Gjermania ashpërson masat për sigurinë
Si rrjedhojë e sulmit terrorist në Berlin qeveria do t’u kundërvihet me ligje më të ashpra rrezikuesve islamistë. Synohet që terroristët potencialë të huaj të mund të mbahen më lehtë në arrest për t’u dëbuar nga vendi. Siç theksuan ministri i Brendshëm Thomas de Maizière (CDU) dhe ai i Drejtësisë Heiko Maas (SPD) në Berlin, për personat e ashtuquajtur “rrezikues” duhet të formulohet një arsye e posaçme arresti.
Planifikohen edhe rregulla në nivel landi
Rrezikues janë njerëz, ndaj të cilëve autoritet e sigurisë dyshojnë, se mund të kryejnë një atentat. De Maizière dhe Maas shpjeguan, se duhet që të lehtësohen kushtet për mbajtjen në arrest dëbimi. Në ligjin për Zyrën Federale të Kriminalistikës (BKA) duhet të aplikohet edhe përdorimi i një prange elektronike të këmbës për personat rrezikues. Por që kjo masë të ketë efekt duhet që të ndryshojnë edhe rregullat në nivel landi, vunë në dukje ministrat.
Negociata me vendet e origjinës
Eshtë planifikuar gjithashtu aplikimi i detyrimit për të pasur një rezidencë, pra një kusht i ashpërsuar për qendrimin në një mjedis të caktuar për “azilkërkuesit, që ndryshojnë identitetin”, tha de Maizière. Në bisedimet me vendet e origjinës për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar duhet të involvohen “të gjitha fushat politike”, edhe ndihma e zhvillimit.
Shteti ligjor i aftë për t’u mbrojtur
De Maizière tha, se qeveria është në kohë të vështira në gjendje, që të arrijë rezultate të arsyeshme për një siguri më të lartë për qytetarët, pa ndërhyrë në mënyrë disproporcionale në të drejtat e lirisë. Maas tha, se shteti ligjor i aftë të mbrohet është përgjigja më e mirë ndaj urrejtjes së terroristëve. Qëllimi është, që në Gjermani të mos përsëritet një rast si ai i Amri.
Vendimeve për marrjen e këtyre masave i parapriu një debat në koalicionin qeverisës mes kristiandemokratëve (CDU) dhe socialdemokratëve (SPD) lidhur me atë, se çfarë mësimesh duhen nxjerrë nga atentati me maune në tregun e Krishtlindjeve në Berlin. Atentatori Anis Amri më 19 dhjetor 2016 në sheshin Breitscheidplatz vrau dymbëdhjetë vetë dhe plagosi shumë të tjerë pjesërisht rëndë. Ai ishte klasifikuar si rrezikues dhe duhej të dëbohej nga Gjermania si azilkërkues i refuzuar. Megjithatë Amri nuk mundi të dëbohet, sepse atdheu i tij Tunizia nuk i kishte lëshuar dokumentat përkatëse./Deutsche Welle