Plani sekret i Richard Nixon për të sjellë paqe në Vietnam
Mëngjesin e 27 tetorit 1969, një skuadron prej 18avionësh B-52 — bombardues masivë me 8 motora turbo masivë dhe 59 metra gjatësi krahësh — filluan të fluturojnë nga perëndimi i Shteteve të Bashkuara drejt kufirit lindor të Bashkimit Sovjetik. Pilotët fluturuan për 18 orë me radhë pa ndalim, duke lëvizur drejt objektivave të tyre me më shumë se 500 milje në orë. Secili avion ishte i pajisur me armë bërthamore qindra herë më të fuqishme se ato që kishin shkatërruar Hiroshimën e dhe Nagasakin. Avionët B-52, të njohur si Stratofortresses, e ulën shpejtësinë vetëm një herë, gjatë bregut të Kanadasë afër kallotës polare. Atje, avionë KC-135 — në thelb Boeing 707 të mbushur me karburant avionësh – ju afruan me kujdes bombarduesve. Ata u afruan për një lidhje në fluturim, duke transferuar mijëra galonë nga avioni në avion nëpërmjet një tubi të hollë të gjatë. Një ndryshim i pafat në kursin e erës apo prekje e pakontrolluar e aparaturave dhe një avion i mbushur me 150 ton karburant mund të përplasej me një avion të mbushur me pajisje bërthamore. Avionët qenë të drejtuar për në Moskë, por objektivi i vërtetë ishte që të ndryshohej lufta në Vietnam. Gjatë fushatës së tij për presidencën një vit më parë, Richard Nixon kish premtuar solemnisht që t’i jepte fund konfliktit, por më shumë se 4500 amerikanë kishin humbur jetën atje në gjashtë muajt e parë të vitit 1969, përfshi 84 ushtarët në disfatën e Hamburger Hill. Ndërkohë, negociatat e paqes në Paris, të cilat shumë njerëz shpresonin se do t’i jepnin fund konfliktit, qenë ndërprerë. Vietnamezët kishin deklaruar se ata do të uleshin atje, duke mos lëshuar asgjë, “derisa karriget të kalbeshin”. I acaruar, Nixon vendosi që të provojë diçka të re: të kërcënojë Bashkimin Sovjetik me një goditje masive bërthamore dhe t’i bënte liderët e tij që të mendonin se ishte aq i çmendur sa ta realizonte një gjë të tillë. Shpresa e tij ishte që sovjetikët do të frikësoheshin aq shumë nga ngjarjet që po dilnin jashtë kontrollit sa do t’i vërsuleshin Hanoit, duke u verivietnamezëve që të fillonin të bënin lëshime në tavolinën e bisedimeve ose rrezikonin të humbitnin mbështetjen ushtarake sovjetike. I mbiquajtur “Giant Lance”, plani i Nixon qe kulmimi i një strategjie prek çmendurie të paramenduar që kish zhvilluar me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të tij, Henry Kissinger. Detajet e këtij episodi mbetën sekret për 35 vjet me radhë dhe nuk janë treguar kurrë plotësisht. Tani, falë dokumenteve të liruara nëpërmjet Freedom of Information Act, është e qartë se “Giant Lance” qe shembulli kryesor i asaj që historianët e quajnë “teoria e njeriut të çmendur”: Nocioni i Nixon se zemërimi i shtirur “gishti tek butoni” do t’i bënte sovjetikët të binin dakord. Nixon dhe Kissinger e vunë planin në veprim më 10 tetor, duke dërguar në Strategic Air Command (SAC) e forcave të armatosura amerikane një urdhër urgjent për një konfrontim të mundshëm: Ata donin që armët më të fuqishme termobërthamore në arsenalin amerikan të ishin gati për përdorim të menjëhershëm kundër Bashkimit Sovjetik. Misioni qe aq sekret sa që edhe oficerë të rangut të lartë që zbatonin urdhrat – përfshi vetë komandantin e SAC-it – nuk qenë të informuar për qëllimin e vërtetë të tij. Dy javë më pas, avionët qenë gati dhe ekipe punonjësish në bazat e Air Force në shtetin Washington dhe në Southern California filluan të përgatiteshin për betejë, duke ngarkuar armë të rënda dhe me përmasa të mëdha në mënyrë frenetike. Punonjësit qenë shtyrë përtej kualifikimit të tyre dhe mund të kish ndodhur ndonjë shpërthim aksidental. Kishte pasur pothuajse katastrofa më parë. Vetëm një vit më parë, një Stratofortress ishte rrëzuar në Groenlandë dhe kish çliruar material radioaktiv. Pas lëshimit të tyre, avionët B-52 e cenuan hapësirën ajrore sovjetike për tri ditë. Ata shkelën territorin armik, duke sfiduar mbrojtjet dhe ngacmuar forcën ajrore sovjetike. Pilotët qëndronin në gjendje gatishmërie, të përgatitur për t’i lëshuar bombat nëqoftëse urdhëroheshin. Sovjetikët me sa duket e dinin rreth kërcënimit që po i bëhej: Radarët i kapën avionët herët në trajektoret e fluturimit të tyre dhe avionët spiunë monitoronin bazat amerikane. Ata e dinin se bombarduesit qenë të pajisur me armë bërthamore, sepse mund ta përcaktonin peshën e tyre nga gjurmët e ngritjes dhe përdorimi i karburantit. Gjatë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara i kishin mbajtur në ajër avionët e armatosur me armë bërthamore si frikësues të mundshëm (nëqoftëse sovjetikët i hidhnin në erë të gjitha bazat tona ajrore, ne sërish duhet të ishim në gjendje për t’u kundërpërgjigjur). Por në vitin 1968, Pentagoni e ndaloi publikisht këtë praktikë, kështu që sovjetikët nuk do të kishin menduar se 18 planet qenë pjesë e një patrulle. Melvin Laird, Sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes, i cili ju kundërvu operacionit, kish frikë se sovjetikët do ta interpretonin “Giant Lance” si sulm, duke shkaktuar katastrofë, ose si bllof, duke e bërë Washington të dukej i dobët. Në mënyrë të rrezikshme, Shtetet e Bashkuara kishin ardhur afër luftës bërthamore më parë: Gjatë krizës së raketave të Kubës në vitin 1962, forcat bërthamore të vendit u vendosën për përdorim eminent në kundërpërgjigje të aksioneve sovjetike. Në shumë raste, avionët që mbanin armë bërthamore qenë rrëzuar: herë të tjera, operatorët radarë kishin keqinterpretuar turmat e zogjve migrues si goditje të parë sovjetike. Megjithatë, tetori 1969 qe ndryshe. Ai qe momenti i vetëm që dimë kur një President vendosi se kishte kuptim strategjik që të pretendonte të fillonte Luftën e Tretë Botërore. Qëndrimi prej njeriu të çmendur i Nixon dhe “Giant Lance” bazoheshin në teorinë e lojës, një degë e matematikës që përdor kalkulime të thjeshta dhe logjikë rigoroze për të ndihmuar të kuptohet sesi njerëzit bëjnë zgjedhjet – nëse për të shpërthyer në trafik apo nëse t’i përgjigjen një provokimi ushtarak me një goditje të tyren. Shembulli më i famshëm në fushë është Dilema e të Burgosurit: nëqoftëse dy kriminelë të dyshuar mbahen në qeli të ndara, ata do të qëndrojnë pafolur apo do ta braktisin njëri tjetrin? (Përgjigje: Ata do të rrinë të qetë, por, si aktorë të interesuar tek vetvetja, ajo çka do të bëjnë është tradhëtimi njëri tjetrit dhe të dy do të përfundojnë në burg). Gjatë Luftës së Ftohtë, “lojërat” qenë simulime shumë më të komplikuara lufte dhe negocimi: A do të kishte më shumë gjasa se sovjetikët do ta sulmonin Europën Perëndimore nëqoftëse ne do të mbanin raketa atje apo jo? Kissinger e kish studiuar teorinë e lojës si akademik i ri dhe teoricien strategjist i ri në Harvard University. Në fillimin e viteve Gjashtëdhjetë ai qe pjesë e një grupi veteranësh të Luftës së Dytë Botërore qe u bënë orakujt ose “fëmijët gjeni” të erës bërthamore. Duke punuar në institutet dhe qendrat kërkimore e sapoformuara, si puna e RAND Corporation, ata predikuan se mënyra e duhur për t’u ndeshur me ekzistencën e armëve bërthamore nuk ishte të veprohej sikur situata qe aq e rëndë sa që njeriu bile as nuk mund të diskutonte përdorimin e tyre; ishte të kuptohej sesi të përdoreshin ata në mënyrë sa më efikase. Ky qe qëndrimi i përqeshur nga Stanley Kubrik tek Dr. Strangelove, në të cilin RAND duket mezi e kamufluar si Bland Corporation. Një prej pikave fillestare të teorisë së lojës së Luftës së Ftohtë qe doktrina e propozuar e “hakmarrjes masive” e Presidentit Eisenhower: Washington do t’i përgjigjej dhunshëm çdo sulmi ndaj Shteteve të Bashkuara apo aleatëve të tyre. Kjo, vazhdonte mendimi, do të krijonte aq frikë sa të ndalonte çdo agresion armik, por Kissinger besonte se kjo politikë aktualisht mund t’i inkurajonte armiqtë dhe ta kufizonte fuqinë tonë. Vërtet Shtetet e Bashkuara do ta godisnin Moskën me armë bërthamore nëqoftëse sovjetikët financonin disa rebelë komunistë në Angolë apo fitonin një cep të Iranit? Sigurisht që jo. Si rezultat, armiqtë do të angazhoheshin në “taktika përça e sundo”, duke i ndarë interesat amerikane, me besim në vetvete se Shtetet e Bashkuara nuk do të kundërpërgjigjeshin. Bombat “bistak”, të konceptuara me nënbomba më të vogla për të shkaktuar reaksione zinxhir shpërthimesh, u bënë një pjesë e rëndësishme e arsenalit ushtarak konvencional amerikan në vitet Gjashtëdhjetë. Në Azinë Juglindore bombat “bistak” u lejuan forcave të armatosura amerikane që t’u shkaktojnë një dëm të madh armikut nga ajri, pa ju drejtuar armëve bërthamore. shtëpia e Bardhë kishte nevojë për një spektër të gjerë opsionesh ushtarake. Më shumë zgjedhje, vazhdonte mendimi, do të na lejonin të parandalonim disa konflikte që të fillonin, duke siguruar leva negocimi në të tjerat, dhe akoma më tej ndalin të tjerëve nga acarimi i mëtejshëm. Kjo logjike prej teorie loje qe themeli për atë çka u bë në vitet Gjashtëdhjetë e Shtatëdhjetë doktrina e “kundërpërgjigjes fleksibël”: Washington do t’u kundërpërgjigjej kërcënimeve të vogla me mënyra të vogla dhe kërcënimeve të mëdha me mënyra të mëdha. Teoria e njeriut të çmendur qe një zgjerim i kësaj doktrine. Nëqoftëse do të mbështeteni në atë që krijoni nga të qenit të aftë për t’u kundërpërgjigjur në mënyra fleksibël – nga vrasjet e qeta të natës tek reprezaljet bërthamore – atëhere duhet t’i bindni kundërshtarët tuaj se edhe opsioni më ekstrem është i mundur. Dhe një mënyrë për ta bërë këtë është që t’i bëni ata të mendojnë se jeni i çmendur. Le të marrim në konsideratë një lojë që teoricieni Thomas Schelling ua përshkroi studentëve të tij në vitet Gjashtëdhjetë në Harvard: Ju qëndroni në majën e një rrëpire, i lidhur me zinxhir tek kaviljet me një person tjetër. Në momentin që ndonjëri prej jush dorëzohet, ju do të liroheni të dy dhe kushdo që qëndron i heshtur do të fitojë një çmim të majmë. Çfarë bëni? Nuk mund ta shtyni personin në rrëpirë, pasi do të vdisnit edhe vetë. Por mund të vallëzoni dhe t’i afroheni sa më afër majës. Nëqoftëse jeni të gatshëm të tregoni se do ta shpërfillnit një nivel të caktuar rreziku, partneri juaj mund të heqë dorë dhe mund ta fitoni ju çmimin. Por nëqoftëse e bindni kundërshtarin se jeni i çmendur dhe se jeni i gatshëm të hidheni në çdo moment në çdo drejtim, atëhere ai ndoshta do të dorëzohej menjëherë. Nëqoftëse Shtetet e Bashkuara dukeshin të papërgjegjshme, të padurueshme dhe deri të çmendura, atëhere rivalët mund të pranonin ujdi që do t’i kishin refuzuar në kushte normale. Në termat e teorisë së lojës, një ekuilibër i ri do të shfaqej teksa liderët në Moskë, Hanoi dhe Havanë e kuptonin sesa të tmerrshme mund të bëheshin gjërat nëqoftëse provokonin një President jashtë kontrollit me armët e shpifura që kishte në dispozicion. Fluturimet e avionëve B-52 të armatosur me armë bërthamore afër territorit sovjetik dukej se qenë një zbatim i drejtpërdrejtë e kësaj lloj teorie loje. H. R. Haldeman, Shefi i Stafit i Nixon, shkruan në ditarin e tij se Kissinger besonte se dëshmi të iracionalitetit amerikan “do t’i shkundnin sovjetikët dhe Vietnamin e Jugut”. Nixon e inkurajoi Kissinger që ta zgjeronte këtë qëndrim. “Nëqoftëse çështja e Vietnamit ngrihet” në bisedimet me Moskën, këshillonte Nixon, Kissinger duhet të “tundë kokën dhe të thotë “Më vjen keq, zoti Ambasador, por Presidenti ka rrëshqitur”. Nixon i tha Haldeman: “Dua që verivietnamezët që besojnë se kam arritur pikën se mund të bëj gjithçka për ta ndaluar luftën. Ne thjesht duhet të përhapim fjalën se “Për hatër të Zotit, ju e dini që Nixon është i fiksuar lidhur me komunizmin. Nuk mund ta përmbajmë kur është i nervozuar – dhe mos harroni se e ka dorën tek butoni bërthamor – dhe vetë Ho Chi Minh do të jetë në Paris për dy ditë duke u lutur për paqe”. Ndërsa “Giant Lance” fillonte, Sekretari i Përgjithshëm sovjetik Leonid Brezhnev nuk kish se nga ta dinte nëse një gjë e tillë ishte manovër ushtarake, bllof apo një sulm që do t’i jepte fund gjithçkaje (dhe së cilës ai duhej t’i përgjigjej menjëherë në mënyrë të ngjashme). Anatoly Dobrynin, ambasadori i Brezhnev në Shtetet e Bashkuara, me urgjencë caktoi një takim me Nixon dhe Kissinger. Dobrynin e filloi bisedën duke shprehur alarm për aksionet e Shtëpisë së Bardhë. Pastaj Presidenti e sulmoi me fjalë të ashpra ambasadorin sovjetik, duke kërkuar që Moska t’i ndihmonte Shtetet e Bashkuara në Vietnam. Nixon i deklaroi se nëqoftëse nuk u jepej ndihma, “Shtetet e Bashkuara rezervonin të drejtën për të vazhduar në rrugën e tyre dhe të përdornin metodat e tyre për t’i dhënë fund luftës”. Dobrynin shpjegoi se lidershipi sovjetik e kuptoi kërcënimin e Nixon dhe Kissinger se “Shtetet e Bashkuara mund t’u drejtoheshin përdorimit të disa “masave të tjera” për të zgjidhur çështjen e Vietnamit”, por në këtë rast, vazhdon Dobrynin, “Moska do të pëlqente t’i thoshte Presidentit pa doreza se politika e zgjidhjes së çështjes së Vietnamit nëpërmjet forcës ushtarake jo vetëm që është e kotë, por edhe jashtëzakonisht e rrezikshme”. Dobrynin i tregoi fjalët kërcënuese të Nixon në raportin e tij për Kremlinin: Presidenti tha se “ai kurrë (Nixon e theksoi dy herë këtë fjalë) nuk do ta pranonte një humbje poshtëruese apo terma poshtëruese. Ashtu si Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara janë një vend i madh dhe ai është Presidenti i tyre. Liderët sovjetikë janë persona të vendosur, por ai, Presidenti, është njëlloj si ta”. Dobrynin i paralajmëronte liderët sovjetikë se “Nixon është i paaftë ta kontrollojë vetveten edhe në një bisedë me një ambasador të huaj”. Gjithashtu, ai komentoi lidhur me “emocionalizmin në rritje” dhe “mungesën e balancës” së Presidentit. Kjo është saktësisht përshtypja që Nixon dhe Kissinger kishin kërkuat të kultivohej. Pas takimit, Kissinger zbuloi suksesin e tyre. Ai i shkruan Presidentit: “Unë dyshoj se misioni kryesor i Dobrynin ishte që të testonte seriozitetin e kërcënimit”. Sipas Kissinger, Nixon kish “luajtur fort me Dobrynin, duke ju kundërpërgjigjur siç duhet çdo gjëje që ai i tha”. Kissinger e këshilloi Shtëpinë e Bardhë që të “vazhdonte t’i mbështeste paralajmërimet tona verbale me lëvizjet tona aktuale ushtarake”. Më 30 tetor, Nixon dhe Kissinger urdhëruan përfundimin e “Giant Lance” dhe avionët B-52 u rrotulluan dhe u kthyen në shtëpi. Përfundimi i papritur e përforcoi pozicionin prej “njeriu të çmendur”. Nixon dhe Kissinger mund të jenë përpjekur t’u tregojnë sovjetikëve se ata mund të iniciojnë aksione kërcënuese pa paralajmërim dhe pastaj të rivendosin operacione “normale” në mënyra të paparashikueshme njëlloj të ngjashme. Kjo do ta mbante Kremlinin duke hipotezuar se çfarë do të ndodhte më pas, duke u habitur nëse Shtetet e Bashkuara do t’i dërgonin shpejt të dyja vendet në përplasjen finale. Në nivelin më të natyrshëm, misioni dështoi. Ai mund t’i ketë frikësuar sovjetikët, por nuk i shtrëngoi ata që t’i jepnin fund mbështetjes së tyre për Hanoin dhe verivietnamezët nuk shkuan në Paris për të lypur paqe. Megjithatë, Nixon dhe Kissinger besuan se kërcënimet e tyre u hapën derën marrëveshjeve për kontrollin e armëve të fillimit të viteve Shtatëdhjetë. Sipas këtij argumenti, liderët në Moskë e pranuan pas tetorit të vitit 1969 se do të preferonin më shumë të negocionin me Washington në terma të pranueshëm për interesat amerikane. Më shumë se 35 vite pas operacionit “Giant Lance”, e pyeta Kissinger rreth tij gjatë një darke të gjatë në “Fur Seasons Grill” në New York. Pse, e pyeta, ata rrezikuan luftë bërthamore në tetor të vitit 1969? Ai u mendua teksa po hante sallatën e tij, i habitur që unë dija aq shumë rreth këtij episodi dhe i mati me shumë kujdes fjalët e tij. “Diçka duhej bërë”, shpjegoi ai, për të mbështetur kërcënimet që kishin bërë Shtetet e Bashkuara dhe për t’i shtyrë sovjetikët që të ndihmonin në Vietnam. Kissinger kish sugjeruar se manovrat bërthamore për t’i dhënë Presidentit më shumë avantazh në negociata. Ato qenë një artikulim i teorisë së lojës që ai kish studiuar përpara se të ngjitej në pushtet. “Çfarë do të bënin sovjetikët?”, tha me përçmim Kissinger. Por po sikur gjërat të kishin ecur tmerrësisht keq – nëqoftëse sovjetikët do të kishin reaguar në mënyrë të ekzagjeruar, nëqoftëse një avion B-52 do të ish rrëzuar, nëqoftëse një prej testatave bërthamore të ngarkuara me nxitim të kish shpërthyer? Kissinger hezitoi. Duke mohuar se bile kish ekzistuar ndonjëherë një teori e njeriut të çmendur në punë, ai theksoi se “Giant Lance” u konceptua që të ishte një paralajmërim, jo një provokim për luftë. Operacioni u konceptua që të ishte i sigurtë. Në çdo rast, tha ai, qëndrimi i patundur është thelbësor për politikëbërjen.
(Jeremi Suri, Profesor Historie në University of Wisconsin, është autor i librit “Henry Kissinger and the American Century”)
Përgatiti
ARMIN TIRANA