi Shqipërinë nga kompleksi i inferioritetit që kishte me klasën politike perëndimore, vetëm për pushtet personal.
I katërti ka qënë Sali Berisha, që me urrejtje antishqiptare, nuk e la Shqipërinë të hynte në Perëndim, sepse e dinte që nuk pranohej nga amerikanët, të cilët, pasi e përkrahën në vitin 1991-1992, deshën ta rrëzonin që në vitin 1993-1994 si forcë e islamizmit radikal në Shqipëri, dhe e rrëzuan në vitin 1997 pas trazirave të mëdha të viteve 1996-1997.
ll.
Po sot?
Sot Shqipëria drejtohet sërish nga politikanë krejt të paartikuluar politikisht në nivel perëndimor, por interesi i madh amerikan dhe europiano-perëndimor ka bërë që kjo politikë e paartikuluar që drejton, të mbijetojë derisa amerikanët dhe gjermanët të bëjnë reformën e thellë në drejtësinë shqiptare dhe të zhvillojnë deri në fund luftën kundër korrupsionit ultra kriminal të politikës së lartë shqiptare.
Reforma e pritur do t’i japë fund antiintelektualizmit të politikës shqiptare, për të sjellë edhe në Shqipëri, në drejtim, një klasë politike të artikuluar.
lll.
E gjithë kjo gjendje sterile që ka sjellë në Shqipëri një sundim i gjatë injorant dhe të korruptuar, e ka rrëzuar deri në zero personalitetin e Shqipërise dhe shqiptarëve në rrafsh perëndimor. Por është pikërisht ky personalitet i rrafshuar deri në zero i Shqipërisë si shtet që ka sjellë ndërkohë edhe neglizhimin ndërkombëtar ndaj ecurisë së shtetit shqiptar të Kosovës. Është pikërisht kjo mungesë e theksuar e personalitetit të Shqipërisë në Perendim, që ka sjellë si rezultat edhe vështirësinë e madhe të njohjes së Kosovës plotësisht si shtet i pavarur në arenën ndërkombëtare.
Rasti më i freskët është arrestimi i Ramush Haradinajt, i cili edhe pse është një hero i luftës për pavarësinë e Kosovës, arrestohet nga policia franceze për hesap të serbëve. E pra, ku e gjejnë serbët këtë forcë që i dalin ndesh historisë së shqiptarëve, në një kohë kur shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës janë në aleancë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Këtu duhet të fillojë analiza e re e pozicionit shqiptar.
Është mungesa e një arsyeje politike të brendshme réformiste në
Shqipëri, që po dëmton të gjithë çeshtjen shqiptare në Ballkan. Kjo reformë e penguar që po pritet dhe që duhej të kishte përfunduar tani, iu ka dhënë shumë forcë qarqeve antishqiptare të fqinjëve të Ballkanit. Kuptohet se ka një lojë bashkëpunuese midis korrupsionit të lartë politik në Shqipëri, dhe politikave antishqiptare të fqinjëve. Rasti më i freskët ishte banditizmi i Berishës kundër karakterit shqiptar në Himarë. Por ka dhe shumë bashkëpunime të nëndheshme të tipit esadist dhe zogollian në këto momente të rëndësishme, për të penguar triumfin e çështjes shqiptare në Ballkan dhe të emancipimit tërësisht perëndimor të Shqipërisë europiane që po aspiron antarësimin e saj në Bashkimin Europian.
Të gjithë kundërshtarët historikë të Shqipërisë dhe çështjes shqiptare në Ballkan, janë hedhur sot për të denigruar shqiptarët. Por, në çeshtjen e Ramush Haradinajt, një pikë kyçe në favor të shiptarëve pritet të jetë qëndrimi i politikës amerikane. Dhe ai do të vijë….