Albspirit

Media/News/Publishing

Virgjëreshat që qajnë

Një statujë e Virgjëreshës qe qanVirgjëresha që qajnë, që derdhin lot gjaku – A ishte kjo një lojë dritash apo një dëshmi e pranisë së Zotit në jetën tonë? Rasti i virgjëreshave, që qajnë, vazhdon të frymëzojë besimin dhe të vërë në mëdyshje kureshtarët deri në ditët tona

Në zemër të feve të mëdha të botës ka mistere që kërkojnë një nivel të caktuar besimi. Simbolet e fesë, si statujat, ikonat, ritualet, janë shprehja e jashtme e çdo feje. Dhe në vetvete ato gjenerojnë besim te njeriu fetar. Megjithëse jetojmë në një botë të sunduar nga teknologji të jashtëzakonshme, për shumë njerëz jemi vetëm një hap përpara Mesjetës. Reliktet e shenjtorëve vazhdojnë të adhurohen, sepse besohet se janë të ngarkuara me veti shëruese. Për miliona njerëz epoka e mrekullive nuk ka kaluar akoma. Reliktet si provë fizike e ekzistencës së Perëndisë së adhuruar është një faktor jetësor në jetën e tyre të përditshme.

 

Besimi në Virgjëreshat që qajnë

Besimi në Virgjëreshën Mari është një forcë e madhe besimi për shumë katolikë romanë. Që prej Mesjetës, ai ishte lidhur me fenomenin e Virgjëreshave që qajnë, statuja të cilat derdhin lotë gjaku. Për skeptikët këto ngjarje përbëjnë provën e mbijetesës, edhe në epokën e shkencës, të besimeve primitive dhe supersticioze, por ka dëshmi që gjëra të tilla vërtet ndodhin. Rasti i Virgjëreshave, që qajnë, vazhdon të frymëzojë besimin dhe të verë në mëdyshje kureshtarët deri në ditët tona. Dhe këtu ka diçka më shumë që bie në sy. Në vitet ’50, një fizikan italian, doktor Piero Kazoli, bëri një hetim të hollësishëm të Virgjëreshave që qajnë, dhe pastaj e ndërpreu punën, duke nxjerrë përfundimin se të tilla raste raportoheshin çdo javë vetëm në Itali.

Më 1995 ndodhi një ngjarje interesante në fshatin e qetë Greinxh Kon, të Uest Uitlandit, në zemrën e gjelbër të Rorolajos. Një statujë e Virgjëreshës, pronë e Meri Marisë, filloi të qante me lotë të kuq ngjyrë gjaku. Vajza e Merit, Atrakta O’Hara, tregon ngjarjen.

Ishte një e hënë në mëngjes, ishte kohë shumë e bukur dhe unë dola këtu, te dritarja e kuzhinës së nënës sime. Pashë nga dritarja fytyrën e Virgjëreshës dhe thashë, “Ajo ka lot në fytyrë”. Lashë gjërat që kisha në duar, dhe thashë: “A është e vërtetë kjo apo po imagjinoj?”. Nëna më dha kutinë ku ruante statujën e Virgjëreshës. Unë mora kutinë, e hapa dhe pashë statujën me dy rrëketë e lotëve të kuq.

Grejnxh Kon u bë vend pelegrinazhi. Besimtarët dhe kureshtarët vinin të shihnin statujën e Meri Marisë. Meri u bë një personalitet. Statuja vazhdonte të derdhte lot. Por megjithatë prifti i vendit, At Geri Dojll, mbetet skeptik për faktin se si një statujë e prodhuar në mënyrë artizanale të mund të lëshojë lot.

 

Përse lotonte virgjëresha?

Sytë e statujës janë prodhuar prej një substance të tillë, e cila në temperaturë të caktuar mund të shkrihet ose të lëngëzohet, duke krijuar efektin që është parë në Grejnxh Kon. Dhe kjo është për mua edhe arsyeja e një fakti të tillë, ky është shpjegimi. Megjithkëtë, besimtarët mbeten plotësisht të bindur se një mrekulli e vogël ka ndodhur në Grejnxh Kon. Në anën tjetër të botës, në rrugët e Çikagos, forca e besimit duket po aq e madhe. Jeta këtu nuk është aq e qetë si në Grejnxh Kon, por ajo mund të qetësohet përkohësisht nga lotët që dalin ngadalë nga një statujë allçie e Virgjëreshës Mari. Në vitet ‘80 Kongregacioni i Kishës Katolike Romake në Çikago deklaroi se Virgjëresha Mari qante në intervale të rregullta. Të pakët ishin ata që mund të vinin në dyshim sinqeritetin e atyre njerëzve. Dhe meqenëse vetë statuja ishte objekt adhurimi, shfaqja misterioze e lëngjeve në të interpretohej në një kontekst fetar, megjithëse askush nuk ishte i sigurt për kuptimin e saj të vërtetë. Disa sugjeronin se lotët rridhnin si përgjigje ndaj imazheve të fuqishme të përkushtimit, të fokusuara në mënyrë kolektive nga kongregacioni.

Megjithatë, në kontrast me të tilla manifestime alarmante të psikikës, si aktivitet dhe ndikim magjie, lotët në fytyrën e Virgjëreshës duket se lehtësojnë më shumë sesa frikësojnë.

 

Sytë e Virgjëreshës, kërshëri dhe lutje

Virgjëreshat që qajnë janë bërë jo vetëm një tërheqje për turistët, por gjithashtu një fokus lutjesh dhe përkushtimi për ata që vijnë ta shohin. Pavarësisht, nëse fenomeni është real apo i imagjinuar, ai nxit emocione të fuqishme.

Në anën tjetër të Çikagos, në një kishë ortodokse, një ikonë e Virgjëreshës Mari filloi gjithashtu të derdhë lot. Ideja e Marisë që derdh lot vjen nga pamja e saj duke qarë në këmbët e kryqit, në çastin kur dhimbja e saj për vdekjen e djalit simbolizon dhimbjen e racës njerëzore për vdekjen e Krishtit. Lotët e saj gjithashtu janë edhe një simbol marrëdhënieje mes Krishtit, asaj dhe njerëzve.

 

Shkencëtarët, debate dhe konkluzione për lotët

Rreth ikonës u ndërtua një faltore, që besimtarët të kishin vend ku të shihnin Virgjëreshën, ndërsa lotët vazhdonin të rridhnin. Në fillim të viteve ‘50 shkencëtarët analizuan lotët e derdhur nga Virgjëreshat që qajnë në Sirakuzë. Ata dalluan praninë e sodiumit dhe klorit, që janë përbërës të lotëve njerëzorë. Por, ata nuk gjetën gjurmë të substancave të tjera të lotit njerëzor. Në Sirakuzë, një Bazilikë e re u ndërtua vetëm për të strehuar brenda saj objektin e mrekullisë. Shën Kirili njëherë ka thënë se lotët e tmerrojnë djallin, më shumë se dhimbjet e skëterrës.

Më 1996 në Kliruotër, në Florida, mijëra njerëz shkuan të shihnin Virgjëreshën Mari, e cila u shfaq në reflektimin e xhamave të dritareve në një ndërtese zyrash. Pamja e saj i shtangu njerëzit në të gjithë rrugën dhe bëri që disa njerëz të kalonin deri në gjendje transi, si formë përkushtimi. Disa të tjerë, jo edhe aq të bindur, thanë se pamja ishte krijuar nga reflektimet që lëshonte uji i vesës. Turmat që u mblodhën jashtë ndërtesës, rrezikonin të bllokonin trafikun. A ishte kjo një lojë dritash apo një dëshmi e pranisë së Zotit në jetën tonë?

Katër vjet përpara kësaj ngjarjeje, policia në Marlboro, të Nju Xhersit, kishte përjetuar një përvojë të ngjashme, kur gjashtë mijë njerëz kishin ardhur për të kapur një pamje sado të vogël të Virgjëreshës. Pelegrinazhi u nxit nga Xhozef Janushkeviç, i cili deklaroi se Virgjëresha i ishte shfaqur në oborrin e pasëm të shtëpisë së tij. Pelegrinët u mblodhën përpara faltores, të cilën Janushkeviçi e kishte ndërtuar në vendin ku u shfaq pamja e Virgjireshës. Por, ata që shpresuan në një rikthim të virgjëreshës mbetën të zhgënjyer. Shumë prej tyre nuk donin të ktheheshin më, megjithëse i vetmi çmim i devocionit ishte një 5-dollarësh për parkimin, nga ana tjetër e oborrit, ku ishte shfaqur Virgjëresha.

Në Jordani, në 1978, mijëra të krishterë zbritën në qytetin e vogël Madaba, 30 kilometra në jug të kryeqytetit Aman. Destinacioni i tyre ishte një kishë ortodokse greke, e famshme tashmë për mozaikun e saj të shekullit të 6-të në formën e hartës të Tokës së Shenjtë.

 

Mrekullitë e lotëve të virgjëreshës

Tani turmat mblidheshin për të parë ikonën e mrekullueshme të Virgjëreshës, e cila ishte ndërthurur me dritën dhe kishte një krah të tretë. Banorët vendas thanë se njerëzit e sëmurë të mbledhur në kishë, kishin përjetuar shërime të habitshme. A kishte qenë kjo vepër e ikonës dhe e krahut të saj të tretë misterioz?

Mrekullitë nuk janë kufizuar vetëm në fenë e krishterë. Në shtator 1995, besimtarët indu nga e gjithë bota, u mbërthyen nga lajmi fetar i përhapur më shpejt në histori. Kishte filluar në Indi, por shpejt arriti në Britani, ku ndodhet edhe një komunitet i madh indu. Tempulli Vishua, në Sator, një periferi e Londrës, u bë qendra e vëmendjes së medias. Mijëra indu u mblodhën për të parë se si po ushqenin me qumësht me lugë Perëndinë Ganesh. Ajo që dukej si mrekulli ishte se statuja e tempullit në fakt po absorbonte qumështin.

Statujat e perëndive indu respektohen çdo ditë nga besimtarët, dhe në këtë periudhë të vitit, ofrohet qumësht për shpirtin e stërgjyshërve. Por konsumimi i qumështit nga statujat ishte një fenomen i paprecedent. Në Sator, supermarketet e zonës, shitën të gjithë stokun prej afërsisht 15 mijë litra qumësht brenda ditës. I nxitur pjesërisht edhe nga interneti, fenomeni i Ganeshit, u përhap nëpër Azi dhe Lindjen e Largët.

Disa thoshin se arsyeja e vërtetë e pirjes së qumështit ishte efekti i kapilarëve. Pra, një lloj procesi që është i kundërt me atë të Virgjëreshave që qajnë. Substanca si alabastra mund të absorbojnë lëngjet me shpejtësi. Por, shumë nga statujat që pinin qumësht ishin të vogla, ose të bëra prej metali. Efekti kapilar nuk mund të ndodhë për litrat e tëra të qumështit që thuhej se kishin konsumuar ato. Në kulmin e famës së statujave qumështpirëse indu, u tha se statuja e Virgjëreshës, në qytetin anglez Rankorn, po kryente të njëjtin veprim. Në Itali, një nga manifestimet më tradicionale është ai i Virgjëreshës që qan në Çivitavekia, e cila thuhet se ka derdhur lotë gjaku. Statuja, e cila u kthye në një objekt adhurimi, u hoq për studime shkencore. Kthimi i saj u prit me padurim. Një karvan makinash, të udhëhequra nga peshkopi i Çivitavekias, shpejtonte përmes gëzimit të turmës. Statuja e Virgjëreshës mbahej lart. Dhe verdikti i shkencëtarëve? Gjaku ishte gjak njerëzor, por origjina e tij mbetej e panjohur.

Please follow and like us: