Shkrimtari që ishte spiun si personazhet e tij
Ian Fleming njihet më mirë si autori që krijoi protagonistin e famshëm të spiunazhit, James Bond 007. Lindur në Oxfordshire, Angli, në një familje të pasur e të njohur, Fleming u rrit me çdo avantazh të mundshëm. I ati ishte deputet (që vdiq gjatë Luftës I) dhe e ëma ishte një grua e njohur, që mes shumë miqve të saj numëronte dhe Winston Churchillin.
Fleming, ashtu si vëllai i tij më i madh, dhe ashtu si babai dhe gjyshi përpara tij, ndoqi shkollën në prestigjiozin Kolegjin Eton, por u largua para se të diplomohej. Ai ishte i vendosur të ndiqte fatin e tij, në vend që të ecte në gjurmët e familjes në Oksford. Ai u regjistrua dhe ndoqi për pak kohë Akademinë Ushtarake Sendhërst, por edhe aty u mërzit dhe kish probleme me përshtatjen me rregullat e rrepta ushtarake.
Me shpresën që të zhvishej nga barra e emrit të familjes, Fleming u vendos në Austri dhe kreu atje punë të ndryshme. Më pas, u bë reporter për Reuters dhe u ngarkua të mbulonte një gjyq spiunazhi në Bashkimin Sovjetik, një histori kjo që zgjoi kureshtjen dhe nxiti interesin e tij për spiunazh. Në 1933, pas vetëm pak kohësh tek Reuters, ai e la edhe këtë punë dhe nisi një tjetër si bankier në Londër, me shpresën për të fituar pavarësi financiare.
Gjatë kohës që punoi për Reuters, Fleming kish patur kontakte të shumta me shërbimin e fshehtë britanik, të cilat i ruajti edhe në vitet që punoi si bankier. Në vitin 1939, ai krejt papritur u largua nga kjo punë dhe u kthye në Bashkimin Sovjetik për të mbuluar një lajm për London Timer. Sipas të gjithë gjasave, Fleming kish krye punë të vogla spiunazhi në vitet që punoi si bankier, por veprimtaria e tij pësoi një rritje kur ai u kthye në BS në vitin 1939. Puna në London Times ishte një maskim i një misioni të fshehtë të organizuar nga shërbimi britanik.
Në maj të vitit 1939, Fleming hyri zyrtarisht në Zyrën e Zbulimit të Marinës Britanike, ku shërbeu si asistent i Drejtorit, Admiralit Xhon Godfrej. Fleming vërtetoi se ishte njeriu i duhur për spiunazh, gjë që i lejoi atij të përdorë imagjinatën e ndezur për planifikimin e misioneve të rrezikshëm dhe mirëpërgatitur, shumica e të cilëve ishin të suksesshëm.
Drejt fundit të Luftës së Dytë Botërore, Fleming, tani një Komandant në Zyrën e Zbulimit mori drejtimin e Njësisë 30 të Sulmit, një grup komandosh specialë që dërgoheshin në misione po specialë të zbulimit. Njësia e Fleming kopjoi dhe rrëmbeu shumë dokumente të vlefshme të nazistëve dhe arriti të infiltrojë në njësitë gjermane të zbulimit. Për punën e kësaj njësia, Fleming u vlerësua jashtëzakonisht shumë. Pas luftës, Fleming u vendos në Xhamajkë dhe nisi karrierën e tij si shkrimtar. Librat e tij, ka thënë ai vetë, ishin saktësisht lloji i librave që do të donte të lexonte, plot me detaje, aksion dhe spiunazh. Fleming u martua dhe pati një fëmijë, por ai vdiq i ri nga zemra në 12 gusht 1964.