Simbolet: Dita e pastrimit, kryengritësit dhe gjumi i arinjve
Veton Surroi
Përse është me rëndësi data e shpalljes së Bashkësisë së komunave serbe?
1.
Sikur në një rrëfim mesjetar që gërsheton fiksionin me zhvillimin historik – me mbretër e shenja nga Qielli- Serbia dhe Kosova e kanë përpara një datë për duel. Datën e ka caktuar Beogradi, dhe në traditën e përzierjes së kronologjisë kishtare me kalendarin politik, zyrtarët e saj kanë paralajmëruar se nëse Prishtina zyrtare nuk e formon Bashkësinë e komunave serbe deri në “Sretenje”, atë do ta bëjnë vetë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
“Sretenje” është në kalendarin kishtar ajo që katolikët dhe ortodoksët shqiptarë e quajnë Dita e hyrjes së Krishtit në Tempull, pjesë e traditës së vjetër hebraike, sipas së cilës foshnjat dilnin nga shtëpitë për pagëzim religjioz 40 ditë pas lindjes. Për dyzet ditë lehona konsiderohej pas lindjes si “e papastër”, andej edhe dalja e Marisë u quajt edhe Ditë e Pastrimit. Për dallim prej të krishterëve shqiptarë, që e kanë tashmë të përbashkët kalendarin gregorian, Kisha Ortodokse Serbe feston ende me atë julian, dhe “Sretenje” i bie më 15 shkurt.
2.
Bashkësia e komunave serbe, natyrisht, nuk ka gjë as me traditën e vjetër hebraike të daljes së foshnjës pas dyzet ditëve, e as me faktin se kjo foshnje është më e njohura tashmë në botë dhe quhej Jezu.
“Sretenje” është vendosur si datë, si pjesë e traditës politike serbe. Në të ditët kishtare shërbejnë si referencë për zhvillime politike. Dita e Shën Vidit, për shembull, që i bie më 28 qershor sipas traditës juliane, në politikë e historiografi serbe njihet si Dita e Betejës së humbur të Kosovës, më 1389, por edhe e vendosjes së Kushtetutës së Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve e Sllovenëve, më 1921. Dhe, natyrisht, e fjalimit famëkeq të Slobodan Milosheviqit në Kosovë, më 1989, me të cilin paralajmëroi se Serbia do të hynte në luftë me popujt e tjerë.
“Sretenje” ka rëndësi edhe më të madhe për Serbinë. Është dita e kryengritjes së parë serbe më 1804 kundër Turqisë, me qëllim krijimin e shtetit serb, dhe është dita kur më 1835, Principata e Serbisë nxori Kushtetutën e saj të parë, të cilën serbët e kanë konsideruar si më demokratiken për një kohë të gjatë. Me këto dy data, shteti bashkëkohor serb deri në Mbretërinë SKS e ka festuar si Ditë të shtetësisë, për t’u zyrtarizuar tashmë në Serbinë bashkëkohore më 2001.
Pra, Beogradi zyrtar nuk thotë se Prishtina duhet ta themelojë Bashkësinë e komunave serbe deri në Ditën kur Jezusi u pagëzua në Tempull si Jeshua, i biri i Jozefit e Marisë. Beogradi zyrtar thotë se Prishtina duhet ta themelojë Bashkësinë e komunave serbe deri në Ditën e Shtetësisë serbe. Ose, në të kundërtën, këtë do ta bëjnë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, që e njohin si të parin të vetin vetëm kryeministrin e Serbisë. Atë ditë, kur filloi kryengritja e parë serbe kundër Turqisë otomane, atë ditë kur u vendos Kushtetuta e parë e Knjazhevinës (principatës), atë ditë kur festohet shtetësia e Serbisë, atë ditë duhet të shpallet themelimi i entitetit politik të quajtur Bashkësia e komunave serbe.
3.
Përse janë të rëndësishme në këtë rast simbolet?
Ta marrim Bashkësinë e komunave. Si term gjenerik, në sistemin kushtetues juridik të Kosovës ajo do të ishte një organizatë joqeveritare, e cila si edhe tetë mijë të tjera të regjistruara në Kosovë nuk do të mbërrinte të zgjonte ndonjë interes të veçantë, jo se jo atë të shndërruarit në një pikë dueli që duhet zgjidhur në një datë aq të rëndësishme të kalendarit politik-religjioz të Serbisë.
Por Bashkësia e komunave serbe është emër simbolik për një autonomi territoriale politike të Serbisë (për atë që do më shumë lexim është libri im “Emri i autonomisë”, botimet KOHA, 2015). E autonomia territoriale-politike e serbëve konsiderohet si ekstension (zgjatje) territorial i Serbisë në Kosovë. Dhe kjo zgjatje duhet të themelohet deri në kremten e shtetësisë serbe, si pjesë e shtetësisë serbe.
Si çdo simbol tjetër, edhe ky i Bashkësisë së komunave lexohet brenda një konteksti real. Autonomia territoriale nuk është projeksion abstrakt, por një plan konkret i veprimit. Këtë nuk e kanë fshehur përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të cilët prej se ekziston Kosova si entitet territorial politik për herë të parë në këtë formacion politik deklaruan haptazi se punojnë drejtpërsëdrejti për interes të Serbisë, një shtet i cili ende vazhdon veprimet armiqësore ndaj Kosovës.
Dhe, projekti i zgjatjes territoriale tashmë është i konkretizuar jashtë fjalorit të pastër politik. Me Marrëveshjen për telekomunikacion, të nënshkruar në Bruksel, Kosova ka pranuar që shteti i Serbisë të depërtojë me telefoninë fikse dhe atë mobile ku t’ia ketë ënda.
Për “Sretenje”, çdo pjesë e institucioneve të Kosovës që ndien nevojën a dëshirën e subordinimit të Serbisë e ka të thjeshtë, do t’i subordinohet Bashkësisë së komunave serbe, institucioneve të saj politike, gjyqësore, të sigurisë. Duke komunikuar, natyrisht, edhe brenda rrjetit etnik telefonik.
4.
A ka mundur politika kosovare t’i lexojë këto simbole?
Natyrisht që po, dhe jo vetëm tash. Në shkurt mbushen dhjetë vjet prej negociatave të Vjenës, kur delegacioni serb shprehu se çka donte me Bashkësinë e komunave serbe – krijimin e një entiteti “që do të ishte i lidhur me Serbinë qendrore”. Në shkurt të vitit 2007, si delegacion negociator e hodhëm poshtë këtë kërkesë dhe në tërësi projektin e formimit të një rrafshi të tretë të pushtetit në Kosovë. Bashkësia e komunave serbe si rrafsh i tretë i pushtetit nuk është pjesë e Pakos së Ahtisaarit, e në Kushtetutën e Kosovës nuk është as definicioni i kërkuar prej Beogradit për serbët si “konstitutivë”. Këtë nuk ma ka thënë kush, e di, sepse kam qenë në krye të delegacionit negociator. Por këtë si duket nuk e kanë ditur apo nuk kanë dashur ta dinë Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij kur e nënshkruan në Bruksel projektin e njëjtë që ne kishim refuzuar në Vjenë.
Tash politika kosovare merret me leximin e simbolit të murit në Mitrovicë. Përsërisin se është simbol ndarjeje, përmendet analogjia me atë të Berlinit…Cekin, sikur besimtarët e bindur në ortodoksinë e tyre, se muri nuk është pjesë e marrëveshjeve të Brukselit, dhe se kjo çështje rrjedhimisht do të jetë objekt trajtimi në Bruksel- diku në atë Mbretëri të largët ku ndahet drejtësia.
Por muri fare lehtë mund të jetë simbol i tjetër natyre. Të jetë simbol i peshkatarisë, për shembull i karremit mashtrues, i cili i ka dy përparësi: e mashtron peshkun dhe e zë duke përdorur forcën e tij përpëlitëse. Pushteti i Kosovës tashmë i ka bërë disa vjet duke u marrë me karrema, në formë barrikadash, parqesh e muresh, çdo herë duke e dëshmuar mençurinë e njëjtë të peshkut.
Dhe, meqë jemi te fauna, dita e ultimatumit të Serbisë është me rëndësi për pushtetin në Kosovë dhe për të gjithë të tjerët që jetojnë nën këtë pushtet. Në traditën pagane të shumë popujve në hemisferën veriore, Dita e Pastrimit (apo e hyrjes së Krishtit në Tempull) ishte dita kur ata besonin se dimri takohet me verën. Tek serbët ekziston besimi se arinjtë atë ditë zgjohen nga gjumi dimëror. Nëse ka diell ata frikohen prej hijes së vet, i kthehen gjumit dhe kështu dimri zgjat edhe gjashtë javë të tjera.
Tek politika serbe sot ekziston besimi i njëjtë, dhe përcaktimi që të testohet pushteti i Kosovës si ari që kthehet në gjumë dimëror, i frikuar prej hijes së vet.