Albspirit

Media/News/Publishing

Farsa e Vetingut: Gjykata e Lartë liron nga arresti me burg burrin e gjyqtares

Trupa prej 5 gjyqtarësh e Gjykatës së Lartë, me relatore Evelina Qirjako, liroi sot nga qelia Odhise Andrean, duke i ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në arrest shtëpie. Ai është bashkëshorti i gjyqtares së kësaj gjykate, Majlinda Andrea.

Odhise Andrea, që akuzohet për “korrupsion pasiv të gjyqtarëve”, u vetëdorëzua dy ditë më parë në polici, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që në 13 korrik të vitit të kaluar.

Avokati Ardian Visha, i caktuar nga gjykata, kërkoi ne seancën e sotme ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Ndërsa prokurori Arben Kraja, kërkoi qëndrimin e tij në qeli, si dhe hetimin edhe për hyrje të paligjshme në Shqipëri. Që nga data 13 korrik 2016, sipas sistemit TIMS, Odhise Andrea ishte regjistruar në dalje nga kufiri i Shqipërisë duke u larguar drejt Brindizit në Itali. Ndërsa për kthimin e tij në Shqipëri, në sistemin TIMS nuk ka asnjë gjurmë.

Sipas prokurorise, Odhise Andrea akuzohet se ka kërkuar dhe marrë 50 mijë euro, që bashkëshortja e tij gjyqtare e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, të favorizonte Eleni Linon dhe Petraq Dashin në marrjen e vendimit, duke iu kthyer një sipërfaqe të konsiderueshme prone. Por vetë Andrea tha sot para trupës gjykuese se këtë shumë parash ai e kishte marrë për një biznes.

Please follow and like us: